Krishtlindja dhe Shën Jeronimi  

Dec 23 • Këndvështrime

Nga Don Lush Gjergji

 

Jeta dhe vepra e Shën Jeronimit ilir, përkthyesit të Biblës dhe dijetarit të Kishës, është ngushtë e ndërlidhur me Jezu Krishtin, sidomos me lindjen e Tij prej Virgërës Mari, për virtyt të Shpirtit Shenjt, si shenjë bindëse e përvujtërisë, thjeshtësisë, mishërimit, bërjes Njeri, por edhe më shumë si shenjë dhe dëshmi konkrete e kujdesit dhe dashurisë për fatin e njeriut dhe të mbarë njerëzimit, mundësi shëlbimi.

Shqyrtimi i parëi këtij meditimi është kjo: Shën Jeronimi e çmonte, donte, shijonte bukurinë dhe porosinë e letërsisë së vjetër greke dhe romake, aq sa ishte i dashuruar në të, quhej edhe “Ciceroni i dytë”, për aftësitë e tij në shkrim dhe në gojëtari. Atij Bibla i dukej e thjeshtë, e varfër, deri diku edhe “primitive”, pa ndonjë bukuri estetike dhe letrare. Pasi e përqafoi fenë e Jezu Krishtit, në këtë thjeshtësi gjete thellësi, porosi, Person – vetë Zotin. Ai këtë e krahasonte me thjeshtësinë, varfërisë, mrekullinë e shpellës së Betlehemit, lindjen e tij për shëlbimin tonë. I dashuruar në Krishtin Zot dhe Njeri, ishte gjithnjë i dashuruar në Bibël, si Fjalë – Porosi – Person, që duhet zbuluar, pranuar, jetësuar dhe dëshmuar. Sikurse Bibla është e thjeshtë, ashtu është e varfër dhe tejet e thjeshtë shpella e Betlehemit, Krishti i vogël, i lindur në grazhd. Me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, zbulohet dhe shijohet kjo mrekulli, thjeshtësi, pasuri hyjnore.

Pika e dytë e këtij meditimi: Shën Jeronimit iu duk në vegim Krishti, natën e Kërshëndellave, dhe e pyeti: Çka po më dhuron për lindjen time?

Shën Jeronimi, pa hamendje, iu përgjigj: Ta dhuroj uratën time!

Mirë, por unë dua diçka më shumë, i tha Jezusi.

Ta jap zemrën time!

Edhe më shumë! Ia ktheu Jezusi.

S’kam më asgjë, të kam dhuruar gjithçka, jetën time!

O Jeronim, iu përgjigj Jezusi, mi dhuro mëkatet tua, që unë ta kam gëzimin e dhurimit të mëshirës, dashurisë dhe faljes.

Këtë dhuratë e kemi të gjithë, sepse jemi mëkatarë, por a dimë, a duam, a ia dhurojmë Jezusit mëkatet tona, që Ai të na dhurojë mëshirën, faljen dhe dashurinë e Tij.

Shkalla e tretë i këtij meditimi është kjo: Shën Jeronimi tashmë ishte njeriu i Lindjes dhe Perëndimit, dijetari i madh, biblicisti më i njohur, gjuhëtari dhe filologu, shkrimtari i shkëlqyer, bashkëpunëtori i ngushtë i Papës Damasit, miku i Shën Ambrozit, Shën Augustinit, “Luani” i krishterimit, “Drita” e Biblës, “Biblioteka e Krishtit”.

Në vitin 387 Shën Jeronimi përfundimisht kthehet në Betlehem, vendlindjen e Jezu Krishtit, në një shpellë vazhdon jetën rregulltare, pendestare, studimore, në shkrime, përkthime, korrespondencë, në kërkim të Jezu Krishtit dhe të shenjtërisë.

Shumë njerëz, miq dhe bashkëpunëtorë, ishin të befasuar. Thoshin: Ti njeriu i Lindjes dhe Perëndimit, Romës dhe Kostantinopojës, dijetari dhe gojëtari famshëm, tash strehohesh në një shpellë në Betlehem.

Shën Jeronimi përgjigjej kështu: Nëse Jezu Krishti e ka zgjedhur dhe pëlqyer Betlehemin, a mos jam unë më i madh, më i dijshëm, që mos ta pëlqej këtë vend të shenjtë, ku është mishëruar Zoti ynë Jezu Krishti.

Këto tri pika apo ngjarje na ndihmojnë edhe ne që gjurmëve të Shën Jeronimit, në shoqëri me të, në 1600-vjetorin e vdekjes së tij, ta përjetojmë Krishtlindjen si dhuratë të Qiellit, shoqërim të Zotit me ne dhe ndër ne, për shëlbimin dhe shenjtërimin tonë, dhe të jetë jeta, zemra, shpirti, ndërgjegjja, jeta jonë, “Shpella e Betlehemit”, për mishërim, takim, afrim, bashkim, jetë dhe dëshmi me Të, në shtegtim kah amshimi i lumtur.

Disa porosi të Shën Jeronimit për Krishtlindje:

Dashuria e Krishtit është e pakufishme… Jezusi lindi në një shpellë. Në çdo shpellë ka pleh, ka mbeturina…, shenjë e mëkateve tona. Ai që është Krijuesi i botës, ka lindur në baltë, jo në ari dhe argjend. Pasuria e Zotit është mëshira dhe dashuria.”

“Po të vinte Jezusi sot, si dikur në Betlehem, nuk do të kishte vend për Të, për Marinë dhe Jozefin… Historia përsëritet.”

“Të falëm, o Betlehem, shtëpia e bukës, ku ka lindur ajo Bukë që zbret prej Qiellit.”

Për shumë mot Krishtlindja 2020!/drita.info

Comments are closed.

« »