Papa Françesku në Ditën Botërore të Paqes: Kultura e përkujdesjes si rrugëtim paqeje

Jan 1 • Kisha në botë, Res socialis

Mesazhi i Atit të Shenjtë

Françeskut

për kremtimin e Ditës LIV Botërore të Paqes

1 janar 2021

 

Kultura e përkujdesjes si rrugëtim paqeje

 

 

1. Në prag të vitit të ri, dëshiroj t’u bëj përshëndetjet e mia më të sinqerta Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, përgjegjësve të Organizatave ndërkombëtare, udhëheqësve shpirtërorë dhe besimtarëve të besimeve të ndryshme fetare, burrave dhe grave vullnetmirë. Të gjithëve u bëj urimet e mia më të mira, me qëllim që gjatë këtij viti njerëzimi të përparojë në rrugën e vëllazërisë, të drejtësisë dhe të paqes mes njerëzve, bashkësive, popujve dhe

Viti 2020 është shënuar prej krizës së madhe shëndetësore të Covid-19, shndërruar në një fenomen shumësektorial dhe global, duke rënduar kriza mes tyre fortësisht të ndërlidhura, si ajo klimatike, ushqimore, ekonomike dhe migruese, si dhe duke shkaktuar vuajtje dhe shqetësime të mëdha. Mendoj para së gjithash për ata që kanë humbur një familjar apo një person të dashur, por edhe për ata që kanë mbetur pa punë. Një kujtim i veçantë shkon për mjekët, infermierët, farmacistët, kërkuesit, vullnetarët, kapelanët dhe personelin e spitaleve dhe të qendrave shëndetësore, të cilët nuk janë kursyer dhe vazhdojnë të mos kursehen, duke u lodhur dhe duke bërë sakrifica të mëdha, deri në atë pikë sa disa prej tyre kanë vdekur prej qëndrimit pranë të sëmurëve, për t’ua lehtësuar atyre vuajtjet apo për t’ua shpëtuar jetën. Duke i nderuar këta persona, ripërtërij apelin drejtuar politikëbërësve dhe sektorit privat me qëllim që të marrin masat e duhura për të garantuar mundësinë e bërjes së vaksinës kundër Covid-19 dhe të pasjes së teknologjive thelbësore për t’i mjekuar të sëmurët dhe të gjithë ata që janë më të varfër dhe më të brishtë.[1]

Ndiej dhimbje kur konstatoj se, krahas dëshmive të shumta të bamirësisë dhe të solidaritetit, një hov të ri po marrin edhe forma të ndryshme nacionalizmi, racizmi e ksenofobie, si dhe luftëra e konflikte që mbjellin vdekje e shkatërrim.

Këto dhe ngjarje të tjera, që kanë shënuar ecjen e njerëzimit gjatë vitit që po mbyllim, na mësojnë rëndësinë që të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe për krijimin, me qëllim që të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në marrëdhënie vëllazërie. Për këtë arsye kam zgjedhur si temë të këtij mesazhi: Kultura e përkujdesjes si rrugëtim paqeje. Kultura e përkujdesjes me qëllim që të zhduket kultura e indiferencës, të skartimit dhe të ndeshjes, sot shpesh mbizotëruese.

 

  1. Hyji krijues, zanafilla e thirrjes njerëzore për përkujdesje

Në shumë tradita fetare ekzistojnë tregime që i referohen zanafillës së njeriut, marrëdhënies së tij me Krijuesin, me natyrën dhe me të ngjashmit e vet. Në Bibël, Libri i Zanafillës zbulon, që në fillim, rëndësinë e përkujdesjes dhe të ruajtjes në projektin e Hyjit për njerëzimin, duke vënë në dukje marrëdhënien mes njeriut (’adam) dhe tokës (’adamah) dhe mes vëllezërve. Në tregimin biblik të krijimit, Hyji e lë kopshtin “e mbjellë në Eden” (krh. Zan 2,8) në duart e Adamit me detyrën që “ta punojë dhe ta ruajë” (krh. Zan 2,15). Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ta bëjë tokën prodhuese, dhe, nga ana tjetër, ta mbrojë dhe të bëjë që ajo ta ruajë aftësinë e saj për ta mbështetur jetën.[2] Foljet “punoj” dhe “ruaj” përshkruajnë marrëdhënien e Adamit me shtëpi-kopshtin e tij dhe tregojnë edhe besimin që Hyji ka te ai, duke e bërë zotëri dhe rojtar të krejt krijimit.

Lindja e Kainit dhe e Abelit thur një histori vëllezërish, marrëdhënia e të cilëve do të interpretohet negativisht – prej Kainit në terma mbrojtjeje apo ruajtjeje. Pasi vrau vëllanë e vet Abelin, Kaini i përgjigjet kështu pyetjes së Hyjit: «Pse a mos jam unë rojtari i tim vëllai?» (Zan 4,9).[3] Po, sigurisht! Kaini është “rojtari” i vëllait të vet. «Në këto tregime kaq të hershme, të pasura me një simbolizëm të thellë, përmbahej një bindje që sot ndihet shumë: se gjithçka është në marrëdhënie, si dhe se kujdesi i njëmendtë për jetën tonë dhe për marrëdhëniet tona me natyrën është i pandashëm prej vëllazërisë, prej drejtësisë dhe prej besnikërisë ndaj të tjerëve».[4]

 

  1. Hyji Krijues, model përkujdesjeje

Shkrimi i shenjtë e paraqet Hyjin, jo vetëm si Krijues, por si Ai që përkujdeset për krijesat e veta, në veçanti për Adamin, Evën dhe fëmijët e tyre. Vetë Kaini, edhe pse mbi të bie mallkimi për krimin e bërë, merr si dhuratë prej Krijuesit një shenjë mbrojtëse, me qëllim që jeta e tij të mbrohet (krh Zan 4,15). Ky fakt, ndërsa pohon dinjitetin e padhunueshëm të personit, krijuar në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Hyjit, paraqet edhe planin hyjnor për ruajtjen e harmonisë së krijimit, sepse «paqja dhe dhuna nuk mund të banojnë nën të njëjtën çati».[5]

Pikërisht përkujdesja ndaj krijimit është baza e themelimit të Shabbat-it që, përveçse rregullonte kultin hyjnor, synonte rivendosjen e rendit shoqëror dhe vëmendjen ndaj të varfërve (Zan 1,1-3; Lev 25,4). Kremtimi i Jubileut, në përkujtim të vitit të shtatë sabatik, bënte që për një vit toka, skllevërit dhe borxhlinjtë të pushonin. Në këtë vit hiri, u kushtohej përkujdesje më të brishtëve, duke u ofruar atyre një perspektivë të re jete, me qëllim që të mos kishte asnjë nevojtar në popull (krh. Lp 15,4).

Për t’u shënuar është edhe tradita profetike, ku maja e kuptimit biblik të drejtësisë shfaqet në mënyrën se si një bashkësi i trajton më të dobëtit e vet. Për këtë arsye Amosi (Am 2,6-8; 8) e Isaia (Is 58), në veçanti, ngrejnë vazhdimisht zërin e tyre në favor të drejtësisë ndaj të varfërve, të cilët, për shkak të cenueshmërisë së tyre dhe të mungesës së fuqisë, dëgjohen vetëm prej Hyjit, që përkujdeset për ta (krh Ps 34,7; 113,7-8).

 

  1. Përkujdesja në mbarështimin e Jezusit

Jeta dhe mbarështimi i Jezusit mishërojnë majën e zbulimit të dashurisë së Hyjit për njerëzimin (Gjn 3,16). Në sinagogën e Nazaretit, Jezusi shfaqet si Ai që Zoti shuguroi dhe e «dërgoi t’u kumtoj(ë) të vobektëve Ungjillin, t’u shpall(ë) robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj(ë) në liri të ndrydhurit» (krh. Lk 4,18). Këto veprime mesianike, tipike të judenjve, përbëjnë dëshminë më shprehëse të misionit besuar prej Atit. Në dhembshurinë e tij, Krishti u afrohet të sëmurëve në trup e shpirt dhe i shëron ata; i fal mëkatarët dhe u jep atyre një jetë të re. Jezusi është Bariu i Mirë që kujdeset për delet (krh. Gjn 10,11-18; Dal 34,1-31); është Samaritanasi i Mirë që përkulet mbi njeriun e plagosur, që mjekon plagët e tij dhe që kujdeset për të (krh. Lk 10,30-37).

Në kulm të misionit të tij, Jezusi vulos përkujdesjen e tij ndaj nesh duke u gozhduar në kryq dhe duke na liruar prej skllavërisë së mëkatit dhe të vdekjes. Kështu, me dhuratën e jetës dhe të flisë së tij, Ai na e ka hapur udhën drejt dashurisë dhe i thotë secilit prej nesh: “Më ndiq. Bëj edhe ti si unë” (krh. Lk 10,37).

 

  1. Kultura e përkujdesjes në jetën e ndjekësve të Jezusit

Veprat e mëshirës shpirtërore dhe trupore përbëjnë thelbin e shërbimit të bamirësisë së Kishës së parë. Të krishterët e brezit të parë praktikonin bashkëndarjen, me qëllim që askush mes tyre të mos ishte nevojtar (krh Vap 4,34-35) dhe përpiqeshin që ta bënin bashkësinë e tyre një shtëpi mikpritëse. Kështu u bë zakon që të bëheshin oferta vullnetare për të shuar urinë e të varfërve, për të varrosur të vdekurit dhe për t’i ushqyer jetimët, të moshuarit dhe viktimat e fatkeqësive, si p.sh. të mbijetuarit prej mbytjeve në det. Dhe kur, në periudhat e mëvonshme, bujaria e të krishterëve e humbi pak zellin e vet, disa Etër të Kishës ngulën këmbë mbi faktin se, sipas Hyjit, prona është për të mirën e përbashkët. Ambrozi pohon se «natyra i ka ruajtur të gjitha gjërat për njerëzit me qëllim përdorimin e përbashkët të tyre. […] Për këtë arsye, natyra ka krijuar një të drejtë për të gjithë, por lakmia e ka bërë atë një të drejtë për pak vetë».[6] Pas përndjekjeve të shekujve të parë, Kisha ka përfituar prej lirisë për ta frymëzuar shoqërinë dhe kulturën e saj. «Mjerimi i kohëve nxiti forca të reja në shërbim të charitas christiana (bamirësisë së krishterë). Historia kujton vepra të shumta bamirësie. […] U ngritën shumë institute për ta ndihmuar njerëzimin që vuante: spitale, azile për të varfrit, jetimore dhe brefotrofe, streha vorfnore, etj.».[7]

 

  1. Parimet e Dotrinës Shoqërore të Kishës si bazë për kujturën e përkujdesjes

Diakonia e fillimit, e pasuruar prej reflektimit të Etërve dhe e gjallëruar, përgjatë shekujve, prej bamirësisë së zellshme të shumë dëshmitarëve të ndritshëm të fesë,  është bërë zemra rrahëse e Doktrinës Shoqërore të Kishës, duke iu paraqitur të gjithë personave vullnetmirë si një trashëgimi e çmuar parimesh, kriteresh dhe udhëzuesish, prej nga ku të merret “gramatika” e përkujdesjes: nxitja e dinjitetit të çdo personi njerëzor, solidariteti me të varfrit dhe të pambrojturit, zelli për të mirën e përbashkët, mbrojtja e krijimit.

  • Përkujdesja si nxitje e dinjitetit dhe e të drejtave të personit

«Koncepti i personit, lindur dhe pjekur në krishterizëm, ndihmon në arritjen e një zhvillimi plotësisht njerëzor. Sepse termi person gjithmonë tregon marrëdhënie, jo individualizëm, afirmon përfshirjen dhe jo përjashtimin, dinjitetin e vetëm dhe të padhunueshëm dhe jo shfrytëzimin».[8] Çdo person njerëzor është një qëllim në  vetvete, kurrë thjesht një mjet që vlerësohet vetëm për shkak të dobishmërisë së tij, dhe është krijuar për të jetuar së bashku në familje, në bashkësi, në shoqëri, ku të gjithë anëtarët janë të barabartë në dinjitet. Prej këtij dinjiteti rrjedhin të drejtat e njeriut, ashtu si edhe detyrat, që thërrasin p.sh. përgjegjësinë për t’i mirëpritur dhe për t’i ndihmuar të varfrit, të sëmurët, të mënjanuarit, çdo «të afërm, afër apo larg nesh në kohë dhe hapësirë».[9]

  • Përkujdesja ndaj të mirës së përbashkët

Çdo aspekt i jetës shoqërore, politike dhe ekonomike gjen plotësinë e vet kur vihet  në shërbim të së mirës së përbashkët, «domethënë të tërësisë së atyre kushteve të jetës shoqërore që u lejojnë si grupeve ashtu edhe individëve ta arrijnë përsosmërinë e tyre më plotësisht dhe më shpejt».[10] Për këtë arsye, planet dhe përpjekjet tona gjithmonë duhet të llogarisin efektet mbi krejt familjen njerëzore, duke matur pasojat në momentin e tanishëm dhe për brezat që do të vijnë. Se sa kjo është e vërtetë dhe aktuale na e tregon pandemia e Covid-19, përpara të cilës «e kemi kuptuar se gjendemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë dhe të çorientuar, por në të njëjtën kohë të rëndësishëm dhe të nevojshëm, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku»[11], sepse «askush nuk shpëton vetëm»[12] dhe asnjë Shtet kombëtar i izoluar nuk mund ta sigurojë të mirën e përbashkët të popullatës së vet.[13]

  • Përkujdesja përmes solidaritetit

Solidariteti shpreh konkretisht dashurinë për tjetrin, jo si një ndjenjë e papërcaktuar, por si «një vendim i prerë dhe ngulmues për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët: domethënë për të mirën e të gjithëve dhe të gjithsecilit, sepse të gjithë jemi me të vërtetë përgjegjës për të gjithë».[14] Solidariteti na ndihmon ta shohim tjetrin – si person dhe, në kuptimin e gjerë, si popull apo komb – jo si një të dhënë statistikore apo si një mjet për t’u shfrytëzuar dhe pastaj për ta skartuar kur nuk është më e dobishme, por si të afërmin tonë, shok udhëtimi, i thirrur për të marrë pjesë, njëlloj si ne, në banketin e jetës ku të gjithë jemi njëlloj të thirrur prej Hyjit.

  • Përkujdesja për mbrojtjen e krijimit

Enciklica Laudato si’ (Ti qofsh lëvduar) përcakton plotësisht ndërlidhjen e të gjitha realiteteve të krijuara dhe vë në dukje nevojën për të dëgjuar njëkohësisht britmën e nevojtarëve dhe atë të krijimit. Prej këtij dëgjimi të vëmendshëm dhe të vazhdueshëm mund të lindë një përkujdesje e efektshme ndaj tokës, shtëpisë sonë të përbashkët, dhe ndaj të varfërve. Në lidhje me këtë, dëshiroj të përsëris që «nuk mund të jetë e njëmendtë një ndjenjë e ngushtë bashkimi me qeniet e tjera të natyrës, nëse në të njëjtën kohë në zemër nuk ka ëmbëlsi, dhembshuri dhe shqetësim për qeniet njerëzore».[15]

«Paqja, drejtësia dhe mbrojtja e krijimit janë tri çështje krejt të lidhura mes tyre, të cilat nuk mund të ndahen e të trajtohen veç e veç, pa rënë sërish në reduksionizëm».[16]

 

  1. Busulla për një drejtim të përbashkët

Në një kohë ku mbizotëron kultura e skartimit, përballë ashpërsimit të pabarazive brenda Kombeve dhe mes tyre,[17] do të doja t’i ftoja përgjegjësit e Organizatave ndërkombëtare dhe të Qeverive, të botës ekonomike dhe shkencore, të komunikimit shoqëror dhe të institucioneve edukative që ta marrin në dorë këtë “busullë” të parimeve të sipërpërmendura, për t’i dhënë një drejtim të përbashkët procesit të globalizimit, «një drejtim vërtet njerëzor».[18] Në fakt, kjo gjë do të mundësonte çmuarjen e vlerës dhe të dinjitetit të çdo personi, të vepruarit së bashku dhe në solidaritet për të mirën e përbashkët, duke i ngritur ata që vuajnë prej varfërisë, sëmundjes, skllavërisë, diskriminimit dhe konflikteve. Nëpërmjet kësaj busulle, i inkurajoj të gjithë që të bëhen profetë dhe dëshmitarë të kulturës së përkujdesjes, për të zhdukur pabarazitë e shumta shoqërore. Një gjë e tillë do të jetë e mundur vetëm me një protagonizëm të fortë dhe të përhapur të grave, në familje dhe në çdo fushë shoqërore, politike dhe institucionale.

Busulla e parimeve shoqërore, e nevojshme për të nxitur kulturën e përkujdesjes, është kuptimplote edhe për marrëdhëniet mes Kombeve, të cilat do të duhej të frymëzonin për vëllazëri, respekt të ndërsjellë, solidaritet dhe zbatim të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë qëllim, duhet të përsëritet më me forcë mbrojtja dhe nxitja e të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë të patjetërsueshme, universale dhe të pandashme.[19]

Duhet të kujtohet edhe respektimi i të drejtës humanitare, sidomos në këtë fazë ku konfliktet dhe luftërat ndjekin njëra-tjetrën pa ndërprerje. Për fat të keq shumë rajoneve dhe bashkësive nuk u kujtohet më qysh kur nuk jetojnë në paqe dhe siguri. Shumë qytete janë bërë si epiqendra pasigurie: banorët e tyre luftojnë për të mbajtur ritmet e tyre normale, sepse sulmohen dhe bombardohen pa dallim me eksplozivë, artileri dhe armë të lehta. Fëmijët nuk mund të studiojnë. Burrat dhe gratë nuk mund të punojnë për të mbajtur familjet e tyre. Uria hedh rrënjë aty ku një herë e një kohë ajo ishte krejt e panjohur. Personat janë të detyruar të ikin, duke lënë pas vetes jo vetëm shtëpitë, por edhe historinë familjare dhe rrënjët e tyre kulturore.

Shkaqet e konfliktit janë të shumta, por rezultati është i njëjti: shkatërrim dhe krizë humanitare. Duhet të ndalemi dhe ta pyesim veten: çfarë e ka bërë normale konfliktin në botë? Dhe, sidomos, si mund ta kthejmë zemrën tonë dhe ta ndryshojmë mendësinë tonë me qëllim që ta kërkojmë me të vërtetë paqen në solidaritet dhe vëllazëri?

Sa shkapërderdhje burimesh bëhen për shkak të armëve, në veçanti atyre bërthamore,[20] burime që mund të ishin përdorur për përparësi më të rëndësishme për garantimin e sigurisë së personave, si p.sh. nxitja e paqes dhe e zhvillimit njerëzor tërësor, lufta ndaj varfërisë, garantimi i nevojave shëndetësore. Edhe kjo, nga ana tjetër, është vënë në pah prej problemeve globale si pandemia aktuale nga Covid-19 dhe prej ndryshimeve klimaterike. Sa vendim i guximshëm do të ishte nëse, «me paratë që investohen në armë dhe ndërmarrje të tjera ushtarake të krijohej një “Fond botëror” për ta çrrënjosur përfundimisht urinë dhe për të kontribuar në zhvillimin e Vendeve më të varfra»![21]

 

  1. Edukimi për kulturën e përkujdesjes

Nxitja e kulturës së përkujdesjes kërkon një proces edukativ dhe busulla e parimeve shoqërore përbën, për këtë qëllim, një mjet të besueshëm për kontekstet e ndryshme të lidhura mes tyre. Në lidhje me këtë do të doja të jepja disa shembuj.

  • Edukimi për përkujdesjen lind në familje, bërthama natyrore dhe themelore e shoqërisë, ku mësohet të jetohet në marrëdhënie dhe respekt të ndërsjellë. Megjithatë, familja ka nevojë që të vihet në ato kushte nga ku mund ta kryejë këtë detyrë jetësore dhe të
  • Gjithnjë në bashkëpunim me familjen, subjekte të tjera që merren me edukimin janë shkolla dhe universiteti, dhe në mënyrë analoge, për disa aspekte, subjektet e komunikimit shoqëror.[22] Ato janë të thirrur të kryesojnë një sistem vlerash bazuar në njohjen e dinjitetit të çdo personi, të çdo bashkësie gjuhësore, etnike dhe fetare, të çdo populli dhe të të drejtave themelore që rrjedhin prej kësaj. Edukimi përbën njërën prej shtyllave të shoqërive më të drejta dhe
  • Besimet fetare në përgjithësi, dhe udhëheqësit fetarë në veçanti, mund të luajnë një rol të pazëvendësueshëm në përçimin e vlerave të solidaritetit, të respektimit të ndryshimeve, të mirëpritjes dhe të përkujdesjes ndaj vëllezërve më të brishtë besimtarëve dhe shoqërive të veta. Kujtoj, në lidhje me këtë, fjalët që Papa Pali VI shqiptoi në Parlamentin e Ugandës në vitin 1969: «Mos kini frikë prej Kishës; ajo ju nderon, ju edukon si qytetarë të ndershëm dhe të drejtë, nuk nxit rivalitet dhe ndarje, por kërkon të nxisë lirinë e shëndetshme, drejtësinë shoqërore, paqen; nëse ajo ka ndonjë parapëlqim, ky parapëlqim është për të varfrit, për edukimin e të vegjëlve dhe të popullit, për përkujdesjen e atyre që vuajnë dhe të të braktisurve».[23]
  • Atyre që janë angazhuar në shërbimin e popullsive, në organizatat ndërkombëtare, qeveritare dhe joqeveritare, duke pasur një mision edukativ, dhe të gjithë atyre që, me tituj të ndryshëm, veprojnë në fushën e edukimit dhe të kërkimit, u ripërtërij inkurajimin tim, me qëllim që të arrihet pikësynimi i një edukimi «më të hapur dhe përfshirës, të aftë për një dëgjim të durueshëm, për një dialog konstruktiv dhe kuptimi të dyanshëm».[24] Uroj që kjo ftesë, drejtuar në kuadrin e Paktit edukativ global, të përqafohet gjerësisht dhe larmishmërisht.

 

  1. Nuk ka paqe pa një kulturë të përkujdesjes

Kultura e përkujdesjes, si angazhim i përbashkët, solidar dhe pjesëmarrës për të mbrojtur dhe për të nxitur dinjitetin dhe të mirën e të gjithëve, si gatishmëri për interesim, kushtim vëmendjeje, dhembshuri, pajtim dhe shërim, respektim të dyanshëm dhe mirëpritje të ndërsjellë, përbën një udhë të privilegjuar për ndërtimin e paqes. «Në shumë vende të botës ka nevojë për rrugëtime paqeje, që çojnë në shërimin e plagëve, ka nevoja për artizanë të paqes të gatshëm për të nisur procese shërimi dhe takimi të ripërtërirë me zgjuarsi dhe guxim».[25]

Në këtë kohë, në të cilën barka e njerëzimit, e lëkundur prej stuhisë së krizës, lundron me vështirësi në kërkim të një horizonti më të qetë dhe të kthjellët, timoni i dinjitetit të personit njerëzor dhe “busulla” e parimeve themelore shoqërore mund të na ndihmojnë që të lundrojmë me një drejtim të sigurt dhe të përbashkët. Si të krishterë, duhet ta mbajmë shikimin të drejtuar nga Virgjëra Mari, Ylli i detit dhe Nëna e shpresës. Të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për të ecur drejt një horizonti të ri dashurie dhe paqeje, vëllazërie dhe solidariteti, mbështetjeje të shoqishoqme dhe mirëpritjeje të ndërsjellë. Nuk duhet të biem nën tundimin që të mos interesohemi për tjetrin, sidomos për më të dobëtit, nuk duhet të mësohemi që t’i largojmë sytë,[26] por të angazhohemi çdo ditë konkretisht «për të formuar një bashkësi të përbërë nga vëllezër që mirëpriten në mënyrë të ndërsjellë, duke u kujdesur për njëri-tjetrin».[27]

 

Prej Vatikanit, më 8 dhjetor 2020

Françesku

 

 

Përktheu: Loreta Toma

 

 ——————————————————

SHËNIME BIBLIOGRAFIKE

[1]Videomessaggio in occasione della 75ª Sessione dell’Assemblea Generale delle Nazioni Unite, 25 settembre 2020.

[2] Letra enciklike Laudato si’ (Ti qofsh lëvduar) (24 maggio 2015), 67.

[3]Khs.  “Fraternità, fondamento e via per la pace”, Messaggio per la celebrazione della 47ª Giornata Mondiale della Pace 1° gennaio 2014 (“Vëllazëria: themel dhe udhë për paqen”, Mesazhi për kremtimin e Ditës XLVII Botërore të Paqes, 1 janar 2014) (8 dicembre 2013), 2.

[4] Letra enciklike Laudato si’ (Ti qofsh lëvduar) (24 maggio 2015),

[5] Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe i Paqes, Përmbledhja e Doktrinës Sociale e Kishës, 488.

[6] De officiis, 1, 28, 132: PL 16, 67.

[7] BIHLMEYER – H. TÜCHLE, Storia della Chiesa, vol. I L’antichità cristiana, Morcelliana, Brescia 1994, 447.448.

[8] Discorso ai partecipanti al Convegno promosso dal Dicastero per il Servizio dello Sviluppo Umano Integrale nel 50° anniversario della “Populorum progressio” (4 aprile 2017).

[9]  Messaggio alla 22ª sessione della Conferenza degli Stati Parte alla Convenzione-Quadro delle Nazioni Unite sui Cambiamenti Climatici (COP22), 10 novembre Krh. Tryeza ndërdikasteriale e Selisë së shenjtë mbi ekologjinë tërësore, In cammino per la cura della casa comune. A cinque anni dalla Laudato si’, LEV, 31 maggio 2020.

[10] Koncili II Ekumenik i Vatikanit, Kushtetuta baritore Gaudium et spes (Gëzimi dhe shpresa),

[11] Momento straordinario di preghiera in tempo di epidemia, 27 marzo

[12] Po aty

[13] Letra enciklike Fratelli tutti (Vëllezër të gjithë) (3 ottobre 2020), 8; 153.

[14] Shën Gjon Pali II, Letra enciklike Sollicitudo rei socialis (30 dicembre 1987),

[15] Letra enciklike Laudato si’ (Ti qofsh lëvduar) (24 maggio 2015),

[16] Konferenca e Ipeshkvijve Domenikanë, Letra baritore Sobre la relación del hombre con la naturaleza (21 gennaio 1987); krh. Letra enciklike Laudato si’ (Ti qofsh lëvduar) (24 maggio 2015),

[17] Letra enciklike Fratelli tutti (Vëllezër të gjithë) (3 ottobre 2020), 125.

[18] Po ai, 29

[19] Khs. Messaggio ai partecipanti alla Conferenza internazionale “I diritti umani nel mondo contemporaneo: conquiste, omissioni, negazioni”, Roma, 10-11 dicembre 2018.

[20] Khs. Messaggio alla Conferenza dell’ONU finalizzata a negoziare uno strumento giuridicamente vincolante sulla proibizione delle armi nucleari, che conduca alla loro totale eliminazione, 23 marzo 2017.

[21] Videomessaggio in occasione della Giornata Mondiale dell’Alimentazione 2020, 16 ottobre

[22] Khs. Benedetto XVI, “Educare i giovani alla giustizia e alla pace”, Messaggio per la 45ª Giornata Mondiale della Pace, 1° gennaio 2012 (“Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë dhe të paqes”, Mesazhi për Ditën XLV Botërore të Paqes, 1 janar 2012) (8 dicembre 2011), 2; “Vinci l’indifferenza e conquista la pace”, Messaggio per la 49ª Giornata Mondiale della Pace, 1° gennaio 2016 (“Fito mbi indiferëncën dhe arrije paqen”, Mesazhi për Ditën XLIX Botërore të Paqes, 1 janar 2016) (8 dicembre 2015), 6.

[ 23] Discorso ai Deputati e ai Senatori dell’Uganda, Kampala, 1° agosto 1969.

[24] Messaggio per il lancio del Patto Educativo, 12 settembre 2019: L’Osservatore Romano, 13 settembre 2019, 8.

[25] Letra enciklike Fratelli tutti (Vëllezër të gjithë) (3 ottobre 2020),

[26] Khs. Po ai., 64.

[27] Po ai, 96; krh. “Fraternità, fondamento e via per la pace”, Messaggio per la celebrazione della 47ª Giornata Mondiale della Pace 1° gennaio 2014 (“Vëllazëria: themel dhe udhë për paqen”, Mesazhi për kremtimin e Ditës XLVII Botërore të Paqes, 1 janar 2014) (8 dicembre 2013),

Shpërndaje

Comments are closed.

«