Dr. Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopi, orientues të kulturës sonë perëndimore 

Jan 17 • Kisha në Kosovë

Nga Imzot Rrok Gjonlleshaj

 

 

Të dashur meshtarë, rregulltarë/e,

të dashur besimtarë të kësaj famullie,

ju që keni ardhur nga famullitë e tjera,

si dhe ju që keni ardhur nga diaspora,

e dashura familja Sopi!

 

Të gjithëve nga zemra ju përshëndes. I dashuri Mons. Dodë, bari i kësaj Ipeshkvie, duke të të përshëndetur, dua të të falënderji për këtë mundësi fjale-predikimi në këtë ngjarje shumë të veçantë të rivarrimit të Imzot Mark Sopit, që pas kalimit të tij në amshim e vazhdove dhe po e vazhdon detyrën baritore pikërisisht këtu në këtë kishë, në këtë Kosovë.

Sot është ditë e veçantë jo vetëm për Ipeshkvinë dhe për komunitetin katolik, por për gjithë popullin shqiptar, për gjithë Kosovën, sepse janë ngjarje të veçanta që po ndodhin ditën e sotme e besojë se këto do të lënë gjurmë të mëdha në histori në të ardhmen. Sepse, sot para se të fillojmë këtë meshë të shenjtë, para tridhjetë minutash u bë zbulimi i shtatores të të ndjerit Presidentit Ibrahim Rugovës në sheshin para Katedrales, që në një formë e kthyem dhe e ringjallëm, e që tash e tutje do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe nëpërmjet tij i gjithë populli do ta ketë më qartë vizionin e tij dhe besojë që shumë do ta ndjekin, e orientimin e vet do ta kenë pikërisht nga perëndimi, atje ku ishte edhe dëshira e flaktë e tij. Po ashtu, sot po i sjellim eshtrat e të ndjerit Imzot Mark Sopit në këtë Katedrale. Edhe njëri edhe tjetri aq shumë e dëshiruan, deshën që ta ndërtojnë pikërisht në këtë vend si shenjë e orientimit tonë, si shenje e pranisë tonë, si shenjë e kulturës së lashtë, që e kishim dhe që duam ta kemi edhe në të ardhmen.

Me një rast e pata dëgjuar të ndjerin Presidentin, duke thënë se të gjitha qendrat e mëdha, metropolet janë ngritur rreth katedraleve. Edhe ne duam që pikërisht këtu në zemër të Prishtinës ta ndërtojmë Katedralen. Duke i falënderuar këta dy këto personalitete për angazhimin e tyre të madh, e në veçanti ipeshkvin aktual Mons. Dodën, ja se pikërisht kjo edhe u realizua. Tani, njëri – Ibrahim Rugova – qëndron në hyrje të Katedrales e tjetri – Imzot Mark Sopi – qëndron në shtyllat e saja, që e mbanë shumë më të fortë e shumë ma stabil këtë vend. Prandaj duke e falënderuar Zotin për jetën e tyre, në të njëjtën kohë lusim Zoti që t’i shpërblejë me jetën e pasosur.

Në vazhdim do të doja që t’i evokoja disa kujtime në jetën time, që i kam kaluar pikërisht me të ndjerin Ipeshkvin Imzot Mark Sopin.

Është shumë më rëndësi për meshtarin e ri, ku dhe me kë do t’i bëj hapat e parë të meshtarisë. Unë pata fat dhe privilegjin që shërbesën time meshtarake ta filloj dhe për dy vite ta kaloi në famullinë e Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, ku i ndjeri Imzot Mark Sopi ishte famullitar. Pikërisht e  falënderoj Zotin për atë kohë, sepse kisha çka të mësoja nga ai, sepse ishte i urtë, i përshpirtshëm, pedant në jetë dhe në punë, i afërt, mikpritës dhe bujar… Shpesh më thoshte: “ti e ki lehtë, sepse je pas lisit”. Ashtu e ndieja veten, disi i mbrojtur. Ishte kohë e komunizmit e nuk ishte lehtë të shërbesh aty, aq më tepër kur pengonin katekizmin dhe shërbimet e tjera në kishë. Edhe të dielën e Pashkëve thirreshin priftërinjtë në stërvitje ushtarake, më qëllim që të pengonin meshën e së dielës së Pashkëve. Kuptohet, askurrë dhe për asnjë çmim nuk ka pranuar të iu nënshtrohet, sepse nuk ishte person që u nënshtronte. Mua gjithmonë më jepte kurajo sa isha për ato dy vite dhe me thoshte: “Ki kujdes mos gabo më qellim, bëhu syhapur, por nëse diçka ndodh – e kishte fjalën veçantë në raport me ata të cilët kundërshtonin edhe katekizmin e shërbimet e tjera në meshë – nëse diçka kë ndërmarr dhe ndoshta kë gabuar në sy të tyre, gjithmonë thuaj se është me dijen e Dom Markut.” Ishte i gatshëm pra të merr mbi vete përgjegjësinë edhe kjo më bënte shumë përshtypje, me bënte të ndjehem i fort, i mbrojtur, sepse e dija se është dikush që do të më mbroj e mbi vete do të merr përgjegjësitë.

Më bënin përshtypje takimet që i kishte më njerëz. Të gjithë i respektonte, për të gjithë kishte kohë. Kishte edhe të tillë, emrat e të cilëve nuk dua t’i përmendi, që vinin, si Nikodemi për të rrëfyer jetën e vetë dhe për të marr këshilla prej Monsinjor Markut, ashtu sikurse Nikodemi që shkonte natën tek Jezusi. Askujt nuk donte t’i mbetej borxh. Nëse dikush ia ka bërë një të mirë, është munduar t’ia kthej shumëfish. Por gjithmonë ka ditë t’ia “jap Çezarit çka i përket Çezarit, e Zotit çka i përket Zotit”.

Vëllezër dhe motra,

sa herë që e dëgjoi apo e lexoi në ungjill ngjarjen e Kushtimit të Jezu Krishtit në Tempull të Jerusalemit, ku përmendet Ana profetësh, për të cilën thuhej se kurrë nuk e lëshonte Tempullin, por ditë e natë më lutje e agjërim e lëvdonte Zotin… Më bie ndërmend edhe një person tjetër, i cili, aso kohe ishte së bashku me ne në Zllakuqan. Ky është Tomë Skenderi – Mixha Tomë, i cili si Ana profetësh ditë e natë lutej dhe adhuronte Krishtin të pranishëm në të Shenjtërueshmin Sakrament. Mund lirisht të them se ishim më fat, se kishim njeriun i cili jetonte jetë shenjtërie e lutjet e tija ishin dozë e fortë në shërbimin tonë meshtarak. Kështu që nga ky vend ju ftojë të gjithëve që vërtetë t’i përngjajmë mixhës Tomë në lutje dhe në adhurim, sepse vetëm nëpërmjet lutës edhe adhurimit e takojmë Zotin dhe e kemi me lehtë të jetojmë me Zotin.

Pata kënaqësinë që Mons. Sopin ta kem ipeshkëv për dhjetë vite. Me falënderim e kujtoi atë kohë që shërbeja nën urdhrat e tij, i cili e drejtonte këtë ipeshkvi, Kishën katolike në Kosovë, e që ishte periudhë shumë e vështirë. Vitet 1996 – 2006 gjatë së cilave shërbeu në Kosovë, ishte periudha ku pothuajse gjithçka ishte rrezik; lufta, e pas luftës rindërtimi e marrja fuqisë se hapave për ecje të sigurt. Ishte bari i urtë dhe shumë aktiv, sepse për dhjetë vite me gjithë ato angazhime, arriti që t’ia ve themelt e duhura edhe kësaj ipeshkvie, Kishës në Kosovë, sikur edhe në bashkëpunim me vendoret dhe ndërkombëtaret, edhe themelet e forta e të sigurta edhe kësaj Kosove.

Ishte shumë i angazhuar për të rindërtuar gjithë ato shtëpi që ishin të djegura e shumë shkolla, ambulanca, rrugë etj, që ishin edhe shenjë dhe simbol i gjithë një rikuperimi të asaj që vërtetë kishim përjetuar gjatë luftës së tmerrshme, dhe dëshmitarë të se cilës ishim pothuajse të gjithë. Veçantë është angazhuar, që të ndodh edhe bashkimi i shumë familjeve, të cilat fatkeqësisht deri sa ishin të përndjekur nga Kosova edhe i kanë shpërndarë nëpër vende tjera dhe vetë anëtaret e familjeve, edhe atë që të bashkohen e të jenë të lumtur e të jetojnë si një familje e bashkuar. Kishte prirje dhe angazhim edhe në çështjet shoqërore, kulturore, arsimore.

Por, ajo që e karakterizonte ishte se e kishte shumë për zemër ndërtimin e kësaj Katedrale, pikërisht në zemër të Prishtinës, si shenjë dhe simbol i orientimit të popullit kah vlerat e qytetërimit europian. Donte që pikërisht kjo katedrale të jetë e kushtuar bijës së popullit tonë Shën Nënë Terezës, të cilën e kishte shumë përzemër e për të cilën shpesh fliste edhe për punën e saj humanitare, që e bënte nëpër botë. Edhe ai vetë e posedonte atë bujari bamirësie, dorëdhënie, ndaj kishte shumë ndjenja për të pastrehët e ndaj atyre që nuk kishin ushqim. Të shtyrë nga këto vlera të humanitetit ai donte që kjo Katedrale të mbante emrin e Shenjtëreshës se popullit tonë Shën Nënë Terezës.

Angazhimi i tij i madh dhe tepër me vlerë ishte dashuria për këtë popull. Këtë e dëshmon më se miri edhe qëndrimi i tij, angazhimi i tij në Kongresin Amerikan, ku me këmbëngulje e me argumente mbrojti vendin, kërkoj demokraci, liri, barazi, respekt, të drejtat njerëzore për të gjithë qytetarët e këtij vendi e të kësaj Kosove. Unë jam shumë i lumtur dhe është e drejtë që trupi i të ndjerit  Sh.T Imzot Mark Sopit, nga sot të pushojë këtu në Katedralen e Prishtinës afër dy barinjve, që në historinë e popullit tonë lanë gjurmë të gjalla.

Këta tre barinj tani në Kriptën e Katedrales, emrat e të cilëve për popullin tonë kanë edhe domethënie edhe porosi, që nëse ndalemi dhe i meditojmë, shohim se jo edhe rastësisht kanë ndodh të jenë pikërisht këta tre emra këtu në këtë katedrale në këtë shenjtërore.

Pjetër Imzot Pjeter Bogdani. Krishti ia ndërron Simonit emrin dhe e quajti Pjetër-Shkëmb, duke i thënë se mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj kishën time e dyert e ferrit nuk do te ngadhënjen kundër saj. Uroj që edhe kisha edhe populli të kenë themele zë forta të vendosura në Shkëmb.

Mark – Imzot Markë Sopi. Shën Marku ungjilltar, i cili i pari e shkroi ungjillin e Krishtit, atë që Krishti mësojë dhe beri. Uroj që i tërë populli të jetë i mësuar nga Mësuesi Hyjnor, Zoti ynë Jezu Krishti, sepse për Krishtin thuhet se i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët e tyre.

Nikollë/Nikë – Imzot Nikë Perla. Shën Nikolla është shenjti ma i dashur dhe ma i nderuari në popullin tonë, që pa dallim feje, nderohet dhe duhet nga të gjithë. Uroj që i mbarë populli të jetoj i bashkuar dhe ne gëzimet e përbashkëta.

Po e përfundoj me fjalët e Imzot Mark Sopit, të cilat i tha pak ditë pra se të vdiste: “Te gjithëve ju dua!!/drita.info

 

(Homelia e plotë në meshën e rivarrimit të Imzot Mark Sopit, në 15-vjetorin e kalimit në amshim. Katedralja Shën Nënë Tereza, Prishtinë, 15 janar 2021)

 

Comments are closed.

« »