Dëshirat e zemrës

Mar 4 • Meditimi i ditës

4 mars 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 17,5-10; Ps 1,1-4.6; Lk 16,19-31)

 

Prania e Hyjit

“Qëndroj para derës dhe trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat vetjake,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çka Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e uljet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Jer 17,5-10

 

5 Kështu thotë Zoti:

Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson,

ai që mbështetjen e vet e ka në njeriun

e zemra e tij largohet prej Zotit.

6 Ai do të jetë porsi marena në shkretëtirë:

nuk sheh kurrë asnjë të mirë,

i shkon ditët në thatësirën e shkretëtirës,

në tokë të kriposur, të pabanueshme.

7 Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin,

Zoti do të jetë shpresa e tij.

8 Ai do të jetë porsi druri

i mbëltuar në breg të ujit,

që kah përroi i lëshon rrënjët

e s’do të trembet kur të vijë zhegu:

gjethi i tij do të jetë i blertë.

Për vit thatësie nuk merakoset,

nuk pushon së dhëni fruta.

9 Më dinake se çdo gjë tjetër është zemra,

e pashërueshme;

kush është ai që mund ta njohë?

10 Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën, sprovoj veshkat,

i jap secilit sipas sjelljes së tij,

sipas fryteve të veprave të tij.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Këto fjalë të Jeremisë duket se kanë të bëjnë me atë se ku mbështetesh ti, ku e vendos besimin tënd. Ata që e vendosin besimin e tyre në “mish” – në qenie njerëzore – janë duke vendosur për zhgënjim dhe duke e çuar veten në shkretëtirë, si dikush që endet në një shkretëtirë të zbrazët. A është ky imazh – i endjes në një shkretëtirë të zbrazët – një imazh i gjallë për ty? A e ke përjetuar një kohë kur je ndjerë ashtu? A po ndihesh kështu tani, ndoshta gjatë pandemisë?
  • Por ata që e vendosin besimin e tyre në Zotin, thotë Jeremia, do të jenë si një bimë e ujitur mirë – e harlisur, e gjelbër dhe e frytshme. A mund ta kujtosh ndonjë moment kur je ndier ashtu? – si pemë e ujitur mirë, e fortë dhe e frytshme?
  • Dëgjoje përsëri fragmentin biblik tani. Megjithëse gjuha është ndoshta pak e ashpër dhe kontrastet mjaft të ashpra, a ka ndonjë gjë që të flet, që lidhet me përvojën tënde?

 

Bashkëbisedimi

Jeremia thotë se zemra është “dinake” dhe “e pashërueshme” – ndoshta një mënyrë e ashpër për të thënë që unë përmes dëshirave vetjake mund të mashtrohem dhe të përfundoj në qorrsokak, por se përgjigjja është t’i trajtoj ato duke e kërkuar vështrimin e Zotit, i cili më njeh më mirë sesa e njoh unë vetën time. Flit me atë Zot tani, i cili është i pranishëm këtu ndërsa je duke u lutur. Çfarë duhet t’i thuash Zotit për dëshirat e tua, për përvojën tënde të thatësisë dhe frytshmërisë, për atë se ku dëshiron ta vësh shpresën, besimin tënd?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë.

Jezu Krishti shpesh herë ka folur me shëmbëlltyra. Në Bibël gjejmë edhe kontraste të ashpra. Por, mesazhi qendror është shumë i thjeshtë: të jemi vigjilentë ndaj nevojave të vëllezërve dhe motrave që i kemi para hunde. Pa sy për nevojtarët rreth nesh jeta jonë bëhet egoiste dhe e pashpirt.

O Zot nga ne pret që t`i hapim sytë për të parë atë që ndodh rreth nesh, që t`i hapim veshët për ta dëgjuar urdhrin e thjeshtë të Ungjillit: Duaje të afërmin tënd. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »