Mbi librin “Etika e edukimit”

Dec 30 • Kulturë, Recension

Nga Don Domenik Qerimi

 

Në ditët e sotme është krijuar përshtypja se çdokush mundet, duhet dhe është i aftë të flasë për edukimin. Mes veprave të shumta të studimit, librave, faqeve të shumta të internetit, videove dhe burimeve të tjera të shumta, duket se të gjithë e dinë në mënyrë të qartë dhe të padiskutueshme çfarë është edukimi. Ekziston përshtypja se të gjithë e dinë cila është mënyra më e mirë e edukimit; kush janë të edukuarit dhe kush janë edukatorët; cilat mjete dhe metoda duhen përdorur në edukim e kështu me radhë… Megjithatë, në të njëjtën kohë, jemi të gjithë të vetëdijshëm se një ndër sektorët e shoqërisë bashkëkohore më në rrezik, është pikërisht fusha e edukimit.

Të dëgjosh duke folur për edukimin një biblist, një teolog dhe një filozof, siç është kardinali Carlo Maria Martini, ekziston druajtja se mund të gjendemi para arsyetimeve teorike që shpeshherë nuk arrijnë të përkthehen në ‘humus’ të jetës së përditshme dhe që nuk ndihmojnë në përballjen me sfidat që na paraqet e tashmja. Megjithatë, që nga faqet e para të letrave të tij pastorale, vërehet menjëherë se në arsyetimet e tij mbizotëron shpirti i ‘bariut’, andaj edhe aftësia e atij që edukon përmes një teologjie thellësisht biblike.

Ajo që bën përshtypje në shqyrtimin e tri letrave të tij pastorale mbi edukimin, – ‘Hyji e edukon popullin e vet’, ‘Itinerare edukative’ dhe ‘Të edukosh ende’ – është shpirti praktik dhe konkret që shoqëron qëndrimin dhe mentalitetin e tij të përditësuar me situatat dhe sfidat e së sotmes. Kardinal Martini ka si pikënisje, si mjet realizimi dhe pikësynim të edukimit Fjalën e Zotit, Shkrimin Shenjt. Andaj, kushdo e njeh sadopak jetën e këtij teologu dhe bariu, e di se nuk mund të jetë ndryshe, duke pasur parasysh thellësinë e përgatitjes së tij biblike dhe teologjike.

Si pikënisje për një trajtim edukues gjithëpërfshirës, ai bën menjëherë të qartë se edukimi njerëzor dhe ai i krishterë nuk duhen kurrsesi të ndahen, as të vihen në kundërshtim me njëri-tjetrin, përsa nuk mund të ekzistojë një edukim i vërtetë i krishterë që nuk çon në plotësinë e njerëzores.

Propozimi i tij edukues i është drejtuar njerëzimit në tërësi; njeriut si të tillë, pavarësisht nga koha dhe vendi ku gjendet; shoqërisë në përgjithësi dhe shoqërisë së sotme; Kishës së gjithmbarshme dhe Kishës vendore (dioqezave, famullive dhe grupeve të interesuara); familjes në përgjithësi dhe familjes së krishterë në veçanti; edukatorëve që janë të tillë në sajë të thirrjes natyrore (p.sh. prindërve) dhe edukatorëve që janë të tillë në sajë të thirrjes profesionale, apo misionit të tyre: mësimdhënësve, profesorëve, famullitarëve, katekistëve, përgjegjësve të grupeve të ndryshme; dhe së fundi arsyetimi i tij i drejtohet edhe të edukuarve, qofshin ata fëmijë, adoleshentë, të rinj, apo të rritur. Me pak fjalë: ka material të bollshëm për të gjithë.

Studimi që na dhurohet në këtë libër është një përmbledhje mbi linjat udhërrëfyese dhe mbi nxitjet baritore që Carlo Maria Martini ka në shkrimet e tij, për sa i përket sfidave të edukimit, qoftë në kontekstin e dioqezës së tij, qoftë në kontekstin e Kishës së gjithmbarshme, dhe të sfidave që bota bashkëkohore i paraqet Kishës në fushën e edukimit.

Më shumë se një traktat mbi edukimin, letra e parë, ‘Hyji e edukon popullin e vet’, ka si qendër të porosisë paraqitjen e Hyjit si Edukatorin e madh të historisë njerëzore dhe ftesën që t’i përngjajmë Atij dhe të bashkëpunojmë me Të. Për të arritur këtë qëllim, kardinal Martini sheh në Fjalën e Zotit një aftësi ‘të brendshme’ pedagogjike “deri në atë pikë sa e quan atë Libri i madh i edukimit të historisë”. Në të, edukimi paraqitet si “një ecje personale dhe në të njëjtën kohë ecje e bashkësisë; graduale dhe progresive; me momente thyerjeje dhe me hapa cilësorë; konfliktual; energjik, projektues dhe çlirues; i kyçur në histori; i realizuar me bashkëpunëtorë të shumtë; i plotësuar në mënyrë shembullore në jetën e Jezusit; i ngulitur në zemra përmes veprës së Shpirtit Shenjt në “njeriun e brendshëm”; i shprehur në ecjen e fesë së Marisë.”

Në këtë letër të parë baritore mbizotërojnë dy koncepte bazë: Hyji është objekti dhe subjekti i edukimit të vërtetë njerëzor. Është Hyji protagonisti i vërtetë i edukimit të zemrës së njeriut dhe këtë gjë e tregojnë një serë referimesh në Historinë e shëlbimit, ku shqyrtohen qëndrimet e Hyjit përballë popullit të vet. Çdo shkollë edukimi dhe çdo edukator duhet të kujtojë se Hyji e ka ‘çelësin’ e zemrës së njeriut, pa të cilin është i pamundur edukimi në njerëzinë e plotë dhe në jetën e krishterë. Në të njëjtën kohë Hyji është edhe objekt i edukimit, meqë të edukosh, do të thotë të çosh njeriun kah Hyji dhe në takim me Të, në të cilin realizohet plotësia e njerëzisë. Ashtu siç e ka edukuar Zoti zemrën e popullit të tij të zgjedhur në Besëlidhjen e Vjetër dhe ashtu siç i ka edukuar Jezusi nxënësit  në Besëlidhjen e Re, kështu Kisha është e thirrur që të edukojë besimtarët e saj.

Në propozimin e tij edukues nuk mungojnë shembujt konkretë që ai iu propozon edukatorëve. Përveç Zotit që është Shembulli i parë dhe i vetëm, bashkë me Fjalën e tij të mishëruar dhe të shkruar, kardinal Martini paraqet dy personazhe të forta si shembull të edukatorëve: përvojën e jetës së shën Augustinit dhe zemrën atërore të shën Gjon Boskos.

Në letrën e dytë baritore, ‘Itinerare edukuese’, na paraqiten sugjerimet/ecjet praktike, që ndihmojnë në edukimin dhe në formimin e personit. Është një letër që ka si presupozim letrën e parë dhe është vazhdimësi e saj. Por, këtu mbizotërojnë propozime konkrete për një ecje edukuese: “Fjala si mjet parësor, veçanërisht katër Ungjijtë, sakramente, jeta monastike, seminaret, Lectio divina, udhëheqja shpirtërore dhe ushtrimet shpirtërore”. Pas paraqitjes së instrumenteve të edukimit, ai paraqet edhe ambientet ku duhet të realizohet edukimi njerëzor dhe i krishterë: “familja, famullia, oratorët, shkolla, ambientet e punës, shoqatat dhe lëvizjet.”

Në këtë pikë, kardinal Martini, përpiqet të paraqesë gjendjen konkrete të edukimit dhe të sfidave të tij, duke ofruar instrumentet dhe itineraret e nevojshme për projektimin e një edukimi të vërtetë dhe të plotë. Në të gjitha këto, ka një ftesë të vazhdueshme, ndaj të gjithë edukatorëve, që mos të mbajnë këto instrumente dhe këto itinerare si përjashtues, si projekte të paracaktuara dhe përsosura, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë një të tillë, por edukatori duhet të bëjë ‘sitz in leben’ të atij që edukohet në kohë, në hapësirë dhe në kushtet shoqërore në të cilat ai gjendet konkretisht. Rreziku i madh qëndron të fakti se këto projekte baritore mund të shkëputen nga situata konkrete në të cilën gjendet i edukuari, edukatori dhe sfidat shoqërore në të cilat gjendemi dhe që janë të karakterizuara nga fakti se ato ndryshojnë në vazhdimësi.

Derisa pas letrës së dytë baritore, duket se ky argument është shteruar, në letrën e tretë, ‘Të edukosh ende’, Martini zbret edhe më shumë në konkretësinë e jetës së përditshme, duke paraqitur, para së gjithash, sfidat që bashkësia edukuese dhe edukatorët duhet të përballojnë në angazhimin e tyre edukues. Është e kuptueshme se kjo letër e tretë nuk ka kuptim, nëse nuk merret si vazhdimësi e dy letrave të para. Në një farë mënyre, ajo është një lloj përmbylljeje praktike e ecjes edukuese të paraqitur në këto tri letra baritore.

Pikënisja e tij, pas paraqitjes së të gjitha sfidave edukuese të botës së sotme, është thelbi i kësaj letre, d.m.th. ftesa e tij për të “mos u lodhur, për t’i kaluar dështimet edukuese, zhgënjimet, sepse pikërisht në edukim duhet të kemi guximin që të nisemi gjithmonë nga fillimi”. Duke iu referuar gjithmonë Shkrimit të Shenjtë dhe shëmbëlltyrës ungjillore të ‘fikut dhe të vreshtarit’, Martini fton, që angazhimin edukues ta shohim si “shkuarje të sërishme në vresht, edhe pse është vonë dhe dita është e rëndë”.

Në fund të kësaj paraqitjeje, e falënderoj Zotin dhe autorin e këtij studimi, Don Anton Ukën, që na ka ofruar këtë ‘margaritar biblik, teologjik dhe baritor’ mbi edukimin. Dua të bëj një ftesë të trefishtë: ftesën për të vendosur Zotin në qendër të punës sonë edukuese; ftesën për të lexuar këto tri letra baritore, ku gjejmë mirë të përvijuar mendimin dhe qëndrimin edukues të kardinal Martini-t; ftesën drejtuar Autorit të këtij studimi, që të vazhdojë të thellojë dhe të na e paraqesë edhe në vazhdimësi mendimin pedagogjik të kardinal Martini-t, që është një pedagogji e thellë teologjike, biblike dhe baritore./drita.info

Comments are closed.

« »