PËRVJETOR/ Imzot Mark Sopi, bir i shquar i Familjes Sopi

Jan 17 • Kisha në Kosovë, Opinion

Nga Don Lush Sopi

 

Në emër të vëllaut Don Lencit, si dhe në emër të familjes sonë Sopi, Ju përshëndes të gjithëve, njëkohësisht ju falënderoj për prezencën tuaj në Meshën Shenjte, në këtë akademi përkujtimore, si dhe në ritin e rivarrimit të Mons. Mark Sopit, trupi i të cilit do të pushon në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza, këtu në Prishtinë.

Ky rivarrim, për familjen tonë nuk është i lehtë, sepse zgjon ndjenjat e dhembjes për mungesën e varrit të Tij në kishën tonë në Binçë, ku pushonte trupi i tij deri më tani, por megjithatë, ne ndihemi krenar që trupi i tij do të pushon i qetë në këtë katedrale, të cilës i vuri gurthemelin, së bashku me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Si anëtar i familjes, për axhën tonë Mons. Markun do të më nevojitej një kohë e gjatë për të shpalosur ndjenjat e familjarëve tanë, si të atyre që kanë kaluar në amshim, gjithashtu të neve që jemi gjallë, për reflektimin dhe ndikimin e tij shumë pozitiv në familje. Por, për shkak të kohës, unë do të ndalem në disa vlera dhe virtyte që e kanë bërë Mons. Markun aq të dashur dhe të respektuar në familje.

Mons. Marku ishte shumë i dashur dhe i afërt me të gjithë, edhe pse për nga natyra apo fizionomia e tij nuk dukej kështu. Por, ata që e kanë njohur për së afërmi, shpejt janë bindur në këtë.

Mons. Marku gëzonte autoritet shumë të veçantë në familje.

Për prindërit e tij, vëllezërit dhe motrat e tija, si dhe për gjithë familjen tonë, deri te gjeneratat më të reja, fjala e Imz. Markut ka qenë sikur të ishte fjalë Hyjnore, sepse në të gjitha rastet, në sfidat dhe sprovat e ndryshme me çfarë ballafaqohen familjet, fjala e tij ka qenë përfundimtare, e padiskutueshme dhe e pranueshme për të gjithë.

Mons. Marku kishte një shpirt dhe zemër të pastër, shpirt të uratës, të mirësisë, të bamirësisë dhe dashurisë.

Këto virtyte njerëzore dhe shpirtërore, humane dhe morale, i ka trashëguar nga të parët e familjes, nga prindërit, e sidomos nga gjyshja e tij.

Gjyshja e tij, krahas kujdesit për familjen, kishte kujdesin për njerëzit në nevojë. Ajo çdo dite gatuante dhe përgatiste ushqim për familjet me gjendje të vështirë ekonomike, sidomos për njerëzit nga vendet malore, që kalonin nëpër fshatin tonë, për të shkuar në Viti për nevoja të ndryshme. Ajo i pranonte ne shtëpi dhe nuk i lëshonte pa ushqim dhe pa ndonjë ndihmë veshmbathjeje.

Njerëzit e atij rajoni, të shumë fshatrave, pa dallim besimi, të gjithë e kanë quajtur “Nëna e Mirë”.

Për të arritur këtë titull aq të dashur, aq të ëmbël, “Nëna e Mirë”, nga njerëzit e një rajoni të tërë, pa dallim besimi, duhet të jetosh një jetë të shenjtë, në shërbim Zotit dhe vëllaut njeri.

Këtë shpirt të bamirësisë dhe humanitetit, Mons. Marku e realizoj gjatë gjithë jetës së tij, me parimin ungjillor: “Mos të dinë dora e majtë, çfarë bënë dora e djathtë”.

Vizitën e Mons. Markut në familje, të gjithë e prisnim me gëzim të madh. Ishte një ndjenjë e veçantë, sepse na dukej sikur ka zbritur ndonjë shenjtë në mesin tonë.

Qëndrimi i tij, fjalët dhe këshillat e tija, lutjet e tija, ishin frymëzim dhe udhë-rrëfim për familjen tonë.

Një jetë dhe dëshmi e tillë, bëri që ai të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e familjes kudo që ka vepruar.

Thirrja vjen nga Zoti, “Nuk më zgjodhët ju mua, por unë ju zgjodha ju…” thotë Krishti, por për t’iu përgjigjur thirrjes së tij, është i domosdoshëm frymëzimi edhe nga njeriu.

Këtë frymëzim Mons. Marku e kishte nga të parët e tij, nga prindërit e tij, nga familja në përgjithësi, sepse familja është burim i thirrjeve të shenjta.

Në thirrjen tonë meshtarake, të vëllaut Don Lencit dhe timen, përpos familjes, mund të them, që rol apo ndikim të madh, ka luajtur shembulli i shkëlqyer i Mons. Markut.

Përjetimet e tij si student në Romë, sidomos takimi i tij, si student, me Shën Nën Terezën në Romë, përjetimet e tij në jetën meshtarake, shembulli i shkëlqyer i një meshtari të devotshëm dhe të shenjtë, ishin nxitje dhe frymëzim për ne, që edhe ne të përcaktohemi në shërbim Zotit dhe grigjës së Tij.

Ne, familja e Mons. Markut, kisha jonë, besoj edhe i gjithë populli ynë Shqiptar ndihet krenar me jetën dhe veprën e Mons. Markut.

Familja jonë ka pasur Don Mark Sopin, i cili ka jetuar në vitin 1838-1888, në kohën e martirëve tanë. Ka pasur Mons. Mark Sopin, rivarrimin e të cilit po e bëjmë sot në këtë katedrale. Kemi edhe Mark Sopin e vogël 8 vjeçar, i cili trashëgon këtë emër të respektuar dhe të bekuar.

Shpirti i Mons. Markut ndërmjetësoftë para Atit qiellor për ne, për kishën tonë, si dhe për gjithë popullin tonë shqiptar, që të jetojmë në paqe dhe dashuri ndaj Zotit dhe njëri-tjetrit, për një të ardhme më të mirë./drita.info

Comments are closed.

« »