E KUJT ËSHTË KJO FYTYRË?

Feb 10 • Opinion

Nga Don Robert Kola

 

Në pragun e zgjedhjeve në Kosovë, e nuk jemi shumë larg as prej atyre që do mbahen në Shqipëri, deshëm apo nuk deshëm të pranojmë, të gjithë jemi të kapluar nga ethet e tyre. Thua se nuk mjaftojnë ethet e shkaktuara nga pandemia e duhen të shtohen edhe ato që vijnë nga zgjedhjet!

Njeriu i ynë i thjeshtë gjendet ngushtë dhe në dyshim përballë kësaj situate, e cila ngërthen pas veti edhe dyshimin tjetër, a duhet ruajtur me parë shëndetin personal apo shëndetin e pushtetit?

S’ka asnjë hamendje se shëndeti personal është në rend të parë. Mirëpo, duke parë tubimet e zgjedhjeve, duket se për klasën politike, shëndeti i pushtetit ka epërsi dhe përparësi ndaj shëndetit personal, pasi në tubimet e tyre nuk merren gjithë aq parasysh respektimi i normave që të mbrohemi nga rreziku i pandemisë. Nga një anë, pra rendon zgjedha e pandemisë mbi shëndetin tonë, nga ana tjetër, mbajtja e zgjedhjeve premton shëndetin e pushtit! E njeriu i ynë nuk kursen veten, por as nuk kurset nga tjetri kur lidhet puna me pushtetin, nga i cili pret zgjidhjen e halleve të jetës. 

Nisur nga këto rrethana, vëmendja e pushtetit duhet të përqendrohet pikë se pari rreth personit. Misioni i pushtetit është diakoni rreth shfaqjes së fytyrës së tjetrit deri në përsosjen e saj të pambarueshme.

Hapja ndaj tjetrit dhe pranim i tij është misteri i jetës. Hapja është dhuratë. Nga kjo hapje varet pushteti ynë dhe liria jonë. Aq sa pranohet dhuratë e hapjes ndaj tjetrit, aq do të pranohet liria jonë, e cila është e varur nga pranimi i  tjetrit. Liria jonë qëndron në këtë hapje ndaj tjetrit. Pa hezituar, le të themi thjesht dhe hapur, s’ka pushtet të mirëfilltë pa përfshirjen, përmbushjen dhe lartësimin e secilës fytyrë të njeriut në dritën e pambaruar të dinjitetit të tij. Sa me dukën profetike fjalët e Papës Françeskut në Enciklikën e tij “Të gjithë vëllezër,” ku duke shkoqitur problemet e ndryshme sociale që rendojnë mbi njeriun e ditëve tonë dhe sidomos të përpjekjes për të përmbushur misionin si popull që ka në histori, ndër të tjera, rreth saj, thotë: “Secili është tërësisht person kur i përket një populli dhe njëkohësisht, s’ka njëmend popull pa respektimin e fytyrës së secilit person.” (nr. 182).

Dihet së rruga e njëmendësimit të një populli përvijohet përmes pushtetit. E kur bëhet fjalë për pushtetin, pothuaj të gjithë pak a shumë, e kanë të njohur edhe thënien që vjen nga Ungjilli, sidomos pjesa e cila flet rreth pagesës së tatimit dhe ndarjes së pushtetit, ku thuhet: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.” (Mt 22, 21)

Këto fjalë të Ungjillit përdoren me plot ngazëllim nga njerëzit në pushtet, po dhe nga njerëzit kishtarë. Sa thyerja, sa përçarja, sa rrënimi është bërë dhe do të bëhet rreth leverdisë së pushtetit që e bën pre për interes të vetin edhe ketë fjalë ungjillore.

A thua fjala e Hyjit mund të përdoret për njërën palë si zgjedhje e për tjetrën si zgjedhë? Dhe anasjelltas, varësisht nga kalimi dhe përvetësimi i pushtetit? A thua Ungjilli përvijon një shkarje të kësaj dore në mes pushteti dhe njeriut? A thua njëmendësia e Ungjillit, nuk përfshin një thellësi me rrënjësore nga e cila varet përfytyrimi i çdo pushteti?

Le të nisemi nga rrethana e perikopes së Ungjillit dhe të  përpiqemi të nxjerrim thjesht vetëm një syzim sado të thjeshtë, që do të ndihmon të përfshihet thelbi i porosisë ungjillore. 

Jezusi gjendet përballë dredhisë së farisenjve. Ata kërkonin t’i ngrinin kurthin përmes herodianëve, duke kërkuar të dinë së cili është qëndrimi Jezusit rreth tatimit të Cezarit. Duke u nisur nga përgjigja e tij, do kërkojnë të përvijojnë akuzën dhe akuzimin e tyre ndaj tij. Pyetja, pra, e ngritur është rreth tatimit: a duhet Cezarit t’i paguhet tatimi? Nëse Jezusi pohon së duhet paguar tatimin Cezarit, farisenjtë që ishin aty, do e akuzonin për bashkëpunim me sunduesit. Nëse do të thoshte se nuk duhet paguar tatimin Cezarit, atëherë do përfitonin herodianët për ndonjë përçarje, sipas maksimës së vjetër përçaj dhe sundo, mbase pushteti i tyre varej nga sunduesit romak.

Ja dredha e dredhisë së pushtetit, që kur e mohon tjetrin bahet vetëm një mjet për të arritur qëllimin me çdo kusht.

Mësuesi hyjnor nuk niset me parë nga pushteti, por nga fytyra. Ai njëherë e përgjithmonë hedh dritë mbi natyrën e pushtetit, masa e të cilit varet nga shfaqja e fytyrës. “Me tregoni – thotë- monedhën e tatimit”. Ata ia sollën një denar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim.” “E Cezarit” i përgjigjën ata.

Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.” (Mt 22, 15-22).

Tradita e Kishës ka reflektuar thellë rreth kësaj pamje që vjen nga Shkrimi i Shenjtë.

Po sjell për përsiatje vetëm dy tekste të Etërve të Kishës, njëra nga Lindja e tjetra nga Perëndimi. Shën Gregori i Nazianzenit, si rrallë ndër Etërit e Kishës të traditës lindore, lartësonte zërin rreth kësaj njëmendësie, sidomos kur u drejtohej udhëheqësve të cilët janë të thirrur që edhe ata të përkujdesën për ikonën e Hyjit që është njeriu, duke mos harruar se edhe vetë ata janë ikonë e Hyjit, të personifikuar në Cezarin si pushtetar. Edhe ata duhet kthyer ikonën Hyjit, në po atë shkëlqim që Hyji e krijoj sipas përngjasimit dhe shëmbëlltyrës së vet. Rreth saj, thotë: “Le të bartim, si fli veten tonë, thesarin me të çmueshëm për Hyjin që e shëmbëllen me së shumti atë. T’i kthejmë ikonës hyjnore atë çka i përket asaj sipas ikonës, le të njohim dinjitetin tonë, lë ta nderojmë shëmbëllesën, e lë të kuptojmë pushtetin për kë Krishti vdiq.”

Në vëzhgimet e tij Shën Augustini, rreth njeriut si ikonë e Hyjit, pohon: “Bëj që të rritet në ty dashuria, e cila të krijoi dhe të ripërtëriu sipas përfytyrimit të Hyjit” dhe shton: “Sa më shumë shtohet dashuria, aq më tepër do ta shëmbëllejmë Hyjin dhe do ta ndjemë Atë.” Në përimtimet e veta, Shën Augustini, saktëson: “Vetëm të mbrapshtit nuk njohin në vetën e tyre ikonën e Hyjit. E çka duhet thënë për ata, derisa të ndritë fytyra e Hyjit mbi ta? O Zot, ti e ndez dritën time, ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim (Ps 17, 29). Unë jam në errësirën e mëkatit. Bëj që, me një rreze të urtisë sate të shpërndahen errësirat e mia dhe të shfaqet fytyra jote. E nëse për fajin tim, fytyra jote do të duket e deformuar, lë të ripërtërihet nga ti, mbase, nga ti është trajtuar. Le të ndritë mbi ne fytyra jote.”

Po e përmbyll këtë përsiatje me një mendim të R. Guardinit. Ai, si rrallë kush shquhet për trajtimin e pushtetit në kohën moderne: “Bota moderne përmasat e saja i ngriti nga botëkuptimi i natyrës si fuqi mbrojtëse, nga subjektiviteti njerëzor që merret si mëvetësi e personalitetit dhe kulturën si hapësirë e ndërmjetme që shquhet nga vetë ligjet e saj. Çdo gjë merr kuptimin e vet duke u nisur vetëm nga natyra, kultura dhe subjektivizmi. Me mbarimin e botës moderne, dëshmitarë të së cilës jemi, këto ide po fundosen gradualisht. Natyra po e humb fuqinë e saj mbrojtëse dhe po bëhet gjithnjë me kërcënuese dhe e rrezikshme. Njeriu po mbetet i zhveshur gjithnjë nga njeriu i standardizuar dhe pleksja kulturore po e bën të vdesë përkushtimin ndaj kulturës. Sistemet totalitare janë shprehja më bindëse ndaj kësaj krize e cila përmban në vete edhe rastin e duhur të një fillimi të ri. Sakaq, duket se ishte e nevojshme që njeriu të humbë se pari këto thesare natyrore dhe kulturore që duke ndodhur në këtë varfëri të kthehet dhe të zbulojë veten e tij si person i ‘zhveshur’ përballë Hyjit.”/drita.info

Comments are closed.

« »