Jeta shpirtërore dhe përvoja e mëkatit

Feb 25 • Këndvështrime

Nga Don Anton Uka

 

Sot, ndjehet një nevojë e madhe për jetë (përvojë) shpirtërore, për arsye të një thatësire dhe vetmie të dukshme,që ekziston në brendësinë e jetës njerëzore. E për këtë jemi dëshmitar çdo ditë, se shumë njerëz e kanë të vështirët’i vënë emër thatësirës dhe vetmisë, apo të gjejnë atë që vërtetë kërkojnë dhe kanë nevojë. E për këtë arsye ndodhë kjo, që kërkojnë ndihmë: në vende, në njerëz, në gjëra dhe në përvoja të gabuara. Fatkeqësisht, ky është realiteti i njerëzve të ditëve tona.

Shtrohet pyetja: Çka nënkuptohet me jetë shpirtërore e krishterë? Cilat janë rrugët që shpien drejt sajë?

Para se gjithash duhet theksuar që sot, më tepër se në të kaluarën, ekziston një konfuzion i gjithmbarshëm në lidhje me kuptimin e fjalës apo të terminologjisë jetë shpirtërore. Ky konfuzion, vjen si pasojë e përvojave të shumta e jo mirë të përcaktuara. Gjithashtu edhe si rrjedhojë e asaj, që njeriu i ditëve tona, ka me botën e tij të brendshme, me njohuritë e shumta religjioze dhe kulturore të mjedisit në të cilin jeton.

Ndikim të madh në këtë konfuzion, padyshim, ka edhe ekspozimi ndaj botës virtuale me informacionet e saja të pafundme, e nganjëherë të panevojshme dhe të dëmshme për atë që ofron. Gjithsesi me terminologjinë jetë shpirtërore, nënkuptojmë vetëdijen më të lartë (ndërgjegjësimin) që njeriu mund të ketë në marrëdhënie me vetveten (trupin, mendjen dhe shpirtin), me të tjerët, me Hyjin, me botën apo mjedisin e jashtëm në të cilin jeton dhe me besimin apo fenë që praktikon.

Për të ditur më mirë, kuptimin dhe domethënien e jetës shpirtërore sipas këndvështrimit të krishterë, e konsideroj të arsyeshme të theksoj, se jeta shpirtërore e krishterë është ajo përvojë që është animuar nga Shpirti Shenjt, dhe vihet në një ecje apo ndjekje të Jezu Krishtit. Jeta shpirtërore e krishterë, e ka zanafillën (lindjen) në sakramentin e pagëzimit, ushqehet (rritet) përmes Fjalës së lutur, medituar dhe përmes Eukaristisë (Kungimit të shenjtë), dhe përhapet (bëhet katolike – universale) përmes frymëzimeve të dashurisë (shërbimit dhe dhurimit falas ) që Shpirti Shenjt, nxitë në zemrën e të gjithë atyre që me çiltëri, me mirësi dhe me dashuri, pandërprerë, e kërkojnë.

Nga kjo rezulton se jeta shpirtërore është e gjallë (dinamike), është marrëdhënie (kontakt) mes shpirtit të njeriut dhe Shpirtit Shenjt, që banon në ne. Është e hapur dhe gjithnjë e gatshme për të shërbyer dhe ndihmuar në shembullin e Samaritanit të mirë (khs. Lk 10, 25-37).

Me plotë të drejtë, sjelljet e dashurisë, gëzimit, paqes, durimit,  dashamirësisë, mirësisë, besnikërisë, butësisë, e zotërimit të vetvetes etj., konsiderohen sjellje apo qëndrime shpirtërore. Jo vetëm për faktin se janë në kundërshtim me urrejtjen, hidhërimin, luftën, padurimin, smirën, tradhtinë, egërsinë dhe mos kontrollimin e vetvetes, por, para se gjithash sepse janë fryte të dhuratave të Shpirtit Shenjt (khs. Gal 5, 22).

Pra, jeta e krishterë nuk është buonizëm (mirësi, tolerancë dhe dashamirësi artificiale), e as spiritualizëm (përjashtim i realitetit njerëzor), rryma këto shumë të përhapura dhe të rrezikshme, por është jetë. Marrëdhënie e gjallë dhe e vërtetë mes realitetit njerëzor (njeriut) dhe atij hyjnor (Hyjit). Lidhshmëria mes jetës së krishterë dhe jetës shpirtërore është aq e fuqishme, saqë mund të thuhet se nuk ka jetë të krishterë pa jetë shpirtërore apo pa jetë sipas Shpirtit të Hyjit që banon në të pagëzuarit (khs. 1Kor 6, 19-20).

Jeta shpirtërore, para se gjithash, është marrëdhënie (përvojë) me Hyjin Trini dhe vetëm pastaj, e mbështetur në fe, shpresë dhe dashuri, mund të jetë dërgim apo mision drejtë detyrave (përgjegjësive) personale, familjare, shoqërore dhe kishtare. Nga ky definicion kuptojmë që ajo, nuk është ide e jona, që kemi krijuar mbi Hyjin, nuk është arritja e jona filozofike apo teologjike, nuk është përpjekje e angazhimeve tona, por  është dashuria që Hyji, në personin e Jezu Krishtit, e ka treguar dhe dëshmuar për të gjithë.

Pra, para se ne ta kemi menduar dhe njohur Hyjin, Ai na ka menduar dhe na ka njohur ne. Para se ne ta kemi dashur Atë, Ai na ka dashur ne. Para se ne të kemi bërë diçka për Të, Ai ka bërë diçka për ne: Na ka krijuar dhe na ka shëlbuar me jetën, mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Birit të vet dhe Zotit tonë Jezu Krishtit. Vetëdija për të gjitha këto, dhe vënia në dëgjim dhe adhurim të Hyjit që fletë dhe banon në ne, quhet dhe realisht është jetë shpirtërore.

Me plotë të drejt, murgu italian Enzo Bianchi thoshte: “Jeta shpirtërore zhvillohet në zemër, në thellësinë e njeriut, në vendin e vullnetit dhe të vendimeve, në brendësi. Aty duhet të njihet vërtetësia e të qenit tonë të krishterë. Në fakt, jeta e krishterë nuk është një ikje larg, gjithmonë në kërkim të risisë, por një hyrje thellë, një zbritje në thellësinë e zemrës për të zbuluar se aty është Shenjti i shenjtërve i tempullit të Hyjit që është trupi ynë”.

Duke iu referuar përvojës së etërve biblik dhe historive të shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës, kuptojmë se jeta shpirtërore, përveç shndritjeve (frymëzimeve) dhe ngjitjeve drejtë përvojës së  gëzimit, paqes, ngushëllimit dhe dashurisë, ajo, po ashtu, ka edhe përvojën e errësirës dhe të rënieve.

Përvoja e mungesës së Hyjit në momente të vështira të jetës. Përvoja e dyshimit në dashurinë e Hyjit dhe në veprat tona të mira. Përvoja se gjithçka është kotësi (e kalueshme). Përvoja e frikës përballë të keqes, tundimeve dhe vdekjes. Përvoja e vetmisë në netët e errëta të jetës. Përvoja e refuzimit dhe braktisjes nga ata që mendonim dhe besonim se na donin. Përvoja e përbuzjes, e nënçmimit, e tradhtisë, e gjykimit dhe e kryqëzimit në kryq. Të gjitha këto, janë përvoja errësire (krize) dhe rënie. Mirëpo, nëse personi i pranon dhe i jeton  sipas stilit të Krishtit, domosdoshmërisht do të shndërrohen në përvoja lavdie (shndërrimi) dhe ngjalljeje (ngadhënjimi). Jeta e Jezusit është dëshmi se njeriu është i krijuar për të ngadhënjyer mbi çdo të keqe, edhe mbi vdekjen. Por, kjo varet nga besimi dhe qëndrueshmëria e tij.

Përveç përvojës së errësirës dhe shndritjes, rënies dhe ngritjes, humbjes dhe ngadhënjimit, jetën shpirtërore shumë herë e karakterizon edhe përvoja e mëkatit, e cila mund të përjetohet nga personi nga ndjenja e fajit dhe ndjenja apo vetëdija e mëkatit. Por, çka nënkuptohet konkretisht, për ndjenjë të fajit dhe çka për ndjenjë të mëkatit, jo gjithmonë është e qartë tek ata te të cilët janë të pranishme këto ndjenja.

Ndjenja e fajit, sipas njohësve të përshpirtërisë së krishterë dhe të psikologëve, “është më tepër psikologjike, instinktive dhe narciziste (lidhje e gabueshme dhe e dëmshme me vetveten), lind nga vlerësimi zhgënjyes mbi vetveten, provokon nervozizëm dhe refuzim të vetvetes, nganjëherë edhe veprime obsesive-kompulsive (janë mendime dhe veprime të padëshiruara, prania e të cilave zakonisht shkakton shqetësim dhe ankth të theksuar), mund ta zbeh sigurinë e faljes dhe gëzimin e të qenurit të shpëtuar apo të shëlbuar” pohon psikologu italian Amedeo Cencini.

Ndërsa, krejt ndryshe nga ndjenja e fajit është ndjenja apo vetëdija e mëkatit, ajo “është relacionale dhe teologjike (lidhje e ngushtë me Hyjin), lind nga dashuria dhe provokon dhimbje, por në mënyrë të veçantë shkakton siguri të faljes dhe guxim për ta shqyrtuar deri në fund përvojën personale të dobësisë”, thotë Cencini.

Njerëzit, të cilët i karakterizon apo i mbizotëron ndjenja e fajit, zakonisht, nuk ndjejnë nevojë për një përvojë të vërtetë shpirtërore, nuk ndjejnë nevojë t’ju qasen sakramentit të rrëfimit, edhe nëse e bëjnë, më tepër e bëjnë për t’u shfajësuar apo për ta akuzuar vetveten për fajet apo dobësitë e veta, sesa për t’u takuar me mëshirën (faljen) dhe me dashurinë e Zotit, sikurse do të bënte një mëkatar i përvuajtur dhe i vetëdijshëm që me mëkatet e tija, para se ta lëndoj veten dhe të tjerët, ka lënduar dashurinë e Hyjit .

Ata njerëz, të cilët janë tepër të lidhur me dhe për vetveten, zakonisht, janë të penguar të jetojnë lirshëm, pikërisht për arsye se kanë frikë nga gjithçka, ndjehen si të paralizuar. Fakti se janë të përqendruar mbi përvojat e tyre të këqija dhe negative (reale apo të imagjinuara), janë të penguar të shpresojnë apo ta shohin vetën të shpëtuar (shëlbuar).

Të jetuarit kështu shkakton ankth, pasiguri, mërzi dhe ndjenja të theksuara kotësie (frustrim). Nga dëshira e tepruar për ta ruajtur jetën e vet, e humbin atë duke jetuar keq dhe të pakënaqur në vazhdimësi. Jezusi me plotë të drejtë thotë: “Kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humb, ndërsa kush do të humb jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë” (Lk 9, 24)./drita.info

Comments are closed.

« »