Kremtimi i festë së Shën Sebastianit në Famullinë e Kravaserisë 2021

Jan 20 • Kisha në Kosovë

Sot, më 20 janar në famullinë e Kravaserisë është kremtuar pajtori i saj, Shën Sebastiani, martir. Meshën solemne të festës e kremtoi bariu ynë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me Don Franë Kolën, famullitarin e Kravaserisë, dhe Don Fatmir Koliqi, famullitarin dhe dekanin e Prishtinës.

Shën Sebastiani, është njëri ndër shenjtërit më të nderuar te katolikët shqiptarë. Kështu edhe kjo famulli, e cila është e përbërë prej neofitëve, e kanë ruajtur këtë traditë të lashtë të etërve të tyre edhe gjatë kohërave të errëta e regjimeve, që kanë detyruar të jetojnë të fshehtë (kriptokatolikët). Në kohën e lirisë në vendin tonë, Kravaseria zgjohet dhe rikthehet tek rrënjët e veta.

Përherë është një gëzim i madhe i Kishës sonë të bashkëndajë kremtimin e festave me këta besimtarë të vjetër e të rinj, njëkohësisht.

Me këtë gëzim, sot ishin mbledhur besimtarë edhe nga famulli tjera të Kosovës, për ta nderuar këtë shenjtë e këtë famulli të re të Dioqezës sonë.

Ipeshkvi ynë, në homelinë e meshës, shprehu gëzimin që sot po e kremton meshën në festën e pajtorit të famullisë dhe në praninë e famullitarit të ri Don Franë Kolës.

Po i shkëpusim disa nga pjesët e homelisë së Imzot Dodë Gjergjit:

Vëllezër dhe motra,

sot dëshiroj para së gjithash ta përshëndes dhe ta falënderoj Don Franë Kolën, i cili në  kohët e fundit është caktuar për të shërbyer këtu në mesin tuaj e që së bashku me ju ta vazhdojë veprimtarinë që e kemi nis moti, rikthimin tek “cungu i vjetër”, që është rruga më e bukur që ju e keni zgjedhur, sepse vetëm nga aty mund të dalin filizat e rinj. Ju jeni filizat e ri, që është mbjellë moti në kohën e Shën Sebastianit në kohën e Shën Florit dhe Laurit, në kohën e fillimeve të krishterimit, sepse ne kemi rrënjët atje te apostujt.

[…] Nuk është e vërtetë se ne e kemi marrë  krishterimin të huazuar nga dikush, por atë e kemi pranuar nga predikatarët e parë, që Krishti i ka dërguar në botë. Të ne ka qenë Shën Pali dhe nxënësit e tij për ta predikuar Krishtin.  

[…] Këndej, njerëzit kur kanë dëgjuar mësimin e Krishtit dhe të apostujve, që njeriu duhet ta largojë urrejtjen prej zemrës së vet dhe të besojë në dashuri dhe në Zotin që falë, jo Zotin që dënon. […]Ata janë mahnitë dhe kanë filluar me e pëlqye, kanë filluar me e dashtë, kanë filluar me u pagëzua, sepse zemra e drejtë e njeriut, ajo është përcaktuar qysh në krijim për dashurinë, urrejtja nuk mund të zërë vend në të. Prandaj, njeriu e do Zoti që dashuron, që falë.

Zotin që ne e duam është një Zot që të vjen në takim, një Zot që është me ty, një Zot që jeton në zemrën tënde, e shpirti i tij të dhurohet nëpërmjet pagëzimit.

[…] Paramendoni çfarë guximi kanë pas apostujt, që t’i kundërvihen fuqisë ma të madhe të botës, Romës, ku i gjithë populli mendonte se Perandori është Zot dhe e besonin atë, dhe tani erdhi dikush prej Jerusalemit dhe thoshte jo, Zoti i vërtetë është Krishti, dhe ne i nënshtrohemi me dashuri vetëm atij.

Shën Sebastiani, një kalorës romak i perandorit ma të egër Dioklecianit ndaj krishterimit, persekutuesit ma të madh të Kishës në kohën romake, sikur shumë të tjerë martirë, iu thye zemra nga vuajtjet e të krishterëve, kur i pa ata duke vuajtur, e ndonëse e shihnin vdekjen  me sy, ata këndonin. Sebastiani filloi të besojë që këta që po vuajnë kanë të drejtë dhe këta që ne po i shtypim e gëzojnë lirinë e shpirtit, dhe këta të cilët po i mohojnë hynit romake e kanë Zotin e vërtetë, kështu që besoi. E pasi besoi u persekutua, duke e shigjetuar duke e  lidhur për një trung lisi.

Prandaj, vëllezër dhe motra, kisha në kohën e Shën Sebastianit është përplot me jetë dhe me dëshmi të tilla, sikur ma vonë edhe koha jonë.

E kjo është më e forta dëshmi e teorive të cilët duan që të na krahasojnë: që sikur islami ka ardhur nëpërmjet Perandorisë Otomane, ashtu edhe krishterimi ka ardhur nëpërmjet Perandorisë Romake. Jo, kjo nuk është e vërtetë! Perandoria Romake nuk e ka imponua të ne krishterimin, përkundrazi e ka persekutuar. Në anën tjetër, krishterimi i është imponuar Perandorisë Romake dhe me shembuj të martirëve dhe me mësimin e ungjillit, zemër për zemër e shpi për shpi, e kanë nxjerr urrejtjen e egërsisë së burrave dhe grave të perandorisë romake, derisa perandorët janë detyruar të besojnë, por jo nga forca por nga dashuria.

Kur perandori i madh i trojeve tona Konstantini besojë që krishterimi është feja që e ndritë zemrën e tij dhe të shumë njerëzve, në vitin 313, e duroi lirinë dhe që atëherë ka filluar perandoria romake të jetë e krishterë.

Vëllezër dhe motra fort të dashur,

vërtetë ju jeni guximtarët ma të mëdhenj të kohëve tona, sepse e di që nuk e keni lehtë. Ju nuk jeni duke e përjetuar, bashkë me ne, ndonjë persekutim, por njëlloj persekutimi është edhe kur nuk të duan të tutë. Persekutim është edhe kur duhet me u nda prej njerëzve të shtëpisë, se mendojnë ndryshe. Por, guximi juaj përballë këtyre “persekutimeve” bashkëkohore, është shpërblimi ma i madh që i jepet kohës dhe kombit tonë, sepse ju jeni dëshmi e gjallë se si është e mundur të kthehesh, siç e thashë ne fillim, e të ulesh ne “cungun e vjetër”, e ta mbështetësh shpirtin tënd në trungun e tij. Ju jeni dëshmitarët e kësaj kohe, guximtarët e kohës së re, dhe të urtët e kohës sonë, që dini ta gëzoni lirinë që u ka dhanë Zoti, kushtetuta, ligji dhe shpirti juaj, sepse e keni përdorë lirinë.

Urojë që në zemrat tuaja, në familjet tuaja, ne kishën tuaj këtu në Kravasari, në Llapushnik apo kudo tjetër, të mbretërojë vetëm paqja, të zotërojë vetëm dashuria, të jeni njerëzit ma të përvuajtët të këtij vendi, dhe të bëheni dëshmitarët ma të fort të asaj që besojmë, të Zotit tonë Jezu Krishtit. Të jeni mbjellës të farës e predikues të Ungjillit, e t’i ftoni të gjithë njerëzit të pagëzohen në emër të Atit, e të Birit, e të Shpirtit Shenjt, ashtu si bënte e mësonte Pal Engjëlli në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Amen.  

Në fund të meshës, famullitari Don Franë Kola, duke e falënderuar ipeshkvin që e udhëhoqi meshën e shenjtë të festës, falënderoj edhe të gjithë shtegtarët e pranishëm, dhe i ftojë të jenë në mbështetje të kësaj bashkësie të re e të vogël. Pas gëzimit të meshës së shenjtë, vazhdoi edhe gëzimi i agapes vëllazërore në qendrën pastorale./drita.info

Comments are closed.

« »