Prozatori përballë sfidës estetike

Dec 14 • Kulturë, Letërsi

Nga Prend Buzhala

 

Vepra letrare jetësohet dhe e bën jetën e vet nëpërmes lexuesit.

Shekspiri diku thotë se duhet të mësojmë të lexojmë një tekst pa germa, për domethënien e mbuluar ose të brendshme. Ndodh si në rrëfimin e përrallave nga gjyshet analfabete, apo si në këndimin e këngëve epike nga rapsodët tanë ndër shekuj.

Fjala është dhe për nëntekstin, për kuptimin e dytë, të mbuluar a të fshehtë të një teksti që ndryshon nga kuptimi i drejtpërdrejtë.

 

  1. Leximi si kënaqësi estetike dhe si akt krijues-meditativ

Shpesh e kemi thënë: leximi i Lirë i detyron kritikët që ta tejkalojnë kërkesën e romantikëve për kritikun letrar, i cili u dashka ta kuptojë tekstin më mirë se sa vetë shkrimtari.

Edhe njëherë: mu ashtu si Princi i Përrallës që i duhet të jetë më i shkathëti nga të tjerët, për të sugjeruar gjithnjë brigje të reja semantike.

Dhe, në këtë drejtim, gjithnjë do të shtrohet dilema: a do të identifikohet e shkrihet plotësisht në shëmbëlltyrën e tekstit e të autorit?

Kritiku, apo vepra dhe autori do të shkrihen e identifikohen në Modelin e shkrimit interpretues e lexues të kritikut?

Dhe, përsëri, shtrëngohemi të themi se në kohë krizash, kënaqësia e leximit/kënaqësia e shkrimit, na janë edhe art i jetës, art i gjallimit. Lexuesit i ndodh që të gjejë librin e duhur, nga i cili mëson, e përjeton kënaqësinë e leximit, ashtu sikundër që gjen dhe libra që nuk i kupton dhe nuk i zgjojnë përjetime.

Ti lexon citatet, dhe e kultivon prirjen për lexim, duke pikësynuar, kështu, gjithnjë e gjithnjë, ato hapësirat a zonat e papushtuara shpirtërore.

Lexuesit të kultivuar në rini, të pasionuar që i ri, i ndodh që, kah fundi i librit, ta ngadalësojë ritmin e leximit, për arsyen e thjeshtë se dëshiron që ta zgjasë sa më shumë kënaqësinë e përjetimit të të lexuarit. Të leximit si kënaqësi estetike dhe si akt krijues-meditativ.

Edhe në moshë të shtyrë, leximi i tillë e rikthen besimin në rinimin e shpirtit, me romanet me ngjarje e kthesa të papritura që e mbajnë lexuesin në tension, apo me rrëfimin e legjendave, miteve, këngëve historike a kreshnike… se nëpërmes librit, lexuesi i rëndomtë dhe i kultivuar,. i përjeton ato si shtigje shprese e gëzimi…

Lexuesi ynë, i moshuari, duke lexuar biografi a publicistikë kohësh të kaluara, mallëngjehet për peizazhet e pamjet e dikurshme, njerëz e ngjarje që i ngjallin nostalgji; kurse i riu kupton diçka më shumë për dashurinë, për jetën dhe njeriun. Marsel Prust, shkrimtar i shquar frëng, thotë:

“Ndoshta në ditët tona të fëmijërisë, të përjetuara me kaq shumë mbushullima, ngjajnë në ato për të cilat kemi besuar se i kemi humbur në jetë, por që i kemi poseduar dhe përjetuar nëpërmes librave të preferuar….si një kënaqësi hyjnore…”

 

  1. Romani i çliruar

Kujtimet që i ringjall leximi, janë dhe një triumf mbi kohën. Të duket sikur kohët i merr përdore, si fëmijën, bashkëbisedon me to ngeshëm, duke e ringjallur me shpirt të rinuar. Ato libra ringjalljesh, janë një përmendore e bukur e kujtesës, përmendore e përjetimit dhe e kënaqësisë së leximit krijues…

Periudha e krijimit të romanit në Letërsinë shqipe gjatë viteve ’90 e këndej, deri në dekadën e parë të shekullit XXI, do të mund të karakterizohej si Letërsi e çlirimit tematik, e atij artistik dhe e çlirimit estetik. Letërsia shqipe, në të dy krahët e saj, në Shqipëri dhe në Kosovë; pati fatin e keq që të ndërlidhej qoftë me dogmat komuniste shtetërore, qoftë me censurën politike që kufizonte tematikën e me rrudhjet tjera artistike, për të mos thënë dhe me prirjet antiartistike e antihumaniste, si ndodhi në Shqipëri. Por në Kosovë, letërsia shqipe pengohej nga politika sunduese antishqiptare serbe. Nëse flitet për letërsinë shqipe të pas viteve të ’90-ta, flitet në kuadrin e ndryshimeve politike, që sollën edhe lirinë e shprehjes e të botimit. Nëse ky çlirim ndodhi si pasojë e rrethanave të reja që u krijuan me plasjen e rrathëve të ekzorcizmave të shteteve totalitare, nën të cilat jetuan shqiptarët, atëherë romani shqiptar i kësaj periudhe, gjithsesi, do ta ketë ndjerë këtë ndryshim të horizontit të receptimit (term i H. R. Jausit): do të hiqen ndalesat mbi shkrimtarët e anatemuar, do të shtohet numri i shtëpive botuese dhe i firmave të reja të autorëve, do të botohen artikuj, recensione, monografi studimore e madje edhe libra të tërë historiko-letrarë, do të botohen një numër shumë më madh i veprave letrare, do të bëhen përkthime të reja të veprave të letërsisë botërore, do të përhapet tregu i botimeve, do të formohen klube, shoqata e forma të reja organizimi dhe do të botohen revista të reja e faqe të reja për letërsi në shtypin ditor. Mbahen konferenca shkencore që i kushtohen letërsisë. Tashmë krijuesi do të gjendet përballë sfidës estetike: si do të krijosh sa më shumë vlera artistike apo si do të botosh libër, kur nuk e ke më përballë as censurën as vlerësimin jashtëletrar të artit? Dhe, tashmë përgjegjësia i bie barrë më së shumti vetë krijuesit, përballë shumë fenomeneve tjera që do të shfaqen gjatë këtyre viteve. Larmia e madhe e tipologjisë së romaneve, ka shënuar gjithnjë një vijë ngjitëse… Zaten, edhe në prozën e viteve të fundit u desh që vëmendja të përqendrohej tek realiteti i drejtpërdrejtë letrar, si kriter i përafrimit me tekstet letrare, për t’u distancuar nga epoka që përjashtonte kriterin estetik. Nuk është e habitshme përse i takojmë shumësinë e procedimeve letrare, ashtu sikundër i hasim dhe shumësinë e teksteve, me prirje të poetikës postmoderne e, madje, dhe moderniste. Proza letrare shqiptare, që nga vitet ’90’ta e këndej, si me përmbajtjet,si me diskurset e procedimet letrare, si me strukturat artistike a kompozicionale, si me larushinë e personazheve të ndërliqshëm, si me strukturat komplekse të rrëfimit; në mënyrë të pandërprerë pushton hapësira të reja të rrymimeve e lëvizjeve komplekse të jetës, shoqërisë dhe historisë. Nga ana tjetër, të gjitha këto situata jetësore, historike, shoqërore e të realitetit tranzicional, përpiqet t’i paraqesë si gjendje shpirtërore që ndryshojnë vazhdimisht, që shënojnë ngritje e pjekuri të vazhdueshme të vetëdijes historike e jetësore. Është personazhi i këtyre romaneve që gjithnjë e paraqet dhe synon ta shqiptojë të vërtetën bë kuadrin e një vizioni të mundshëm si në planin e filozofisë së mjetës, si në planin personal, si në atë të subjetivitetit krijues.

Interpretimi, zbërthimi dhe studimi i tipologjisë së romanit të sotëm, bëhet me kërkesën për t’i parë marrëdhëniet e autorit me veprën dhe, së këndejmi, me rrjetin e pasur të tipologjisë së përbërësve të rrëfimit, autorit si bartës rrëfimi, narratorit dhe personazhit. Ishte Letërsia ajo që triumfoi mbi ndalesat e diktaturat, mbi plojat e së kaluarës, me proceset e reja letrare, së bashku me motrën e saj të përjetshme, me Demokracinë. Këto procese, sikundër dihet, karshi mësimit të dhunshëm zyrtar të kulturës, të letërsisë dhe të historisë, nxorën në pah një Letërsi Tjetër, dhe, si rrjedhojë, edhe një Kulturë Tjetër e një Histori Tjetër. Nuk është për t’u habitur, prandaj, pse edhe vepra poetike e letrare e shkrimtarëve të ndaluar, si Martin Camaj, Kasem Trebeshina, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Adem Demaçi, etj etj., vjen në mesin tonë me kaq vonesë, kur kemi parasysh faktin se këta e kishin bartur në emrin e tyre personal shenjën emblematike të letërsisë, por edhe të kombit e të vendit të tyre. Ndërsa kjo letërsi, na vjen triumfuese mbi anatemën aq të gjatë politike e pushtuese, që u ushtrua ndaj këtyre autorëve e ndaj veprës së tyre. Mbasi i kanë provuar burgjet e ish-diktaturës dhe të ish-Jugosllavisë; mbasi i kanë provuar për një kohë të gjatë dëbimet e dhunshme prej Atdheut; mbasi, gjithashtu, i kanë provuar edhe kampet e ndryshme nëpër vendet tjera për të gjetur vendstrehim jetësor, dhe, pse jo, edhe vendstrehim letrar; mbasi, më në fund, shtegu i tyre jetësor ka kaluar nëpër shumë stacione anembanë kontinentit; gjithsesi, edhe romani e letërsia e tyre do t’i barin ato rravgime e shenja jetësore. Janë dy hapësira që karakterizojnë botën shpirtërore të shkrimtarëve (në dy kohë të ndryshme), porse ekziston edhe një kontekst historik social e psikologjik si rrjedhë e brendshme e zhvillimit të letërsisë.

Te romanet e Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, Bashkim Shehut, Nasi Lerës, Zija Çelës, Visar Zhitit, petrit Palushit, a Ridvan Dibrës; apo Rexhep Qosjes, Mehmet Krajës, Beqir Musliut, Jusuf Buxhovit, Anton N. Berishës, Bajram Sefajt, Ibrahim Kadriut, Mexhid Mehmetit, Anton Gojçajt etj, paraqitet qoftë tema e personazhit të këtij tranzicioni dramatik të shoqërisë shqiptare; qoftë lufta si përbërësja kryesore stilistike-tematike e autorëve nga Kosova; qoftë ajo e rezistencës nacionale e të së brendshme të individit kundruall shoqërisë shtypëse pushtues. Disa prej romaneve të kësaj kohe, karakterizohen nga një mënyrë e re e shkrimit, sado që u pritën pak me hezitim dhe moskuptim nga lexuesit, apo edhe nga studiuesit (romani “Rrathë” i Camajt; “Odin Mondvalsen” i Trebeshinës; “Ulku dhe Uilli” i Vath Koreshit; “Las varrezas” i Zija Çelës; romanet “I humburi”, “Kufoma” të Kongolit, apo “Piramida”, “Hija” të Kadaresë; “Muri i mjegullës” e romanet tjerë të Mehmet Krajës; romanet “Stina e ujkut”, “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” të Ridvan Dibrës apo “Dueli” i A. Tufës etj), megjithatë këta autorë ndërtuan shijen e re të lexuesit, nxitën studimet letrare për fenomene e dukuri estetike e artistike dhe sollën vlera të reja të romanit tonë.

 

  1. Personazhi i ndërliqshëm

Personazhi i një vepre të Gëtes reflekton në fund të romanit: “A e kam arritur lumturinë e kërkuar”, në fakt, janë shumë pyetje që shtrohen edhe përgjatë kohës sonë: si të mposhten terratisjet brenda vetes, siç janë gjendja e vështirë shpirtërore, përmbysjet e thyerjet e brendshme, çrregullimet e shpirtit e të mendjes, situatat e vështira në të cilat bie individi, monotonia, lodhja, frustrimet e pafund, zbrazëtitë e brendshme, tronditjet? Simbas shembullit të Artur Shopenhauerit, do të quhej një roman eudemonologjik, mbasi Shopenhauer kështu e quante filozofinë mbi rregullat e ekzistencës së lumtur.

Personazhet e romanit të tillë sikur identifikohen me katër bazat kryesore të shpresës, që i shënjon Jane Guodall në librin e tij “Gjasa për shpresë”: shpresa mbështetet në trurin njerëzor, në prirjen e natyrës për vetëpërtëritje, në energjinë e entuziazmit e në shpirtin e pathyeshëm njerëzor. Për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve të tilla, tashmë në letërsinë tonë kemi edhe romanet që jepen në kërkim të harmonisë e të lumturisë personale e të përbashkët. Romani i tillë, si zhanër, lëviz kah “romani edukativ” i shekujve pararendës. Në këtë mënyrë i përafrohemi veçorive komplekse dhe modelit të hapur të kësaj vepre. Dhe paradigma e tillë zhanrore i heq fijet që nga romani i Gëtes “Vitet e mësimit të Vilhelm Maisterit”, i përkufizuar që nga Hegeli e deri te Diltaj, Gjergj Llukaç, Mihal Bahtin, Erih Auerbah e këndej, si Bildungsroman.

Përshkrimi i udhëtimit shpesh paraqitet si aventurë nëpër rreziqe të shumta, me përcjellje të kontrollit, si aventurat e udhëtimeve nëpër vendet afrikane, me bimë e kafshë të llojllojshme, me pyje të pashkelura e me gjarpërinj të rrezikshëm, me banorë me tradita ekzotike, të lashta e të “egra”. Mjafton të përmendet libri i tillë i Simon de Bovoir (shoqes së Sartrit) “Kina nga dita në ditë”. Ndërkaq, tashmë edhe në Shqipëri kanë zënë të botohen libra të tillë udhëpërshkrimesh, dekadave të fundit, për politikën misterioze të komunizmit shqiptar, apo për ekzotikën e një vendi ‘të egër’ që nga shekujt e së kaluarës.

Librat e udhëpërshkrimeve shkruhen edhe me interesime të tjera. Do dalluar librat kulturologjikë e antropologjikë të Claude Lévi-Strauss-it, si “Familja dhe jeta shoqërore e indianëve Nambikwara” 1948, “Strukturat elementare të farefisnisë” 1949, “Tropikë të trishtë” 1955, “Antropologjia strukturore” 1958, “Mendimi i egër” 1962, “Totemizmi sot” 1962, “Mitologjitë” I-IV e të tjerë (disa nga shkrimet e tij janë përkthyer edhe shqip), gjithsesi me pretendime e pikësynime jo vetëm përshkruese e udhëpërshkruese, por edhe shkencore.

Ndryshe, dihet që ky zhanër ka qenë shtysë edhe për krijimin e romanit me temën e udhëpërshkrimit, sikundër janë të njohur në letërsinë botërore romani “Udhëtimet e Guliverit” i Xhonatan Suiftit, apo “Komedia hyjnore” e Dantes” (një udhëtim imagjinar nëpër ferr, purgator e parajsë, ku Dante ka udhërrëfyesin e tij Virgjilin) e deri te veprat e Volterit (“Kandidi”) apo ato të Umberto Ekos, Dan Braunit, Paulo Koelos etj. Ndërkaq, në prozën shqipe, kohëve të fundit, me këtë tematikë shfaqen romanet e Nasi Lerës (romani “Ana Zh.”), Elvira Dobnes-it, Bashkim Shehut etj.

Librat e guidave të udhëtimit, librat e udhëtimeve turistike, fletëpalosjet e ndryshme turistike, udhëpërshkrimet televizive me kamerë, tashmë janë bërë një si “zëvendësim” i librave të mëhershëm udhëpërshkrues, kur ky zhanër tashmë është në shuarje e sipër në letrat shqipe!

Personazhi i romanit të sotëm, i zgjeron cilësitë e veçoritë e tij të karakterit, natyrën e tij psikologjike e enigmatike në përmasa të pakufishme; ashtu sikundër që begatohet përvoja njerëzore në qenien e tij shoqërore, historike e shpirtërore; po ashtu pasurohet dhe zgjerohet e thellohet edhe personazhi letrar, i cili pushton hapësira gjithnjë e më të gjera të lirisë, të lirisë së shprehjes, formësimit e formimit, të veprimtarive të tij të pakufishme njerëzore e shoqërore dhe të manifestimeve tejet të pasura psikologjike e shpirtërore. Ky personazh, duke u zgjeruar e duke i mbajtur lidhjet me karakterin tradicional të letërsisë që nga Aristoteli e këndej; ai nuk e ka humbur identitetin e tij, por e ka formësuar e forcuar këtë identitet letrar e artistik. Mirëpo, kjo kategori estetike (e personazhit), mund të jetë me funksion të përdorimit problematik, më pak përshkrues, dmth interpretues, (apo mbi-interpretues), kur ajo (kategori), si e tillë, aplikohet për veprat e mëparshme që mbajnë shenjën e paradigmës së romanit “realist” të shekullit të nëntëmbëdhjetë, shpesh e favorizuar nga teoricienë me konceptimin: ajo përcjell një seri të tërë të supozimeve, veçanërisht në aspektin e analizës psikologjike, krejtësisht të huaj për letërsinë antike dhe klasike. Përmendja thjeshtë e “karakterit” apo “personazhit”, mund të jetë, në fakt, një anakronizëm për tekstet antike dhe klasike. Albert Thibaudet thotë: “Romancieri i vërtetë krijon personazhet e tij me drejtime të pafund në jetën e tij të mundshme, romancieri krijon model menjë linjë të vetme nga jeta e tij e vërtetë. Historia e vërtetë është një autobiografi e mundshme (…) gjeniu i romanit na bën të jetojmë të mundshmen, pa e zbuluar të vërtetën.” Çfarëdo që të jetë forma e romanit, personazhi është pika thjerrëzuese a motori i fikcionit, me anë të të cilit e masim shkallën e vërtetësisë dhe të autenticitetit. Karakterizimet e personazhit mund të jenë të qarta, eksplicite (bartësi i rrëfimit tregon shenjat e dallimeve të gjendjes civile, gjinisë apo të shtresës sociale); shkrimtari pikturon portrete, bën analiza psikologjike që portretizojnë një karakter, por më shpesh nënkuptohet me konotacione që i referohen vetvetes, apo kombinimit narrativ të diskursit social dhe të marrëdhënieve shoqërore, të cilat, në mënyrë të tërthortë, plotësojnë njohuritë tona mbi personazhin. Romancieri në rolin e demiurgut, e përqendron vëmendjen në gjasat e botës që ai ka krijuar. Romancieri i jep personazhit një identitet të cilin dëshiron ta bëjë të besueshëm dhe të rëndësishëm. Përshkrimi këtu është një mjet i privilegjuar i karakterizimit eksplicit: nga pozitat e gjithëdijshme – për të zbuluar të kaluarën e një karakteri, për të zbuluar mendimet e tij,sintetikisht, e mandej për të organizuar një tablo të detajuar. Nga aspekti fizik: personazhi paraqitet me një trup e me tiparet e veta karakteristike të zgjedhura, piktoreske, por edhe në aspektin e detajeve të veçanta që mund të sugjerojnë tipare. Nga aspekti moral: romancieri fokusohet në shprehjen e ndjenjave, është i interesuar të depërtojë në manifestimet e tyre, tek shfaqja e lotit, buzëqeshjes, apo në gjeste të rëndësishme. Personalitetin e personazhit mund ta vendosë diku tek një individ i veçantë, ose ta paraqesë si një hero, ai mund ta bëjë atë në vend të kësaj një kopje e vetme e një specie sociale.. Nga aspekti social: personazhi paraqet një mjedis, një veshje, një vend pune, paraqet gjuhën, ideologjinë… Ai kështu bëhet një tip dhe, së këndejmi, buron një tipologji e pasur e personazheve.

 

  1. Lënda paradoksale e tregimit të shkurtër

Kësisoj ngjet edhe te tregimi letrar. Duke kërkuar e duke trajtuar vazhdimisht aso situatash paradoksale jetësore, aso gjendjesh të ngjeshura e të tendosura, aso lënde jetësore-artistike, të panjohur më parë; shkrimtari i mirëfilltë , nga tregimi në tregim, po edhe nga romani në roman, na paraqitet gjithnjë i përtërirë, me pamje të re të ideve, të procedimorëve artistikë e të rrafsheve të panjohura të tematizimit e të semantizimit. E, nëse ky shkrimtar e përfill kërkesën kryesore të procedeut konceptual të tregimit si “totalitet të situatës” (Hermann Broch), për dallim nga romani si “totalitet jetësor”; atëherë lënda paradoksale, po edhe lënda provokuese, e, ku e ku, edhe agresive e krijimit letrar, do ta ketë trazuar më se njëherë konformizmin jetësor e letrar.

Nëse krijuesit tjerë do t’iu përmbahen shtampave individuale letrare, stilistike e tematike, shkrimtari i tillë shpesh di të jetë ridimensionues ndaj artit të tij letrar, kurse ndaj lëndës jetësore di të jetë dyshues, e ,ndonjëherë, edhe cinik. Ashtu si sillen vetë jeta e fati me njerëzit. Përkundër strukturës së dendur e prerjeve kompozicionale, që t’i ngarkon ky lloj letrar, tregimi letrar parapëlqen estetikën e hapur. Ndodh kështu, se zhanri letrar i tregimit gjithnjë shpërndërrohet, dhe, si e vetmja formë që ka mundësi të ripërtëritet pandërprerë, edhe do ta marrë rrugën e ardhmënisë( Heinz Coubier). Është zhanër i së ardhmes.

 

  1. Post scriptum:

Edhe te ky vëllim, shkrimet e leximet e ndryshme kritiko-letrare në këtë vëllim, dhe në të tjerët, nuk synojnë hierarkinë e vendosjes së veprave e të autorëve në letërsi, përpos që përfshijnë leximet autoriale në cilësinë e redaktorit, recensuesit, në përurime librash, nga njëra anë, si dhe leximet e shumta në letërsinë digjitale, letërsinë e letrës së shtypur, prej nga e ka edhe emrin fjala letërsi. Thjesht, kritiku letrar përcjell fushën e botimeve…

(Rishkrime. Nga libri “Në aktin e leximit” (Nga proza e sotme shqipe: autorë dhe vepra, Vëllimi II. Prishtinë 2016)./drita.info

Comments are closed.

« »