Identiteti i Europës – pjesa I

Feb 8 • Kulturë, Opinion

Themelet e saja shpirtërore, dje, sot dhe nesër

 

Nga Joseph Ratzinger – BENEDIKTI XVI

 

Ç’është Europa? Këtë pyetje e kishte bërë disa herë edhe Kardinali Jozef Glemp në mesin e një grupi gjuhëtarësh të Sinodit Ipeshkvor për Europën: ku fillon dhe ku mbaron Europa? Pse, për shembull, Sibiri nuk është pjesë e Europës, ndonëse edhe atje jetojnë europianët, të cilët kanë krejtësisht metodë të njëjtë të të gjykuarit dhe të të jetuarit? Ku mbarojnë kufijtë e Europës në jugun e popujve të Rusisë? Ku kalon kufiri i saj përgjatë Atlantikut? Cilat ujdhesa janë e cilat nuk janë Europë dhe pse nuk janë? Në këto takime diskutimesh na bëhet krejtësisht e qartë, se Europa është koncept gjeografik vetëm në kuptimin anësor; Europa është kontinent që s’mund të kufizohet saktësisht me koncepte gjeografike. Përkundrazi, Europa  është koncept kulturor dhe historik.

 

  1. Krijimi i Europës

Krijimi i Europës shpaloset shumë mirë, nëse kthehemi në burimet e saja. Kur flitet për themelet e Europës, zakonisht Herodoti ( rreth 484 – 425 para Krishtit), merret si i pari që e pranoi Europën si koncept gjeografik, duke i dhënë këtë definicion: “Persianët e konsiderojnë Azinë dhe popujt barbarë që jetojnë atje si popuj të veçantë, derisa Europën dhe Botën greke e konsiderojnë territor të posaçëm”. Këtu nuk jepen kufijtë e Europës, por është e qartë se vendet që e përbëjnë celulën e Europës së sotme, shtriheshin krejtësisht jashtë fushëpamjes së historianit antik. Vërtet, me krijimin e shteteve të vogla greke dhe Perandorisë Romake u formua kontinenti, që më vonë u bë themel i Europës së ardhshme, porse me kufij krejtësisht tjerë: atëherë ishin vendet rreth Mesdheut, që, falë ndërlidhjeve të tyre kulturore, rrugore dhe tregtare, si dhe sistemit të përbashkët politik, bashkë njëra me tjetrën, e krijuan një kontinent të vërtetë. Dhe vetëm depërtimi i islamit në shek. 7 dhe në shek. 8 e ngrehi vijën kufitare në Mesdhe, duke e ndarë, thënë figurativisht, atë që deri atëherë ishte një kontinent me tri kontinente: Azinë, Afrikën dhe Europën.

Bota antike në Lindje u transformua më ngadalshëm se sa në Perëndim. Perandoria Romake kishte qendrën në Konstantinopol – edhe pse shkonte gjithnjë e më tepër kah fundosja – deri ne shek 15. Deri sa pjesa jugore e vendeve të Mesdheut, gjatë viteve të 700-ta, krejtësisht humbi atë që konsiderohej qendër kulturore e kontinentit, e në të njëjtën kohë, Europa shtrihej gjithë e më tepër në perëndim. Limes (kufijtë) që konsideroheshin kontinental, shuhen dhe hapen hapësira të reja historike, që tani përfshinin Galinë, Germaninë dhe Britaninë, si vende – qeliza të vërteta të kontinentit, dhe tutje shtrihej në drejtim të Skandinavisë. Gjatë këtij procesi ndryshimesh e transformimesh të kufijve, teologjia e historisë garantonte një kontinent ideal me kontinentin e mëparshëm mesdhetar, konstruktimi i të cilit do të vendosej me koncepte të ndryshme gjeografike. Duke nxjerrë asociacione nga libri i Danielit profet e të pajisura me besimin e krishterë, Perandoria Romake e reformuar e mbante veten si mbretëri të fundit dhe të përjetshme në historinë e përgjithshme botërore. Së këndejmi, bashkësia e porsakrijuar prej shteteve dhe popujve, quhej Sacrum Imperium Romanum i përhershëm.

Procesi i krijimit të identitetit të ri historik dhe kulturor përfundoi, me plot vetëdije, gjatë kohës së sundimit të Karlit të Madh (rreth 747- 814). Emri nënkuptonte mbretërinë e Karlit të Madh dhe në bazë të kësaj, bashkësia e re e shteteve, manifestonte kontinuitetin dhe risinë, e njëkohësisht, paraqitej si forcë e vërtetë e ardhmërisë, sepse shikohej si kontuinitet historik i botës së deriatëhershme, e cila përfundimisht ishte bregëzuar në atë që përgjithmonë do të qëndrojë. Kjo vetëkuptimësi që krijohej, shfaqte edhe vetëdijen e kalueshmërisë (kontingjencës), edhe vetëdijen e një misioni të vetëm. Vërtet, koncepti i Europës shumë shpejt do të shuhej në mbarimin e mbretërisë karolinge, për të mbetur gjallë vetëm në diskutimet e njerëzve të shkolluar; në bisedat e popullit të thjeshtë ajo do të lajmërohej vetëm në fillimin e kohës moderne – gjithsesi e ndërlidhur me kërcënimin Turk, si një formë vetidentifikimi – e që përgjithësisht do të rishfaqej, imponohej në shek. 18. Varësisht nga historiku i konceptit, krijimi i Mbretërisë së Frankëve, si mbretëri e pashuar ndonjëherë, dhe tani Perandoria Romake e reformuar, nënkupton hapin vendimtar kah fenomeni që ne sot e mendojmë kur flasim për Europën.

Kurrsesi s’duhet ta harrojmë rrënjën tjetër të Europës, rrënjën jo perëndimore. Perandoria Romake ka ekzistuar, siç e përmend më lart, në Bizant, përkundër dëbimeve të popujve dhe invazionit të Islamit. Bizanti konsiderohej Romë e vërtetë; Perandoria në Bizant kurrë nuk u zhduk, së këndejmi kishte arsye për ta fituar të drejtën për të marrë pjesë në pjesën perëndimore të Perandorisë. Kjo Perandori Romake Lindore më vonë do të shtrihej edhe në Veri deri në botën sllave. Kështu krijohet një botë më vete, bota greko-romake, që dallohet nga Europa Perëndimore Latine për nga liturgjia, për nga strukturimi tjetër kishtar, për nga gjuha/alfabeti – shkrimi, si dhe për nga braktisja e gjuhës latine si gjuhë e përbashkët, që atëherë mësohej nga të gjithë.

Patjetër që gjenden edhe elementë të mjaftueshëm të përbashkët nga këto dy botëra që do të mund të përbënin një kontinent të vetëm. Në radhë të parë, trashëgimia e përbashkët biblike dhe Kishës së lashtë, e cila jashtë këtyre dy botërave, e ka themelin në Palestinë, jashtë Europës. Pos kësaj, kemi idenë e përbashkët të Perandorisë, të kuptuarit e njëjtë për themelet e Kishës dhe krijimin e përbashkët të koncepteve bazë të drejtësisë dhe të mjeteve/instrumenteve të drejtësisë. Së fundi, do të përmendja edhe Rregulltarinë, e cila ka qëndruar gjatë ndeshtrashave historike si bartëse qenësore jo vetëm e kontinentit kulturor, por mbi të gjitha si bazë e vlerave religjioze dhe morale, bazë për ta orientuar njeriun për të fundmet e tij (kah eskatoni); si forcë parapolitike dhe mbipolitike u shndërrua në bartëse të përhershme e reformave të vazhdueshme.

Mes këtyre dy Europave, përkundër traditës së përbashkët kishtare, ende ekziston dallimi i thellë mes tyre, që e ka evidentuar veçanërisht Endre von Ivánka: në Bizant, Perandoria dhe Kisha gati se janë të identifikuara njëra me tjetrën; mbreti është udhëheqës edhe i Kishës. Ai e mban vetën për zëvendës të Krishtit, dhe, duke u ndërlidhur me personin Melkezedekut, që ishte mbret dhe prift (Zan 14, 18), prej shek. 6, kishte marr titullin “mbret dhe prift”. Për faktin se, që nga koha e Konstantinit mbreti s’e kishte selinë në Romë, në kryeqytetin e hershëm të Perandorisë, ka mundur të zhvillohet autonomia e ipeshkvit të Romës si pasardhës i Pjetrit dhe si kryebari i Kishës. Që nga koha konstantiniane është mësuar për dualizmin e pushtetit: mbreti dhe papa e kanë pushtetin e ndarë, asnjëri nuk ka pushtet të plotë. Papa Gelasia I (492-496) në letrën e tij drejtuar mbretit Anastasit e ka shfaqur konceptin e Perëndimit, e më qartësisht në traktatin e katërt, ku ai para Tipologjisë së Melkesedekut të Bizantit, thekson së pushteti i vetëm i përket ekskluzivisht Krishtit: “Ai (Krishti) për shkak të dobësive (superbia! krenarisë) njerëzore i ka ndarë dy shërbimet që askush të mos krenohet” (kreu 11). Për gjërat e jetës së pasosur mbretërit e krishterë kanë nevojë për meshtarë (pontifices), e meshtarët në anën tjetër iu nënshtrohen udhëzimeve të mbretit për sa i përket gjërave kohore. Për sa i përket gjërave të kësaj bote, meshtarët duhet t’i respektojnë ligjet e mbretit të zgjedhur sipas vullnetit të Hyjit, i cili megjithatë në çështje të fesë (hyjnore) duhet t’i nënshtrohet meshtarit.

Me këtë  konceptim është bërë ndarja dhe dallimi i dy pushteteve (autoriteteve), që ka rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të Europës dhe, të themi ashtu, krijohet baza e asaj që konsiderohet e veçanta e Perëndimit. Ndonëse nga të dyja anët kundërshtare të kësaj ndarjeje gjithmonë ka mbetur e gjallë tendenca për pushtim totalitar (pushtet i tërësishëm), tendencë kjo, që dëshira e njërit të imponohet mbi tjetrin, ka krijuar që ky parim i dallimeve dhe ndarjeve të bëhet shkak i vuajtjeve të pafundme. Mënyra për ta jetësuar këtë parim dhe për ta zbutur në politikë e në religjion, mbetet problemi themeltar për Europën e tashme dhe të ardhme.

 

  1. Transformimet kah koha moderne

Nëse mbështetemi  në atë që u tha deri më tani, për krijimin e Mbretërisë Karoline, në njërën anë, si dhe për vazhdimin e Perandorisë Romake në Bizant dhe për misionet e saja ndër popujt sllavë, në anën tjetër, mund ta konsiderojmë lindje të vërtetë të kontinentit të Europës. Ky fillim i kohës moderne nënkuptonte për të dy Europat transformim rrënjësor që do të prekte vetë shpirtin e saj dhe kufijtë gjeografikë. Në vitin 1453 Konstantinopoli ishte pushtuar nga turqit. Këtë ndodhi me pak fjalë e komenton O. Hiltbrunner: “Të fundit… të shkolluarit u dëbuan… në Itali e bartën diturinë e teksteve origjinale greke tek humanistët e renesancës; porse Lindja përmbysej në zhdukje të kulturës”. Ky pohim tingëllon paksa i vrazhdë, sepse edhe osmanlinjtë kanë pasur kulturën e vet. Por është e vërtetë se kultura greko – krishtere, kultura europiane, kultura e Bizantit përjetonte fundin e saj.

Në këtë mënyrë njëri krah i Europës ishte në rrezik për t’u shuar, por tradita e Bizantit nuk u zhduk. Moska që e konsideronte veten si Roma e tretë, e krijoi patriarkatin e vet në bazë të idesë së dytë të translatio imperii (transferim të perandorisë) dhe paraqitej në arenën botërore si Sacrum Imperium i reformuar – si formë specifike e Europës, që do të mbetet e lidhur me Perëndimin dhe gjithnjë e drejtuar ka ajo deri në atë  masë sa që Pjetri i Madh u mundua ta bëjë vend perëndimor. Kjo zhvendosje e Europës bizantine në Veri, hapte shtegun që kufijtë e kontinentit të ndesheshin po ashtu edhe me Lindjen. Përcaktimi i kufirit në Ural është krejtësisht i pavullnetshëm. Sidoqoftë, përballë saj në lindje, u krijua një lloj nënstrukture e Europës, as Azi as Europë, që, në thelb, i formëson subjekti europian, pa qenë bartës i karakterit të këtij subjekti, porse është objekt që vetë nuk është bartëse e kësaj historie. Ndoshta me këtë është definuar në përgjithësi esenca e statusit kolonial.

Për sa i përket Europës bizantine, jo perëndimore, në fillimin e kohës moderne mund të flasim për ngjarje të dyfishtë: në njërën anë kemi rrënimin e Bizantit të vjetër në kontinuitetin historik të saj me Perandorinë romake; në anën tjetër Europa me Moskën e fiton qendrën e re dhe i zgjeron kufijtë e saj deri në Veri, që përfundimisht të ngritë në Sibir njëfarëlloj nënstrukture koloniale. Njëkohësisht mund të vërtetojmë edhe në Perëndim një proces të dyfishtë me një histori të jashtëzakonshme. Një numër i madh nga radhët e popullit gjerman ndahet nga Roma; shfaqet një formë e re “me e avancuar” e  krishterimit, kështu që tani përmes Perëndimit kalon vija e ndarjes dhe në mënyrë evidente krijon limes (kufij) kulturalë, kufij specifikë mes dy mënyrave të të menduarit dhe të të jetuarit. Pa mëdyshje, edhe përbrenda botës protestante ekzistojnë thyerjet, në radhë të parë mes luteranëve dhe të krishterëve të reformuar, që ju bashkëngjiten metodistët dhe presbiterianët, derisa kisha anglikane mundohet të mbajë një qëndrim të ndërmjetëm mes katolikeve dhe evangjelistëve; kësaj ndarjeje do t’i shtohet edhe dallimi mes krishterimit të formuar si Kisha shtetërore, që bëhet veçori e Europës, dhe kishave të lira, që folenë e kanë në SHBA, për të cilat do të bëhet fjalë më vonë.

Të përqendrohemi së pari në një rast tjetër që thelbësisht e karakterizon gjendjen e kohës moderne, të asaj që doherësh ishte Europa latine: zbulimi i Amerikës. Zgjerimi i Europës në Veri, duke iu falënderuar zgjerimit të Rusisë kah Azia, përkon me kalimin radikal të Europës jashtë kufijve të saj gjeografikë kah bota matanë Oqeanit, e që tani ka emrin Amerikë. Ndarja e Europës në pjesë latino-katolike dhe gjermano-protestante reflektohet dhe realizohet edhe në atë pjesë të botës që e kishte pushtuar Europa. Në fillim edhe Amerika është Europë e zgjeruar, koloni, porse ajo, njëkohësisht, më tronditjet në Evropë, gjatë kohës së Revolucionit Francez, bëhet subjekt i pavarur prej shek. 19 e më vonë, edhe pse në thellësi, e formësuar me lindje/pjellë europiane, ajo përballë Europës, megjithatë, do bëhet subjekt i pavarur.

Përpjekja jonë që ta shpalosim historikisht thellësinë e identitetit të Europës, ka rezultuar që atë ta venerojmë përmes dy transformimeve themelore historike: rrënimi i kontinentit të vjetër mesdhetar që e shkaktoi Sacrum Imperium, i shtrirë në veri të Mesdheut, në të cilën që nga koha karolinge Europa formësohet si botë perëndimore-latine; krahas kësaj, kemi vazhdimësinë e Romës së vjetër në Bizant dhe shtrirjen e saj kah bota sllave. Si hapin e dytë kemi vërejtur fundosjen e Bizantit dhe, si pasojë e kësaj, transferimin e Europës dhe konceptimin e krishterë të mbretërisë në Veri dhe në Jug. Mandej, në brendësinë e Europës ndarjen në botën gjermano-protestante dhe latino-katolike, si dhe bartjen e kësaj ndarjeje në Amerikë dhe përfundimisht formimin e subjektit të pavarur historik përballë Europës.

Tani duhet të kemi parasysh transformimin e tretë, i cili fundin e vetë e ka në Revolucionin Francez. Është e vërtetë se Sacrum Imperium si realitet politik, që nga fillimi i Mesjetës së vonë, përjetonte shenja të rrënimit dhe ishte gjithnjë më i brishtë në shpjegimin valid e të qëndrueshëm të historisë, por vetëm tani e kemi thyerjen formale të këtij rrethi shpirtëror, pa të cilin Europa nuk do të mund të formësohej. Ky proces është ngjarje me rëndësi të madhe si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ideor. Nga aspekti ideor nënkuptonte braktisjen e idesë së themelimit sakral të historisë dhe të krijimit të shtetit. Historia nuk paraprihej dhe nuk formësohej më simbas idesë mbi Hyjin; shteti konceptohej krejtësisht simbas koncepteve shekullare, kurse për bazë kishte nacionalitetin dhe vullnetin e qytetarëve. Për herë të parë në histori krijohet shteti i pastër shekullar që e braktiste dhe nuk përfillte dorëzaninë dhe normalizimin hyjnor të elementit politik, duke i konsideruar si botëkuptime mitologjike, kurse Hyjin e shpallte si çështje private që s’është pjesë e opinionit publik dhe formimit të përgjithshëm të vullnetit. Jeta publike konsiderohej vetëm si çështje e arsyes që s’mund ta njoh qartë Hyjin. Religjioni dhe feja në Hyjin i përkasin sferës së ndjesisë e jë sferës së arsyes. Hyji dhe vullneti i tij më nuk vlerësoheshin në jetën publike.

Kështu, kah fundi i shek. 18 dhe në fillim të shek. 19 u shfaq një formë e re e ndarjes, peshën e së cilës tani e hetojmë shumë më qartë. Në gjuhën gjermane nuk ka emër, sepse aty me pakë ka pasur reflektim. Në gjuhët latine/romake kjo ndarje shquhej si dallim mes të krishterëve dhe laikëve. Kjo thyerje gjatë dy shekujve të fundit ka depërtuar në popujt latinë si plasaritje e thellë, derisa në krishterimin protestant fillimisht ishte më lehtë, që përbrenda të krijohej hapësirë për futjen e ideve liberale dhe iluministe, pa patur nevojë që të shkatërrohet baza e gjerë e koncenzusit.

Aspekti realpolitik i rrënimit të idesë së vjetër të mbretërisë përbëhet prej asaj që kombet, përkatësisht shtetet që njiheshin si të tilla, falë krijimit të rajoneve të veçanta gjuhësore, përfundimisht shfaqen si bartëse të vërteta të historisë dhe me këtë fitojnë vlerën që më parë nuk e kishin. Ky shpërthim dramatik pluralist i subjektit historik tregohet në faktin së të gjitha kombet e mëdha europiane e ndjenin vetën si trashëgimtare të dërgimit/misionit universal, që pashmangshmërisht do të kenë rrjedhojë konfliktin reciprok, goditjen vdekjeprurëse, të cilën e përjetuam me dhimbje në shekullin e posakaluar./drita.info

 

(Marrë nga Revista fetaro-kulturore URTIA 1/2006. Ky tekst është një ligjëratë e Ratzinger e mbajtur në Senatin italian, Romë, më 13 maj 2004. Së pari ligjërata u butua italisht në: Joseph RATZINGER, Europa. I suoi fondamenti oggi e domani. Edizioni San Paolo, Cinisello Balsamo, Milano 2004, si dhe në: Joseph RATZINGER – Marcello PERA, Senza radici. Europa, relativismo, Cristianesimo, Islam Mondadori, Roma 2004. I njëjti tekst me disa plotësime të vogla u botua në gjermanisht në: Joseph Kardinal RATZINGER, Werte in Zeiten des Umbruch. Die Herausforderungen der Zukunft bestehen, Herder, Freiburg – Basel – Wien 2005, f. 67-88. Përkthimi shqip është i bazuar në tekstin gjermanisht. Përktheu nga gjermanishtja: Fatmir KOLIQI. Fusnotat janë larguar nga redaksia).

Comments are closed.

« »