Falënderimi Zotit në fundvit (2020) 

Dec 31 • Opinion

Nga Don Agim Qerkini

 

Vëllezër dhe motra, miq dhe dashamirë, në këtë mbrëmje fundviti, duam t’i shprehim Zotit falënderimin e thellë për vitin që po lëmë pas.  

Ishte një vit që sfidoi mbarë njerëzimin, një vit, gjatë së cilit shumë njerëz sprovuan dhimbjen, vetminë, por edhe fuqitë e mëdha, pafuqinë përballë pandemisë. Kjo gjendje rezultoi me shumë viktima anekënd botës, prandaj, i lutemi Zotit për të gjithë ata që kaluan në amshim, që shpirti i tyre të pushojë në paqe, ndërsa familjarët e tyre t’i ngushëllojë dhe t’i forcojë që të ruajnë me nderim kujtimet për ta.  

Sonte, ndoshta na tingëllon paksa sfiduese fjala falënderim, në aspektin njerëzor qoftë edhe për t’ia shprehur Zotit, por, duhet ta mundim këtë tundim. Mos të harrojmë se gjatë gjithë kohës së pandemisë, mbase edhe në mënyrë indirekte, është promovuar dashuria dhe kujdesi për njëri-tjetrin. 

Vazhdimisht janë bërë thirrje të pazakonta: “Rri n’shpi”, “mbaj distancë“, “përshëndetuni, uroni paqe e falënderoni me dorë në zemër”, “mos bëni vizita familjare as për festa“, “ndalohen tubimet në masë të të gjitha natyrave si dhe ato fetare”, dhe shumë të tjera. Këto thirrje e të ngjashme me këto, kishin për qëllim ruajtjen e shëndetit publik. Mirëpo, në anën tjetër, fuqia e tyre natyrshëm ishte kuptimplote dhe pozitive, pra, thirrje që ta duam dhe ta ruajmë njëri-tjetrin.

Për këtë arsye, si të mos e falënderojmë Zotin, kur prej tij kemi mësuar për fjalën dashuri në vepër. Pastaj, “dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne…” e, “në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin.” (1 Gjn 4 10-11).  

Kjo periudhë pandemie, me të cilën duket sikur u mësuam, sa na pati ndarë, ndoshta edhe nga frika që, „vetëm unë të mos infektohem“, po aq na ka bashkuar më vonë, duke na bërë që të dëshmojmë një kulturë dhe solidaritet, mirëkuptim dhe dashuri për të afërmin.   

Nga ana fetare e shpirtërore, pandemia nuk duhet të merret si ndërhyrje e Zotit, sepse ai e ka krijuar njeriun në përngjasimin e vet. E ka bërë bashkëkrijues, megjithëse veprat që shpesh i krijon njeriu, nuk përkojnë me planin e Zotit. Megjithatë Zoti nuk heq dorë nga ne dhe nuk na braktis. 

Në anën tjetër, po! Zoti lejon që njeriu të sprovohet në mënyra të ndryshme, ashtu sikurse e sprovoi Jobin por edhe shumë njerëz të tjerë. Mirëpo, njerëzit besimtarë dhe flijues në jetën e tyre, shohin me sytë e shpirtit dhe nuk thyhen në bindje. Ata besojnë se vuajtja ka kuptim, dinë tia kushtojnë Zotit me bindje se: “Nëse nga dora e Hyjit i pranojmë të mirat, pse s’do t’i pranojmë të këqijat”? (Jb 2, 10). 

Në këtë meshë falënderimi, Ungjilli na mëson për dashurinë e Zotit, “Fjalën që u bë Njeri dhe banoi ndër ne.” (Gjn 1, 14). Ai erdhi në botë, pranoi të vuajë, deri edhe të vdesë në kryq, prandaj, në Krishtin gjen kuptim vuajtja e të drejtit, ndërsa të gjithëve na është dhënë mundësia e kthimit. “Njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për një njeri të drejtë ‑ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” (Rom 5, 6-8). 

E keni përjetuar apo dëgjuar pyetjen që u bëhet fëmijëve, sa më do?, sidomos për dashurinë ndaj prindërve, dhe prisni t’i hapë krahët duke thënë: „ja, kaq shumë“. Neve na mjafton ta drejtojmë shikimin tonë drejt Kryqit dhe t’i shohim krahët e hapur të Krishtit për ta kuptuar dashurinë e tij ndaj nesh. 

Në fillim, para krijimit, ishte Fjala, hyjnore, dinamike dhe e gjallë. Ishte në Hyjin dhe ishte Hyj. Lidhur me këtë, Shën Augustini shkruan: “Gjoni është zëri, ndërsa, për Krishtin thuhet: Ai është Fjala e amshuar. Në fillim ishte Fjala. Gjoni është zëri për një kohë të caktuar, ndërsa Krishti është Fjala e amshuar që nga Fillimi.” 

Duke folur për lidhjen e tij me Atin, Jezusi dëshiron të na tërheqë drejt vetes për të na bërë nxënës të tij e bij të Zotit. Ai dëshiron të na mësojë se jeta jonë duhet të pasqyrojë, në gjendjen njerëzore, jetën e Trinisë, jetën e vetë Zotit, nëse dëshirojmë të marrim dhuratat e tij të cilat na sjellin shëlbimin.  

Pra, në Krishtin ne e shohim lavdinë e Zotit që shkëlqen përmes njerëzimit të tij, dhe vazhdon të jetë i pranishëm në vëllain njeri! 

Tani, si të mos e falënderojmë Zotin për përvojat e mira e ngushëlluese edhe atëherë kur përjetojmë trishtimin, për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, për njerëzit që flijojnë shumë nga jeta e tyre që tu ndihmojnë të tjerëve, para së gjithash në këtë rast, Stafet mjekësore dhe të gjitha Institucionet që ndihmojnë në menaxhimin sa më të mirë të gjendjes.  

Përderisa nuk mësojmë të jemi falënderues, do të vazhdojmë të jetojmë të mbyllur në egoizmin tonë. Prandaj, jeta jonë le të jetë falënderim! Po, falënderim Zotit për të gjitha të mirat në jetë, por edhe për vështirësitë dhe vuajtjet e ndryshme, sepse, na ngushëllon edhe dëshmia e bukur: “In hoc signo vinces.” Kështu, të qëndruarit në vepra të mira, shpërblehet edhe sipas Ungjillit: “Ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shëlbohet“ (Mt 24, 13). 

Duke e falënderuar Zotin, të cilit i takojmë, i lutemi për një vit më të mbarë e të suksesshëm për të gjithë. Gëzuar Vitin e Ri 2021, me fjalët e Shën Palit apostull: “Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Zotit Jezu Krisht.” (2 Kor 1, 2). 

 

Lutja e falënderimit Zotit në fundvit 

(Mund të lutet në mbarim të meshës, në shtëpi së bashku me familjarë, apo edhe personalisht në heshtjen e zemrës suaj

Hyj tejet i mirë, në fund të këtij viti, po vij para teje në thjeshtësinë e zemrës sime, sepse dua të të falënderoj për gjithçka që më ke dhënë gjatë kësaj kohe. Së pari, dua të të falënderoj për hiret dhe dhuratat e shumta shpirtërore. Ato janë gjërat më të vlefshme në jetën time. Të falënderoj që më je përgjigjur në shumë lutje te mia, që më ke udhëhequr dhe shndritur kur isha i pavendosur dhe në dyshime, Ti më ke mbajtur të qëndrueshëm. 

Të falënderoj për hirin e jetës së përkohshme, sidomos që më ke mbajtur gjallë gjatë këtij viti. 

Faleminderit për shumë të mira të tjera: për shëndetin, lumturinë, harmoninë në familje, për suksesin në përpjekjet e mia dhe për bekim në gjërat materiale. Ti, o Zot, më ke udhëhequr kaq mrekullisht gjatë gjithë vitit. Bëhu forca ime edhe vitin e ardhshëm. Bëj që të të shërbej më me besnikëri dhe të përmbush vullnetin tënd të shenjtë sa më mirë që të jetë e mundur. Amen!

Kisha Katolike në fundvit e këndon himnin e bukur të shenjtit tonë dardan, Shën Niketë Dardanit, me të cilën shpreh lavdin dhe nderin ndaj Hyjit për rrjedhën e kohës dhe praninë e tij në të. Prandaj, po e vendosim këtu në mbarim të kësaj përsiatjeje. Teksti është marr nga libri i uratëve: Gaspër Gjini (përp.), Shutja shpirtërore, Drita 1978, 1986, 1991, 2002, fq.285-286.

 

TE DEUM – LAVDI E NDERA 

 

Lavdi e ndera t’qoftë, o Zot, 

Pushtetplot e vet madhnia: 

Toka mbarë, Hyj Sabaot, 

T’lvdon ty,o vetë fuqia: 

Ty që s’pate kurr fillim 

as s’ke kurr për t’pasë mbarim. 

 

Ej’t prej qiellit n’fluturim 

Serafinët me krubina, 

Drejt kah toka që ty t’thrret, 

Dirgjen s’naltit plima-plima, 

Shejt t’përshendesin pa pushim, 

Shejt, o Shejt qysh n’amshim. 

 

Tuba e apostujve t’levdon, 

Dishmitarë, profetë e virgj’nesha, 

çeta e martirve t’madhnon 

edhe e qiellit e tokës Mbretnesha 

çka krijove n’rruzullim 

t’adhuron, Zot, me t’madh p’runjim. 

 

Deh pra, i lum ti mos na lsho. 

Dhimbshem, Zot, tue na bekue, 

p’shtona anmiqsh, për ne qindro 

Shpirt e korp ti tue na i p’shtue: 

E atëherë ty per amshim, 

Do të këndojmë lavde, o Zot, me gëzim./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«