Një libër që mungonte…

(Tarcisio Stramare, Shën Jozefi – shenjti më i afërt i Jezusit, Drita, Prishtinë 2020)

 

Nga Sarë GJERGJI

 

Dom Jeton Thaqi bëri mirë që solli në shqip librin Il Santo Più vicino a Gesù të autorit italian Tarcisio Stramare.  Libri vjen në shqip në shenjë të dy jubileve: në 150 vjetorin e shpalljes së Shën Jozefit Pajtor të Kishës Universale, nga Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus, të datës 8 dhjetor 1870 dhe në 115 vjetorin e themelimit të famullisë së Shë Jozefit në Stubëll (më 1 shkurt 1905). Kështu, Dom Jetoni u bë famullitari i parë që i dhuroi Stubllës dhe lexuesit në Kosovë një libër në gjuhën shqipe kushtuar figurës së Shën Jozefit. 

Stramare, i cili konsiderohet si një nga studiuesit kryesorë të jozefologjisë në rrafshin   ndërkombëtarë, në këtë libërth, figurën e Shën Jozefit e skicon shkurtimisht dhe në mënyrë të thuktë, në aspektin teologjik dhe atë fetar.

Në rastin e parë, figura e Shën Jozefit shihet në dritën e misterit të mishërimit dhe shpengimit. Krejt kjo, duke pasur parasysh hiret dhe misionin e këtij shenjti, praninë dhe rolin e tij në jetën  e Krishtit. Për ta bërë më të nëpërdukshme një gjë të tillë për lexuesin, autori, duke pasur për bazë Shkrimin Shenjt e duke iu referuar atij, e sheh të arsyeshme ta bëjë portretizimin e figurës së Shën Jozefit. Shih për këtë dhe  në funksion të përplotësimit të një sfondi, tabloje e konteksti më të gjerë, jozefologu Staramare, shkruan për breznitë e Jozefit, për Jozefin si të fejuarin e Marisë, për atësinë e Jozefit, për shërbimin e atësisë e për Jozefin si njeri të drejtë.

Në rastin e dytë, autori dëshiron të shpërfaq rritjen e Shën Jozefit në “sensus fidei” të besimtarëve. Në këtë këndvështrim, autori shkruan për  festat liturgjike kushtuar Shën Jozefit, institute dhe vëllazëri që mbajnë emrin e tij, praktika përshpirtërie – devocionale (duke filluar nga praktika e shtatë dhimbjeve e shtatë gëzimeve të Shën Jozefit, të vitit 1536, deri te muaji mars ose muaji kushtuar Shën Jozefit, praktika e të cilit është aprovuar dhe njësuar nga Piu IX dhe Piu XI), kurorëzime kanonike (figura, statuja…), muzika sakrale (kompozime të ndryshme), përhapja e emrit (në trajta të ndryshme), toponimet (me emrin e Shën Jozefit, në vende të ndryshme), ndërtesat sakrale (kisha, bazilika), qendra studimore (nëpër botë që mbajnë emrin e shenjtit), traditat popullore  dhe të devotshmit e veçantë.

Në pjesën pyetje dhe përgjigje, autori provon të sjellë informacione shtesë dhe sqaruese sa i përket figurës së Shën Jozefit, por që ndodh kur e kur edhe të përsëritet. Libri vazhdon me lutje karakteristike që i drejtohen Shën Jozefit dhe me pjesën për të ditur më shumë, gjithnjë për figurën e Shën Jozefit.

Botimit në italisht, përkthyesi Dom Jeton Thaqi, kancelar i Ipeshkvisë, ia ka bashkëngjitur me shumë të drejtë edhe një Shtojcë, në të cilën pasqyron kisha, figura e trupore të kushtuara Shën Jozefit në Kosovë.

Ky libër del në dritë në vitin kushtuar Shën Jozefit nga Papa Françesku. Me Letrën apostolike Patris corde” – “Me zemrën e Atit”, Papa shpalli vitin kushtuar Shën Jozefit: 8 dhjetor 2020 – 8 dhjetor 2021./drita.info

Shpëndaje: