Kështjella dardane e Lekës

Feb 7 • Histori, Kulturë

Nga Haxhi MEHMETAJ

 

Teknika e murimit, gjetjet e fragmenteve të tullave dhe gjurmët e llaçit të gëlqeres të përzier më tullë të shtypur e vendosin kështjellën në antikitetin e vonë të shek. IV – VI pas Krishtit. Kështjella benë pjesë në sistemin e fortifikimit  të Dardanisë Perëndimore. Ajo u identifikua për herë të parë në vitin 2018 nga ekspedita e Institutit Arkeologjik i Kosovës e kryesuar nga autori i këtij shkrimi.

 

Në perëndim të fshatit Popoc të komunës së Gjakovës, pranë anës së majtë të përroit të paemër, në një kodër shkëmbore trung konike me lartësi mbidetare 757m është ndërtuar kështjella e cila nga popullata vendëse quhet me emërtimin Kalaja e Lekës.

Kështjella siguron mbrojte të mirë natyrore nga kurorat e kodrave mbizotëruese të Majës së Thepit të Samarit, Kujit të Rrezeve dhe kodrës Podi i Urishtës, në jugperëndim, kodrave Podi i Gërbaqit dhe Kujit të Pishës në verilindje. Kurse në lindje vrojtohet rrafshi fushor i fushëgropës së Gjakovës, një pjesë bukur e madhe e Rrafshit të Dukagjinit, sikurse edhe Kështjella Suka e Cërmjanit dhe Kështjella e Hereqit – Baballoqit. Në mesin e kurorave të kodrave gjendet gryka ndërmalore Gropa e Ponoshecit, e cila lidh rrafshin fushor me viset malore. Në afërsi të kështjellës ndodhen minierat e kromit.

Muri rrethues është ndërtuar në linjën më të lartë rrushkullore të izohipsës së kodrës duke i dhënë kështjellës formën e një planimetrie drejtkëndore jo të rregulltë, me anët e gjata lindje – perëndim 85m dhe anët e shkurtra veri jug 27.5m, përkatësisht 35.40m, kurse gjerësia e mesit të kështjellës arrin 46m. Ai është ngritur me gurë të shtërzuar shpati, në teknikën opus incertum, kryesisht mbi një taban shkëmbor. Trashësia e murit sillet nga 1.60 deri në 2.00m, ndërsa lartësia e tij e ruajtur arrin nga 0.60 – 1.30m.

Në anën lindore ndodhen një kullë drejtkëndore e ndarë në mes me një mur apo dy kulla dimensionesh afërisht 5x 5m, ndërsa në jugperëndim ndodhet një objekt ndërtimor, kishë (?) drejtkëndore përmasash 12 x 9m, ngritur në afërsisht në mesin e kështjellës, në të njëjtën teknikë sikurse muret e kështjellës. Në sajin verilindor të kështjellës është ngritur një mur i veçantë mbrojtës po ashtu në teknikën opus incertum, i gjatë 38m dhe i gjerë 2.00m. Teknika e murimit, gjetjet e fragmenteve të tullave dhe gjurmët e llaçit të gëlqeres të përzier më tullë të shtypur e vendosin kështjellën në antikitetin e vonë të shek. IV – VI pas Krishtit. Kështjella benë pjesë në sistemin e fortifikimit  të Dardanisë Perëndimore. Ajo u identifikua për herë të parë në vitin 2018 nga ekspedita e Institutit Arkeologjik i Kosovëse kryesuar nga autori i këtij shkrimi./drita.info

Fotografia në ballinë: Kështjella dardane e Popocit (foto dhe dizajn: Dukagjin Mehmetaj)

Comments are closed.

« »