“S’erdha për të qenë shërbyer, por për të shërbyer“

Mar 3 • Meditimi i ditës

3 mars 2021 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 18,18-20; Ps 31,5-6.14-16; Mt 20,17-28)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria 

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Qetësohem dhe përqendrohem për ta dëgjuar Fjalën e Zotit me mend e zemër.

Ndalem në atë fjalë apo fjali që më lë mbresa, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 20, 17-28

17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:

18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Historia e bijve të Zebedeut nuk ka të bëjë vetëm me një nënë ambicioze për fëmijët e saj, por edhe me një keqkuptim të asaj se çka do të thotë ta ndjekësh Jezusin. Ajo mendon se ndjekja e Jezusit është një biletë për pushtet dhe lavdi për bijtë e saj, por Jezusi flet për kelkun që duhet të pijë, vuajtjet dhe vetëmohimin që është në thelbin e misionit të tij. Po si është përvoja jote personale lidhur me ndjekjen e Jezusit? A ka në të ëmbëlsi dhe dritë? Lavdi dhe triumf? Vuajtje dhe sakrifica? Ndoshta një përzierje e gjithë kësaj?
  • Dhe cila është përvoja jote për llojin e udhëheqjes së krishterë që Jezusi e përshkruan këtu – “ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj“, unë “s’erdha për të qenë shërbyer, por për të shërbyer“? A e ke provuar udhëheqjen kështu? A e ke ushtruar ndonjëherë udhëheqjen kështu?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin e ungjillit, vë re kontrastin midis këtyre dy vizioneve të misionit të Jezusit, të kuptimit të krishterimit dhe udhëheqjes së krishterë.

 

Bashkëbisedim

Në fjalët e Jezusit ka indikacione, parashenja të fatit dhe bjerrjes. Parandjenja e bjerrjes vetjake ta ngrinë zemrën. Kur Jezusi e paralajmëron mundimin, nuk e përmend vetëm ekstradimin, por edhe frushkullimin, fyerjen. Është e vështirë ta imagjinosh mundimin dhe frikën që rrinin pezull mbi zemrën e tij javëve të fundit.

Në minutat përmbyllëse të kësaj kohe lutjeje, flit me Jezusin. Nëse ai ta bën atë pyetje, “A je në gjendje ta pish kupën që do ta pi unë?” – si do t`i përgjigjesh?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Marshimi drejt Jerusalemit është i vështirë me të gjitha këto parandjenja të zeza. Jezusi përpiqet t`u flasë të dymbëdhjetëve për frikën që janë duke ia mbushur zemrën e tij: miqtë do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë te armiku; do ta dëgjojë dënimin me vdekje, do të pësojë padrejtësi, fyerje, poshtërim; do të pësojë mundimin e frushkullimit dhe në fund do të përballet me vdekjen e tmerrshme në kryq.

O Zot, ky është kelku që ti do ta pish. Më jep forcë që të të përgjigjem pozitivisht nëse më kërkon që unë ta ndaj atë me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »