Falja rrallë meritohet

Mar 6 • Meditimi i ditës

6 mars 2021 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Mih 7,14-15.18-20; Ps 103,1-4.9-12; Lk 15,1-3.11-32)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment e mendoj për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndjejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i/e vetëdijshëm/e për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.
O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;
Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.
Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.
Ta vërej bukurinë që më rrethon,
mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…
Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.
Duhet të dëgjoj me mend e zemër në mënyrë që ta dalloj çka dëshiron të më thotë.

 

Lk 15,1-3.11-32

 

1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:
“Ky i pranon mëkatarët thoshin dhe po ha me ta.”
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
11 Pastaj vijoi:
“Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.
14 Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovojë skamjen. 15 Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. 16 E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte.
17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’
20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati.
Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir… !’
22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vëriani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’
E filluan të dëfrehen.
25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, 26 thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. 27 Ai iu përgjigj: ‘U kthye vëllai yt e yt atë preu viçin e majmë pse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 Atëherë ai i tha të atit: ‘Ja, unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tëndin. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. 30 Por, kur të erdhi ky djali yt që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majmë!’ 31 ’Biro i tha i ati ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky vëllai yt pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Babai i do të dy djemtë – atë të keqin dhe atë të zemëruarin. Vazhdimisht i quan bij, edhe pse të dy e mbajnë për budalla. Jezusi në këtë histori tregon se çfarë është në të vërtetë babai i tij. Duhet të besoj se dora e Zotit është gjithmonë e shtrirë ndaj mëkatarëve, duke më përfshirë edhe mua. Zoti kurrë nuk pushon të ma dëshirojë të mirën. Do të përpiqem të sillem si babai ndaj të tjerëve që më kanë shkaktuar dhimbje dhe poshtërim.
  • Hyji na fton të gjithëve në festë të madhe. Kjo është drama e historisë njerëzore. Bota hyjnore është shtëpia jonë ku ne të gjithë jemi të mirëpritur dhe ku vlejmë. Së bashku do të festojmë dhe t`i gëzohemi njëri-tjetrit. Kjo do të jetë një atmosferë e gëzimit të përjetshëm.
  • O Zot, kur ndihem i/e humbur dhe i/e vdekur, dhe kur gjithçka komplotohet kundër meje, ma kujto ëndrrën tënde që e ruan për mua. Kur jam i/e brengosur për të tjerët bëj që të kem besim se thirrjen që iu ke drejtuar kurrë nuk e ke larguar, pa marrë parasysh se çfarë bëjnë njerëzit.

 

Bashkëbisedimi

  • Me kë mund të identifikohem në këtë shëmbëlltyrë? Me vëllain e vjetër i cili është i zemëruar për shkak të dashurisë dhe faljes, që u treguan ndaj vëllait të vogël? Ose me vëllain e vogël i cili thjesht e pranon përqafimin e babait të tij?
  • Falja rrallë meritohet. Po të gëzoheshim duke ditur se na është falur pavarësisht padenjësisë sonë, do të ishim më të gatshëm të falim të tjerët edhe në qoftë se ata nuk e meritojnë këtë. Falja është një dhuratë. A e jap këtë dhuratë në mënyrë bujare?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Hyji gjatë shekujve në kultura të ndryshme është treguar me imazhe dhe ide të ndryshme. Në këtë shëmbëlltyrë e kemi një imazh të Jezusit që është mahnitës: një baba i butë i cili nuk e ndal të birin e vet plëngprishës ta turpërojë veten dhe familjen. Babai i cili jo vetëm që fal birin e vet, por edhe vrapon për ta përqafuar, e ndërpret kërkimfaljen e tij dhe përgatit një gosti të madhe si shprehje gëzimi.
I dashur Zot, çfarëdo qoftë ajo që më ndodh bëj që kurrë mos të harroj apo të dyshoj në këtë imazh tëndin.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »