Mbërthyer në shprehi të vjetra

Jan 18 • Meditimi i ditës

18 janar 2021 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 15,16-23; Ps 50 (49); Mk 2,18-22)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në qetësinë në të cilën

e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

Hyji sillej me mua ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë: më mësonte. (Shën Injaci)
Ja kujtoj vetes se ekzistojnë edhe shumë gjëra që Hyji duhet të m`i mësojë, dhe lutem për hirin që t`i vërej ato dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutjeje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment (nëse je në dhomë). Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe dëgjo, lutu.

 

Mk 2, 18-22

18 Nxënësit e Gjonit dhe farisenjtë agjëronin. Erdhën disa dhe i thanë:

“Pse nxënësit e Gjonit e të farisenjve agjërojnë e nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

19 Jezusi u përgjigj:

“A thua mund të agjërojnë dasmorët derisa është me ta dhëndri? Për aq kohë sa është dhëndri me ta s’mund të agjërojnë! 20 Do të vijë dita kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë ata, atë ditë, do të agjërojnë!

21 Askush nuk e qep arnën e tirkut të pashkelur në petk të vjetër; përndryshe arna e tirkut të pashkelur e shqyen petkun e vjetër dhe e shqyerja bëhet më e madhe.

22 Askush nuk e qet verën e re në rrëshiqa të vjetër; përndryshe vera e re i shqyen rrëshiqat: vera derdhet e rrëshiqat prishen. Porse vera e re ‑ në rrëshiqa të rinj.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Tradita fetare urdhëronte të agjërohej vetëm atëherë kur diçka mungonte. Jezusi këtu paralajmëron se ka ardhur ai që e kishin pritur. T`i përgjigjesh këtij rasti do të duhej të ishte gëzim, e jo agjërim. Do të vijë koha edhe për agjërim: dëgjuesit mbetën të çuditur dhe pyesnin veten kur do të ndodhte kjo.
  • Edhe vet e dimë se jeta është një ritëm vdekjeje dhe lindjeje të re me kohërat e saja të pikëllimit dhe gëzimit. Dhëndri ka ardhur – Jezusi, Biri i Hyjit. Ai është siguria jonë në kohërat e vështira.
  • E dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit dhe lejojë që ajo të gjejë jehonë në zemrën time.

Bashkëbisedimi

Në Palestinë festimi i një martese zgjaste një javë. Një privilegj për miqtë më të afërt të nuses dhe dhëndrit ishte të qëndrosh një javë me ta. Gëzimi është një shenjë e miqve të tyre.

A jam duke e gjetur gëzimin në njohjen se jam afër teje, o Zot?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. “Vera e re në rrëshiqa të rinj”. O Zot, po ma bën me dije që mos ta mbylli mendjen time. Më sfidon që mos të qëndroj në shprehitë e vjetra dhe të jem i/e hapur për gjëra të reja. Ma jep çiltërsinë e zemrës dhe mendjes. Bëj që të besoj në thellësitë e Shpirtit tënd kreativ që i bën të reja të gjitha gjërat. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »