Vizitë e mrekullueshme

Dec 30 • Meditimi i ditës

30 dhjetor 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,12-17; Ps 96,7-10; Lk 2,36-40)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria
E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga frika dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi
Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma kujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Asnjëherë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala e Zotit

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 2, 36-40

 

36 Ishte asohere edhe Ana profeteshë, bija e Fanuelit, prej fisit të Aserit, shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë vjet 37kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetekatër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me lutje. 38 Pikërisht në atë moment arriti edhe ajo dhe filloi të lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnjë të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit.

39 Pasi kryen gjithçka duhej bërë sipas Ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e vet, Nazaret.

40 Fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti ‑ dhe hiri i Hyjit ishte në të.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Shumë gjëra mbesin të pathëna në leximin e sotëm. Ç`u bë me fëmijën Jezus që i la mbresa aq shumë Anës profeteshë, saqë ajo nuk mund të ndalonte së foluri për të?
  • Dëgjojmë se pasi i plotësuan kërkesat e ligjit hebre, Maria dhe Jozefi u kthyen me Jezusin në vendlindjen e tyre, Nazaret, ku ‘fëmija rritej, forcohej e merrte fuqi përplot me urti – dhe hiri i Hyjit ishte në të. Si ishte fëmijëria dhe adoleshenca e Jezusit? Si e imagjinon atë?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, vë re se çfarë të lë mbresa. Çka mbetet e pa thënë? Si e ndien veten lidhur me këtë Jezus: i cili la një përshtypje kaq të thellë tek Ana si fëmijë? Cilat vite të rritjes në Nazaret janë përmendur?

 

Bashkëbisedimi

Merr pak kohë tani për të folur ose për të ndenjur me Jezusin, siç do të bënte një mik me një tjetër. Kërkoji Zotit atë që të nevojitet.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Merre me mend gëzimin e Anës! Kaq shumë vite me besnikëri kishte jetuar në tempull. Njerëzit e shihnin, ishte “pjesë e inventarit të familjes.” Ajo në mënyrën e vet është grua e shenjtë. Dhe pastaj vjen ky moment ngazëllimi kur e njeh Zotin që është i pranishëm në formë njerëzore. I flet çdonjërit për këtë. Edhe unë duhet të flas për Hyjin të lindur në botën e sotme.

Duhet të ketë reflektuar Maria pafundësisht në zemrën e vet në lidhje me fëmijën e vet. Është aq i thjeshtë: ha, fle, luan, qesh dhe qan. Mëson shpejtë, është fëmijë i bekuar. Por a është premtimi i engjëllit i vërtetë: se ai është në të vërtetë Biri i Hyjit? Si është kjo e mundur? E megjithatë, ka grimca vërtetimi: bekimi i Elizabetës, engjëjt dhe barinjtë, mbretërit nga lindja, dhe tani Simoni dhe fjalët e Anës. Marisë i është dhënë mjaftueshëm që të mund të besojë, kështu edhe ne.

Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »