PËRVJETOR/Imzot Mark Sopi, bari i epokave

Jan 17 • Kisha në Kosovë

Nga Imzot Dodë Gjergji

 

Shkëlqesi e nderuar,

autoritete civile,

e dashur familje Sopi,

vëllezër e motra!

 

Ju përshëndes dhe ju falënderoj përzemërsisht që jeni me ne sot, në pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së ipeshkvit tonë shumë të dashur, Imzot Mark Sopi, të cilin me plotë gojë dhe me gjithë mend  mund ta quajmë: Bariun i dy epokave, asaj para dhe pas luftës!

Them kështu, pasi si ne edhe gjeneratat pas nesh, sa herë do të flasin ose do të shkruajmë për vendin tonë, do ta definojnë kështu historinë. Për faktin se rrëshqitja nga robëria në luftë, e sidomos kapërcimi nga lufta në paqe, ka qenë ndryshim epokal i jetës së popullit tonë në liri dhe mundësia e madhe që na është dhënë të jetojmë në paqe dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë.

Për jetën e tij u thanë shumë gjëra nga parafolësit, kështu që unë dua vetëm të theksoj disa ngjarje më të rëndësishme të këtyre “epokave”, në të cilat Bariu ynë i dikurshëm ishte protagonist ose pjesëmarrës i rëndësishëm.

Në vitin 1996 erdhi nga Shqipëria, ku kishte shërbye për pesë vite, që të udhëhiqte Kishën në Kosovë. Ishte për të një mirënjohje e madhe nga Selia Apostolike, por edhe një barrë e ranë në përgjegjësitë që mori gjatë kohës më të vështirë për ne. Atij i duhej, që nga ai entuziazmi i ringjalljes së Kishës në Shqipëri, pas ramjes së komunizmit, të zhytej në zymtësinë që jetonim në Kosovë, e t’i printe Kishës gjatë kohës së regjimit të egër të nacional-socializmit serb, të fshehur pas perdeve të grisura të Jugosllavisë që po shpërbëhej.

Në vitin 1998-99, kurë djemtë dhe vajzat, gratë dhe burrat e popullit tonë filluan rezistencën aktive ndaj regjimit, duke synuar lirinë që po e gëzojmë, Ipeshkvi ynë si bari i grigjës, kasnec i Krishtit para popullit dhe përfaqësues i popullit para botës, arriti të shërbente këto tri dimensione në mënyrën më të mirë të mundeshe. Lirisht mund të themi se gjatë kësaj kohe ai arriti:

  • Ta ruante grigjën që të mos shpërndahej dhe të mos dëmtohej pa nevojë.
  • para popullit të vetë vazhdoi të ishte ai fanar i vjetër i shekujve, që me jetën dhe dëshminë e prelatëve të Kishës Katolike, vazhdimisht përçoj dritën e Krishtit në errësirën e kohës së luftës.
  • të mbaj gjallë shpresën në tmerrin e pasojave të saj.
  • dhe të mbroj zemrat e njerëzve nga helmi i urrejtjes mu në ato momente kur ajo po shfrynte gjithë dufin e vet mbi ne.

Nuk pushonte duke krahasuar Kohën e tij me atë të paraardhësit të dikurshëm, të fillim shekullit të fundit të mileniumit të dytë, Imzot Lazër Mjedës, kur populli dhe grigja në Kosovë përjetuan dhimbje dhe trishtim, sakrifikuan gjithçka në përpjekjen e tyre për të mbrojtur atë që tani gjeneratat e kohës së Imzot Markut, 100 vite më vonë, e bënin të njëjtën sakrificë për të rikthyer lirinë, paqen dhe mëvetësinë.

Në kohën e shkurtër të epokës pas luftës, 2000-2005, në fillimin e shekullit të parë të mileniumit të tretë, kurë populli dhe Kisha në Kosovë, hodhën hapat e para në paqe dhe filluan të jetonin në liri, Paraardhësi im Imzot Markë Sopi, ishte përqendruar në:

  1. Rehabilitimin e grishës dhe popullit vetë, nga pasojat e luftës nëpërmjet gëzimit ungjillor, kështu që t’iu ndihmonte ata të harronin trishtimin e luftës, ta ruanin paqen e shpirtit dhe pastërtinë e zemrave.
  2. Punoi pa u lodhur në ndërtimin e vendit, në përkrahjen e nevojtarëve, ndërtimin e shtëpive dhe rimëkëmbjen e jetës në përgjithësi, duke koordinuar qindra organizata katolike ose me sfond katolik, që fuqishëm ndihmuan rimëkëmbjen tonë pas luftës.
  3. Vazhdoi të dëshmoi para autoriteteve ndërkombëtare dhe kancelarive të vendeve të shumta, pasi ishte i vetëdijshëm që mbështetja e fituar nëpërmjet dhembshurisë, në emër të paqes dhe të drejtave të popujve, mund të zbehet shpejtë nëse nuk kthehet në besueshmëri dhe miqësi me popujt që na ndihmuan, e sidomos nëse nuk arrijmë të dëshmonim që mbështetja e tyre ishte e merituar.

Ka edhe shumëçka tjetër që mund të themi për të, por më lejoni të theksoj kontributin e tij në ndërtimin e kësaj Kon-Katedrale, gurë themelin e të cilës e bekoj ai vet, me mbështetjen e Presidentit historik Ibrahim Rugova, disa muaj para se te dy të kalonin në amshim.

Pikërisht për këtë arsye, e kemi vlerësuar që është punë e denjë dhe e drejtë që eshtrat e tij të pushojnë në paqe deri në Ringjallje, në Kon-Katedralen Shën Nënë Tereza.

 

Vëllezër e motra, miq të nderuar,

rivarrimi i ipeshkvijve në Kriptën e Katedrales, që kemi filluar para dy vjetëve me rivarrimin simbolik të Pjetër Bogdanit, vjet Nikën Prelën, e sivjet, sot Mark Sopin, nuk është thjesht ngjallje e një tradite të moçme të kishës, e cila barinjtë e vet i mbanë përgjithmonë brenda vetës, as përpjekje për të demonstruar fuqinë historike të Prelatëve tanë, por një vepër e artit të kujtesës, ku po bashkojmë copëzat e së kaluarës sonë të tretur në harresë dhe po përpiqemi ta rindërtojmë mozaikun e dinjitetit dhe identitetit tonë të krishterë.

Mirëpo, në rastin e Monsinjor Sopit është diçka më tepër. Së pari rivarrimi nuk është një nderë që po ia bëjmë, por, mbi gjitha, një obligim që e kemi: t’ia mundësojmë të pushojë në paqe në Kishën Katedrale, themelet e të cilës i bekoi vet.

Në fund, iu falënderoj të gjithëve, që po merrni pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për Kishën tonë, në rivarrimin e ipeshkvit tonë Imzot Mark Sopit. Pushoftë në paqe!/drita.info

 

(Fjalimi i plotë në Akademinë solemne të rivarrimit të Imzot Mark Sopi, në 15-vjetorin e kalimit në amshim, në Qendrën “BogdaniPolis”, Prishtinë, 15 janar 2021)    

Comments are closed.

« »