Mendja e hapur për të vërtetën
12 dhjetor 2020 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Sir 48, 1-4.9-11; Ps 79; Mt 17,10-13)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment
dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e derdh mbi mua,
se si më krijon në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempullin e tij…
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujton se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.
Fjala e Zotit
Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë. Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit. Që t`i dua të afërmit si vetveten. Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Mt 17,10-13
10 Atëherë nxënësit e pyetën:
“Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë përpara Elia?”
11 Ai iu përgjigj:
“Po, Elia do të vijë dhe do të vërë çdo gjë në vend të vet. 12 Porse, unë po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të gjithçka deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë shumë prej tyre.”
13 Atëherë nxënësit e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzuesin.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Nxënësit janë të çorientuar. Ata besojnë se do të vijë Elia përpara vendosjes së Mbretërisë së Hyjit. Jezusi përpiqet t`i lëvizë të ecin përpara, duke u thënë se punën e Elisë e ka bërë tashmë Gjon Pagëzuesi. Zoti vepron në një mënyrë që është më e ndryshme nga ajo e jona. A ndodhë që edhe unë të marr në thua dhe ta lëshoj pa e vërejtur Hyjin që befason?
- Kur ta dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit ta kem para sysh: A mund t`i dalloj njerëzit e mirë nga mashtruesit? Mendja ime a është e hapur për të vërtetën, edhe kur vjen nga burime të papritura? Apo jam i/e kufizuar nga “njëanshmëria” sa që nuk e shoh të mirën në të tjerët?
Bashkëbisedimi
Konteksti i kësaj çështjeje është shndërrimi, dëshmitarë të të cilit kishin qenë rrethi i ngushtë i nxënësve. Elia pat vuajtur në kohën e vet, dhe Jezusi ua bën të qartë se të shkosh pas tij do të thotë të vuash me të.
O Zot, ndërsa po e vazhdoj udhëtimin e kohës së Ardhjes ndihmomë të bëhem i/e vetëdijshëm/e për të gjitha sfidat që më shfaqen gjatë ndjekjes sate. Mënyra jote e jetesës është për mua sfidë që nga momenti i lindjes sate.
Skena e grazhdit për Krishtlindje ka kuptim vetëm në dritën e kryqit.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.
Nxënësit ia kanë bërë Jezusit një pyetje për të dëgjuar çka do tu thoshte. Në përmbyllje të këtij meditimi edhe unë po i vendos para teje, o Zot, gjithë atë që më çudit, pyetjet që i kam dhe me vëmendje dua të përgjoj çfarë më thonë.
As Gjon Pagëzuesi, por as Jezusi nuk kanë qenë gjithmonë të pranuar. O Zot, po të lutem ma jep përvujtërinë që kam nevojë në mënyrë që të mund të veproj si ti. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Erdhi një njeri i dërguar prej Hyjit: Ai quhej Gjon Bazilika (Kisha) dhe Pagëzimorja e Ipeshkvisë dardane të Ulpianës »