Takim befasues

Dec 29 • Meditimi i ditës

29 dhjetor 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2, 3-11; Ps 96, 1-3.5b-6; Lk 2, 22-35)

 

Prania e Hyjit

Para se ta filloj këtë meditim, a mund të bëhem i/e vetëdijshëm/e se tani jam në praninë e Zotit, që edhe unë jam shërbëtor/shërbëtore i/e Zotit dhe se edhe unë jam pjesë e historisë së shpëtimit?

 

Liria

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty, sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Duke ditur që Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po më kalon dita? Si po e ndjej veten tani?

Krejt hapur do t`i ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Përqendrohem që ta dëgjoj Fjalën e Zotit,

dhe do ta vërej fjalën apo ngjarjen që më prek, që ndërlidhet me jetën time.

 

Lk 2, 22-35

 

22 Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, e çuan në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, ‑ 23 siç shkruan në Ligjin e Zotit: ‘Çdo i parëlindur mashkull le t’i kushtohet Zotit’ ‑ 24 dhe për të dhënë flinë siç thuhet në Ligjin e Zotit; ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’

25 Në Jerusalem asohere jetonte një njeri, që quhej Simon. Ishte njeri i drejtë dhe i përshpirtshëm. Priste Ngushëllimin e Izraelit e në të ishte Shpirti Shenjt. 26 Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit. 27 I nxitur prej Shpirtit Shenjt erdhi në Temull. Kur prindërit e sollën Jezusin Foshnjë për të kryer rregulloren e Ligjit mbi të, 28 Simoni e mori para duarsh, falënderoi Hyjin e tha:

29 “Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë

shërbëtori yt në paqe

siç the ti vetë,

30 sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin

31 që ti e bëre gati

në sy të të gjithë popujve:

32 Dritën që bën të të njohin Ty paganët

e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.”

33 Prindërit e tij çuditeshin për sa thuhej për të.

34 Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij:

“Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ 35 (edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin) ‑ që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                     Sot e dëgjojmë se si prindërit e Jezusit ia paraqitën Zotit në tempull fëmijën e tyre, siç ishte zakon sipas ligjit hebre. Ata sollën me vete ‘një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash.’: ofertën e të varfërve. Çfarë të bie në sy në imagjinatën tënde rreth asaj që vijon?

·                     Si ishte për Simonin ta mbante fëmijën Jezus në krahë? Si u ndien Jozefi dhe Maria për këtë takim befasues?

·                     Ndërsa e dëgjon përsëri pjesën biblike, vë re se cilat fjalë ose imazhe reflektohen në ty. Lejoji vetvetes të jesh prezent në skenë; çfarë të lëviz ose ta tërheq vëmendjen?

 

Bashkëbisedimi

Nga gjendja në të cilën je tani në jetën tënde, si dëshiron t’i përgjigjesh fjalës së Zotit? Ashtu si Simoni, a ka diçka për çka dëshiron ta lavdërosh dhe falënderosh Zotin? Apo diçka që të çudit, si Maria dhe Jozefi? Bëj që Zoti ta dijë se çka po ndodh me ty.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Se a rritemi, zhvillohemi apo biem, dobësohemi varet nga ne. Nëse njëherë e njohim Jezusin s`do të duhej të kishte vend për gjysmakësi, qëndrim të përgjysmuar. Ne mund ta pranojmë ose ta refuzojmë atë.

O Zot, te Simoni plak po e shoh shpresën e shpërblyer bollshëm. Vitet e pritjes nuk e kanë dobësuar besimin e tij. Shpresa dhe pritja e tij e kanë mbajtur atë gjallë kundruall nxitjeve të Hyjit, i gatshëm për t`i dëgjuar ato kur vijnë. Më jep hirin që të mund të mësoj prej tij. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »