Mbajtja e rregullave nuk është gjithçka
19 janar 2021 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Sam 16,1-13a; Ps 88; Mk 2, 23-28)
Prania e Hyjit
Ndërsa ndodhem këtu ulur, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.
Liria
E lus Zotin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,
që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin e Ungjillit të sotëm me mend e zemër dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.
Mk 2, 23-28
23 Një të shtunë Jezusi po kalonte nëpër të mbjella. Nxënësit e tij, duke udhëtuar, filluan të këpusin kallinj.
24 Farisenjtë atëherë po i thonë:
“Shih! Pse po bëjnë atë që s’është e lejueshme të bëhet të shtunën?”
25 Jezusi u përgjigj:
“A s’ju ka rënë kurrë të lexoni ç’bëri Davidi kur pati nevojë, atëherë kur u urit ai e përcjellësit e tij? 26 Se si, kur ishte kryeprift Abiatari, hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngri bukët e kushtuara, të cilat s’guxon t’i hajë askush përveç priftërinjve? Madje, ai u dha edhe përcjellësve të vet!”
27 Atëherë u thoshte edhe këtë:
“E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës!”
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:
- Farisenjtë ishin aq të etur për të mos shkelur rregullat, saqë iu kishte dalë mendsh kuptimi i vërtetë i urdhërimeve. Në këtë rast, vullneti i Zotit, që burrat dhe gratë të pushonin dhe ta gëzonin të Shtunën, nuk u arrit. Ata nuk arritën të kuptonin që e Shtuna ishte bërë për njeriun dhe jo njeriu për të Shtunën. A është kjo mani me rregullat ende një problem për njerëzit religjiozë? A është problem për mua?
- E shtuna ishte menduar të ishte një lajm i mirë, një pushim, një çlirim, një lirim – liri nga ngarkesa e punës dhe koha për të qenë i/e vëmendshëm/e ndaj Zotit. A mendon se e ke humbur atë ndjenjë të së Shtunës si një lajm të mirë? A është një lajm i mirë që duhet ta dëgjoj në jetën time?
- Jezusi flet me autoritet në këtë fragment. Ndërsa e dëgjon përsëri, dëgjoji me kujdes fjalët e tij dhe ato që të thonë ty.
Bashkëbisedimi
Duke dëgjuar përsëri fjalët e Jezusit, cili ishte reagimi im? Mund të jem bërë më i/e vetëdijshëm/e për ankthin tim në lidhje me “thyerjen e rregullave”, ose ndoshta e kam fituar një ndjenjë që duhet vet ta bëj një pushim, ose ndoshta më ka lënë mbresa guximi i fjalëve të Jezusit. Cilido qoftë reagimi im, mund ta paraqes atë përpara Zotit tani dhe t’i flas, ashtu siç do të bëja me një shokun/shoqen time, për mënyrën se si fjalët e tij më flasin.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Farisenjtë kundërshtonin që nxënësit e Jezusit po punonin të shtunën. Jezusi iu përgjigjet me një thënie shumë radikale: “E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Prandaj, Biri i njeriut është zotëruesi edhe i të shtunës.” Deklarimi i Jezusit nuk është kundër mësimit hebraik por përkujtues i qëllimit burimor të Hyjit që i njeh nevojat e njeriut që nganjëherë kërkojnë vënien anash të rregullave të së shtunës.
Duke pohuar se është “Zotëruesi i të shtunës” Jezusi e vërteton pushtetin e tij hyjnor. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Mbërthyer në shprehi të vjetra Rivarrimi i Imzot Mark Sopit në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë »