Altari i hyjnive të fatit në Dardani

Dec 28 • Histori, Kulturë

Nga Haxhi MEHMETAJ

 

Në hyjnitë Fortuna dhe Bonus Eventus, të shoqëruar më gjeniun e vendit, nën Interprtatio Romana fshihen hyjnitë vendëse ilire të fatit. Mendojë që altari sipas mënyrës së skalitjes simetrike të shkronjave do datuar në shek. III. pas Krishtit. Për nga forma tri pjesësh është i vetmi i këtij lloji në Dardani.

 

Kur familja e R. Haxhiajt nga fshati Raushiq i komunës së Pejës po rrënonte gërmadhat e kullës së djegur gjatë luftës së vitit 1999, në portën e kullës zbuloi disa monumente të lashtësisë, në mesin e të cilëve edhe një altar mermeri më mbishkrim latin.

Altari ka pësuar disa thyerje e dëmtime gjatë përshtatjes si material ndërtimor. Dimensionet  e tashme të tij janë: 105x 40×18 – 29cm. Përkundër dëmtimeve dhe humbjes së formës,  kemi të bëjmë  me trupin e një altari votiv të përberë prej tri pjesëve. I mungon baza dhe kurora. Për nga forma tri pjesësh është i vetmi i këtij lloji në Dardani. Në fushat mbishkrimore është skalitur ky mbishkrim:

…RTVNAE /…ONSER / …ATRICI / BONO  EVENTO /  GEN…/LOC…

Lexohet : (Fo)rtunae / (c)onser-/(v) atrici  / Bono Evento / Gen(io) loc(i).

Altari i është përkushtuar  bashkësisë së hyjnive  Fortunes, Bonus Eventus  dhe Genius locit, të cilët në ketë përbërje, së bashku, shfaqen për herë të parë në Dardani. Ndërsa  veç e veç kulti i tyre është dëshmuar edhe më parë. Në monumente kushtuar Fortunës,  hyjnesha shfaqet më epitet Sacra, Salutaris, Aeterna, Dea dhe Domina. Ndërsa nuk ka qenë e njohur më epitetin conservatrici (mbrojtëse).

Bonus Evnetus hyji i fatit të mirë, bereqetit,përfundimit të mirë dhe i suksesit në përgjithësi shoqërohet më epitetet Dom(nus) dhe Dom(n)a. Geniusi / Ora përgjithësisht radhitet në grupin e hyjnive të shtëpisë. Gjenitë ishin huazuar nga religjioni romak dhe adaptuar nga vendësit. Në  Dardaninë qendrore adhuroheshin në cilësinë e mbrojtësve të stacioneve dhe të vendeve ilire.

Në hyjnitë Fortuna dhe Bonus Eventus, të shoqëruar më gjeniun e vendit, nën Interprtatio Romana fshihen hyjnitë vendëse ilire të fatit. Mendojë që altari sipas mënyrës së skalitjes simetrike të shkronjave do datuar në shek. III. pas Krishtit.

Në ballinë: Altari i Raushiqit (rekonstruksion ideor) .

Comments are closed.

« »