Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për ditën botërore të 29 të të sëmurëve

Feb 10 • Kisha në botë

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

PËR DITËN BOTËRORË TË XXIX TË TË SËMURËVE

11 shkurt 2021

 

 

Vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër (Mt 23,8)

Marrëdhënia e besimit si bazë e kujdesit ndaj të sëmurëve

 

 

 

Të dashur vëllezër e motra!

Kremtimi i Ditës Botërore të XXIX të të Sëmurëve, që bie me 11 shkurt 2021, në përkujtimin e së Lumes Virgjërës Mari të Lurdit, është moment i përshtatshëm që t`i kushtojmë një kujdes të veçantë personave të sëmurë dhe atyre që u shërbejnë qoftë në vende të caktuara për kujdesin e tyre qoftë në gjirin e familjeve dhe të bashkësive. Mendoj më së pari për ata që po vuajnë pasojat e pandemisë së korona virusit në të gjithë botën. U shpreh afërsinë time të gjithëve, veçanërisht të varfërve dhe të mënjanuarve, duke ju siguruar përkujdesjen dhe dashurinë e Kishës.

1. Tema e kësaj Dite frymëzohet nga pjesa ungjillore ku Jezusi kritikon hipokrizinë e atyre që flasin por nuk veprojnë (khs. Mt 23,1-12). Kur feja tkurret në veprimtari të shterpëta fjalësh, pa u përfshirë në histori dhe në nevojat e tjetrit, atëherë zvogëlohet koherenca mes besimit të shprehur dhe përjetimit real të saj. Rreziku është i rëndë; për këtë Jezusi përdor shprehje të forta, që të na ruajë nga rreziku i rënies në idhujtarinë e vetvetes, dhe shprehet: «Vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër» (rr.8).

Kritika që Jezusi u drejton atyre që «thonë por nuk veprojnë» (rr. 3) është e shëndetshme gjithmonë dhe për të gjithë, sepse shpëton nga e keqja e hipokrizisë, një e keqe shumë e rëndë, që prodhon pasojën e pengesës së lulëzimit si bij të të njëjtit Atë, të thirrur për të jetuar një vëllazëri universale.

Përballë nevojës së vëllait apo motrës, Jezusi ofron një model sjelljeje krejtësisht të ndryshme nga hipokrizia. Propozon që të ndalemi, të dëgjojmë, të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe personale me tjetrin, të kemi empati dhe dhembshuri për të, të lejojmë veten që të përfshihemi nga vuajtja e tyre deri sa ta marrim nën kujdes përmes shërbimit (khs. Lk 10,30-35).

2. Përvoja e sëmundjes na bën të ndjejmë brishtësinë tonë dhe njëkohësisht nevojën e padiskutueshme të tjetrit. Gjendja e të qenit të krijuar bëhet akoma më e mprehtë dhe përjetojmë në mënyrë të qartë se i përkasim Hyjit. Në të vërtetë kur jemi të sëmurë paqartësia, frika dhe shpesh tronditja mbizotërojnë mendjen dhe zemrën; gjendemi në një situatë paaftësie, sepse shëndeti ynë nuk varet nga aftësitë tona ose nga `përpjekjet` tona (khs. Mt 6,27).

Sëmundja shtron një pyetje mbi kuptimin e ngjarjeve, që me fe i drejtohet Hyjit: një pyetje që kërkon një domethënie të re dhe një drejtim të ri në ekzistencë, dhe që ndonjëherë nuk e gjen menjëherë përgjigjen. Edhe vetë miqtë dhe të afërmit nuk janë gjithmonë në gjendje të na ndihmojnë në këtë kërkim të vështirë.

Figura biblike e Jobit është figura simbolike e kësaj situate. Gruaja dhe miqtë nuk arrijnë ta shoqërojnë në fatkeqësinë e tij, përkundrazi e akuzojnë duke ia shtuar më shumë vetminë dhe përhumbjen. Jobi bie në një gjendje braktisjeje dhe moskuptimi. Por pikërisht përmes kësaj brishtësie të thellë, duke shmangur çdo lloj hipokrizie dhe duke zgjedhur rrugën e sinqeritetit drejt Hyjit dhe drejt tjerëve, ai bën që britma e tij këmbëngulëse të arrijë te Hyji, i cili në fund përgjigjet, duke i hapur një horizont të ri. I pohon që vuajtja e tij nuk është një dënim ose një ndëshkim, nuk është as një shenjë e largësisë nga Hyji ose shenjë e mospërfilljes së tij. Kështu nga zemra e plagosur dhe e shëruar e Jobit rrjedh ajo deklaratë e gjallë dhe mallëngjyese drejt Zotit: «Të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë!» (Jb 42,5).

3. Sëmundja ka gjithmonë fytyrë, dhe jo vetëm një: ka fytyrën e një të sëmuri dhe të sëmure, edhe të atyre që ndihen të shpërfillur, të përjashtuar, viktima të padrejtësive shoqërore që u mohojnë të drejtat themelore (khs. Enc. Vëllezër të gjithë, 22). Pandemia aktuale ka bërë që të dalin shumë pamjaftueshmëri të sistemeve shëndetësore dhe mangësi në asistimin e personave të sëmurë. Të sëmurëve, më të dobëtëve dhe më të brishtëve jo gjithmonë u është ofruar qasje në përkujdesje dhe jo gjithmonë u është ofruar në mënyrë të drejtë. Kjo varet nga zgjedhjet politike, nga mënyra e administrimit të burimeve dhe të angazhimit të atyre që mbështjellën me rolin e përgjegjësisë. Të investosh burimet në përkujdesjen dhe në ndihmën e personave të sëmurë është një përparësi ligjore sipas principit që shëndeti është një e mirë e përbashkët parësore. Në të njëjtën kohë pandemia ka vendosur në pah edhe përkushtimin dhe bujarinë e operatorëve shëndetësorë, të vullnetarëve, të punëtorëve dhe punëtoreve, të meshtarëve, të rregulltarëve e rregulltareve, që me profesionalizëm, me vetëmohim, me ndjenjë përgjegjësie dhe dashurie për të afërmin kanë ndihmuar, janë përkujdesur, i kanë ngushëlluar dhe shërbyer shumë të sëmurë dhe familjarë të tyre. Një sërë burrash dhe grash në mënyrë të heshtur kanë vendosur të shohin ato fytyra, duke marrë përsipër plagët e pacientëve që i konsideronin të afërm në virtyt të përkatësisë në të njëjtën familje njerëzorë.

Afërsia, në fakt, është një balsam i çmuar, që mbështet dhe ngushëllon atë që vuan në sëmundje. Si të krishterë, jetojmë afërsinë si shprehi e dashurisë së Jezu Krishtit, Samaritanit të mirë, që me dhembshuri është bërë i afërm i çdo qenie njerëzore, të plagosur nga mëkati. Të bashkuar me Të, falë veprimit të Shpirtit Shenjt, jemi të thirrur të jemi të mëshirshëm sikur Ati dhe të duam veçanërisht vëllezërit e sëmurë, të dobëtit dhe ata që vuajnë (khs Gjn 13,34-35). Dhe e jetojmë këtë afërsi, përveçse në mënyrë personale, edhe në formë bashkësiore: në fakt dashuria vëllazërore në Krishtin lind një bashkësi të aftë për shërim, që nuk braktis askënd, që përfshin dhe mirëpret mbi të gjitha më të dobëtit.

Prandaj dëshiroj të kujtoj rëndësinë e solidaritetit vëllazëror, që shprehet konkretisht në shërbim dhe mund të marrë forma shumë të ndryshme, të gjitha të drejtuara kah mbështetja e të afërmit. «Të shërbesh d.m.th të kesh kujdes për ata që janë të dobët në familjet tona, në shoqërinë tonë, në popullin tonë » (Homelia në La Habana, 20 shtator 2015). Në këtë angazhim secili është i aftë të «vendos mënjanë nevojat dhe pritshmëritë vetjake, dëshirat e tij të gjithëpushtetshmërisë përballë shikimit konkret të më të dobëtëve. […] Shërbimi shikon gjithmonë fytyrën e vëllait, prek mishin e tij, ndjen afërsinë e tij deri sa në disa raste ta `vuajë`, dhe kërkon përparimin e vëllait. Për këtë arsye shërbimi nuk është asnjëherë ideologjik, duke qenë se nuk u shërben ideve, por personave» (Homelia në La Habana).

4. Që të jetë një terapi e mirë, është vendimtare aspekti relacional, përmes së cilës mund të bëhet një sjellje e gjithanshme ndaj personit të sëmurë. Të vlerësosh këtë aspekt ndihmon edhe mjekët, infermierët, profesionistët dhe vullnetarët që të mbartin ata që vuajnë për ti shoqëruar drejt një procesi shërimi, falë një marrëdhënieje ndërpersonale dhe besimi (khs. Karta e re e Operatorëve Shëndetësorë [2016], 4). Pra bëhet fjalë që të vendoset një pakt mes nevojtarëve për kujdes dhe atyre që kujdesen; një pakt i themeluar mbi besimin dhe respektin reciprok, mbi sinqeritetin, mbi gatishmërinë, kështu mund të tejkalohet çdo lloj barriere mbrojtëse, të vendoset në qendër dinjiteti i të sëmurit, të kujdeset profesionaliteti i operatorëve shëndetësor dhe të mbahet një raport i mirë me familjet e pacientëve.

Pikërisht kjo marrëdhënie me personin e sëmurë gjen një burim të pashtershëm motivimi dhe force në dashurinë e Krishtit, siç tregon dëshmia mijëvjeçare e burrave dhe grave që janë shenjtëruar duke u shërbyer të sëmurëve. Në fakt nga misteri i vdekjes dhe i ngjalljes së Krishtit rrjedh ajo dashuri që është e aftë t`i japë kuptim të plotë qoftë gjendjes së pacientit qoftë të atij që përkujdeset. Këtë e dëshmon shumë herë Ungjilli, duke treguar se shërimet e bëra nga Jezusi nuk janë asnjëherë gjeste magjike, por gjithmonë si fryt i një takimi, i një marrëdhënieje ndërpersonale, në të cilin dhurata e Hyjit, e ofruar nga Jezusi, përkon me fenë e atij që e pranon, siç e përmbledh fjala që Jezusi shpesh përsërit: `Feja jote të shpëtoi`.

5. Të dashur vëllezër e motra, urdhri i dashurisë, që Jezusi u ka lënë nxënësve të vet, gjen një marrëdhënie konkrete edhe në raport me të sëmurët. Një shoqëri është më njerëzore sa më shumë që të kujdeset për anëtarët e dobët dhe të vuajtur dhe di ta bëjë me efikasitet të frymëzuar nga dashuria vëllazërore. Të drejtohemi kah ky qëllim dhe të bëjmë të mundur që askush të mos qëndrojë vetëm, që askush të mos ndihet i përjashtuar dhe i braktisur.

Ia besoj Marisë, Nënës së Mëshirës dhe Shëndetit të sëmurëve, të gjithë të sëmurët, operatorë shëndetësor dhe ata që qëndrojnë afër të vuajturve. Nga shpella e Lurdit dhe nga shumë shenjtëroret e saj të shpërndara nëpër botë, Ajo e mbajttë fenë dhe shpresën tonë, dha na ndihmoftë që të kujdesimi për njëri-tjetrin me dashuri vëllazërorë. Mbi të gjithë dhe mbi secilin prej jush jap nga zemra bekimin tim.

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 20 dhjetor 2020, e Diela e IV e Ardhjes.

 

Françesku

Comments are closed.

« »