Pro memoria, dhjetor 2020

Dec 31 • Opinion

Nga Prend BUZHALA

 

Dhjetori, si çdo muaj tjetër, ruan data për shumë ngjarje e personalitete. Ky muaj ndërlidhet me gëzimin madh botëror të festave të fundvitit: të Kërshëndellave dhe të Vitit të Ri, të Ndërrimit të Motmoteve…

 

  1. SHPRESAT DHE DËSHIRAT

Por ky muaj ndërlidhet edhe me një ngjarje që ende konsiderohet Kryengjarje Botëtore, meqë e ruan Kujtesën e Njerëzimit para e pas Krishtit, para e pas Epokës së Re, sipas kalendarit gregorian. Cilido qoftë kalendari (nuk ka rëndësi se a është religjioz, pagan apo sipas “matjeve shkencore”), kjo Epokë e Re, përtej kësaj kujtese religjioze, apo përtej kodeve të një civilizimi, ndërlidhet me emrin e Jezusit, për lidjen e tij në mënyrë të mrekullueshme më 25 dhjetor, diku në mesnatë…

Meqenëse ky vit që po e lëmë pas, ishte tejet i rëndë, mori shumë jetë njerëzish. Është muaj i shpresës se e ardhmja do të ketë më shumë dritë, shpresë, forcim, mirëqenie.

Dhjetori ndërlidhet dhe me krijimtarinë artistike: me krijimin e POEZISË SË PËRSHPIRTSHME tek të gjithë popujt e botës që ndërlidhen me civilizimin europerëndimor a me krishterimin; me filmat artistikë dhe letërsinë që i kushtohet kësaj përshpirtërie; me pikturat e skulpturat e panumërta që ndërlidhen me këtë fushë të religjiozitetit e të spiritualitetit botëror; me veprat më të përkryera të muzikës klasike -operistike -simfonike etj etj. dhe sa e sa poezi e sa vepra artistike, nga të gjitha llojet e arteve, i kushtohen Kryefestës Botërore, Vitit të Ri. Dhjetori është sinonim i dimrit dhe dëborës. Ja si shprehet Roman Payne, një shkrimtar frëng, që shkruan frëngjisht: “Ajo bardhësi dimri bëhet gjithnjë e më e ftohtë. Dimri sajon gjurmët e tij në livadhe. Çfarë bardhësie, e cila krenohet si dielli që vjen në këtë pyll! Njëri do të thoshte se ngjyra e qumështit të virgjëreshave, vallëzon në petalet e orkidesë. Çfarë ftohtësie djeg diellin tonë! Tjetri thotë ndryshe: se rrezet e saj të dritës janë flluska të dëborës, dhe e imagjinon jetën e diellit mbi kurrizin e një kulmi me borë, në po atë ditë. Dikush do të shtojë se ajo bardhësi është një grua që vesh një fustan prej acari dimëror, që t’i verbon sytë. Impotenca (dhe paaftësia) më ka dobësuar mua. Endjet përçart i ka molisur këmbët e mia.” E kishte fjalën për dhjetorin e ngjarjet e përndritshme që ndërlidhen me të, kur Dante shkroi: “Pa shpresa, ne jetojmë vetëm në dëshira”.

 

  1. DHJETORI I TË MËDHENJVE SHQIPTARË

Dhjetori ka edhe datëlindjet shqiptare dhe shuarjen, rënien dëshmor apo martirizimin e shumë figurave ilire, arbërore e shqiptare. Mjafton të përmenden të mëdhenjtë e letërsisë së vjetër shqipe Pjetër Budi e Pjetër Bogdani. Më 6 dhjetor 1689 vdiq imzot Pjetër Bogdani, ipeshkvi i madh shqiptar. Në një ditë dhjetori të vitit 1622, vdiq Pjetër Budi, shkrimtar i letërsisë së hershme shqipe, autor librash fetarë në shqip, ku armiqtë e tij përdorën si mjet valët e rrëmbyeshme të Drinit, për ta eliminuar Budin. Por DHJETORI I TË MËDHENJVE vazhdon me emrat e Fishtës e Lasgushit. Kështu, më 30 dhjetor 1940 Át Gjergj Fishta jep shpirt në spitalin civil të qytetit të Shkodrës. Llazar Gusho u lind në Pogradec, 27 dhjetor 1899 – Tiranë, dhe vdes më 12 nëntor 1987) i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, i cili ishte poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar. Eqrem bej Vlora nga Vlora, u lind më 1 dhjetor 1885 dhe vdes në Vjenë më 25 maj 1964, nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes shqiptare, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. Azem Bejta u lind më 10 dhjetor 1889, në fshatin Galicë të Drenicës. Më 2 dhjetor 1944 u lind Ibrahim Rugova, president historik i Kosovës, kurse më 23 dhjetor 1989 zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike pluraliste e demokratike në Kosovë.

Më 14 dhjetor 1998, bien dëshmorë, në krye me komandantin Mujë Krasniqi, 36 luftëtarë të UÇK-së, në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Lugun e Zi te Lkeni i Ahishtes. Në dhjetor shuhet në burg, në tortura, jeta e Mehë Ramë Ukës (20.12.1962 – 29.12.1996), bir minatori, i burgosur politik. Gjatë dhjetorit 1998, kanë rënë edhe shumë dëshmorë të tjerë.

Piktori Abdurrahim Buza u lind më 22 dhjetor 1905 Shkup, në një familje gjakovare. Poeti Primo Shllaku u lind në Shkodër me 16 dhjetor 1947.

Janë edhe dy miq tanë, sidomos të rrjetit social, jeta e të cilëve u shua në dhjetor të vitit të kaluar dhe kësaj radhe me një HOMAZH DHJETORI për këta krijues, i përkujtojmë me respekt. Më 1 dhjetor 2013, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 55 – vjeçare, vdiq poeti dhe studiuesi Abdullah Konushevci. Në pragun e Vitit të Ri, më 31 Dhjetor 2013, u shua papritur jeta e shkrimtarit, poetit, publicistit dhe shqipëruesit Riza Lahi.

I rëndësishëm dhjetori është edhe për emrat e shumë të martirizuarve të Kishës Katolike e të krishterimit iliro-arbëror0shqiptar. 28 dhjetor, Kisha katolike kremton festën e Familjes Shenjte festën e Familjes së Shenjtë të Jezusit, kurse kalendari kishtar përkujton edhe Fëmijët martirë të Pafajshëm, të mbytur nga Herodi, në përpjekjen për të zhdukur Krishtin Foshnje. Ishin 400 fëmijë të vrarë nga Herodi i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Gjarë këtij muaji të krishterët përkujtojnë dhjetëra emra shenjtorësh. Por edhe kishat shqiptare përkujtojnë shumë emra të rënësh e të martirizuarish, apo emra të mëdhenj që i dhanë kulturës, kombit dhe letërsisë.

Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij, shenjtorë martirë; aktet apo shkrimet që flasin për martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq. 173-749 , ashtu edhe ato latine (BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter legjendash, kurse sipas shkrimeve më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancies, vejushë e konsullit Eugjenio ipeshkëv nga një farë Aniçeti., i dërguar si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian; gjykimi nisi me premtime e përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor.

Papë Gjoni IV Dalmati ishte dalmat nga Iliria. . Ishte prift në Romë, kur më 24 dhjetor 640 u bë papë (i shtatëdhjetë e katërti me radhë). Ndërtoi një kishë me emrin e shenjtorit ilir Venantius (kështu quhej edhe i ati i tij). Papë Sistus V – Peretti (1585-1590) ishte me origjinë nga Margegajt (vend i lashtë dardan e mesjetar) e Tropojes (Enciklopedia e Tropojes. U lind më 13 dhjetor 1520 në Grottammare (Provincë e Ascoli Piceno) në brigjet e Adriatikut në Itali. kurse Gjon Françesku, përkatësisht kardinali Albani i deriatëhershëm u kurorëzua papë – Papë Klimenti XI në Literan të Romës më 18 dhjetor 1700 pra para 303 vjetëve.

Dom Pjetër Çuni u lind në Shkodër, më 9 korrik 1914. U arrestua pa motive në Rrjol më 27 korrik 1948. Egërsisht i torturuar, qe futur për së gjalli në një pus ujërash të zeza, ku vdiq më 26 dhjetor 1948.

DOM ANTON ZOGAJ Ai lindi në Kthelle të Mirditës. Mbaroi seminarin Papnor në Shkodër (1920). Në vitin 1945, komunistët e arrestuan dhe e torturuan mizorisht. Dom Antonin e pushkatuan më 31.12.1946, në Porto Romano. DOM LEKË SIRDANI u lind në Gurës (Milot), më 1 Mars 1891. E torturuan mizorisht, e detyruan të sillej përreth famullisë së tij në zonën e Koplikut, pastaj e futën të gjallë në një pus ujërash të zeza dhe e lanë aty derisa vdiq më 26 dhjetor 1948, i torturuar dhe i mbytur nga policia e Koplikut, në veri të qytetit të Shkodrës. ATË BERNARDIN PALAJ u lind në Shllak, më 2 Tetor 1894, qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë; qe profesor dhe shkrimtar, me një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar, kurse më 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër; e lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi.

ATË DANIEL DAJANI u lind në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Në Torino ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë, u rikthye në Shqipëri, dha mësimin e latinishtes në Seminar, arrestua bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. DOM SHTJEFEN KURTI u lind në Ferizaj (Kosovë), më 25 Dhjetor 1898, ishte në Shqipëri më 6 janar 1930, bashkë me Dom Luigj Gashin e Dom Gjon Bisakun. U arrestua në Tiranë më 28 tetor 1946, dhe u dënua me njëzet vjet burg. Pas mbylljes së kishave u dërgua në Gurëz (Milot), arrestohet përsëri më 11 qershor 1970 dhe u dënua me vdekje “in odium fidei”, pse pagëzoi një fëmijë; u pushkatua më 20 tetor 1971.

Bujar Lako, aktor i njohur shqiptar, vdiq më 26 dhjetor 2016, Tiranë. Tunxhi te filmi “Udha e shkronjave”, Luigj Gurakuqi te “Nëntori i dytë”, komandanti shqiptar Mujo Bermena te “Ballë për ballë”, Halit Berati te “Gjeneral gramafoni”- janë vetëm disa role të Bujar Lakos, që secilit prej gjeneratave të mëhershme i kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesë. Sot shkoi në amshim Bujar Lako (1948-2016), ky aktor që vetëm në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role.

Më 10 dhjetor 2016 vdes NEHAT S. HOXHA. Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi,tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka përkthyer edhe shumë filma artistikë, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor. Fitues i dhjetëra çmimeve letrare. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë.” Vepra të botuara: Vdekja e poetit, Rilindja, Prishtinë, 1990; Lindje në plojë, Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992; I mërguar në atdhe, Druck Art, Prishtinë, 1996; Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996, Oguri, roman, Ministria e Kulturës, 2003.

Sivjet e kishte 15-vjetorin e shkuarjes në përjetësi Tahir Desku( 1957 – 3 dhjetor 2005).

Para katër vjetësh i bëra një homazh me shkrim vdekjes së POP-STAR GEORGE MICHAEL, që e ndihmoi Kosovën në kohë lufte. Mandej edhe një futbollist holandez me renome botërore si JOHAN CRUYFF (1947-2016), FUTBOLLIST LEGJENDAR E HUMANIST QË NDIHMOI KOSOVËN.

 

  1. DHJETORI I HISTORISË BOTËRORE

Muaji dhjetor ka hyrë në historinë botërore me shumë ngjarje e përkujtime, zbulime shkencore, pavarësime shtetesh etj. etj.

Më 18 dhjetor 1495 – vdiq Alfonsi II, mbreti i Napolit, mikpritësi i arbërve.

Pianisti dhe kompozitori gjerman Ludvig van Betoven, u lind në Bon më 16 dhjetor 1770 dhe konsiderohet një ndër kompozitorët më të mëdhenj të epokës së klasicizmit. Nostradamus (Michel de Nostredame) u lind më 14 dhjetor 1503, në qytetin francez St. Remy dhe vdiq më 2 korrik 1566. Shkrimtari i njohur Rudyard Kipling, u lind më 30 dhjetor 1865 në Bombei. Charlie Chaplin vdiq më 25 dhjetor 1977. Në moshën 95 vjeçare, më 5 dhjetor 2013, ka vdekur Nelson Mandela, presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut dhe ikonë e luftës kundër aparteidit. Më 13 dhjetor 2010, në moshën 69-vjeçare, vdiq diplomati amerikan, Riçard Hollbruk, diplomat, redaktor reviste, autor dhe bankier amerikan, i cili kishte të bënte edhe me luftërat e Ballkanit. Më 16 dhjetor 1897vdiq shkrimtari francez Alfons Dode. 5 dhjetor 1791 – Wolfgang Amadeus Mozart vdiq një të varfëri në moshën 35 në Vjenë, Austri. Walt Disney u lind më 5 dhjetor1901 ka lindur në Çikago, Illinois, vdiq më 1966. Më 8 dhjetor 1980, ish muzikanti i Beatle, John Lennon ,u vra në qytetin e Nju Jorkut.Poeti britanik John Milton u lind më 9 dhjetor 1608 dhe vdes më 1674. Më 10 dhjetor 1896 kimisti suedez Alfred Nobel vdiq në San Remo të Italisë. Më 12 dhjetor 1821 u lind autor francez Gustave Flaubert (1821-1880), kurse më 13 dhjetor 1797 u lind shkrimtari gjerman Heinrich Heine (1797-1856).

Më 16 dhjetor 1770 u lind Ludwig van Beethoven (1770-1827) në Bon, Gjermani.

Më 21 dhjetor 1846, anestezi a është përdorur për herë të parë në Britani gjatë një operacioni në spitalin College University në Londër, të kryer nga Robert Liston që ka amputuar këmbën e një shërbëtori. Më 25 dhjetor 1642 u lind Isaac Newton (1642-1727) në Woolsthorpe, Lincolnshire, Angli. Më 27 dhjetor u lind astronomi gjerman Johannes Kepler (1571-1630) në Württemberg, Gjermani, i konsideruar babai i astronomisë moderne, datë kur u lind edhe kimisti i infeksioneve Louis Pasteur (1822-1895) në Dole, Francë.

Kështu, më 7 dhjetor, 43 para erës sonë vdiq Ciceroni (Marcus Tullius). Më 4 dhjetor 1791, e para gazetë botërore, “ Observer,” u botua për herë të parë në Britani. Kështu, më 1 dhjetor 1640, ndodhi një revolucion nacionalist në Portugali që çoi në pavarësinë nga Spanja. Më 1 dhjetor 1918, Islandës i është dhënë pavarësia nga parlamenti danez. Përmendet se më 1 dhjetor 1955 u themelua lëvizja moderne amerikane për të drejtat civile, kur Rosa Parks u arrestua në Montgomery, Alabama, për refuzimin që nuk hoqi dorë për t’u martuar me një burrë të bardhë. 1 dhjetor 1989 Mikhail Gorbachev u bë i pari udhëheqës sovjetik rus që vizitoi Vatikanin dhe takohet me Papën. Më 2 dhjetor 1804 Napoleon Bonaparta u kurorëzua Perandor i Francës nga Papa Piu VII në Paris. Më 2 dhjetor 1942, fizikanët e udhëhequr nga Enrico Fermi , kanëkryer reagimin e parë në botë të suksesshëm të zinxhirit bërthamor në Universitetin e Çikagos. Më 2 dhjetor 1982, u transplantua zemra e parë artificiale, për 61-vjeçarin Barney C. Clark, nga mjeku Dr William De Vries në Universitetin e Utah Medical Center në Salt Lake City, e kur Clark, i cili ishte pranë vdekjes në kohën e operacionit, mbijetoi 112 ditë pas transplantimit. Më 5 dhjetor 1492 Haiti u zbulua nga Kristofor Kolombi. Më 8 dhjetor 1991 BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) pushoi së ekzistuari. Më 10 dhjetor 1948 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dhe shpalli Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.më 21 dhjetor 1879 u lind lideri sovjetik Josef Stalin (1879-1953) në fshatin e Gorit në Gjeorgji (lindi me emrin si Iosif Vissarionovich Dzhugashvili). Stalinizmi ndërlidhetme emrin e tij, si varianti më ekstrem i diktaturës komuniste.

Shkoi në amshim Amos Oz (1939 – 28 dhejtor 2018), shkrimtar izraelit, ndër më të vlerësuarit në botë, i përkthyer në dhjetëra gjuhë, po ashtu edhe shqip. I nominuar edhe për Çmimin Nobel, ai është fitues i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare për letërsi.

Më 23 dhjetor 1947 u shpik transistori i parë (radio), në laboratorin e Bell-it nga John Bardeen, Walter Brattain dhe William Shockley, të cilët ndanë Çmimin Nobel për shpikjen e tyre, e cila që ka ngjallur një revolucion botëror në elektronikë. Më 27 dhjetor 1945 u themelua Fondi Monetar Ndërkombëtar në Uashington, DC. Më 30 dhjetor 1993 Izraeli dhe Vatikani nënshkruan një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë, për t’i dhënë fund 2000 vjetëve të marrëdhënieve antipatike në mes të krishterëve dhe hebrenjve.

Kurse 31 dhjetori tradicionalisht është mbrëmja e fundit e vitit kalendarik gregorian, DHE BOTËROR, e cila festohet si natë hareje, gëzimi për ta mirëpritur Vitin e Ri./drita.info

Comments are closed.

« »