Medaljoni unikat nga Ulpiana

Feb 23 • Histori, Kulturë

Nga Haxhi MEHMETAJ

 

Medaljoni i dedikohet perandorit më origjinë ilire Mark Aurel Probit (Marcus Aurelius Probus), i lindur në afërsi të qytetit antik Sirmium, pas triumfit të parë ndaj gotëve në vitin 278, ku ishin vrarë mbi 5000 ushtarë të armikut. Medaljoni është shtypur në qytetin Siscia (Sisak i sotëm) në Panoni po në vitin 278 pas Krishtit.

 

Para 30 vitesh në qytetin antik Ulpiana, gjurmët e të cilit ndodhen në fshatin Graqanicë, në juglindje të Prishtinës, është gjetur rastësisht një medaljoni cili është unikat në Iliri. Medaljoni është modeluar më mjeshtri të rrallë, në reliev bukur të lartë (0.6cm) për monedha e medaljone. Ka diametër 43mm dhe peshon 42.15gr.

Në faqe te medaljonit (avers) të përkufizuar me bordurë të rrethit me pika është paraqitur mbishkrimi IOVI CONSERVATORI PROBI AVG (ustus), dhe dy buste të kthyera nga ana e djathtë, me kurora dafine mbi kokë, në planë të parë busti i perandorit Prob dhe në planë të dytë busti i kryehyjit Jupiter me mjekër. Perandori në një skenë solemne, i veshur me pancir, dorën e djathtë e ka ngritur lartë, ndërsa me dorën e majtë mbanë skeptrin.

Në shpinë të medaljonit (revers), perandori Prob shfaqet i veshur si ushtar duke kalëruar, me shtizë të përgatitur për sulm. Pas tij ngarendë perëndesha e fitores Viktoria me krahë të hapur, me degë ulliri në dorën e majtë, ndërsa me të djathtën e kurorëzon perandorin me kurorë të thurur me gjete dafine. Para perandorit është vendosur trofeu më armët të armikut të mundur. Nën trofe rrinë ulur me duar të lidhura pas shpine ushtari got i zënë rob. Në anën e djathtë të trofeut qëndron në këmbë me duar të lidhura një rob tjetër. Në pjesën e sipërme të medaljonit  është shtyp mbishkrimi VIRTVS AVG (ustus), kurse në pjesën e poshtme, në seksion mbishkrimi TRVMFVM GOTICVM.

Pra medaljoni i dedikohet perandorit më origjinë ilire Mark Aurel Probit (Marcus Aurelius Probus), i lindur në afërsi të qytetit antik Sirmium, pas triumfit të parë ndaj gotëve në vitin 278, ku ishin vrarë mbi 5000 ushtarë të armikut. Medaljoni është shtypur në qytetin Siscia (Sisaku i sotëm) në Panoni po në vitin 278 pas Krishtit./drita.info

Fotografia në ballinë: Medaljoni i Probit (Dizajni: Dukagjin Mehmetaj)

Comments are closed.

«