Fjala u bë njeri

Dec 31 • Meditimi i ditës

31 dhjetor 2020 – E martë, Shën Silvestri, Nata e Vitit të Ri, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,18-21; Ps 96,1-2.11-13; Gjn 1,1-18)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

Do të përpiqem që bile pak t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendosi në dorën e Zotit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë. 

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje pjesën e Ungjillit me mend e zemër

dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 1, 1-18

 

1 Në fillim ishte Fjala

e Fjala ishte në Hyjin

e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë

e pa Të nuk u bë asgjë.

E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën

e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë

e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.

Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar,

për të dëshmuar Dritën,

që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita,

por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë

që shndrit çdo njeri,

erdhi në botë.

10 Ishte në botë

e bota u krijua prej Saj,

e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët,

e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan

u dha zotësinë

të bëhen bijtë e Hyjit:

atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit

as gjaku

as prirja e mishit

as prirja e njeriut

por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri

e banoi ndër ne.

Ne e pamë lavdinë e tij,

atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm

plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:

“Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij

të gjithë ne morëm,

madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,

porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:

Biri i vetëm ‑ që është Hyj,

një natyre me Atin,

Ai bëri të njihet.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në këtë ditë të fundit të vitit, dëgjojmë nga Prologu i Ungjillit të Gjonit se si ‘Fjala u bë njeri e banoi ndër ne.’ Hyji në Jezusin zgjodhi të bëhej plotësisht njerëzor: të bëhej mish e gjak dhe të jetonte në mesin tonë si një nga ne. Gjatë kohës që pushon në fund të këtij viti të çuditshëm dhe të vështirë, cili është reagimi yt ndaj këtij mesazhi? Çka do të thotë për ty se Zoti bëhet njeri dhe jeton mes nesh?
  • Po për Zotin të cilin Jezusi ta bën të njohur? A ka diçka në jetën tënde, në këtë vit, që ta ka bërë të njohur Zotin?
  • ‘Hyjin kurrë askush nuk e pa’ megjithatë Jezusi ‘që është një natyre me Atin’ e ka bërë të njohur atë. Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, vë re përgjigjen tënde ndaj kësaj deklarate të guximshme.

 

Bashkëbisedimi

Sidoqoftë që e gjeni veten tani, lejo që të tërhiqesh në bisedë me Zotin që bëhet njeri dhe jeton mes nesh. Çka të nevojitet ose dëshiron më shumë në fund të këtij viti? Çka dëshiron Zoti që ti ta dish? Të marrësh?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

“E drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.” Duke e shikuar vitin e ri kalendarik, të shkëlqejmë edhe ne me dritën hyjnore. Kjo dritë ndriçoftë në ne që të besojmë se jemi bijtë e Hyjit, të dashur deri në pikën e fundit. Në kthim t`i duam pafund të tjerët dhe të sjellim dritë dhe paqe në jetët e tyre.

O Zot, në vitin e ardhshëm më ndihmo në lutjen time të përditshme që të njoh ty më mirë dhe, si të gjithë të tjerët, më ço atje ku je ti – më afër zemrës së Atit. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »