Identiteti i Europës. Themelet e saja shpirtërore, dje, sot dhe nesër – pjesa II

Feb 9 • Kulturë, Opinion

Nga Joseph Ratzinger – BENEDIKTI XVI

 

  1. Universaliteti i kulturës europiane dhe kriza e saj

Së fundi, duhet të përsiasim për një proces të pashkëputshëm, me të cilin historia e shekujve të fundit qartazi u transferua në një botë të re. Nëse Europa e vjetër, e cila i ka paraprirë kohës moderne me dy pjesët e saja, në parim, e ka njohur vetëm një armik që ishte bota islame, me të cilën iu deshtë të ballafaqohet për jetë apo vdekje; nëse transferimi në kohën moderne e ka zgjeruar Europën në Amerikë dhe një pjesë të Azisë pa subjekte vetanake të mëdha kulturale, tani ajo fillon procesin e hapjes në dy kontinentet, që ishin të prekura vetëm në mënyrë margjinale; Azia dhe Frika që tani përpiqen të shndërrohen në degë të Europës, në koloni. Në njëfarë mase, kjo edhe u realizua, sepse Azia dhe Afrika sot e ndjekin idealin e botës së teknikës dhe mirëqenien e saj, kështu që traditat e religjioneve të lashta kanë rënë në krizë, e, në anën tjetër, mendimet shekullare gjithnjë e më tepër sundojnë në jetën publike.

Por, ekzistojnë edhe efekte të kundërta. Rilindja e islamit nuk kushtëzohet vetëm nga pasuria e vendeve islamike, por ushqehet vetëdija se islami është në gjendje për të ofruar themele të kënaqshme shpirtërore për jetën e popujve, themele, të cilat i kanë ikur nga duart Europës së vjetër. Prandaj, përkundër forcës politike dhe ekonomike që e posedon edhe sot, gjithnjë po shfaq shenja të zhbërjes dhe rrënimit. Edhe traditat e religjioneve të mëdha të Azisë, para së gjithash komponenta e tyre mistike e budizmit, paraqiten si forca shpirtërore kundër Europës, e cila i mohon rrënjët e veta fetare dhe morale. Një optimizëm i shprehur në fillimin e viteve të gjashtëdhjeta nga Arnold Joseph Toynbee lidhur me ngadhënjimin e elementit europian, sot po tregohet çuditërisht i tejkaluar: “nga gjithsej 28 kultura të identifikuara… 18 prej tyre kanë vdekur, kurse nëntë prej dhjetë të mbeturave – përkatësisht të gjithat përveç kulturës sonë – vërejmë se janë të lënduara për vdekje.” Kush do t’i përsëriste sot të njëjtat fjalë? Dhe në përgjithësi, çfarë është ajo, që kulturën tonë ende e mban të gjallë? A mos është kultura europiane ky qytetërim i teknikës dhe tregut të përhapur me sukses në mbarë botën? A nuk është kjo kulturë e lindur në mënyrë posteuropiane si fryt i kulturave të lashta europiane? Unë shohë këtu sinkroni paradoksale: me fitoren e botës tekniko-shekullare posteuropiane, me universalizimin e modelit të saj të jetës dhe mënyrës së të menduarit të shtrirë në mbarë botën, madje fuqishëm në vendet joeuropiane të Azisë dhe Afrikës, fitohet përshtypja se bota e vlerave europiane, kultura dhe feja e saj, baza në të cilën u krijua identiteti europian është dukë perënduar dhe është larguar nga skena botërore. Tani ka ardhur koha për sisteme të vlerave të kulturave (botëve) tjera, të Amerikës parakolombiane, islamit dhe mistikës aziatike. Përkundër suksesit kulminant, Europa edhe për nga aspekti etnik po shkon drejt shkatërrimit (mplakjes).

Ekziston një mungesë e çuditshme e vullnetit për ardhmëri. Fëmijët që janë ardhmëria, konsiderohen kërcenim i së tashmes, sepse mendohet ata na marrin kohën e jetës sonë. Fëmijët nuk i shohim si shpresë e ardhmërisë, por si kufizim i së tashmes. Na imponohet krahasimi me shpërbërjen e Perandorisë romake: ajo funksiononte ende si kornizë historike, edhe atëherë kur praktikisht jetonte prej atyre që më vonë do të jenë shkaktarë të shpërbërjes së saj, sepse i kishte humbur vitaliteti i jetës.

Kështu erdhëm te problemet e kohës sonë. Ekzistojnë dy prognoza të kundërta për sa i përket të ardhmes së mundshme të Europës. Në njërën anë është teza që e përfaqëson Oswald Spengler, i cili mendon se ka identifikuar një ligj natyror që i nënshtrohen të gjitha kulturat e mëdha: ekzistojnë çastet e lindjes, zhvillimi i shkallëshkallshëm i tyre, lulëzimi i saj, rënia e ngadalshme, mplakja dhe vdekja. Spengler e paraqet tezën e vet në mënyrë shumë mbresëlënëse, duke e pajisur me dokumente nga historia e kulturave, të cilat e argumentojnë këtë ligj të rrjedhës natyrore. Sipas tezës së tij, Perëndimi ka arritur në stadin përfundimtar dhe me gjithë tentimet  për ta shpëtuar, ajo po ecën pandalur drejt vdekjes së kontinentit kulturor. Europa mund ta shpëtojë thesarin e vet duke e përcjellë në një kulturë të re që po krijohet, siç ka ndodhur me kulturat e vjetra para shkatërrimit, porse si subjekt i pavarur ditët e saja janë të numëruara.

Kjo tezë e ashtuquajtur biologjike, është kundërshtuar ashpër nga qarqet katolike gjatë kohës në mes dy luftërave botërore. Edhe Arnold J. Toynbee e ka kundërshtuar rëndë, edhe pse argumentet e tija më askush nuk do t’i përkrahte. Toynbee bën dallimin në mes përparimit material-teknik, në njërën anë, dhe përparimit të mirëfilltë, në anën tjetër, të cilin e definon si të përshpirtësuar. Ai e pranon se Perëndimi – bota perëndimore – gjendet në një krizë, shkakun e së cilës e sheh në zëvendësimin nga religjioni në kultin ndaj teknikës, kombit dhe militarizimit. Këtë krizë ai e quan me një fjalë: shekullarizim. Nëse dihet shkaku i krizës, atëherë mund të gjendet edhe ilaçi: faktori religjioz duhet të luajë përsëri rol më të madh, që, sipas tij, përbëhet nga trashëgimia religjioze e të gjitha kulturave, por sidomos e “asaj që ka mbetur nga krishterimi perëndimor”. Këtu pikëpamjes biologjike i kundërvihet pikëpamja voluntariste që përqendrohet në fuqinë që vjen nga pakicat kreative dhe në personalitetet e jashtëzakonshme.

Shtohet pyetja: a është e saktë kjo diagnozë? Nëse po, a mund të rivlerësohet religjioziteti me anë të një sinteze nga pjesët e mbetura/relike të krishterimit dhe të trashëgimisë religjioze të njerëzimit? Së fundi, pyetja që e kishin shtruar Spengler dhe Toynbee mbetet e hapur, meqë nuk mund të parashikojmë ardhmërinë. Pavarësisht nga kjo, jemi të detyruar ta pyesim veten se mbi çfarë themelesh mund të sigurohet e ardhmja dhe identiteti i brendshëm i Europës gjatë gjithë metamorfozave historike. Ose, më thjeshtë: çfarë është ajo që sot dhe nesër do të dhurojë dinjitet njerëzor dhe një jetë në pajtim me këtë dinjitet?

Për të gjetur  një përgjigje të duhur, duhet bërë një vështrim i kohës sonë, e  njëkohësisht duke i pasur parasysh rrënjët historike.

Në periudhat e kaluara ne u ndalëm tek Revolucioni francez dhe te shek. 19. Gjatë asaj kohe u krijuan dy modele te reja europiane. Në kombet romane-latine u krijua modeli laicist: ku shteti është i ndarë decividisht nga njëmendësia religjioze, që i përket sferës private. Vetë shteti nuk e pranon fundamentin religjioz, por bazohet mbi arsyen dhe njohjen. Por, të mbështetur në brishtësinë e arsyes, të gjitha sistemet u treguan të paqëndrueshme dhe u bënë pré e lehtë e diktaturave. Ato mbijetojnë për arsye se janë pjesë e vetëdijes së vjetër morale, të cilat vazhdojnë të jetojnë – pa themele të mëparshme – dhe kjo ia mundëson koncesusin bazë në çështjet e moralit.

Në anën tjetër, në botën gjermane kemi modele në mënyrën tjetër të kishave shtetërore të protestantizmit liberal, në të cilët krishterimi “më i avancuar”(iluminist) krejtësisht është pranuar si instancë morale – edhe nga praktikimi i kultit hyjnor që e siguron shteti – garanton pajtueshmëri morale dhe bazë të gjerë religjioze, të cilës duhet t’iu përshtaten religjionet e vogla joshtetërore. Ky model për një kohë të gjatë ka siguruar lidhshmërinë mes shtetit dhe shoqërisë në Britani të Madhe, në shtetet skandinave dhe sidomos në Gjermaninë prusiane. Por me rënien e kishës shtetërore prusiane, në Gjermani u krijua vakuumi, i cili krijoi hapësirë për lindjen e diktaturës. Sot kishat shtetërore nëpër botë janë bërë fli shkatërrimi: organet religjioze që rrjedhin nga shteti nuk kanë me fuqi morale, kurse shteti nuk mundet vetë të gjenerojë fuqi morale, përkundrazi duhet të supozojë atë dhe të krijohet mbi të.

Në mesin e këtyre dy modeleve qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, në njërën anë, janë të krijuara në bazë të kishave të lira dhe ndjekin dogmën e rreptë të ndarjes, kurse, në anën tjetër, duke qenë jashtë bashkësive të veçanta kishtare, megjithatë formohen me një konsensus jokonfesional krishterë – protestant, që lidhej me një vetëdije të veçantë të misionit ndaj botës tjetër. Në këtë mënyrë, faktori religjioz fitoi rol të rëndësishëm në jetën publike, dhe ky rol, si fuqi parapolitike dhe mbipolitike, mund të ketë domethënie vendimtare në jetën politike. Sigurisht se nuk duhet të mbulohet e vërteta, se edhe në SHBA pandalur përçudnohet trashëgimia e krishterë, ndërkohë që përqindja e popullatës hispanike po rritet shpejt dhe prania e traditave religjioze nga e gjithë bota po e ndryshon gjendjen. Ndoshta këtu duhet përmendur se disa qarqe të caktuara të SHBA-ve po e nxisin masivisht protestantizmin e Amerikës Latine dhe, me shtrirjen e kishave të lira, po e shkatërrojnë Kishën Katolike, duke pohuar se ajo nuk është e aftë të garantojë sistem të qëndrueshëm politik dhe ekonomik, sepse nuk mund të ndikojë në edukimin e kombeve, përderisa modeli i kishave të lira toleron një pajtueshmëri morale dhe formimin demokratik të publikut, siç është karakteristike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që e bën më të komplikuar gjendjen, është fakti se Kisha Katolike është bashkësia më e madhe në Shtetet e Bashkuara dhe kjo bashkësi e aplikon në jetë identitetin e vet katolik, porse katolikët, për sa i përket raporteve mes Kishës dhe politikës, e kanë përfaqësuar traditën e kishave të lira, që, duke menduar se pikërisht ajo Kishë, e cila nuk është e përzier në shtetin, është në gjendje të ofrojë për gjithçka themele morale. Kjo  tregon se promovimi i idealit demokratik si detyrë morale, përputhet thellësisht me fenë. Në këtë qëndrim, me të drejtë mund të shohim vazhdimin e modelit e lartpërmendur të Papës Galasi, natyrisht të modifikuar sipas kohës tonë.

Por t’i kthehemi Europës. Pranë dy modeleve të përmendura, në shek. 19 lindi edhe modeli i tretë – socializmi, i cili u nda shumë shpejt në dy rryma, në socializëm totalitar dhe demokratik. Socializmi demokratik ishte në gjendje të integrohej në të dy modelet ekzistuese si kundërpeshë ndaj pikëpamjeve liberalo-radikale, madje edhe t’i pasuronte dhe t’i korrigjonte. Pos kësaj, socializmi demokratik u tregua si model jokonfesional. Në Angli ishin katolikët, të cilët nuk ndiheshin mirë as ne rrethin e protestanteve konservativë as në atë liberal. Edhe në Gjermaninë e Wilhelmit qendra katolike ndihej më e afërt me socializmin demokratik se sa me fuqitë e rrepta konservative prusiano-protestante. Në shumë aspekte, socializmi demokratik ishte dhe është i afërt me doktrinën sociale të kishës; gjithsesi, ai ka kontribuar në formimin e vetëdijes sociale.

Modeli totalitar përkundrazi lidhej me filozofinë krejtësisht ateiste dhe materialiste të historisë. Sipas kësaj filozofie, historia kuptohej në mënyrë deterministe si proces i përparimit, i cili përmes fazës fetare dhe asaj liberale arrin të shoqëria absolute dhe përfundimtare, ku religjioni është i tejkaluar si relikt i së kaluarës dhe ku funksionimi i kushteve materiale garanton lumturinë për të gjithë. Kjo pseudoshkencë fsheh në vete një dogmatizëm intolerant: shpirti është prodhim i materies; morali është prodhim i rrethanave, i cili duhet të definohet dhe të zbatohet në përputhje me qëllimet e shoqërisë; gjithçka që ndihmon për të arritur gjendje të lumtur është morale. Këtu kemi përmbysjen e tërësishme të vlerave mbi të cilat është krijuar Europa. Për më tepër, këtu thyhet krejt tradita morale e njerëzimit; nuk ekzistojnë më vlera të pavarura jashtë qëllimeve të përparimit, por për një çast gjithçka mund të jetë e lejueshme, madje edhe e domosdoshme, përkatësisht – sipas kuptimit të ri të fjalës – morale. Njeriu mund të shndërrohet në send/mjet; individi nuk është më i rëndësishëm, por vetë ardhmëria, e cila shndërrohet në një hyjni të tmerrshme që sundon mbi çdo gjë e çdokënd.

Sistemet komuniste ndërkohë përjetuan dështim, para së gjithash, për shkak të dogmatizmit të tyre të rrejshëm ekonomik. Porse, harrohet lehtë fakti se ato sisteme dështuan për shkak të mosrespektimit të të drejtave të njeriut dhe për shkak se moralin ia nënshtruan qëllimeve të sistemit dhe ardhmërisë së premtuar. Rrënimi i vërtetë që ata lanë pas, nuk është i natyrës ekonomike; ai ka të bëjë me ngurtësimin e shpirtit, me shkatërrimin e vetëdijes morale. Unë mendoj se sot problemi thelbësor i Europës dhe tërë botës, është se nuk e vë në dyshim dështimin ekonomik, kurse problematika morale dhe religjioze, për të cilën vërtetë bëhej fjalë, u la anash gati krejtësisht. Prandaj, problematika që mbeti pas marksizmit, vazhdon të ekzistojë ende; shpërbërja e njohjes së sigurt që kishte (njeriu) për Zotin, për vetveten dhe gjithësinë; humbja e vetëdijes për vlerat e patjetërsueshme, ende vazhdon edhe sot të jetë problem e që mund të shpjerë të vetëshkatërrimi i vetëdijes europiane, duke e konsideruar – varësisht prej botëkuptimit të Spenglerit mbi shkatërrimin – si rrezikun tonë real.

 

  1. Ku gjendemi ne sot?

Kështu gjendemi para pyetjes: çfarë më tutje? A ekziston, në mesin e këtyre transformimeve të dhunshme të kohës sonë, ende identiteti europian që do të ketë një ardhmëri dhe për të cilin do duhej angazhimi ynë?

Pas shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, për etërit e Bashkimit Europian – Adenauer-in, Schumann-in, de Gaspari-n – ishte e qartë, se ekziston një bazament dhe se ai është i rrënjosur thellë në trashëgimin e krishterë dhe të kontinentit tonë të krijuar nëpërmjet krishterimit. Për ta ishte e qartë se shkatërrimet që lindën nga konfrontimi i regjimit nacist dhe atij të Stalinit, mbështeten mu në këtë përplasje të këtij bazamenti – në një hybris, që më nuk i nënshtrohej Krijuesit, por kërkonte të krijojë njeriun më të mirë dhe njeriun e ri, kurse duke e braktisur botën e keqe të krijuesit, dëshironte për ta rindërtuar në një botë më të mirë, që do të krijohej nga dogmatizmi i ideologjisë së tyre. Për etërit europian ishte e qartë se këto diktatura kishin sjellë një kualitet krejt të ri të së keqes, sikurse ishin të gjitha tmerret e luftës që çonin në shkatërrimin e Europës. Do duhej rikthyer ajo çka i ishte rrëmbyer kontinentit dhe dinjitetit të tij në të gjitha vuajtjet dhe dështimet.

Entuziazmi fillestar i përkushtimit ndaj vlerave të trashëgimisë së krishterë u shua shpejt dhe Bashkimi i Europës, më pastaj, u ndërtua gati kryesisht duke u bazuar  në aspekte ekonomike dhe duke i mënjanuar çështjet e bazamenteve shpirtërore të një bashkësie të tillë. Në vitet e fundit vetëdija për këtë është rizgjuar, se bashkimi ekonomik i shteteve të Europës ka nevojë po ashtu edhe për bazament të vlerave të përbashkëta. Rritja e dhunës dhe konsumimi i lartë i drogës, rritja e korrupsionit, na bëjnë të ndiejmë se rënia e vlerave ka pasoja materiale, se është i nevojshëm një kundërorientim. Nuk e kam ndërmend të ndalem detajisht mbi elementet e kushtetutës së ardhshme europiane, por  do të doja të theksoj elementet kryesore morale, të cilat, sipas mendimit tim, nuk do të duhej të mungojnë.

Elementi i parë është “domosdoshmëria” me të cilën dinjiteti dhe të drejtat e njeriut do të proklamohen si vlera në çdo legjislacion shtetëror. Këto vlera themelore, siç thotë me të drejtë Günter Hirsch, nuk i krijon ligjvënësi, as nuk u dhurohen qytetarëve, “por para së gjithash ato ekzistojnë si të drejta në vete, që duhet të respektohen nga ligjvënësi si vlera të dhuruara nga një rend më i lart”. Vlera e dinjitetit njerëzor që i paraprin çdo veprimi dhe vendimi politik, tek e fundit na drejton kah Krijuesi. Vetëm Hyji mund t’i përcaktojë vlerat që janë të bazuara në njeriun dhe që janë të patjetërsueshme. Fakti se ekzistojnë këto vlera të patjetërsueshme, me të cilat askush nuk mund të manipulojë, janë garantimi i parë dhe i vërtetë i lirisë dhe i madhështisë njerëzore. Krishterimi pikërisht në këto vlera e sheh misterin e Krijuesit dhe përngjasimin e fytyrës së Tij, simbas së cilës është i krijuar vetë njeriu. Me këtë vlerë mbrohet elementi thelbor i identitetit të krishterë të Europës, ku qartazi sot po shfaqen formime pagane.

Sot askush nuk e mohon drejtpërdrejt se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat themelore të njeriut s’duhet të jenë parakusht në çdo vendim politik; janë tepër të freskëta tmerret e nazistëve dhe të teorisë së tyre raciste. Por në fushën konkrete, i ashtuquajtur përparimi mjekësor, ekzistojnë kërcënimet reale kundër këtyre vlerave, sepse pa marrë parasysh a bëhet fjalë për klonimin, për konservimin e embrioneve njerëzore për hulumtime shkencore dhe për donacione organesh, apo për tërë fushën e manipulimit gjenetik; këtu askush nuk mund të mos e vërejë se kemi të bëjmë me ngufatjen e ngadalshme të dinjitetit të njeriut. Pos këtyre, kemi edhe trafikimin me organet njerëzore për qëllime transplantimi. Përherë përmendet qëllimi i mirë për të justifikuar atë që nuk mund të justifikohet.

Të bëjmë një përmbledhje: pohimi në letër i vlerave dhe dinjitetit të njeriut, lirisë, barazisë dhe solidaritetit simbas parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës shfaq njëfarë figure për njeriun, njëfarë zgjedhje morale dhe njëfarë ideje/koncepti të së drejtës, njëmendësi këto që aspak nuk janë të vetëkuptueshme, por në parim janë faktorë themeltarë për identitetin e Europës, që do të duhej të zërë vend në kushtetutën e ardhshme të Bashkimit Europian dhe të garantohen pasojat e tyre konkrete, që me siguri mund të mbrohen vetëm nëse riformulohen simbas ndërgjegjes përgjegjëse morale.

Pika e dytë që shfaq thelbin e identitetit europian, është martesa dhe familja. Martesa monogame si strukturë themelore e marrëdhënieve  mes mashkullit dhe femrës dhe njëkohësisht si qelizë për formimin e bashkësisë shtetërore, ndërtohet duke u bazuar në fenë biblike. Martesa i ka dhuruar Europës Perëndimore dhe asaj Lindore një imazh të veçantë dhe një humanitet të dalluar dhe pikërisht nga kjo veçanësi e bazuar në besnikëri dhe sakrificë si përbërëse të saj, u deshtë që pandërprerë të ripërvetësohen me shumë mund dhe flijime. Europa nuk do ishte më Europë, po qe se do të zhdukej apo radikalisht do të ndryshohej kjo qelizë e ndërtimit të shoqërisë së saj. Të gjithë e dimë se sa janë të rrezikuara martesa dhe familja: në njërën anë, për shkak të mospranimit të pandashmërisë së saj përmes ndarjeve të lehta, në anën tjetër, forma e re gjithandej e përhapur e bashkëjetesës mes mashkullit dhe femrës pa formë juridike të martesës.

Në kundërshtim me të gjitha këto, qëndron kërkesa e homoseksualëve për bashkëjetesë, qe, çuditërisht, kërkojnë formë juridike, që në njëfarë mënyre do të ishte e barabartë me statusin e martesës. Kjo tendencë rrezikon zhbërjen e tërësishme të historisë morale të njerëzimit, e cila përkundër gjitha formave juridike të martesës, përherë ka qenë e vetëdijshme se martesa në thelb është bashkësi e veçantë e përbërë prej mashkullit dhe femrës, e hapur për lindjen e fëmijëve dhe krijimin e familjes. Këtu nuk bëhet fjalë për diskriminimin, por për pyetjen çka është personi njerëzor si mashkull dhe si femër dhe si jeta e përbashkët  mes mashkullit dhe femrës mund të fitojë formë juridike. Nëse, në njërën anë, kjo bashkëjetesë gjithnjë e më tepër largohet nga forma juridike, kurse në anën tjetër, partnerët homoseksualë e mbajnë veten për martesë të ligjshme, atëherë ne gjendemi para shkatërrimit të personit si njeri, pasojat e të cilit mund të jenë shumë të rënda për ne. Fatkeqësisht mungon një fjalë e qartë për këtë në Kartë. (këtu e ka fjalën për kushtetutën e ardhshme të BE, vër. e përkthyesit.)

Pika e fundit ka të bëjë me çështjen religjioze. Nuk e kam ndërmend të futem në diskutimet e ndërlikuara të viteve të fundit, por të theksoj një pikëvështrim bazor për të gjitha kulturat: nderimi ndaj asaj që për tjetrin është e shenjtë, posaçërisht nderim ndaj së shenjtës në kuptimin më të lartë të fjalës, ndaj Hyjit, që guxojmë të supozojmë se do ta gjejmë edhe tek ai, i cili nuk dëshiron të besojë në Hyjin. Një shoqëri që nuk e ka këtë nderim, do të humbte diçka thelbësore. Në shoqërinë tonë dënohen, falë Zotit, ata që e përdhosin fenë e Izraelit (hebraizmin), Hyjin e tyre dhe figurat e mëdha të popullit të tyre. Po ashtu dënohen ata që e ofendojnë Kuranin dhe bindjet themelore të islamit. E kundërta ndodh kur është fjala për Krishtin dhe ajo që është e shenjtë për të krishterët, atëherë përnjëherë shfaqet si e mira më e madhe/më e lartë liria e shprehjes që nuk guxon të kufizohet, sepse do ta prishte tolerancën dhe lirinë në përgjithësi. Liria e shprehjes e ka kufirin e vet atje ku ajo nuk guxon ta shkatërrojë nderin dhe dinjitetin e tjetrit. Nuk është liri rrena dhe shkelja e të drejtave njerëzore.

Perëndimi këtu po e tregon një lloj të çuditshëm dhe patologjik të vetëurrejtjes. Perëndimi për çdo lëvdatë, mundohet, me shumë respekt, të jetë i hapur ndaj vlerave të huaja, por ai e urren vetveten. Nga historia e vet s’është i aftë ta shohë të madhërishmen dhe atë çfarë është e pastër, por vetëm pjesën e keqe dhe të shkatërrueshmen. Nëse Europa dëshiron të mbijetojë, do të duhej, kritikisht dhe përvujtërisht, ta pranojë përsëri veten. Multikulturaliteti që vazhdimisht dhe me këmbëngulësi në mënyrë krejt të hapur po promovohet, në të shumtën e rasteve s’është tjetër veçse mohim dhe largim nga vlerat e saja, ikje nga vetvetja. Multikulturaliteti nuk mund të jetojë pa qëndrueshmëri (vlerash) të përbashkët(a), pa pikë-orientimi, që burojnë nga vlerat autoktone, vetjake. Sigurisht se Europa nuk mund të ekzistojë pa nderimin ndaj të shenjtës. Pjesë e kulturës së saj është të qenët e hapur ndaj asaj që është e shenjtë tek të tjerët, por këtë mund ta bëjmë vetëm nëse e shenjta, Hyji, nuk është larg nesh.

Natyrisht, ne duhet të mësojmë nga të tjerët çka është e shenjtë, porse e kemi obligim dhe detyrë që para të tjerëve dhe të tjerëve t’u tregojmë nderimin ndaj të shenjtës dhe fytyrën e Hyjit që na është zbuluar, Hyjin që ka dhimbje për të varfër dhe të sëmurë, për të veja, jetimë dhe të huaj. T’iu tregojmë Hyjin që është aq njerëzor, sa që edhe vetë u bë njeri, njeri me plot vuajtje, që, duke vuajtur bashkë me ne, i dhuron vuajtjes dinjitet dhe shpresë. Nëse këtë nuk e bëjmë, jo vetëm që e mohojmë identitetin e Europës, por dështojmë në detyrën tonë që e kemi si obligim ndaj tjetrit. Për kulturat botërore është diçka krejtësisht i huaj profaniteti absolut që është formësuar në Perëndim. Këto kultura janë të bindura se një botë pa Hyjin nuk ka ardhmëri. Prandaj, pikërisht multikuturaliteti na fton t’i rikthehemi brendisë sonë.

Nuk dimë se si do të zhvillohen gjërat në Europë në të ardhmen. Karta e të drejtave themelore mund të jetë hap i parë, shenjë që Europa në mënyrë të vetëdijshme po e kërkon shpirtin e saj. Toynbee kishte të drejtë kur thoshte se fati i një shoqërie varet prej kreativitetit të pakicave. Besimtarët e krishterë do të duhej ta kuptonin se janë një pakicë e tillë kreative dhe të kontribuojnë që Europa përsëri ta rifitojë pjesën më të mirë nga trashëgimia e saj dhe, në këtë mënyrë, të jetë në shërbim të të gjithë njerëzimit./drita.info

 

(Marrë nga Revista fetaro-kulturore URTIA 1/2006. Ky tekst është një ligjëratë e Ratzinger e mbajtur në Senatin italian, Romë, më 13 maj 2004. Së pari ligjërata u butua italisht në: Joseph RATZINGER, Europa. I suoi fondamenti oggi e domani. San Paolo, Cinisello Balsamo, Milano 2004, si dhe në: Joseph RATZINGER – Marcello PERA, Senza radici. Europa, relativismo, Cristianesimo, Mondadori, Roma 2004. I njëjti tekst me disa plotësime të vogla u botua në gjermanisht në: Joseph Kardinal RATZINGER, Werte in Zeiten des Umbruch. Die Herausforderungen der Zukunft bestehen, Herder, Freiburg – Basel – Wien 2005, f. 67-88. Përkthimi shqip është i bazuar në tekstin gjermanisht. Përktheu nga gjermanishtja: Fatmir Koliqi. Fusnotat janë larguar nga redaksia).

Comments are closed.

« »