Rivarrimi i Imzot Mark Sopit në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Jan 19 • Kisha në Kosovë

Më 15 janar 2021, është bërë rivarrimi i Imzot Mark Sopi, në Kriptën e Katedrales, me rastin e 15-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Eshtrat e tij që kishin pushuar në Kishën e Shën Ndout në Binçë, u barten në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, aty ky tash është bërë rivarrimi simbolit i Imzot Pjetër Bogdanit, para dy viteve dhe rivarrimi i eshtrave të Imzot Nikë Prelës vitin e kaluar. 

Eshtrat e të ndjerit Imzot Mark Sopi, u sollën në Kriptë një ditë më parë, më 14 janar 2021.

Më 15 janar 2021, në orën 10:30 u bë zbulimi i shtatores së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, vepër e profesorit të nderuar Prof. Fatmir Hoxha. Në praninë e media të vendit dhe të pranishmëve nga shtresa të ndryshme, zbulimi u bë nga Imzot Dodë Gjergji, Ukë Rugova, Prof. Fatmir Hoxha dhe Anton Çuni, ministër i mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Vazhdoi me meshën e shenjtë në Katedrale në orën 11:00 të cilës i priu bariu i Kishës sonë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, i cili e mbajti edhe homelinë e rastit të cilën mund ta lexon të plotë në vegëzën e portalit tonë: http://www.drita.info/2021/01/17/dr-ibrahim-rugova-dhe-imzot-mark-sopi-orientues-te-kultures-sone-perendimore/.

Pas meshës së shenjtë, pasoi Akademia solemne e rivarrimit, që u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet nën Katedrale. Me një program të bukur u kujtuar figura e ipeshkvit tonë të dashur Imzot Mark Sopi, me muzikë të interpretuar nga Kori i Katedrales Zoja Ndihmëtare, ku ipeshkvi ynë shërbeu për 10 vjet, pastaj vikari gjeneral i Dioqezës, Dr. Don Shan Zefi me kumtesën e ngjeshur mbi jetën dhe veprimtarinë e ipeshkvit, që mund ta lexoni të plotë në këtë vegëz: http://www.drita.info/2021/01/16/pervjetor-imzot-mark-sopi-nje-dhurate-e-madhe-per-kishen-dhe-kombin/.

Vazhdoi me dëshminë e një laiku bashkëpunëtor, Anton Berisha, e pastaj edhe të Don Lush Sopit, në emër të familjes Sopi: http://www.drita.info/2021/01/17/pervjetor-imzot-mark-sopi-bir-i-shquar-i-familjes-sopi/.

Fjalën përmbyllëse e mbajti ipeshkvi ynë Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, që e përkufizoi Imzot Mark Sopi, si bariu i epokave: http://www.drita.info/2021/01/17/pervjetor-imzot-mark-sopi-bari-i-epokave/.

U lexua dekreti i rivarrimit të ipeshkvit tonë, nga kancelari i Dioqezës, Don Jeton Thaqi, e pastaj në procesion u drejtuan të gjithë te Kripta e Katedrales, ku varri i Imzot Mark Sopi, ishte i hapur, ku u bë bekimi dhe ritet përkatëse të rivarrimit. Tani Imzoti ynë pushon në themelet e Katedrales, të cilës ia pati bekuar gurin e themelit në vitin 2005, që e dëshiroi shumë të ndërtuar, bashkë me Dr. Ibrahim Rugovën, por që vdekja e hershme e të dyve bënë që të mos e shohin. Pushofshin në Paqen e Krishtit e ndërmjetësofshin për ne në qiell!/drita.info

Comments are closed.

« »