Imzot Dodë Gjergji: Krishtlindja na thërret të mos kemi frikë ta përqafojmë Zotin në Foshnjën e Betlehemit

Dec 27 • Kisha në Kosovë

Krishtlindja 2020 prej shumëkujt u quajt Krishtlindja në kohë pandemie, apo e pandemisë. Vetë ky përkufizim na bën të kuptojmë gjendjen e vështirë të kremtimit të Krishtlindjes së sivjetme në vendin tonë dhe në gjithë botën e krishterë. Por, megjithatë, përkundër frymës së përgjithshme që pandemia ka krijuar, Kisha në festën e Krishtlindjes shpall gëzimin, shpresën dhe paqen që Foshnja Hyjnore e Betlehemit sjell në zemrat e njerëzve.

Gëzimin e Krishtlindjes në kohë të vështirë të pandemisë Covid-19, Kisha e përcolli në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, me 24 dhjetor, me një koncert gjysmë orësh, ku një grupi i studentëve të Akademisë së Arteve, dega e muzikës dhe fëmijët e Famullisë së Prishtinës kënduan këngë të bukur të Krishtlindjes për të ngroh zemrat e të pranishmëve dhe mijëra njerëzve që ishin bashkuar përmes livestreaming dhe transmetimit të drejtpërdrejt të RTK.

Në orën e mesnatës u kremtua mesha solemne e vigjiljes së Krishtlindjes, e kryesuar nga ipeshkvi i Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me vëllezër meshtarë.

Në homelinë e tij, ipeshkvi theksoi fuqishëm mesazhin e gëzueshëm që Krishtlindja bartë, si një ilaç për këtë kohë të vështirë të pandemisë. Në vazhdim po e japim thuajse të plotë homelinë e ipeshkvit tonë, Imzot Dodë Gjergjit, që më së mirë e tregon klimën Krishtlindjeve të sivjetme në Kosovë.

 

Të dashur motra dhe vëllezër,

të pranishëm në këtë Kishë – Katedrale,

ju që na përcillni nga shtëpitë tuaja nëpërmjet mjeteve të komunikimi publik

dhe ju që jetoni jashtë Kosovës,

me gëzimin e Barinjve të Betlehemit dhe me kujdesin baritorë të apostujve, Ju ftoj të kremtojmë Ditën e Mesisë, Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Që në fillim, dëshiroj  ta falënderojmë Zotin, që janë krijuar kushtet për të kremtuar dhe të celebruar meshën me prani të besimtarëve, në këtë natë të Shenjtë të festës së Krishtlindjes.

Siç e dini, këtë vit nuk kishim mundësi të kremtojmë as një festë siç duhet e siç do të donim, pasi pandemia Covid-19 u bë rrezik për gjithë njerëzimin. Por, sonte, falë mirëkuptimit të autoriteteve civile dhe institucioneve shëndetësore në vend, po edhe angazhimit tonë që do t’i përbehemi masave të përcaktuara, po kremtojmë Krishtlindjet në gjitha kishat tona.

Këndej, dua të lusë edhe një herë, të gjithë ata që janë në Katedrale dhe kudo nëpër kishat tona, të respektojnë udhëzimet që i kemi dhanë, ashtu që, deri sa kujdesimi për shëndetin e shpirtit të mos rrezikohet shëndeti, qoftë edhe të një njeriu të vetëm, sepse nuk janë të paktë, ata të cilët kanë humbur betejën me Virusin (Covid19),  shumë më shumë janë ata që kanë pas simptoma të natyrave të ndryshme, kurse gjithë jemi përballë me pasojat e kësaj të keqe të kohës sonë. Pasojat janë të natyrave të ndryshme por dominojnë pasojat që lidhen me jetën e familjes, komunikimin mes njerëzve, edukim e fëmijëve dhe mirëqenien ekonomike në përgjithësi. Gjë që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka ndryshuar sjelljen tonë ndaj më të shenjtës, mënyrën e të jetuarit  tonë dhe formën e komunikimit me të tjerët. Çka, edhe nëse nuk do të ketë pasoja afatgjata, megjithatë do të mbetët gjatë e ngitur në memorien tonë. 

Varësisht gjithë situatës dhe pamundësisë për të bërë më shumë, nëpërmjet lutjeve tona kemi bashkëndarë dhimbjen me ata që kanë humbur më të dashurit, jemi përpjekur të jemi afër atyre që janë përballen ose janë  duke u përballuar me pasojat e infektimit, dhe për gjithë ato gra e  burra, mejek, infermier dhe të tjerëve, që janë duke u lodhur, sikur thotë populli “deri në pikën e fundit”, vetëm e vetëm, që të shpëtojnë jetët e njerëzve. Sigurisht, pa përjashtuar ata, për të cilët Kisha lutet vazhdimisht.  

Varësisht gjithë kësaj, jam shumë i bindur dhe shpresëplotë, që kremtimi sivjetmë i festës së Krishtlindjes, do të jetë  më i bukur se herëve tjera. Pasi, besoj se pas shëmtisë së ditëve që kemi kaluar, do t‘arrijmë të shohim më qartë dritën e fesë, bukurinë e shpirtit,  do të përjetojmë  Zotin më pranë dhe më të pranishëm në jetët tona  dhe do të ndjejmë më shumë nevojën që kemi për njëri-tjetrin. Kjo, nuk do të thotë, që po pajtohem me ata që mendojnë se njeriu e kërkon Zotin vetëm kurë ka nevojë ose kur ndjehet i pafuqishëm para sfidave të jetës.  Por, dua të them se, në këto rrethana, sytë tanë vetvetiu ngritën drejt qiellit, zemrat tona më lehtë hapen ndaj hireve dhe bekimeve hyjnore, arsyetojmë më mirë mbi të shenjtën e të përjetshmen dhe  bëhet më e vetëkuptueshme që vetëmjaftueshmëria, lakmia e tepruar ndaj të mirave të përkohshme dhe qasja vetjake ndaj jetës, është gabim i madh që e bëjmë ne njerëzit.

Pasi, shohim se si një krijesë krejt e padukshme, ka arrit të na bëjë të kuptojmë që edhe po t’i kishim të gjitha të mirat e botës, edhe po t’i gëzonim të gjitha pushtetet dhe t’i arrinim të gjitha dijet shkencore nuk do të mjaftonte. Këndej, theksojmë se përgjigja e fundit e gjitha gjërave është Zoti, shpëtimtari i vetëm është Krishti dhe gëzimi që nuk shuhet kurrë është ai që buron prej shpresës së fesë.

Sikur thotë papa Françesku: “Jezusi ju pret për t’ju dhuruar dritën e Tij e paqen e tij. Ai dëshiron ta pasurojë jetën tuaj me dashurinë e Tij, me hirin e Tij”.

Në leximet e Shkrimit të Shenjt, që kemi dëgjuar në fillim të meshës, janë tri fjalë që dominojnë: gëzimi, guximi dhe shpresa.

Ti marrim këto me radhë: Në leximin e parë Isaia na mëson të marrim pjesë në gëzimin profetik. Pasi ata që besojnë, kremtojnë dhe jetojnë me Zotin arrijnë atë nivel gëzimi, hareje dhe lumturie që nuk zhbëhet kurrë, sido që të jenë rrethanat e jetës. Kështu që kur mbi kohën që jetojnë bie errësira e trishtimit, me dritën e fesë, arrijnë të ndriçojnë hapat e jetës edhe në situata shumë të vështira, para të cilave ndihemi të pafuqishëm. Sepse në këto rrethana ne kemi këshilltarin e mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atin e  amshueshëm, Princ i Paqes që shndritë çdo errësirë në dritë shprese.

Kushdo që gjatë këtij viti e ka ndierë barrën e sakrificës dhe ka përjetuar trishtimin, në shembullit e Foshnjës së Betlehemit mund të  rikthej gëzimin. Jam i bindur, që çdokush ka nevojë të gëzohet e galdoj me hare, sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë, ai do të na bëjë të drejtë  e do të na forcoj në drejtësi… që të jem plot zell për të kryer vepra të mira të dashurisë.

Fjala e dytë është Guximi: Ungjilli na fton të jem të guximshëm, pasi frika nuk duhet të ketë më vend. Natën e lindjes së Krishtit engjëlli i ftonte barinjve: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!  Kurse sot, e dëgjojmë këtë dëshmi nga Shpirti i Zotit brenda nesh, të cilin e kemi marrë ditën e pagëzim tonë. Prej kësaj guxojmë të dëshmojmë se nuk kemi frikë, pasi kemi guximin e shpirtit dhe forcën e zemrës për t’u përballuar me vështirësitë e jetës, për t’i duruar padrejtësitë e botës dhe për t’i falur gjithë ata që në ngurtësinë e zemrës tyre hedhin barrën e urrejtjes mbi supet tona.

Askush nuk duhet të ketë frikë të kthehet e ta përqafoi Zotin, Foshnjën e Betlehemit, Princin e Paqes, që është dashuri e përkryer dhe e pafundme. Mos keni frikë ta lejoni atë t’i mbush zemrat tuaja me dashuri, pasi dashuria është dhuntia që na mundëson të jetojmë në paqe mes vete dhe me të gjithë të tjerët.

Nuk duhet të keni frikë, nga pendimi, pranimi dhe rrëfimi i mëkateve, fajeve dhe gabimeve tona, pasi kështu do të lirohemi nga kurthi i gabimeve tona.

Nuk duhet të kemi frikë ta falim njeri-tjetrin, pasi nëpërmjet faljes do të arrijmë të pajtohemi me të gjithë.

Mos frikohemi nga veprat e mira të bamirësisë, por të japim me gëzim dhe në emër të dashurisë atë që kemi duke e ndarë me ata që kanë nevojë, pasi kështu do të i gëzojmë të tjerët, duke iu lehtësuar peshën e pamundësive, barrën e varfërisë dhe dhembjen e vuajtjeve të çdo natyre.

Dhe fjala e tretë është Shpresa: Shën Pali, si apostull i shpresë, që e gjejmë sot në leximin e dytë, i drejtohet Titit duke thënë: “Ai (Krishti) na mëson t’i biem mohut mosbesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.” Këndej, kremtimi i Krishtlindjes nuk është vetëm festë përkujtimore e ngjarjes së Betlehemit dhe përjetësim i pranisë së tij në jetët tona, por në planin e shëlbimit na ka mësuar të shpresojmë, për atë çfarë do të ngjanë në ditët e jetëve tona dhe në ditën e kur shpërblimi i Zotit do të bie mbi të drejtët, atëherë kur Hyji do ta krijoj botën e re e qiellin e ri.

Duke besuar në kthimin e zemrave të njerëzve dhe duke shpresuar në të mirën tonë më të mirë, i ftoj  përgjegjësit institucional e  politik në vend,  që të rigjejnë urtinë e të parëve,  entuziazmin e dikurshëm për liri, vullnetin që kishim për paqen,  dhe ta rindërtojnë besimin e humbur në njeri tjetrin dhe të rigjejnë paqen. Pasi, paqja, pajtimi dhe besimi i ndërsjellë,  nuk është vetën nevojë e përkohshme e as nuk i takon vetëm një gjenerate, por përgjegjësi e vazhdueshme e secilit prej nesh.

Mbi gjitha, dua të ftoj të gjithë ata që kanë përgjegjësi për t’iu dhanë përgjigje pyetjeve të mëdha për vendin dhe të ardhmes tone, të mos kenë frikë nga përvujtëria, pasi të përvuajturit gjejnë zgjidhje më shpejtë se krenarët; të mos kenë frikë nga kompromiset, pasi janë mundësia e vetme që na lejojnë të ecim më tutje drejtë të ardhmes dhe siguron përparimin progresiv drejtë demokratizimit të gjithë shoqërisë sonë; të mos kenë frikë të merren me nevojat e njerëzve dhe të kujdesën për të ardhmen e tyre, pasi vetëm kështu, do të meritojnë besimin  e popullit.

I cili nuk donë t’i tregoni “kush është zhgënjimi e kush është shpresa, po ka vullnet dhe guxim,  për t’u barrë meshë mes vete,  për gjërat që e përcaktojnë fatin tonë, t’i japin zgjidhje çështjeve të rëndësishme për vendin dhe të sigurojnë  një frymë normaliteti njerëzorë në mesin tonë..  

Sigurisht që e ardhmja jonë,  është përgjegjësi e secilit prej nesh, këndej   ju ftoj, që askush të mos ketë frikë, t’i lutet  Krishtit Princit të paqes, pajtuesit të zemrave të njerëzve dhe ndërmjetësit më të mirë mes qiellit e dheut, Zotit e njeriut, që të na dhuroj, paqe, pajtim e dashuri në familje, në shoqëri në parti dhe mes partive, në mënyrë që askush të mos ndihet i përjashtuar nga zëra e të tjerëve. 

Me këtë rast iu shprehë edhe urimet e mija më të përzemërta për vitin e ri që po e presim duke ju dëshiruar, paqe mirëkuptim dhe shëndete, në vitin e ri 2021 

Uroj që paqja e Krishtit të depërtojë në zemrën e secilit prej jush, të mbretërojë në familjet tuaja dhe të lulëzojë gjithkund në vendin tonë, e kudo në botë.

Për shumë mot Krishtlindja! Bekime e begati në Vitin e Ri 2021./drita.info

 

Teksti: Rev “Drita”

Fotot: E.M & E.B.

 

Comments are closed.

« »