Kosova në aktet e diplomacisë zvicerane – një hyrje

Jan 9 • Opinion

Nga Zef Noka

 

Pas hulumtimeve arkivore me temë “Der lange weg zur errichtung diplomatischer beziehungen zwischen der Schweiz and Albanien” dhe “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste”, po paraqesim këtu në mënyrë plotësuese një hyrje të shkurtër të akteve diplomatike zvicerane që kanë të bëjnë edhe me Kosovës. Për dallim nga të parat, ky punim këtu do të jetë më i shkurtër për arsye hapësire.

Këtu nuk do bëhet fjalë për historinë e ardhjes së shqiptarëve kosovarë në Zvicër. Kjo histori është e trajtuar. Ne këtu po paraqesim disa pjesë nga aktet diplomatike, që tashmë janë edhe publike, në www.dodis.ch.

Në këtë punim do të ndalemi në disa kohë të ndryshme historike, jo në detaje, për të fituar një pamje se si temat në aktet diplomatike lidhur me Kosovën ndryshojnë.

Në një raport të Divizionit për punë të jashtme i departamentit politik (ministrisë së jashtme) të Zvicrës dt. 27. Dhjetor 1924[1] flitet, mes të tjerash, për raportin e mbretërisë serbe, kroate e sllovene me Rusinë. Aty flitet edhe për raportet jo të mira mes Nikola Pašić-it, që ishte kryeministër i Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene, me një ndërprerje që nga viti 1921 deri në vitin 1926, dhe bolshevikëve rusë. Kabineti i Pašić-it, sipas këtij raporti, në të vërtetë, me qëllim e ekzagjeron frikën e tij rreth rrezikut Bolshevik. Qeveria e Beogradit akuzonte, në të njëjtën kohë, Sovjetikët për mbështetjen e Komitetit të Kosovës dhe për favorizimin e inkursioneve të bandave shqiptare në territorin serb.

Në vitet 1960 përfaqësia diplomatike zvicerane në Jugosllavi në raportet e saja i kushton rëndësi Kosovës në kontekstin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Jugosllavi.  

Për atmosferën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë ambasadori zviceran Anton Ganz, i shkruan ministrit Robert Kohli, sekretar i përgjithshëm në departamentin politik të Zvicrës, një letër politike ku informohet për tensionimin e marrëdhënieve Jugosllavi-Shqipëri.[2] Në këtë letër politike njoftohet se Jugosllavia ka reduktuar stafin e saj diplomatik si pasojë e qëndrimeve armiqësore të autoriteteve shqiptare. Më tutje këtu njoftohet për një proces të madh gjyqësor në Prizren kundër dy shqiptarëve nga Shqipëria ku pranojnë se kanë qenë pjesëtar të «Sigurimit» me qëllim të përhapjes së propagandës irredentiste përbrenda autonomisë territoriale të Kosovës për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si dhe për notën protestë të qeverisë jugosllave drejtuar Tiranës.

Në raport me Kosovën dokumentet diplomatike zvicerane flasin në kuadër të raporteve Shqipëri-Jugosllavi, më vonë lidhur me fuqitë punëtore jugosllave që vinin për punë sezonale në Zvicër e që shumica e tyre vinte nga Kosova. Mandej pasojnë ankesat e ndërsjella Zvicër-Jugosllavi për  aktivitetet e shqiptarëve në Zvicër si dhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Që nga vitet e 1970 në njoftimet diplomatike të ambasadës zvicerane në Jugosllavi, e kemi më të theksuar çështjen e punëtorëve sezonal nga Jugosllavia në Zvicër. Në këtë aspekt edhe hyjnë edhe shqiptarët.

Kështu në një raport të vitit 1972 të ambasadorit zviceran në Beograd Hans Keller – ky diplomat ishte protagonisti kryesor që ndikoi në diplomacinë zvicerane për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Zvicër – drejtuar zyrës federale për industri, tregti dhe punë[3] njoftohet për përpjekjet jugosllave për kujdesin më të mirë të numrit gjithnjë në rritje të punëtorëve numrit gjithnjë në rritje të punëtorëve sezonal jugosllav në vendet perëndimore. Këtu flitet për një delegacion jugosllav, që nuk përfaqësohej nga një organ përfaqësues i shtetit federativ, por për përfaqësues nga republikat e Jugosllavisë, sepse kjo kompetencë ishte e republikave jugosllave. Këtë iniciativë për kujdesen e fuqisë punëtore jugosllave në perëndim nga shteti federativ jugosllav, ambasadori zviceran e konsideronte pozitiv edhe për faktin se do të mundësonte anashkalimin e aparatit të rëndë shtetëror dhe se do të mund të ishte me fuqi më të mëdha përfaqësuese nga ato republikane në rast të një konflikti të mundshëm, duke pasur parasysh se interesat e republikave jugosllave janë të ndryshme. Në këtë raport ambasadori Keller shkruan lidhur me numrin e madh të punëtorëve sezonal nga Kosova: «Unë jam duke menduar në veçanti për faktin se ne aktualisht jemi duke rekrutuar punëtorë ndërtimi pothuajse ekskluzivisht nga Kosova, gjë që ndoshta herët a vonë do të lindë probleme që më parë nuk kanë ekzistuar në marrëdhënie me rajone të tjera të origjinës Jugosllave.» Më tutje vlerësohet nga ambasadori Keller  se, “për momentin, vështirë se ka ndonjë problem me bashkimin familjar për punëtorët nga Kosova, sepse për fat të mirë këta njerëz nuk po mendojnë të marrin të afërmit e tyre me vete në Zvicër”, mirëpo “numri jashtëzakonisht i madh i fëmijëve në familjet në Kosovë, meqë ra fjala do të na paraqiste vështirësi praktikisht të pakapërcyeshme në rast të një kompromisi.”

Në një memorandum mbi imigracionin nga Jugosllavia[4] dt. 6 shkurt 1973 të përpiluar nga përfaqësuesi diplomatik zviceran, Keller, ai bënë një vlerësim lidhur me çështjen në fjalë. Sipas këtij raportimi të diplomatit zviceran, deri në vitin 1971 mbi gjysma fuqisë punëtorë jugosllave (35-40 mijë, numra zyrtarë, në realitet më i lartë) ishin të shtresës së lartë të profesioneve intelektuale. Po edhe kjo shtresë nuk i përmbushte standardet profesionale dhe pritjet zvicerane. Në këtë kohë arsyet kryesore të atyre që vendosnin të vinin nga Jugosllavia për të punuar në Zvicër ishin të natyrës ekonomike, niveli më i lartë i rrogave, për të fituar shpejt para. Ambasadori zviceran thotë se duhet merret parasysh se në mesin e jugosllavëve në Zvicër ka edhe persona që Beogradit i bëjnë shërbime speciale – nënkuptohen veprimet e shërbimeve sekrete -, duke pasur parasysh edhe faktin se për në Zvicër emigrojnë edhe persona që nuk e durojnë dot regjimin jugosllav. Sipas këtij vlerësimi nga ambasadori Keller, përderisa emigrimi nga Jugosllavia ishte i kënaqshëm për të dy palët deri në vitin 1971, që nga viti 1972 kemi rrethana tjera, që kur Zvicra fillon në mënyrë masive të rekrutoj punëtor ndërtimi nga Jugosllavia dhe se kjo ishte mundshme vetëm nga rajonet e prapambetura si Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. Se “bëhet fjalë për njerëzit që vijnë nga një botë krejt tjetër për dallim nga sllovenët, kroatët, dalmatët apo serbët; përqindja e analfabetëve në jug – të Jugosllavisë – është po ashtu i madh dhe mbase pjesërisht edhe më i madh se nga disa vende afrikane dhe aziatike. Këtu hyjnë edhe zakonet e ndryshme jetësore dhe ushqimore të muhamedaneve që me gjasë përbejnë 50% të punëtorëve sezonal të rekrutuar, nënvlerësimi i tyre për gjininë femërore e shumë të tjera çka atyre ua vështirëson shumë që sot për nesër të përshtaten në një shoqëri industriale e në veçanti si një të tillë të shumë zhvilluar si kjo e jona. Në Kosovë edhe sot nuk është e shuar gjakmarrja dhe në gjepat e këtyre njerëzve më lehtë gjejmë thikën se sa në gjepin e një italiani jugor.” Ndërsa për maqedonasit dhe boshnjakët thoshte, se “rebelim kundër asaj që ne e quajmë autoritet dhe rend publik ne sytë e maqedonasit dhe boshnjakut nuk është asgjë, përkundrazi kënaq komplekset e tij të përhershme të inferioritetit përkatësisht krenarinë e tij.”

Në përgjithësi diplomati zviceran shprehë shqetësimet e tija lidhur me shkallë e primitivizmit të emigrantëve më të prapambetur të Jugosllavisë së asaj kohe: “Kur shihni me sytë tuaj çfarë elementë primitivë lëshohen në Zvicër pa ndonjë përgatitje, nuk mund të mos merrni përshtypjen se po i ngarkojmë vetes me këta njerëz rreziqe që vështirë se mund të justifikohen, përveç faktit që për këtë ambasadë dhe konsullatën tonë të përgjithshme në Zagreb do të thotë një barrë e paarsyeshme që të duhet të marrësh “fëmijë” të tillë (të cilët, për shembull, kryejnë nevojën e tyre fiziologjike në ambientet tona); dhe krejt përveç krejt kësaj faktit se vizitat e tilla masive janë shqetësim publik i emigrantëve të tillë.” Dhe, sipas diplomatit, nuk është për t`u habitur që ai gjithnjë e më shumë merr aktet e ndryshme për shkelje të ndryshme të ligjeve zvicerane nga shtetasit jugosllav të kryera ne Zvicër si shkelje të rregullave të komunikacionit, rrahje, vjedhje, ikje nga tatimi, aferat me atësinë etj. Ambasadori Keller i ankohet ministrisë së jashtme zvicerane se ai nuk është njoftuar me kohë lidhur me planin e qeverisë zvicerane për rekrutimin e 15.000 punëtorëve për ndërtimtari në Jugosllavi. Pavarësisht vështirësive të ndryshme, diplomati zviceran thotë po ashtu se, “mund të pritet që punëtorët e ndërtimtarisë nga Kosova, Maqedonia e Serbia mund të kontribuojnë me punën e tyre në zgjidhjen e problemave tona në ndërtimtari. Një gjë pozitive e këtyre njerëzve primitiv, por në natyrën e tyre simpatik, është se ata nuk kanë ndërmend të marrin familjet e tyre dhe janë më modest dhe me më pak pretendime se sa fuqitë tjera të huaja punëtore në Zvicër.” Ambasadori kërkonte qe të bëhej një seleksionim dhe që të bashkëpunohet me instancat jugosllave për të pasur një kontrolle në çështjen rekrutimit të fuqisë punëtore..

Në fund të viteve 1970 fillojnë të paraqitet edhe çështja e aktiviteteve politike anti-jugosllave të shqiptarëve. Më herët kjo temë ishte trajtuar mes Jugosllavisë dhe Zvicrës për aktivitetet fetare të bashkësisë kroate, katolike dhe serbe përkatësisht ortodokse. Jugosllavia ankohej për aktivitetet në misionet katolike kroate, por edhe për mos pajtueshmërinë që prifti ortodoks serb të japë mësim feje për nxënësit serbokroatishtfolës edhe pse më herët qeveria jugosllave e kishte pranuar në heshtje angazhimin e dhënies së mësimit plotësues në gjuhën serbokroate në shkollat zvicerane për nxënësit jugosllav, mbase edhe kishte dërguar mësues.

Shqiptarët në Zvicër, sidomos që nga vitet 1980ta fillojnë të bëhen çështje problematike gjithnjë në rritje, mes Jugosllavisë dhe Zvicrës për shkak të aktiviteteve politike shqiptare dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë.

Në një sesion pune (19.7.1988) midis drejtuesve të Zyrës Federale për të Huaj, Policisë Federale, Ambasadës në Beograd, Drejtorisë së së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe Drejtorisë Politike të FDFA në lidhje me mosmarrëveshjet me Jugosllavinë. Thuhet se Zvicra ka shumë pak për ta qortuar veten për të qenë demokratike dhe për autorizimin e demonstratave, megjithëse origjina e këtyre demonstruesve (kosovarë) është problematike. Jugosllavët duhet të respektojnë kufijtë që Zvicra u vë atyre në territorin e saj. Në diskutimet e brendshme të komisionit zviceran për raportet e tensionuara me Jugosllavinë, sekretari i shtetit Zviceran, në atë kohë, Edouard Brunner, shprehet:[5]Ideja e një vizite nuk duhet braktiset. Por ne duhet t’u tregojmë jugosllavëve që nuk parashikojmë një takim ekspertësh siç e shohin ata. Ne kemi ide të ndryshme për atë që një ambasadë e huaj mund dhe nuk mund të bëjë. Por jugosllavët po përpiqen të dalin nga problemet e tyre të brendshme duke nxituar përpara dhe po kërkojnë dhi kurbani: Zviceranët, Kosova … nëse ka shqiptarë të Kosovës në Zvicër, kjo është për shkak ata gjejnë punë këtu. Nëse nuk i ndalojnë Jugosllavët që të ndalojnë daljen e tyre … Por atëherë ata nuk mund të përpiqen të manipulojnë koloninë e tyre. Problemi është se Jugosllavia është i vetmi vend diktatorial që na dërgon punëtorë emigrantë, 120,000 në numër ata të paktën duhet të pranojnë rregullat e lojës së shoqërisë sonë.”

Nga kjo ne shohim se si “mollë sherri” gjithnjë në rritje mes Jugosllavisë dhe Zvicrës do bëhen aktivitetet politike të shqiptarëve të Kosovës në Zvicër, demonstratat e tyre, përpjekja e përfaqësisë diplomatike jugosllave këto grupe për ti kontrolluar me aktivitetet e shërbimeve sekrete mandej nga fundi i viteve 1980ta Zvicra dhe diplomacia e sajë gjithnjë e më shumë kalon në anë e shqiptarëve të Kosovës, duke e ngritur zërin gjithnjë e më shumë kundër shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.

Në vizitën zyrtare të Sekretarit të Shtetit Zviceran, Klaus Jacobi në Beograd, 27-28 nëntor 1989[6] lidhur me marrëdhëniet bilaterale, vazhdon tema e diskutimit për shqiptarët e Kosovës, që tashmë e gjejmë si temë trajtimi në aktet diplomatike të Zvicrës që nga fillimi i viteve të 1980-ta për aktivitetet e kosovarëve dhe organizimeve politike kundër Jugosllavisë. Në këtë takim Jugosllavia kërkon mbikëqyrje më të rreptë të aktiviteteve të shqiptarëve të Kosovës për shkak të aktiviteteve të tyre kundër interesave politike Jugosllave dhe se ato duhet të kufizohen nga organet zvicerane. Ndërsa sekretari i shtetit Jacobi i cekë palës jugosllave, intervenimet e palës Zvicerane që kanë mbetur pa përgjigje nga pala jugosllave lidhur me rastin e Janus Salihit që ishte kthyer në Jugosllavi pas refuzimit për azilit politik në Zvicër. Salihi ishte burgosur nga organet jugosllave me t`u kthyer nga Zvicra dhe dënohet për aktivitet politik me 6 ½  burgim.[7] Diplomacia Zvicerane ishte interesuar për fatin e tij që nga dorëzimi i tij autoriteteve jugosllave. Në këtë takim sekretari shtetëror zviceran i shpreh brengën e tij për procesin gjyqësor kundër AzemVlasit duke u thirrur në marrëveshjen e Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe në të drejtat e  njeriut.

Me 21.8.1990 Ministria e Jashtme e Zvicrës e udhëzon ambasadën e saj në Beograd që t`ia shprehë në mënyrë bilaterale brengën e shtetit zviceran për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në këtë qëndrim  thuhet se qeveria e Zvicrës është “thellësisht e shqetësuar” për zhvillimin e situatës së të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo nuk mund të pranoj që janë suspenduar të drejtat kushtetuese të pjesës së popullatës shqiptare sie dhe të drejtën e mediave shqiptare. Se qeveria Zvicerane “proteston ashpër” kundër sulmeve që po bëjnë forcat e sigurisë në krahinën autonome dhe dhunës së papërshtatshme kundër popullatës civile, se qeveria zvicerane kërkon nga Jugosllavia t`i respektoj detyrimet ndërkombëtare dhe që ta t`i respektoj detyrimet ndërkombëtare dhe që t`i ndërpres përndjekjet e mëtutjeshme në këtë rajon, thuhet në udhëzim.[8]

Në vijim po e japi të përkthyer një raport konfindecial për kohën të diplomatit zviceran në Beograd, Denis Feldmeyer, 1955, nga kantoni Jura, drejtuar ministrisë së jashtme zvicerane dhe institucioneve tjera ku përshkruan gjendjen në Kosovë në vitin 1990 aq saktë, sa kemi vendosur ta paraqesim të përkthyer për lexuesit.

Pasi të keni marrë njoftimin Shkatërroni kopjen në fshehtësi!

Beograd, 14.9.1990, 10h15

Konfidenciale

Ministria e Jashtme (EDA), sekretariati politik 

Kopje për:  –   Departamenti Federal i Çështjeve Ekonomike (EVD), Zyra Federale për Tregtinë e Jashtme (BAWI), sekretarit të shtetit Blankart

  • EVD, BAWI, abasadoritArioli
  • Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (EDA), repartit politik i.
  • EDA, sekretarit gjeneral R. Schatter
  • Departamenti Ushtarak Federal (EMD) – Nëngrupi i Inteligjencës dhe Mbrojtjes (UNA)
  • ambasadës në Vjenë, atashe i mbrojtjes, kolonel Ott (ju lutem dërgojani me korrier)
  • Abasadorin Indermuehte, në adresë të pushimit

Rp nr. 14/1990 380.0-knl/clm

 

Kosova: Ndikimi i parë i ofensivës së madhe serbe

Situata në krahinën e Kosovës zyrtarisht autonome, sot praktikisht e aneksuar nga Serbia, në javën e parë të korrikut është përkeqësuar përsëri me shpërndarjen e parlamentit në Prishtinë, heqjen e qeverisë, ndërprerjen e medieve shqipfolëse dhe shkarkimet (largimet nga puna) masive. Këto masa speciale të marra nga qeveria serbe, të cilat shkelin kushtetutën dhe ligjin ndërkombëtar, por që do të rikthejnë në Kosovë përfundimisht “shtetin e së drejtës”, janë drastike, do të thotë një ngurtësim drastik i pozicionit serb, i cili e bën të pamundur çdo dialog me opozitën shqiptare dhe një zgjidhje paqësore të konfliktit.

Arsyeja – ose preteksti – për këtë politikë të përshkallëzuar të dhunës, e cila haset në kritika nga jashtë (demarshet e shumicës së qeverive perëndimore, duke iu referuar mekanizmit të KSBE[9] ose dypalëshe, si Zvicra), ishte “shpallja e sovranitetit” të Kosovës, me të cilën 114 deputetë shqiptarë më 2 korrik para ndërtesës së mbyllur të parlamentit në Prishtinë, për barazinë e pakicës shqiptare me kombet e tjera shtet ndërtuese të Jugosllavisë dhe kërkonin një status për provincën “si për njësitë e tjera të federatës”. Mitosevic befasoi dukshëm opozitën shqiptare me ofensivën e tij politike: lëvizjet alternative, mbi të gjitha Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila u regjistrua si parti me 7 shtator në Ministrinë federale të Drejtësisë dhe jo, si zakonisht, te autoritetet serbe, kjo u kufizua me një thirrje për rezistencë pasive dhe jo të dhunshme.

Bojkoti i tyre i referendumit të inskenuar i 1./2 korrikut për një kushtetutë të re të Serbisë, e cila mendohej të kufizojë autonominë e mbetur të krahinës para mbajtjes së zgjedhjeve të para të lira, me sa duket mbeti joefektiv. Me paralajmërimin për bojkotimin e  zgjedhjeve Lidhjes Demokratike vështirë se do t`i kushtohet vëmendje.

Edhe më i keq se pamjaftueshmëria e mjeteve demokratike në këtë konflikt është fakti që udhëheqësit individualë të opozitës shqiptare deklarojnë hapur për herë të parë për të ndarë krahinën nga Serbia dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë, nëse do të ishte e pamundur një zgjidhje e kënaqshme brenda kufijve Jugosllavë. Millosheviqi ishte në gjendje të ngushtonte alternativën shqiptare deri në atë masë që ajo të bëj deklarime separatiste, që në sytë e shumë jugosllavëve legjitimon shtypjen. Megjithëse mosbindja civile e popullatës etnike shqiptare e ka dobësuar ekonominë e Kosovës në një masë të tillë sa vetëm 35% të kapaciteteve të saj janë aktive, kolapsi i pritur ekonomik në këtë rajon së pari do të prekë popullsinë lokale, kryesisht shqiptare.

Në këtë kontekst, greva e përgjithshme 24-orësh e 3.9. mund të shihet si përgjigja e parë konkrete e opozitës shqiptare, e cila vazhdon të mbrojë një zgjidhje demokratike dhe jo të dhunshme të konfliktit në Kosovë dhe përmbahet nga çdo provokim (demonstrata, terrorizëm) që mund të justifikojë shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme dhe ndërhyrjet e reja të dhunshme. Thirrja e sindikatës së re të pavarur u dëgjua nga pothuajse të gjithë punëtorët me origjinë shqiptare. Nga ana e saj udhëheqja serbe ishte në gjendje të parandalonte mbylljen e shërbimeve publike duke dërguar punëtorë serbë në Kosovë. Që atëherë, shtypja e përditshme ka marrë forma të reja të shtypjes ekonomike: disa qindra biznese shqiptare u mbyllën, masa disiplinore kundër grevistëve, pushime nga masive puna të shqiptarëve të Kosovës të cilët u zëvendësuan nga serbët, në ndërmarrje u vendosen administrata të dhunshme.

Kjo politikë, e cila ka kohë që ka pushuar të mbështet nga republikat e tjera, gjithashtu rrezikon zhvillimet në nivelin federal dhe ekuilibrin e brishtë në shtetin multietnik: shoqëruar me agjitacione nga pakicat serbe në Kroaci (Knin), Bosnje dhe Hercegovina (vatrat), përpjekjet e Malit të Zi për t’u bashkuar me “atdheun” serb, kjo (politikë serbe, vër. e përkth.) synon një referencë të qartë pozicionimi në lidhje me ristrukturimin e nevojshëm të Jugosllavisë pas 40 vjet sundimi socialist. Përpjekje të tilla synojnë të rikthejnë mbizotërimin serb, të cilat në Federatën e Titos arrihen të parandalohen, dhe hasë sot në rezistencë nga tendencat konfederative në Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe se kalkulohet  që me shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë do mund të paktën të rrezikojë mundësinë e dëshiruar të Jugosllavisë t`i bashkohet procesit të integrimit evropian (përafrimi p.sh. me EFTA, aplikimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe OECD). Sidoqoftë, është mbi të gjitha programi i reformës së Markoviqit që kërcënohet nga ky radikalizim: ndryshimet kushtetuese të miratuara përfundimisht nga Dhoma Federale, të cilat supozohet se mundësojnë zbatimin e programit të Markoviqit, e vetmja dritë shprese në horizontin jugosllav, kërkon, sipas kushtetutës,  miratimin nga parlamentet e republikave dhe krahinave. Shuarja e parlamentit në Prishtinë vë seriozisht në pikëpyetje këtë projekt.

Udhëheqja serbe gjithashtu ka arritur të diskreditojë Jugosllavinë ndërkombëtarësh përmes disa incidenteve: së pari, se përfaqësuesit shqiptar të parlamentit krahinor do të ndiqen penalisht pse ata ata kanë vizituar qeveritë e Evropës perëndimore. Dy prej tyre me 3.8. u pritën në Bernë. Për më tepër, ndërhyrja masive e policisë në një tubim pritjeje për senatorët e SHBA-së të udhëhequr nga Robert J. Dole në Prishtinë më 29.08.1990 e ka diskredituar përsëri politikën serbe në SHBA.

Në konferencën për shtyp, Dole tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar nga politika brutale e shtypjes nga Serbia komuniste, e cila është në kontrast të fortë me zhvillimet progresive në Kroaci dhe Slloveni“. Mirëpo më e turpshme është arrestimi i fundit dhe dëbimi pasues i katër anëtarëve të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit. Në deklarimin e parë, vepra thjesht u mohua nga autoritetet serbe. Edhe pasi anëtarët e delegacionit kishin paraqitur prova në televizionin austriak, udhëheqja serbe u përfshi në deklarata gjithnjë e më konfuze kinse rreth keqkuptimeve të pretenduara në shtypin e huaj.

“Aksidente” të tilla tregojnë se qeveria e Beogradit po futet gjithnjë e më shumë në ankth dhe vështirë se është në gjendje të mbajë fasadën e një shteti kushtetues. Nëse deri më tani programi nacionalist i Mitosheviqit mund të shihej prej naivëve ende si agresiv por e qëndrueshme për të mbrojtur pakicën serbo-malazeze në Kosovë, për të shpëtuar regjimin e saj komunist dhe, nëse është e nevojshme, për të siguruar karrierën e vet politike, në javët e fundit ajo ka degjeneruar në një politikë të pastër okupimi që kërcënon të zhvendoset gjithnjë e më shumë në iracionale.

Me fushatën e ardhshme elektorale, presioni mbi Millosheviqin po rritet gjithashtu brenda Serbisë, edhe pse nuk pritet shumë nga partitë opozitare serbe për zgjidhje paqësore të problemit në Kosovë: qëndrimi vazhdimisht antishqiptar i partive është kryesisht për shkak të klimës politike në Serbi. Popullsia e këtushme duket se mbështet një politikë të ashpër në Kosovë dhe Serbinë jugore, ku grupet myslimane kohët e fundit shkaktuan trazira fillestare.

Tendencat ksenofobie po përhapen. Zgjedhjet demokratike vështirë se do të sjellin paqen e shpresuar në Kosovë. Gjithashtu Miloseviqi do të dijë të luajë përsëri kartën e tij nacionaliste.

Pas këtyre ngjarjeve, sidomos atyre në Jugosllavi, në fund të viteve të 1980ta dhe fillim të viteve 1990 fillon edhe një aspekt tjetër që sfidon marrëdhëniet Zvicër-Jugosllavi e më vonë me Serbinë që lidhen me ngjarjet dramatike, që do të pasojnë në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Zvicra do të sfidohet me rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë me gjitha çështjet tjera përcjellëse sfiduese si për Zvicrën edhe për shqiptarët./drita.info

 

———————

[1] La Division des Affaires étrangères du Département politique aux Légations de Suisse, Berne, 27 décembre 1924, E 2001 (D ) c /1 /3, www.dodis.ch/45017.

[2]Lettre politique, drejtuar ministrit Robert Kohli, sekretar i përgjithshëm i departamentit politik (ministrisë së jashtme) të konfederatës zvicerane, 7 mars 1961, dodis.ch/10659. 

[3]Letër e ambasadorit zviceran në Jugosllavi, Hans Keller drejtuar zyrës federale për industri, tregti dhe punë lidhur me punëtorët jugosllav në Zvicër, 15 maj 1972. dodis.ch/35167.

[4] Hans Keller, ambasador i Zvicres në Jugoslavi, Aktennotiz über die Einwanderung aus Jugoslawien, Bern, 6.2.1973, dodis.ch/38364.

[5] Procès-verbal de la séance de travail sur notre contentieux avec la Yougoslavie du 19.7.1988, dodis.ch/55880.

[6] Nr. 141. Offizieller Besuch von Herrn Staatssekretär K. Jacobi in Belgrad, 27.-28.11.1989. Bilaterale Beziehungen, B.15.21.Youg. (15), dodis.ch/56778.

[7] 1985 Salihut i refuzohet azili në Zvicër. Me 25 nëntor 1986 ai depërtohet në Jugosllavi. Prej 6 ½ dënimit me burg, ai i mban 4 ½ vite. Me 15 dhjetor 1991 Salihu vjen përsëri në Zvicër, kësaj radhe ai pranohet si refugjat.

[8] Politische Abteilung an die Botschaft in Belgrad, Bilaterale Intervention wegen Menschenrechtsverletzungen in Kosovo, 21.8.1990, p.B.73.Youg.0., dodis.ch/56751.

[9]Konferenca për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Comments are closed.

« »