POETIKA E INTROSPEKSIONIT

Feb 2 • Kulturë, Letërsi, Recension

Prend Buzhala,  “Në kapërcyell“, roman me tregime pleqërishte, botoi Lena, Prishtinë 2020.

 

Nga Mikel GOJANI

 

Romani “Në kapërcyell” i Prend Buzhalës, strukturohet sipas poetikës së kontrapunktit muzikor. Dy plane tekstesh: gjashtë kapituj që shënjohen si rrëfime romanore me karakterizimet e shkronjave shënjuese universale: alfa-rrëfimi, beta-rrëfimi, theta-rrëfimi, delta-rrëfimi, gama-rrëfimi dhe paralaks-rrëfimi e që shfaqen si poetikë e metarrëfimit në gërshetim me rrëfimin. Dhe plani i dytë tekstual a i gjashtë njësive të tjera që quhen Tregime pleqërishte e ku secila njësi e tillë i ka nga shtatë tregime me pak fjalë (një zhanër i parapëlqyer i Buzhalës). Kështu, romani del mjaft i ndërliqshëm jo vetëm “së jashtmi”, por edhe së brendshmi.

 

  1. Planet tekstuale e kohore

Në të dy planet tekstuale, protagonisti kryesor është Plaku. Madje edhe personazhet tjerë nuk emërtohen fare, si nipi, mbesa, gruaja, miku, luftëtari, djali, oficeri armik, nusja etj. Karakterizimi i tillë i personazheve na sugjeron se ky është personazh kolektiv, është populli e fati i tij.

Kur e thamë që poetika thuret sipas kontrapunktit, kishim parasysh faktin narrativ: që plani i parë tekstual, i shënjuar prej një deri më gjashtë, përbëjnë rrëfimet e ethshme, me përjetimet e rënda të kryepersonazhit, me alternimet e rrëfimit herë në veten e parë, herë në disa variante të vetes së dytë dhe në veten e tretë. Themi: të ankthshme, për ta cilësuar rrëfimin e rëndë, të përjetimit të masakrës së familjes në luftën e fundit, siç janë vrasja e djalit të tij të vogël, vrasja e prindit, vrasja e miqve të strehuar gjatë luftës në familjen e tij, dhuna e paramilitarëve mbi femrën shqiptare, shkelmi i paramilitarit mbi gruan shtatzënë e ky është kapitulli: NJË, 1998, ALFA- RRËFIMI (ose rrëfimi që nuk lindi); që e përjeton vdekjen e bashkëshortes së tij që i pëlcet zemra në liri nga tragjeditë që kanë ndodhur: asociacion i sa e sa nënave që vdiqën me zemër të plasur: kapitulli DY, 2000, BETA-RRËFIMI (ose rrëfimi i mbajtur peng); që, si i ri, e përjeton dhunën e aksionit të armëve më 1956 e shpërnguljet për në Turqi, mbytjen e gjyshit në gropën e gëlqeres, lidhjen e prindit në pranga e burgosjet: kapitulli TRE, 1956, THETA-RRËFIMI (ose vdekja e dhimbjes dhe vdekja e rrëfimit) – të gjitha i sheh si dëshmitar nga e njëjta arë, afër shtëpisë së tij, i strehuar; rrëfimin gjenealogjik të familjes që nga shekujt paraosmanë e osmanë – qëndresa, dhuna, vrasjet, djegiet, dëbimet, rrëfimi për Shën Vlashin): kapitulli KATËR, 2006, DELTA-RRËFIMI (ose rrëfimi me fije të këputura). Te ky kapitull lexojmë këtë fragment:

“Shën Vlashi ishte mjek, që e kishte pranuar krishterimin, kur persekutorët romakë e kishin lidhur për një shtyllë, deri sa i torturonin dy gra dhe katër bashkëvendës të tjerë. Më e lehtë iu duk dhembja kur nisën ta thernin me thikë e t’ia hiqnin pjesë-pjesë mishin nga trupi, se kur qëndronte i lidhur dhe nuk kishte kurrfarë fuqie t’u jepte ndihmë grave dhe burrave. Ishte tortura më e rëndë e dhembjes që njeriu e provon në jetë të jetëve… “.

Tashmë këtu përforcohet kryetema e romanit: pamundësia ose pafuqia për ta ndihmuar familjen ose Tjetrin në çastet më të rënda të dhunës e të shfarosjes. Te kapitulli i pestë: PESË, 1999, GAMA-RRËFIMI (ose kur rrëfimi mbetet eng), kyrepersonazhi, Plaku, përjeton edhe vdekjen e djalit-luftëtar, më 1999, i cili qëndroi tri ditë duke luftuar me dy bashkëluftëtarë, kundër forcave armike, për t’i dalë në ndihmë popullatës së dëbuar; kryepersonazhi e sheh si dëshmitar nga një distancë, edhe këtë vrasje; edhe njëherë lexojmë pafuqinë për t’i shkuar në ndihmë djalit luftëtar, si prind duarthatë. Te kapitulli i fundit: GJASHTË, PARALAKS-RRËFIMI, PA DATË E KOHË (ose rrëfimi në kapërcyell), vjen katarsisi i tij: ai mposht hakmarrjen e grumbulluar, përjeton çlirimin nga ato barrë të rënda psiko-tragjike të së kaluarës, shfaq reflektimet e tij për pamundësinë e individit për t’i dalë në ndihmë të vetëve, kombit apo fatit kolektiv.

Te secili kapitull apo rrëfim ai përjeton vdekjet, aty gjendet dëshmitar, i sheh të gjitha dhe i rrëfen këto ngjarje-dëshmi, si përsiatje mbi pamundësinë. Në këtë mënyrë, nëpër këta kapituj shfaqet alter-egoja apo zëri i brendshëm, i shënjuar si Zëri i Padukshëm i Rrëfimit, e që janë rrëfime të dytëshorit, psiko-rrëfime e psiko-përsiatje për përjetimet e rënda. Janë përsiatje-rrëfime brenda rrëfimit, tekste të një diskursi herë filozofik, herë politik, herë historik, shumështresor e që e thurin poetikën e metarrëfimit, një shtresë mjaft funksionale estetikisht në tërësinë e veprës.

 

  1. Metaforika narrative-artistike e kapërcyellit

Gjashtë njësitë tjera (Tregime pleqërishte), ku pesë njësi kanë nga shtatë rrëfime dhe njësia e fundit ka katër këso tregimesh pleqërishte; vijnë si zbutje totale narrative, si qetësim i brendshëm, e ku protagonistë janë plaku, nipi dhe mbesa që e kanë përjetuar luftën si fëmijë e tani janë të rritur, por ku rrëfehen përvojat jetësore të plakut, rrëfime që marrin karakterizime të një parabole jetësore, urtie jetësore. Janë strukturat e një kapërcimi e kapërcyelli nga situatat e ankthshme në ato “normale” të pasluftës. Fjala “kapërcyell” (sipas fjalorit: “Shteg kalimi për njerëzit në gardhin e një kopshti etj.; shkallë e thjeshtë ose dru me bigë të madhe që mbështetet në anë të një gardhi për të kaluar matanë… Shteg i ngushtë kalimi, vendkalim i ngushtë në një pyll” apo me kuptimin figurativ: “Etapë a fazë kalimtare; fundi i një shekulli, faza a koha e kapërcimit nga një shekull në shekullin tjetër”); është ai kapërcyelli ynë epokal historik, nga një gjendje mijëra-shekullore në robëri, për të ardhur në mijëvjeçarin e ri me lirinë e Kosovës. Prandaj edhe kontrapunkti letrar është jashtëzakonisht funksional me planet kohore e njësitë tekstuale artistike. Por kjo fjalë-metaforë, shënjon edhe fazat e moshës së jetës së një njeriu (shënjuar këtu përmes kapitujve e viteve). Te kapitulli i dytë hasim këtë replikë dialoguese:

“Të kuptoj. Ecja nëpër ankth është si të ecësh nëpër prush. E kishte të pamundur të mos ecte kësisoj. Te ti shoh një tjetër qenie, mu si ajo e legjendës së Nabukodonozorit: ecën nëpër prush dhe në fund del i paprekur, pikërisht për shkak të besimit që kishte. Është mirë që nuk heq dorë nga ky prush i jetës, por aty, në mes ecjes nëpër ankthin e prushit të jetës, katandisjes dhe shpëtimit, është vetëm një tis i hollë. Është ai kapërcyelli midis jetës e vdekjes, midis ekzistencës dhe asgjësë, midis qiellit dhe tokës. Midis qenies e mosqenies. Midis meje e teje. Por një gjë nuk e kam të qartë: çka dëshiron të arrish me këtë qëndrim? Çka do të ndryshosh?”

Apo:

“- Është vetëm një hap te ky kapërcyell: midis çmendurisë dhe gjenialitetit. Midis manisë e obsesionit. Unë po e marr rolin tënd të jem i sëmurë.”

Apo:

“- Por nuk e di se sa i kupton. Mua më duhet të të qëndroj roje mu te ai kapërcyell: të mos rrëshqasësh kah ana e ndjeshme ku gjendet humnera.”

Apo, kur gruaja i gjendet midis jetës e vdekjes, ringjalljeve e rishkuarjeve në tjetrën botë:

“Diçka po ndodhte midis jetës e vdekjes. Hë?! Ti je aty gjithnjë, në atë mjedis, në atë kapërcyell. Maestro i këtyre gjendjeve për t’i zënë klaviaturat e ritmit të jetës dhe vdekjes, zemrës dhe frymëzënies. Atë fije të hollë e ke ajgëtuar vetëm ti. Ashtu zgjati ajo natë, deri në mëngjes. Fija e Hollë lëvizte, aq e padukshme për të tjerët, por ishe ti ai vëzhguesi i asaj fije që e mbaje në jetë.”

Ndërsa te kapitulli i gjashtë autori ndërhyn me dy emërtesa narrative, huazuar nga fushat tjera: paralaks-rrëfimi apo rrëfimi në kapërcyell. Paralaksa është lëvizja e këndvështrimit të kamerës a matjeve të një objekti në astrologji (dy vija shikimi drejt një ylli). Drejtshikimi a këndvështrimi i rrëfimit këtu lëviz: s’ka më rrëfime të rënda, historia është harxhuar (deri në absurd) me to! Ja se si lëviz ky rrëfim, edhe brenda faqeve të romanit, përmes replikës narrative:

“- Vij nga bota tjetër, – i tha Zëri i Padukshëm që e quan veten Rrëfim.

– Nuk kam nevojë të më vish në formën e përrallës. Përrallat janë produkt i imagjinatës. Nuk ka rrëfim as përrallë që vjen a ekziston në botën tjetër.

– Ti po harron se në rrëfim gjithçka është e mundshme.

– Po, në rrëfimin si pjellë imagjinate.

– Jo, në rrëfimin si realitet më vete, si botë më vete. Unë kam mundësi të shëtis edhe në botët tjera, pa u shkëputur nga kjo jotja. veçse gjithnjë së andejmi, kam fytyrën tënde. Më saktësisht, shëmbëlltyrën tënde, brendinë e shpirtit tënd.”

Ndodh lëvizja e qenies.

Ndodh edhe lëvizja e kohës, e moshës. Gjithçka është në lëvizje, nga kapërcyelli a kapërcimi prej një situate a gjendjeje në tjetrën. Një cikël që nuk merr fund asnjëherë. Ky është ekstremi tjetër kundruall absurdit të ngurosur në kohët moderne.

 

  1. Ideja e ndërliqshme e pafuqisë së individit

Një ide që përthuret përgjatë gjithë veprës, e që shfaqet si përjetimi kryesor i personazhit, është ai i pamundësisë a i pafuqisë. Personazhi, siç e thamë, i sheh si dëshmitar e i përjeton ato situata të rënda të vrasjeve, vdekjeve e torturave që nga fëmijëria; ato shënjohen edhe në kronikën shumëshekullore gjenealogjike të familjes. Në të gjitha ato situata, ai ka qenë i pafuqishëm që të ndërhyjë apo të shpëtojë diçka. Në këso rastesh, ka edhe identifikime a inter-komunikime tekstesh (si poetikë postmoderne), bie fjala, me esenë e Václav Havel: “Fuqia e të pafuqishmëve” e që e citon te kapitulli i katërt:

“Ushtrimi i pushtetit përcaktohet nga mijëra ndërveprime midis botës së të fuqishmëve dhe asaj të të pafuqishmëve, aq më tepër sepse këto botë nuk ndahen kurrë nga një vijë e mprehtë: të gjithë kanë një pjesë të vogël të vetvetes në të dyja.”

(Václav Havel, Fuqia e të pafuqishmëve)

Më tutje vetë narratori thotë, përmes dytëshorit a zërit narrativ të dytë të tij:

“- E kam mbyllur atë derë me ato që kam përjetuar. S’kam se çka të kthehem më andej.

– Këtu qëndron problemi. Ti mendon që e ke mbyllur, por ke hapur shumë vrima të zeza nëpër muret e zemrës e të kujtesës. Vrima që të përpijnë ngadalë.

– Kam pasur një jetë përplot telashe e vuajtje, përjetime dhe mjerime. Po, më ka përcjellë në situatat kyçe pamundësia dhe pafuqia ime. Së bashku me dhimbjet e jetës e të shpirtit. E tash jam i lirë. I lirë të mos e shtoj këtë torturë me rrëfime që të shkaktojnë situata morale të rënda e gjendje të padurueshme të shpirtit. Liria ta krijon sigurinë, ta heq sfilitjen e jetës. Kjo është kryevepra e jetës sime. Mos ma prek këtë kryevepër. Po ta them: se ishin ato çaste, le t’i quajmë dobësie, kur i kam dhënë vetes të drejtë të dështoj. A të mjafton kjo që ta thashë? Tash largohu prej meje.”

Shpesh personazhi i thotë këtij Zëri që të ikën, të largohet, të mos a sëmbojë plagët, të mos i prekë në dobësitë e kësaj plage të pafuqisë që ther më shumë se një thikë. Por zëri nuk i shqitet, zëri i dytë narrativ shndërrohet në mjet operues, në operim të vetëdijes, shpirtit e qenies nga e ankthet e së shkuarës. Në këtë mënyrë, romani merr edhe trajtën e një seance spirituale, e një këshillimoreje siç janë sot institucionet shëndetësore (bie fjala, për nënat shtatzëna apo që rrisin fëmijë): këtu, metaforkisht, do të thotë, rritja e lirisë në fazën e saj të foshnjërisë, të fazës së saj të ndjeshme! Kaq thellë depërton ky roman në këto problematika! Çlirimi nga këto ankthe e nga kjo e shkuar nuk shqitet, çlirimi është veprim tejet kompleks, i ndjeshëm e i zorshëm. Dhe këto thjerrëzohen përmes vetëdijes së personazhit kryesor, mu në zjarrin a flakën e përjetim-kujtimeve. Zëri alternativ narrativ, është një thurje mjeshtërore që e përplotëson rrëfimin nga shumë kënde dhe i jep forcë arti tekstit të romanit.

Kjo pafuqi sikur merr kahe kah kapitulli i fundit, gjithnjë përmes replikës personazh- zë i dytë narrativ:

“A për këtë gjë e paske ruajtur këtë kronikë, tashmë me një obsesion të ri: se mungesa e fuqisë, ose prania e pafuqisë e paska përcjellë këtë popull që nga Iliria? – ndërhyri Zëri, që po më duket si një qenie ajri, eternale. I Padukshëm është edhe demoni, të tillë janë edhe Djalli, edhe satana, edhe engjëjt.

– Ndoshta ka diçka të vërtetë në këtë që po thua, – ia përplasa në fytyrë Zërit të padukshëm që po prezantohet si Rrëfim, dhe iu zbraza: – Këndej kanë mësyrë të gjitha perandoritë nga Lindja e nga Perëndimi. Këtu janë zbrazur me mllefin e tyre, këtu janë ndeshur për jetë a vdekje. Dhe ai që e ka pësuar më së tepërmi, është ky popull, janë këto troje. Këndej ato e përhapën dhunën, pushtetin absolut, korruptimin e gjithçkaje. Ata bën çmos për t’i përhapur edhe zhgënjimin e dëshpërimin ndër ne. Edhe këtë zhgënjim historik është dashur ta luftojmë, sa na është shndërruar në një tjetër gjendje a fatalitet dëshpërimi, fiksimi e shqetësimi: cili është tradhtari? Cili është ai?”

Apo:

“Vonë e kuptuat: ju nuk jeni ata që kishit pushtet. Kishin të tjerët. Pushtet kanë të tjerët. E përse Njeriun e Pafuqishëm duan ta shpallin të keq a burim të së keqes? Ishin të gjithë të pafuqishëm përballë këtyre perandorive e lukunive historike. Të gjithë ishin të përjashtuar, ose duhej ta luanin rolin e një mercenari në radhët e tyre. A thua, vetëm Të Fuqishmit kanë histori? E këta Të Pafuqishmit nuk e paskan? E po, pikërisht këta e kanë lëvizur atë rrotën e historisë, si ata skllevërit antikë, tek të cilët lindi koncepti për lirinë: se liria mund të fitohet, ose duke u blerë, siç e bleu me fabulat me talentin e tij Ezopi, ose duke luftuar, siç luftuan ilirët dhe ai Spartaku kryengritës. Ishte ai Ligji i Dhimbjes dhe Torturës… Prandaj, krishterimi ishte religjion i skllevërve, si ai i Shën Vlashit.”

Apo:

“Ti nuk e kupton, o Zë i Padukshëm, se janë pikërisht ata të fortit, të pushtetshmit e botës që e shfrytëzojnë këtë model të përsëritjes ciklike. Ne duam t’i japim fund kësaj pafuqie, siç e quan ti. Këtu e ka burimin terrori dhe gjenocidi, në vënien në lëvizje të kësaj përsëritjeje, modelit të këtyre shkaqeve.

– E po, si Plak, plak mbi plak, desha të të them, pra, se ti duhet të mendosh jashtë kësaj përmase të mendimit të tillë, sepse atëherë vërtet edhe koha lëviz. Se vihen në veprim atëherë edhe Zoti edhe Djalli.

– Nuk e ke të qartë këtë burim traumash.

– Unë e kam të qartë këtë burim traumash historike e kolektive. Më saktësisht, këtë traumë të të pafuqishmëve që ti heziton t’ua përmendësh emrin: të pafuqishmit. Të pengon për shkak të ngjarjeve të përjetuara. Ndodh lufta e fundit në Kosovë dhe aty u dynd bota për ta ndihmuar. Aty arriti kulmin ai denoncim i krejt kësaj historie, e cila për dy mijë vjet mbeti e shurdhër: tashmë ky vend, i mbetur peng shurdhimi, është i shpenguar. Por jo i shpenguar nga vetvetja… Ky shpengim ka krijuar një tjetër gjendje: posa e ke marrë pushtetin, ke prodhuar krizën e vetvetes.

Ika nga ato rrënoja, me kronikën në dorë, ta lexoja diku tjetër, në qetësi. Nuk mund ta duroja më Atë Zë.”

 

  1. Përvojat e urtisë së jetës dhe historisë

Siç e thamë, plani i dytë i teksteve, përbëhet nga tregimet pleqërishte. Madje, këto tregime thurin një unitet narrativ, stilistik dhe një frymë përsiatjesh e të botës së ideve brenda strukturës së përgjithshme të romanit. Janë tregime të një kohe të çliruar, a kapituj jete të kohës në Kosovën e lirë, që iu kundërqëndrojnë (si një kontrapunkt) situatave gjithë ankth të së kaluarës.

Në këtë mënyrë, romani ka edhe një strukturë komplekse të kohëve të rrëfimit. Situatat retrospektive rrëfehen nga pozicioni i të sotmes, si përjetim, si rrëfim e dëshmi e drejtpërdrejtë (kapitujt 1, 2, 3, 5 e 6), apo edhe si kronikë e rrëfim i kallëzuar brez pas brezi (kapitulli i katërt). Lexuesit do t’i duket i ndërlikuar shtresimi i tillë i tekstit të romanit, por, në fakt, ato ngërthejnë ligjërimin e qartë, komunikues, madje shpesh edhe autokomentues, si metodologji e romanit, pra, si shpjegim i vetvetes: metarrëfimet, një poetikë e njohur e romanit modern. Porse ky roman ka edhe një strukturë postmoderne tekstuale, siç janë ironia e pafuqisë kolektive përballë mburrjes së kotë të kësaj pafuqie e pamundësie), apo citatet e shumta që shkrihen natyrshëm brenda rrëfimit, teksteve të përsiatjeve narrative a replikave e përplasjeve brenda të njëjtës ide.

Ja si vetëkomentohet, artistikisht, ky plan metanarrativ:

“Zëri i Padukshëm heshti. Vetëm po ia regjistronte impulset e kujtesës. Imazhet e turbullta. Apo valët alfa që transmetonin të dhëna valëzimesh nga aktiviteti elektronik i trurit, siç i quante ato ky Zë Rrëfimtar, që vinte nga ajo krijesë që quhej Rrëfim. Ishte ai keqkuptim që njeriu e krijon vetë në gjendje të mbylljes së syve a në gjendje kotullimi: se ashtu arrin në një shkallë më të lartë mendore. Porse ky Zë i Padukshëm po e zhveshtë krejt Plakun: fjala është për amplitudat e tilla, që gjoja ndikojnë në këto prirje e aftësi mendore. Këto reagime ky Rrëfimtar i quante alfa-rrëfim. Rrëfimin tjetër, në gjendje zgjimi, e quante beta-rrëfim, atë në gjendje gjumi e quante theta-rrëfim, për shkak të frekuencave më të ulëta … deri te delta-rrëfimi, në gjendjen e gjumit të thellë. Është gjë e mirë që kjo nuk i ndodh Plakut në gjendje zgjimi.”

Pamjet e së kaluarës vijnë përmes impulseve të kujtesës, e zgjuar përmes ëndërrimeve, zgjimeve të brendshme, metarrëfimeve, replikave të psiko-kujtesës brenda botës së personazhit etj. Këso pjesësh ka përgjatë gjithë romanit që e shpalosin shkallë-shkallë këtë pafuqi të etnisë, popullit, kombit. Personazhit sikur i bëhet obsesion (një tjetër die e zhvilluar në vepër, obsesioni), se aty ku gjendet, do të ndodhë e keqja, kobi!

“- Lëri këto idealizma! Unë flas për diçka tjetër, për anën tënde irracionale, për atë që të ka përcjellë prej rinisë, për pafuqinë tënde.

Për dhembjen torturuese të pakapërcyeshme që të ka munduar mu në çastet vendimtare. Po harron: a ka jetë pa shqetësime? E jeta e kujt është pa shqetësime e pa këso obsesionesh herë të mira e herë të errëta? Aty ku ka një të mirë, aty ka edhe humbje. E mira nuk është në anën e dhunës. Përpara e ke një ditë të re për ta nisur.

Ja, atje po të presin nipi e mbesa. Çohu nga kjo karrige parku ku je ulur. Ata po të presin duke buzëqeshur.”

Është zëri i brendshëm për t’u vetëçliruar. Dhe ky çlirim ndodh, me vënien në pah të jetës së të rinjve, nipit e mbesës.

Ndërsa tregimet pleqërishte, si struktura tekstore të romanit, bartin ide të shumta të vetakutualizimit e aktualizimit të përvojave jetësore:

“E hetoi: kur ishte i ri, ai thurte poetikën e rrëfimit, e tashmë ai po thurte filozofinë e rrëfimit të historive të tij…. Çuditej me ata që shkruanin. “Historia nuk mund të shkruhet, ajo rrëfehet”. Këtë mendim e përsëriste shpesh. Pranë e kishte nipin e rritur.” Idesë së rrëfimit që nuk mund të shkruhet, ai e rishqipton nëpër tregime, i bartur nga replikat narrative të kapitullit të parë. Prandaj edhe rrëfimi shpesh karakterizohet si rrëfim i prerë, me fije të këputura, rrëfim që nuk mund të lindë, apo rrëfim i mbajtur peng apo edhe i mbetur eng. Janë rrëfime që kurrë nuk prajnë, as nuk mund të thuhen kurrë deri në fund. Se ç’personazh është Plaku, ai na e thotë te njëri tregim: “Plaku kujtoi: – Mësimin e Qetësisë e pata mësuar, para shumë vjetësh, kur isha në moshë ende të re.” Dhe kjo qetësi ka qenë triumfuese përballë së keqes.

“Kohë të çuditshme për mbjellje.

Kohë të çuditshme edhe për formimin e karaktereve njerëzore. Këto gjëra po i bisedonte Plaku me nipin e mbesën, deri sa po e mbillnin arën.”

Ambientet alternohen: nga e kaluara, në ato të pasluftës në qytet e në fshat. Ideja e lëvizjes (DITA MË JETËSHKURTËR), ajo e tjetërsimeve të karaktereve njerëzore pas luftës (SHTËPIA MË E BUKUR), ajo e përleshjes së kohëve nostalgjike të djeshme me gjithë këtë kaos të së sotmes (IU DUK SE U ZHYT ATY KU NUK DUHEJ) përbëjnë sfondin e shtatë tregimeve të para.

Ky ritëm i tillë vazhdon edhe te njësitë e tjera narrative të tregimeve pleqërishte; tregime që i shkojnë karakterit të Plakut, të pajisur me përvojat e rënda të përjetimeve, qëndresës dhe urtisë së jetës, ekzistencës e gjëllimeve nëpër histori.

  1. Në dalje, apo alkimia e zhanrit

Në fund të romanit autori ka një njësi tekstuale me pak fjalë e që e emërton “Në dalje”:

“Isha dënuar të jem i pafuqishëm.

Mbeta luftëtar i vetme në betejat e mia të jetës.

Isha dënuar të jem dëshmitar kohe e në kohë. Pjesëtar në gjërat më të pamundshme dhe më e pamundshmja te ato më të lehtat. Për shembull, te më e lehta, siç është vdekja. Te më e rënda siç është jeta.

Isha dënuar të jetoj.

Isha dënuar të fal, të fal, të fal.

Nipit dhe mbesës nuk ia dhashë Librin tim të Hakmarrjeve, me emra kriminelësh e gjakatarësh. E zhduka.

Isha shndërruar në gogol të vetvetes, nga i cili përbindësh edhe vdekja po frikësohet.”

Ky është romani i tretë i Prend Buzhalës, që vjen pas të parit “Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë” (2003) dhe “Njerëzit prej fibrave të dritës” (2019). Në të tre romanet personazhi sejtë një Njeri i urtë që shëmbëllen vetëdijen e Zgjuar ndër shekuj e kohë. Ky është një cikle romanësh le t’i quajmë edhe romane të karakterit shpirtëror, ku më tepër vihet në pah spiritualja se materialja: më tepër theksohet bota e brendshme se ajo e jashtme. Burimet janë të dyanshme, e jashtmja dhe e brendshmja i japin e i marrin njëra-tjetrës.

Duke qenë njohës i mirë i poetikave të panumërta narrative të romanit bashkëkohor, duke qenë njohës edhe i rrymave të shumta të mendimit kritik, P. Buzhala e jep edhe modelin e tij të romanit të ndërliqshëm modern e postmodern. Në dy romanet e fundit autori e provokon edhe vetë zhanrin e romanit, për të krijuar një tej-zhanër, apo siç thotë shpesh vetë autori, për të luajtur me alkiminë e zhanrit: roman me tregime pleqërishte,siç e përkufizon autori, një si dyzim a hibridizim zhanresh. E sfidon romanin tradicional, por edhe atë që mëton të jetë postmodern, po me të njëjtën alkimi kreative artistike.

Ai tashmë e ka përmbyllur me këta tre romane një cikël interesant të krijimit artistik, atë të introspeksionit të botës së brendshme të personazheve e të realitetit, do të thotë të sprovimit e të vëzhgimit të proceseve personale dhe emocionale, të cilës i shkon një qetësi e brendshme narrative. Aristoteli thotë: “Njohja e vetvetes është fillimi i gjithë mençurisë.” Por më së miri kësaj poetike i përgjigjet thënia e Karl Gustav Jungut: “Kush shikon jashtë, ëndërron; kush shikon brenda, zgjohet.” Pafuqia ndër vite e shekuj ishte ëndërrimi për lirinë. Zgjimi ndodh në kohët e vetëçlirimit e të çlirimit. Poetikën e tillë Sartri na e sqaron: “Introspeksioni është gjithmonë retrospektivë.” Personazhi i gjen pikat e veta të forta të pafuqisë së tij, dhe i përforcon ato, por i gjen edhe ato të ligshtat, të bishtat, gjithnjë përmes vetë-replikës, replikës ku ndër vetvetes, e ku autori e zgjidh këtë problematikë përmes zërit të dytë narrativ. Kjo e bën më të besueshëm, më objektiv, këtë strategji të rrëfimit e të vetëvëzhgimit: ky personazh dhe ky realitet shfaqen të tillë, çfarë janë në të vërtetë! Aty ku vjen një rrëfim i rëndë, aty paraqitet edhe mendimi i duhur, edhe fuqia e qetësisë së brendshme, edhe mjeshtëria autoriale e trajtimit. Ky vëzhgim së brendshmi nuk e lë qenien të thyhet, por e ngre në këmbë, pas aq e aq tragjedish. Është ky popull që ngrihet në këmbë, për t’i mundur furitë e djeshme të shfarosjes. Ky personazh është një shpirt i lënduar, ashtu siç thotë Shannon L. Alder: “Shpirtrat më introspektivë janë shpesh ata që janë lënduar më shumë.” Ndryshe, nuk do ta kishim atë vizion artistik që na e qartëson pozicionin e tij: vetëm nëse shikon zemrën tënde, brendinë tënde, e arrin atë çlirim, atë vizion. Dhe kjo e bën personazhin, siç e thotë të fund të romanit, që ta hedhë tutje Librin e Hakmarrjes për të mos ua lënë testament gjeneratës së re.

Ai shikon shumë në vuajtjet e tij të djeshme e të sotme. Mu si ai Jobi biblik e që e citon që në fillim të romanit. Citatet e përzgjedhura janë një tjetër bukuri e kënaqësisë së leximit që ta ofron vepra, një çelës për të depërtuar së brendshmi në këtë vepër.

Vizionet tuaja do të bëhen të qarta vetëm kur të mund të shikoni në zemrën tuaj. Kush shikon jashtë, ëndërron; që shikon brenda, zgjohet.

Ky roman hyn ndër prozat më të ndërlikuara në letrat shqipe, dhe tejet paradoksal në thurjet e tij: aq i thellë në depërtimet e kohëve, personazhit dhe botës së tij e aq i qartë, i lexueshëm e i drejtpërdrejtë në diskursin e tij ligjërimor./drita.info

Comments are closed.

« »