Besimi

Jan 29 • Meditimi i ditës

29 janar 2021 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Heb 10,32-39; Ps 37,3-6.23-24.39-40; Mk 4,26-34)

 

Prania e Hyjit

“Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet.”

Ndërsa hyj në lutje sot, pushoj një moment me besim se – çfarëdo që mund të ndodhë në jetën time dhe të gjitha sfidat me të cilat përballet bota sot – dashuria e Zotit i shpërblen të gjitha: ‘Zoti e pa dhe e shpërbleu popullin e vet’.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.

Gjithmonë e ndafsha këtë bekim me të tjerët.

 

Fjala

Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

E dëgjoj me mend e zemër dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Heb 10,32-39

 

32 Le t’iu bien në mend ditët e para kur, sapo të ndriçuar, ju desh të duroni një luftë të madhe mundimesh: 33 tani botërisht të vënë në lojë dhe të salvuar, tani të bërë pjesëtarë në vuajtje me ata që i pësonin të tillat. 34 Sepse, ju morët pjesë në vuajtjet e të burgosurve dhe me gëzim duruat t’iu rrëmbejnë pasuritë, sepse e dinit se keni një pronë më të mirë dhe të pakalueshme. 35 Mos e humbni, pra besimin! Ai ka shpërblim të madh! 36 Vërtet, keni nevojë për qëndresë që, duke kryer vullnetin e Hyjit, t’i fitoni të mirat e premtuara.

37 Sepse:

»Edhe pak, krejt edhe pak kohë,

dhe do të vijë Ai që duhet të vijë – nuk do të vonojë!

38 Dhe i drejti im do të jetojë prej fesë, por,

nëse bie nga feja, shpirti im nuk do të kënaqet në të«.

39 Ne veç, nuk jemi prej atyre që bien nga feja për t’u bjerrë, por prej atyre që besojnë për t’u shëlbuar.

 

Çfarë po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo letër i inkurajon këta të krishterë të hershëm ta mbajnë fenë e tyre gjatë përndjekjeve. Përpjekje, vuajtje, ekspozim publik dhe abuzim… A mund të lidhesh me ndonjë nga këto në udhëtimin tënd të fesë?
  • Ndoshta feja jote është e sfiduar gjatë periudhave të bllokimit (lockdown-it), mbase edhe ti ke vuajtur. Flit me Zotin se si kjo kohë po ndikon në fenë tënde.
  • Kur ta dëgjosh përsëri leximin, vë re veçanërisht tonin e mirëbesimit në fragment… a është kjo diçka që do të dëshiroje ta kishe më shumë në fenë tënde?

 

Bashkëbisedimi

‘Mos e humb besimin’. Ndërsa po e përmbyllim këtë kohë lutjeje, kaloje një moment duke e kujtuar sot Kishën e përndjekur dhe të gjithë njerëzit që durojnë vuajtje të mëdha për fenë e tyre, duke i sjellë para Zotit në lutjen tënde.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Faleminderit, o Zot, se nuk kam ardhur në këtë botë që të të ndihmoj për të pastruar rrëmujën. Ti je ai që vepron. Dinamizmi yt, efikas në natyrë nga fillimi i kohës, do të duhej të më bënte të përvuajtur.

Ti je forca e rritjes dhe nëse ma bën nderin që të mund ta zhvillojë rritjen, kjo është dhuratë e jotja për mua, dhe jo dhuratë e imja për ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »