Fshehja nga Zoti

Feb 12 • Meditimi i ditës

12 shkurt 2021 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zan 3,1-8; Ps 32,1-2.5-7; Mk 7,31-37)

 

Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria
Vdekja jote në kryq më ka liruar, o Zot.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhuruar.

Këtë bekim tëndin ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm me mend e zemër dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Zan 3,1-8

1 Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”. 2 Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; 3 porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. 4 Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5 Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.

6 Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.

8 Kur pastaj e dëgjuan zërin e Zotit Hyj që po shëtiste nëpër kopsht, në freskinë e pasditës, njeriu e gruaja e tij u fshehën para Zotit Hyj ndërmjet pemëve të kopshtit.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Leximi i sotëm ka të bëjë me një moment kritik në historinë e marrëdhënies së Zotit me njerëzimin. Si e bind gjarpri Evën të hajë frytin nga pema e ndaluar?
  • Pse mendon se Eva pushon së besuari te Zoti? Çka të bën të luftosh për t’i besuar Zotit?
  • A ka diçka që të bën të dëshirosh të fshihesh prej Zotit? Flit me Zotin për ato gjëra tani.
  • Jezusi është Fjala e Zotit për ne sot. Në Jezusin përçarja midis Zotit dhe njerëzimit është shëruar.
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, lejo që Shpirti i shenjtë t`i sjellë ndërmend ndonjë tundim me të cilin je duke luftuar aktualisht.

 

Bashkëbisedimi

Në lutje silli te Jezusi frikën, dyshimet dhe tundimet e tua dhe kërkoji që dashuria dhe hiri i tij të ndikojnë në jetën tënde.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të  Shenjtë.

Për Hyjin kemi nevojë për shkak të dobësisë së trupit tonë dhe thyeshmërisë së zemrës sonë. Lutja është kohë kur në nevojë vijmë para Hyjit, duke e ditur se ai gjithmonë na jep fuqinë e shpirtit, trupit dhe mendjes, kur vendosemi në praninë e tij. O Zot, m`i prek edhe veshët e mi. Shih se si s`po i dëgjoj fjalët e tua në mesin e të gjitha këtyre tingujve që më rrethojnë. Më ndihmo që të mos jem i/e shurdhër ndaj asaj që më ofron për shpëtimin tim.

Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »