Dilemat etike rreth disa vaksinave anti Covid-19 dhe përgjigja e Kishës Katolike

Jan 12 • Kisha në botë

Shumë prej nesh, me të drejtë, kanë ngritur pyetjen lidhur me rëndësinë dhe mënyrat e vaksinimit kundër Covid-19. E disa madje mund të jenë rrëmbyer edhe nga vrulli mediatik i informacioneve se vaksina përmban shumë gjëra të cilat e dëmtojnë shëndetin e njeriut. Madje ka edhe nga ata të cilët mendojnë se vaksinimi me një prej këtyre vaksinave, është jo i krishterë, sepse ato përmbajnë inde qelizore të aborteve. Nga e gjithë kjo paqartësi dhe dyshim, që vlon në të gjitha mediet botërore, Kisha Katolike në dhjetor të vitit të kaluar, ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me vaksinën anti-Covid-19. Se cili është qëndrimi i saj mund ta lexoni në dokumentin zyrtar të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, i publikuar më 21 dhjetor 2020, të cilin e gjeni të plotë në tekstin e mëposhtëm.

 

 

 

Kongregata për Doktrinën e Fesë

 

Notë mbi moralitetin e përdorimit

të disa vaksinave anti- Covid-19

 

Çështja e përdorimit të vaksinave, në përgjithësi, është vazhdimisht në qendër të debateve të opinionit publik. Në këto muajt e fundit, kanë arritur kërkesa të shumta pranë kësaj Kongregate rreth një mendimi lidhur me përdorimin e disa vaksinave kundër virusit SARS-CoV-2, i cili është shkaktar i Covid-19, që janë zhvilluar në bazë të procesit të prodhimit me bazë të indeve qelizore, të marra nga prejardhja e dy aborteve të ndodhura në shekullin e kaluar. Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe deklarata të ndryshme të bëra nga masmedia e disa ipeshkvijve, të disa shoqatave të ndryshme katolike dhe nga ekspertë të ndryshëm, të cilët kanë paraqitur qëndrimet e tyre të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, që kanë ngritur dyshime edhe mbi moralitetin e përdorimit të këtyre vaksinave.

Lidhur me këtë argument, ka rëndësi të madhe edhe qëndrimi i Akademisë Papnore për Jetën, me titull “Reflektime morale rreth vaksinave të përgatitura me bazë qelizore të ardhura nga fetuse njerëzore të abortuara” (5 qershor 2005). Prandaj kjo Kongregatë është shprehur me anë të Udhëzimit Dignitas Personae (8 shtator 2008) (khs. nn. 34 dhe 35). Në vitin 2017, Akademia Papnore për Jetën i është rikthyer kësaj teme me një Notë tjetër. Këto dokumente tashmë na ofrojnë disa kritere të përgjithshme udhëzuese.

Duke qenë se tashmë janë në dispozicion dhe duhet administruar shpërndarja në vende të ndryshme të dozave të para kundër Covid-19, kjo Kongregatë dëshiron të ofrojë disa udhëzime për të qartësuar këtë çështje. Nuk është qëllimi që të gjykojmë mbi sigurinë dhe efikasitetin e këtyre vaksinave, megjithëse me peshë morale dhe të nevojshme, vlerësimi i të cilave mbetet në përgjegjësinë e shkencëtareve të fushës së biomjeksisë dhe të agjencive farmaceutike, por duhet të reflektohet vetëm mbi aspektin moral të përdorimit të atyre vaksinave kundër Covid-19, që kanë qenë zhvilluar në bazë të linjave qelizore me prejardhje të indeve të përfituara nga dy fetuse të abortuara në mënyrë jo spontane.

1. Sikurse pohohet edhe në udhëzimin Dignitas Personae, në rastet e përdorimit të qelizave të prejardhura nga fetuse të abortuara, të cilat përdoren për të krijuar linja qelizore për t’u përdorur për qëllime të kërkimeve shkencore, “ekzistojnë përgjegjësi të ndryshme”[1] të bashkëpunimit me qëllime të këqija. Për shembull, “në kompanitë, të cilat përdorin linja me bazë qelizore që kanë prejardhje ilegale, përgjegjësia e atyre që marrin vendime për t’i përdorur, nuk është e njëjta me ata të cilët nuk kanë asnjë fuqi vendimmarrëse”.[2]

2.  Në këtë kuptim, në rastet kur nuk ka ndonjë vaksinë moralisht të papërjashtueshme kundër Covid-19 (si për shembull në vendet në të cilat nuk vihen në dispozicion të mjekëve dhe të pacientëve, asnjë vaksinë pa probleme morale, apo në të cilat shpërndarja e tyre bëhet më e vështirë për shkak të kushteve të veçanta të shpërndarjes dhe ruajtjes, apo edhe kur bëhet shpërndarja e vaksinave të ndryshme brenda të njëjtit vend, por nuk ju lejohet njerëzve që të mund të zgjedhin se cilën lloj vaksine duan të marrin) është moralisht e pranueshme që të përdoren vaksinat kundër Covid-19 që kanë përdorur inde qelizore me prejardhje nga fetuset e aborteve në procesin e kërkimit shkencor dhe atë të prodhimit të tyre.

3. Arsyeja themelore për ta konsideruar moralisht të ligjshëm përdorimin e këtyre vaksinave është se mënyra e bashkëpunimit në të keqen (bashkëpunimi material pasiv) e abortit të shkaktuar nga i cili janë marrë bazat e njëjta qelizore, nga ana e atyre që përdorin vaksinën që vijnë prej tyre, është e së kaluarës së largët. Përgjegjësia morale për të shmangur një bashkëpunim material pasiv të tillë, nuk është e detyrueshme, në rastet e një rreziku të madh, sikurse është përhapja e një patogjeni të rëndë i cili nuk mund të ndalohet në mënyra të tjera[3]: në këtë rast, përhapja pandemike e SARS-CoV-2 i cili shkakton Covid-19. Prandaj, duhet pranuar se, në rast të tillë, të gjitha vaksinat e pranuara si klinikisht të sigurta dhe efikase mund të përdoren sipas ndërgjegjes së plotë se përdorimi i vaksinave të tilla nuk do të thotë një bashkëpunim formal me abortin, nga i cili rrjedhin qelizat me të cilat janë prodhuar vaksinat. Megjithatë, duhet theksuar që përdorimi moralisht i ligjshëm i këtyre llojeve të vaksinave, për shkak të kushteve të veçanta që e bëjnë atë të tillë, nuk mund të përmbajë në vetvete një legjitimim, qoftë edhe indirekt të praktikës së abortit, dhe ka për qëllim kundërshtimin e kësaj praktike nga ana e atyre që e përdorin atë.

4. Në fakt, përdorimi legjitim i këtyre vaksinave nuk nënkupton dhe nuk duhet të nënkuptojë në asnjë mënyrë një aprovim moral të përdorimit të indeve qelizore që vijnë nga fetuset e abortuara.[4] Prandaj, si kompanive farmaceutike ashtu edhe institucionevw shëndetësore qeveritare, ju kërkohet që të prodhojnë, të miratojnë, të shpërndajnë vaksina moralisht të pranueshme dhe që nuk krijojnë probleme të ndërgjegjes, as për punonjësit shëndetësor, as për vetë të vaksinuarit.

5. Në të njëjtën kohë, është e qartë se, për shkaqe praktike, vaksinimi si normë nuk është një detyrim moral dhe për këtë arsye duhet të jetë vullnetar. Në çdo rast, nga pikëpamja etike, moraliteti i vaksinimit nuk varet vetëm nga detyra e vetme për të mbrojtur shëndetin personal, por edhe nga ajo për arritur të mirën e përbashkët. Ja pra, në mungesë të mjeteve të tjera për ndaluar, apo edhe thjeshtë për të parandaluar epideminë, mund të rekomandohet vaksinimi për të mbrojtur veçanërisht më të dobëtit dhe të ekspozuarit ndaj saj. Ata të cilët, për arsye të ndërgjegjes, refuzojnë vaksinat me inde qelizore njerëzore të ardhura nga fetuset e aborteve, duhet të angazhohen që me mjete tjera parandaluese dhe sjellje të përshtatshme, të të shmangin rrezikun për t’u shndërruar në përçues të infektimit. Në mënyrë të veçantë, ata duhet të shmangin çdo rrezik për shëndetin e atyre që nuk do të mund të vaksinohen për shkaqe mjekësore, apo për shkaqe të tjetra, e të cilët janë personat më të brishtë të shoqërisë.

6. Së fundmi, ekziston një imperativ moral për industritë farmaceutike, për qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, për të garantuar që vaksinat, efektive dhe të sigurta nga pikëpamja shëndetësore, si dhe të pranueshme nga ana etike, të jenë të arritshme edhe për vendet e varfra, në atë mënyrë që nuk është e rëndë për ta. Përndryshe mungesa e qasjes në vaksina, do të bëhej një tjetër shenjë diskriminimi dhe padrejtësie që dënon vendet e varfra të vazhdojnë të jetojnë në varfëri shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore.[5]

Ati i Shenjtë Papa Françesku, në audiencën e mbajtur me datë 17 dhjetor 2020, e ka shqyrtuar këtë shënim të nënshkruar  nga Perfekti i Kongregatës mbi Doktrinën e Fesë dhe e ka miratuar publikimin e tij.

Lëshuar në Romë, pranë Kongregatës së Doktrinës së Fesë, më 21 dhjetor 2020, dita e përkujtimit liturgjik të Shën Pjetër Kanisit.

 

  Kard. Luis F. Ladaria, S.I.                                            + SH. T. Mons. Giacomo Morandi

               Prefekt                                                                               Argjipeshkëv Titullar i Cerveteri

                                                                                                                                 Sekretar

 

 

 

 

 

Marrë nga: www.vatican.va

Përkthimi: Veneranda Qerimi

 

———————————–

[1] Kongregata për Doktrinën e Fesë, Udhëzimi Dignitas Personae (8 dhjetor 2008), n. 35; AAS (100), 884.

[2] Ibid.

[3] Khs. Akademia Papnore për Jetën,  Reflektime morale rreth vaksinave të përgatitura me bazë qelizore të ardhura nga fetuse njerëzore të abortuara” (5 qershor 2005).

[4] Khs. Kongregata për Doktrinën e Fesë, Udhëzimi Dignitas Personae, n. 35: “Kur e paligjshmja është e miratuar me ligjet të cilët e rregullojnë sistemin sanitar dhe hulumtimin shkencor, duhet të distancohemi nga aspektet e këqija të sistemit, për të mos lënë përshtypjen e njëfarëlloj tolerance apo aprovimi të heshtur të veprimtarive tepër të padrejta. Çdo mosdistancim do të kontribuonte në rritjen e indiferencës, nëse jo miratimin, e veprimeve të tilla që qarkullojnë në disa ambiente të caktuara mjekësore dhe politike.”

[5] Khs. Françesku, Fjalimi për vullnetarët dhe miqtë e Bankës Farmaceutike, 19 shtator 2020.

Shpërndaje

Comments are closed.

«