Radio Maria e Kosovës: “Një zë i krishterë në shtëpinë tënde”

Feb 2 • Kisha në Kosovë

Në 8-vjetorin e themelimit

 

Nga Don Lush Gjergji

 

 

Tetë vjetori i RMK-së me program dhe transmetim

Fjala e urtë latine thotë: Kohët ndryshojnë dhe ne në to. Koha kalon, mos të them fluturon. Në këtë emision – shkrim kushtuar  8-vjetorit të RMK-së me program dhe transmetime, është një çast, rast dhe mundësi e mirë për t’u ndalur, me qëllim që të shohim më mirë kur dhe si kemi filluar, ku jemi tash dhe ku duam të arrijmë.

 

Pak histori dhe shpjegime

Radio Maria e Kosovës është Shoqatë jofitimprurëse dhe jo politike. Veprimtaria e saj themelore është radiofonike. Qëllimi kryesor është promovimi i vlerave më të larta njerëzore dhe të krishtera, me qëllim ndërtimin e një shoqërie demokratike e të hapur ndaj solidaritetit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Veprimtaria e radios realizohet në sajë të punës vullnetare të meshtarëve, rregulltarëve, shekullarëve, të rinjve, fëmijëve, si dhe ndihmës financiare të dëgjuesve të Radio Marisë, të cilët përfaqësojnë shtresat më varfra të shoqërisë (pensionistë, të sëmurë, të vetmuarve).

Radio Maria si Shoqatë u krijua në Itali, në janar të vitit 1987, projekt që ishte nisur prej P. Livios në vitin 1983 në famullinë Erba, provinca e Komos, në Itali. Kjo Shoqatë përbëhej nga shekullarët dhe meshtarët, për ta pasur një radio të pavarur të famullisë për komunikim të brendshëm, por edhe për katekizim dhe ungjillëzim.

Të gjitha Shoqatat e Radio Marisë në të pesë kontinentet janë anëtare e Familjes Botërore e Radio Marisë, që garanton origjinalitetin e markës, ofron mbështetje teknike, ligjore dhe administrative të zhvillimit të këtij projekti misionar. Tash janë mbi 80 Radio në vende apo shtete të ndryshme të botës.

 

Qëllimet e RM

Qëllimi kryesor është promovimi i shpalljes së porosisë ungjillore me gëzim, shpresë dhe pjesëmarrje, për t’i ngushëlluar të sëmurët dhe të varfrit, të vetmuarit, për informim dhe formim të jetës së krishterë, gjithnjë sipas Mësuesisë së Kishë Katolike, me shpirt dhe frymë mariane. Parimi bazë është ky: “Shumë stacione, me një Mision.”

 

Historiku i shkurtë i RMK-së

Radio Maria filloi të dëgjohet edhe në gjuhën shqipe, në një vit mjaft domethënës për ne Shqiptarët (2003), në përhapje të porosisë së paqes dhe dashurisë ndër ne, nën ndikimin fatbardh dhe të bekuar të lumturimit të Nënës Tereze. Me angazhimin shembullor të Don Prekë Lazrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, lindi propozimi që një radio e tillë të themelohej edhe në Kosovë. Kështu me ndihmën e Zotit, përkrahjen amësore të Virgjërës Mari, Këshilli nismëtar ishte themeluar qysh në kohën e Imzot Mark Sopit; ndërsa më 29 janar 2013 fillori punën edhe stacioni i Radio Marisë së Kosovës në gjuhën shqipe, me seli në Prishtinë.

Tani RMK-së ka dy frekvenca dhe mbulon diku afro 80% të territorit të Kosovës, synon lidhjen e brendshme të famullive në Ipeshkvi Prizren-Prishtinë, me mërgimtarët dhe Misionet Katolike Shqiptare në Evropë dhe në botë, me një qëllim të vetëm: që të jemi sa më afër – bashkë me Zotin dhe me njëri-tjetrin.

Për të gjitha këto hire dhe bekime në rend të parë dëshirojmë t’i zgjojmë ndjenjat e falënderimit, ndaj Zotit, Virgjërës Mari, RMSH-së, (Radio Marisë së Shqipërisë) RMB, (Radio Marisë Botërore). si dhe të gjithë atyre që në çfarëdo mënyrë janë me ne,  ekipi apo stafi ynë, dëgjuesit, vullnetarët, bashkëpunëtorët, bamirësitë, të gjithë njerëzit e vullnetit dhe të zemrës së mirë.

Në kushte në të cilat kemi filluar, pa njohuri dhe përvojë në lëmin e radiofonisë, është mrekullia e Zotit që kemi ardhur deri këtu.

 

 Presidentet dhe drejtorët e RMK-së

Shoqata e Rado Marisë është themeluar në vitin 2004, ndërsa është aprovuar me 26 maj 2004. Ishte një lloj përgatitje e largët për veprimtari të mëvonshme. Përfaqësues i autorizuar, një lloj Presidenti, ka qene Prenë Gegaj; ajo këtë detyrë ia dorëzon Dedë Abazit më 5 tetor 2009. Deda e mban postin e Presidentit deri me 28 janar 2012; Dedën e zëvendëson Engjëll Duzhmanit (kjo është data nga mbledhjet, kurse në Zyrën e Regjistrimit, kjo bëhet një vit më vonë). Engjelli është President i RMK-së deri më 9 tetor 2013; Greta Kaqinari zgjidhet Presidente dhe në detyrë të tillë ishte  deri me 7 shtator 2018, kur angazhohet Don Shtjefen Dodes, së pari si bashkëpunëtorë dhe zëvendës i Don Lush Gjergjit, tash Drejtor i RMK-së.

Greta Kaqinari ishte Presidentja e parë, pas Dedë Abazit, në kohën e fillimit të transmetimeve, kurse Drejtori i parë i RMK-së ishte Don Rrrok Gjonlleshaj,  tash argjipeshkvi i Tivarit, të cilin edhe Papa Françesku në bullën e emërimit për argjipeshkëv të Tivarit e përmend me këto fjalë: “Ti vërtet me zell ke krye shërbimin në famulli, si dhe në radiostacionin “Maria”, po ashtu edhe detyrën e Ekonomit, duke dëshmuar shkathtësi të veçanta dhe përkushtim, zell baritor në shpalljen e Ungjillit, si dhe përvojë në administrim. Prandaj na dukesh Neve në tërësi i përshtatshëm për këtë detyrë…”

(Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më pesë prill, Viti i Zotit dymijë e gjashtëmbëdhjetë, në Jubileun e Mëshirës, viti i katër i Pontifikatit) FRANÇESKU

Drejtori i dytë ishte  Don Jeton Thaqi, ndërsa Presidente ishte Greta Kaqinari, dhe së fundi unë për afro 5 vjet, presidente Greta Kaqinari deri në vitin 2018;  tash dy vite drejtor është Don Shtjefën Dodes, president i RMK-së prof. Ilir Rodiqi.

Drejtori i parë Don Rrok Gjonlleshaj ishte “pionieri ynë”,  dallohej me guxim dhe përkushtim, thuaj se pa askënd dhe asgjë, por duke besuar në Zotin dhe ndihmën e Tij, në Zojën Mari, në nevojat e Kishës dhe Popullit tonë.

Don Jeton Thaqi është munduar që RMK-së ta begatojë dhe pasurojë me programe, bashkëpunëtorë, sidomos në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Unë e kam marrë drejtimin e RMK-së, me pëlqim të Imzot Dodë Gjergjit, të RM evropiane dhe botërore në gusht të vitit 2015 deri në vitin 2020. Gjatë kësaj periudhe jam mbështetur së pari në Zotin, Virgjërën Mari, në meshtarët dhe rregulltarët – rregulltarët tona, në bashkëpunëtorë laikë, sidomos duke ia mundësuar çdo famullie së pari dy herë në vit transmetimin e drejtpërdrejt të Meshës, ngjarjeve në famulli, kuptohet, duke paraprirë me historikun e famullisë. Po ashtu e kam zgjeruar Mariatonën e RMK-së pothuaj nëpër të gjitha famullit, duke iu paraqitur besimtarëve tanë: kush jemi, çka duam dhe si duam të jemi në shërbim të Zotit, Kishës, të çdo njeriu.

Programet tona ngadalë janë begatuar me risi, çdo ditë në ora 10. 00 – 10. 45, pasdite më ora 16. 00 – 16. 45, me emisione kryesisht drejtpërdrejt, transmetimi i Meshës ditore, të dielave dhe festave lutjet,  emisionet kontaktuese, njetet, porositë, përvjetorët…

Për shumë dëgjues RMK-së ofron herë apo takimin e parë me Krishtin, Kishën katolike, fenë e moçme të parëve tanë, si specifikë dhe mundësi origjinale.

 

RMK-së dhe RMB – bashkëpunimi dhe përkrahja e gjithanshme

Bashkëpunim me RMB ka qenë i shkëlqyeshëm. Ata na kanë kuptuar në hallet tona, në çdo nevojë dhe kërkesë na kanë ndihmuar, kanë qenë shpesh edhe në vizita punë në Kosovë.

Këtu duhet theksuar që të gjitha pajisjet teknike në studio, pastaj studiot mobile, një pjesë edhe të mjeteve financiare,  kanë mbuluar ata; kanë trenuar ekipin tonë, na kanë mundësuar pjesëmarrjen në takime botërore dhe evropiane.

Dua ta përmendi me shumë nderim, falënderim, kënaqësi dhe përvojë të bukur Kongresin e VII-të të Radio Marisë Botërore në Collevalenza të Italisë (25-30 tetor 2o18), me temë: ungjillëzimi dhe riungjillëzimi, sfidë dhe mundësi e re për Kishën katolike në botën e sotme.

Rrethi  i këtij Kongresi ishte i mrekullueshëm, shenjtërorja e “Mëshirës Hyjnore”, varri i Nënës Speranza, mozaiku i pjesëmarrësve, dëshira për t’u njohur, takuar, afruar dhe bashkuar me Zotin, Virgjërën Mari, me kishat e ndryshme katolike në mbarë botën, zgjonte ndjenja sigurie, lumturie, mbi të gjitha vullnet veprimi dhe shërbimi.

Pika kulmore e këtij tubimi ishte 29 tetor, takimi  personal me Papën Françeskun me çdo drejtor dhe President, fjala e tij atërore dhe përkrahja e tij shpirtërore dhe morale për Radio Marinë botërore. Ai ndër të tjera tha: “Gjatë ditë janë në dëgjim të Radio Marisë së paku 20 milion njerëz, të cilët janë në kërkim të fjalës së Zotit, Zotit, në Kishë dhe në botë… Virgjëra Mari e përcjellët çdo fjalë, veprim dhe synim tuaj!…”

Unë Papës i dhurova monografinë Nëna e Dashurisë në gjuhën italiane dhe spanjolle, gjë  që ai e çmoi shumë. Të njëjtën dhuratë në gjuhë të ndryshme ma ka mundësuar botuesi italian VELAR për të gjithë drejtorët e RM, gjest që është çmuar nga të gjithë. Ato ditë Nëna Tereze ishte në mesin tonë, si frymëzim ungjillor dhe veprim i krishterë.

Përkrahja e RMK-së ishte e gjithanshme dhe vepruese, sidomos nga përgjegjësit evropian dhe botëror. U ktheva në Kosovë më një energji dhe frymëzim të jashtëzakonshëm, pasi përjetova “katolicitetin” e RMB në më se 80 shtete të botës. Njohuria, shkëmbimi i përvojave dhe punës, bashkëpunimi me mbarë botën, ishte rast unik për ne në Kosovë. Shumë pjesëmarrës për herë të parë kanë dëgjuar për Republikën e Kosovës, si shtet të lirë, demokratik, të pavarur, multietnik dhe multifetar.

Për mua Afrika ishte zbulim i këndshëm dhe shumë pozitiv, me ungjillëzimin e ri, nëpërmjet cilit fillon kthimi, vazhdon jeta e krishterë, synohet dhe kërkohet shenjtërimi. Pjesëmarrja e popullatës së varfër, me pak mjete, por shumë shpirt dhe zemër, bënin që ata të ishin të lumtur dhe krenar edhe me shifra financiare dhënë RMB dhe projekteve të ndryshme.

Dikush tha bukur kështu: “Ku ka zemër, ka edhe mjete financiare, mbi të gjitha dëgjim dhe pjesëmarrje.”

 

RMK-së dhe dy tubime europiane

Po ashtu edhe dy tubime evropiane  për mua ishin tejet të rëndësishme dhe frymëzuese: takimi i Radio Marive Evropiane në Hungari (20 – 23 mars 2017), me pjesëmarrje të Presidentes tonë Greta Kaçinari dhe timen. Prania  e kardinalit Peder Erdo, ipeshkëv Ndihmës të Budapestit, që ishte edhe Drejtori i Radio Marisë së Hungarisë, me grupe të punës shumë të frytshme, kremtime eukaristike vërtet domethënëse.

Në qendër të jetës, pra, edhe të veprimtarisë tonë, nuk jemi ne, jeta, puna, planet, veprimet tona, por Jezusi, kurse ne jemi gjithnjë në “shkollën e Marisë”, ishin vetëm disa theksime të bukura dhe shumë jetësore të këtij Kongresi evropian.

Në kohë e lirë jemi njohur me historinë e Austro-Hungarisë, si dhe të Kishës katolike në këtë vend, me parlamentin, kryeqytetin, monumentet e shumta kishtare dhe kombëtare.

Përshtypjet ishin të bukura dhe domethënëse, përvoja vërtet e krishterë, dëshira e madhe që secili prej nesh nëpërmjet RM vendore ta japim kontributin tonë në gjallërinë e fesë, frytëzimin e shpresës dhe ndezjen e dashurisë për “Zotin Dashuri dhe vëllain apo motrën njeri”, si do të thoshte Shën Nëna jonë Tereze.

Takimi tjetër i paharrueshëm ishte në Belgjikë, ku me mua ishte edhe koordinatorja e vyeshme Arbina Gecaj (5 – 10 shkurt 2018). Përpos shumë shkëmbimeve të përvojave të kishave, RM-ve, njohurive dhe grupeve të punës, aty patëm lidhje edhe me komunitetin shqiptar katolik në Bruxelles, dhe më gjerë, në Belgjikë. Më 11 shkurt, Zoja e Lurdit, pata Meshën për njerëzit tanë, diku afro 500, të përmallshëm për Fjalën e Zotit – meshën në gjuhen shqipe. Pasdite ishte një takim kushtuar përvjetorin të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut dhe Nënës Tereze.

Aty lindi edhe idea dhe propozimi, kërkesa për hapjen e një Misioni Katolik Shqiptar për Belgjik. Kisha vendore ishte e gatshme dhe me kënaqësi e priti këtë bisedim.

Malli, lotët e gëzimit, kërkesat e njerëzve tanë, kryesisht nga Shqipëria, Shkodra dhe Lezha, ishin mbresëlënëse. Vizita e Shenjtërores” Zoja e të Varfërve” në Banneux, kapela kushtuar Shën Nënës Tereze.

Pas një viti vizita e Imzot Zef Gashit, pastaj edhe vendimi i Imzot Dodë Gjergjit për hapjen e Misionit të ri, emërimi i Don Kastriot Idrizit, ishin vetëm disa fryte të prekshme të Virgjërës Mari dhe kësaj vizite dhe Kongresi pune.

Sot e ato ditë një pjesë e besimtarëve tanë katolikë shqiptarë pothuaj se janë dëgjuese dhe bashkëpunëtorë të rregullte të RMK-së.

 

Porosia dhe përfundimi

Çka të them tjetër përpos: falënderojmë Zotin, Virgjërën Mari, RMSH-së, RMB, të gjithë njerëzit e vullnetit dhe zemrës së mirë që na mundësojnë që “mrekullia” të vazhdojë, Maria të komunikojë me bijtë dhe bijat e saja, ne të bëjmë, një “vepër të vogël me dashuri të madhe.”/drita.info

 

Comments are closed.

« »