Hapet ekspozita me fotografi nga jeta dhe veprimtaria e Imzot Mark Sopit

Jan 11 • Kisha në Kosovë

Sot, më 11 janar, në 15-vjetorin e kalimit në amshim të ipeshkvit tonë të dashur, Imzot Mark Sopi, është hapur ekspozita me 60 fotografi nga jeta dhe veprimtaria e tij, e përgatitur nga Sali Caca, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishinë.

Hapjen e ekspozitës e bëri Don Fatmir Koliqi, famullitar i Prishtinës, i cili falënderoj të pranishmit, e në mënyrë të veçantë z. Sali Caca për përgatitjen e kësaj ekspozite fotografish, përmes të cilave paraqitet jeta e Mons. Sopit, nga studimet e tija në Romë deri në vitet e fundit të jetës së tij si ipeshkëv i Kishës sonë në Kosovë.

Të pranishëm në Katedale ishin ipeshkvi ynë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, meshtarë e rregulltarë, familjarë të ipeshkvit Sopi e besimtarë e dashamirë.

Për figurën e ipeshkvit të ndjerë foli bashkëpunëtori shumë vjeçar Mons. Lush Gjergji, i cili në fjalimin e tij shkoqiti disa pjesë të rëndësishme nga jeta e tij si ipeshkëv në Kosovë.

Ja fjalimi i plotë i Mons. Lush Gjergjit:

Shkëlqesi Imzot Dodë Gjergji, vëllazër meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, besimtarë të dashur, njerëz të vullnetit dhe zemrës së mirë.

Sot, në 15 vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit, ishim në Binçë, për kujtim dhe kremtim Meshe për shpirtin e tij, për t’u lidhur me Kishën tonë ilir, arbnore dhe shqiptare, që nga zanafilla e saj me Shën Pali dhe nxënësit e tij, deri te koha e përndjekjeve  të Imzot Pjetër Bogdanit, kështu me radhë, deri në ditët tona. Prandaj: të kujtohet dhe mos të harrohet historia jonë mijëvjeçare e krishterë!

Një fjalë popullore thotë: një fotografi e mirë flet më shumë se njëqind apo një mijë fjalë…

Nga jeta dhe profili i Imzot Mark Sopit, po theksoj disa tipare vepruese dhe dalluese.

Parimor dhe guximtar në çdo rrethanë të jetës dhe të veprimit, para, gjatë dhe pas Luftës së vitit 1999. Ishte Bariu i Mirë i grigjës së besuar, jo vetëm i asaj katolike, por i të gjithëve, sidomos atyre që s’kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet. Gjatë këtyre dhjetë viteve ishte kudo lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombëtarët, gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e përbashkët, për t’i ngushëlluar të pikëlluari, për t’i ndihmuar të varfëritë, për të qenë aty ku njerëzit tanë vuajnë, ishin të goditur dhe kërcënuar.

Me qëndrime të qarta dhe largpamëse, me zemër të madhe dhe bujare për të varfër dhe nëpërkëmbur. Gjithnjë në kërkim për shërbimin e Zotit, Kishës sonë, në çështje shoqërore, kulturore, arsimore, sidomos në mishërimin e jetës dhe të veprës së Nënës Tereze në traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë.

Ëndrra e tij jetësore ishte ndërtimi i Shenjtërores – Katedrales së Nënës Tereze në Prishtinë, si fanar në detin tonë të trazuar, si dhe zgjidhja fatlume e çështjes së Kosovës.

Posaçërisht, dua të theksoj aftësitë e tija për komunikim me të gjithë, me përfaqësues të huaj në Kosovë apo gjetiu, për paraqitjen dhe mbrojtjen e çështjes sonë madhore dhe për të mirën e përbashkët.

Me një fjalë, Imzot Mark Sopi ishte njeri urëlidhes mes skajshmërive, veprues në çdo kënd dhe vend, flijues për të mirën e të gjithëve, me gjakftohtësi dhe me urti, me fe të gjallë, shpresë të ngultë dhe dashuri flijuese dhe dhuruese për Zotin, për Kishën, për popullin Shqiptar, për të gjithë.

Zoti – Kisha – Populli Shqiptar ishte trinomi i pandashëm i jetës dhe veprimtarisë së tij meshtarake, ipeshkvore. Zoti e shpërbleftë, e ne Kisha dhe Populli i tij, mos e harrofshim! Pushoftë në paqe!

Pas fjalimit të tij, Don Fatmiri tregoi se ekspozita do të jetë e hapur për çdo ditë nga ora 09:00-18:00 deri të premten, më 15 janar, kur do të bëhet rivarrimi i eshtrave të Mons. Sopit, që do të barten nga Kisha e Shën Ndout në Binçë, në Kriptën e Katedrales Nënë Tereza./drita.info

 

Teksti dhe fotografitë: Adelina Palushi

Comments are closed.

« »