Imzot Prennushi sipas kujtimeve te mbesave e  nipërve

Mar 6 • Kisha ndër Shqiptarë, Opinion

 Nga Tefta Radi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

U  lind në Shkodër më 4 shtator 1885 në një familje të nderuar shkodrane, atdhetare e fetare, nga prindërit Gjon dhe Drande. U pagëzua me emrin Kolë. Lindi binjak me motren Antonet, jeta e së cilës ishte fare e shkurtër. Nëna, mbiemri i vajzërisë Markaj, ishte nga fshati piktoresk Shirokë, buzë liqenit të Shkodrës. I ati, Gjoni, shkodran e çmonte shkollimin e djemve të tij, Kolës, Zefit,  Nushit  dhe  Ndocit.

At Vinçenc Prennushi me nënën Drane dhe vëllezrit Nush e Ndoc. Viti 1917. Arkivi familjar.

Më 4 tetor të vitit 1900, kur ishte 15 vjeç, Kola, i thirrur për t’ia kushtue jetën Zotit, veshi petkun e Shën Françeskut dhe ndoqi seminarin e Troshanit, themeluar më 1880. Ishte fidanishtja françeskane prej nga më pas nxënësit u dërguan për të vazhduar studimet e larta për filozofi e teologji në Bosnjë, Tirol e në Itali. Pas shkollimit të parë në vendlindje, pranë kolegjës françeskane, plotësoi studimet në Itali, Poloni dhe Austri.  Studimet e larta për filozofi e teologji, i kreu në  universitetin e Insbrukut në Tirol të Austrisë me rezultate të shkëlqyera. Në kuvendin françeskan të Tirolit pati rastin të njihet me kulturën gjermane dhe atë austriake si dhe me literaturën kristiane evropiane. At Vinçenc Prennushi mbetet një ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes dhe kulturës sonë kombëtare dhe i Kishës Katolike ndër Shqiptarë, luftëtar në bindje e ide, i demokracisë së re që po lindte në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit 20. Ai  i mbrojti ato me çmimin e një jete të vyer. Figura e Át Vinçenc Prennushit është shumë e pasur e komplekse. Ndër 64 vite jetë, 23 janë përgatitje, 36 shpërthim krijimtarie dhe 5 ndërprerje të dhunshme. Ai shfaqet si personalitet poliedrik i letrave shqipe, i plotësuar në secilën nga fushat ku rrezatoi kulturë, është shprehur studiuesi i kësaj figure të shquar të kombit tonë, Prof. Dr. Alfred  Çapaliku.

Ai i vuri të gjitha aftësitë e tij si shkrimtar, përkthyes, publicist,folklorist e natyrisht si përfaqësues i besimit katolik, në shërbim të kombit e shoqërisë shqiptare. Kjo jetë e pasur  At Vinçencit i dha  petkun e ipeshkvit të Sapës, detyrë të cilin e mbajti  deri në 1940. 

Dioqeza e Sapës. Foto 1920.

Në  shkurt  të 1936 këmbanat  e  Shkodrës  jepnin  lajmin se qyteti  kishte  Arqipeshkvin  metropolit  të  vetin, Imzot Gaspër Thaçin dhe Sapa ipeshkvin e vet, Imzot Vinçenc Prennushin,  emëruar nga Papa  Shenjt,  Piu  i  XI. Mbas shugurimit  ipeshkvor  më 19 mars, në  Katedralen e Shkodrës, më 1 prill shkon në  dioqezën  e  Sapës, i pritur nga populli që e adhuronte për qetësinë, butësinë  e oratorinë e tij. Mandej edhe ata të besimit mysliman e thërrisnin “Melek”. Sipas dokumentave të Vatikanit, vjetarit të Atit të Shenjtë, në të cilën janë të botuara të gjitha dioqezat katolike të mbarë botës, e së cilës i referohet historiani  Dom Gaspër Gurakuqi, Dioqeza e Sapës u themelue  diku rreth vitit 1180, që lokalizohej vendi në rrëzë të Malit të Shën Mëhillit. Sapa në atë kohe ishte një qytet  mjaft i zhvilluar.  Shtrihej  në  territorin që sot ne e njohim si krahina e Zadrimës.

Unë, Tefta Radi, pata fatin të bëhem pjesë e familjes se spikatur shkodrane, në një prej mbesave të tij, Roza Prennushi (Radi), të martohem me djalin e saj, kantautorin, këngëtarin dhe instrumentistin e mirënjohur Françesk Radi. Kam mbaruar për letërsi, por vjerra ime, një grua e mençur, e paqtë, me një buzëqeshje që nuk i shuhej kurrë, më konkurronte dukshëm teksa recitonte aq bukur e me aq dashuri, pa ngatërruar asnjë  varg, poezi nga  vëllimi  poetik “Gjeth’ e lule “,  të axhës së saj, Imzot Prennushit apo poezi nga “Lahuta e malësisë “ të padër Fishtës së madh. Mahniteshim teksa i recitonte me shkodranishten e saj të ëmbël edhe kur i kishte shkelur të 99 –tat. Prennushët i dhanë kombit dhe shoqërisë shqiptare emra të shquar në fushën e letrave shqipe, historisë, teatrit e kinematografisë, muzikës, sport, mjekësi,  e më gjerë.

Ipeshkv Prennushi me nënën e tij  Drane në Sapë, 1936. Arkivi familjar.

Duke qenë mes tyre u përpoqa ta sjell ndryshe për lexuesin figurën e prelatit të fundit të lartë të Kishës Katolike, personalitetit  të gjysmës së parë të shekullit XX, Imzot Vinçenc Prennushi. Në aspektin studimor e shkencor e kanë thënë fjalën e tyre klerikë brenda e jashtë Shqipërisë, profesor të shquar e akademikë. Unë do t’i rikthehem  disa momenteve kyçe të jetës së tij përmes kujtimeve të mbesave e nipërve që patën rastin t’i qëndrojnë afër e ta mbajnë të gjallë në kujtesën e tyre. Janë tregime të thjeshta, por që e bëjnë të prekshëm  personalitetin V. Prennushi,  shoqërinë  e  jetën sociale të kohës.

Në  Sapë  ai  bëri  gjithçka për ta lulëzuar dioqezën si në aspektin fetar dhe në atë ambiental. Gjyljana, mbesa e tij, kujton fëmininë e saj, kur tok me të vëllanë  Mikel Prennushi, që më pas u bë një nga emrat e njohur në studimet historike shqiptare, shkonin shpesh në Nënshat së bashku me gjyshen Drane. Ajo e vlerëson si kohën më  të bukur të  fëminisë së saj Gjyljana i  nis kujtimet  me një poezi  të Imzot Prennushit kushtuar nënës së tij të shtrenjtë, Drane, dashuria dhe adhurimi për të cilën nuk njihnin kufij, por dhe  në kujtim të nënës së saj Roza.

Gjyshja jetonte me babën, Ndocin, që ishte më i vogli i vëllezërve. Ishim një familje e lumtur  e marrëdhëniet e saj me nanën time, Rozën ishin si nënë e bij, kujton mbesa Gjyljanë. Gjyshin Gjon nuk arritëm ta njohim, pasi vdiq i ri, tek të 65. Unë e vëllai, Mikeli patëm fatin të shkonim gjatë pushimeve verore, bashkë me nanën babë, Dranen, në Nënshat.

Mikeli e Gjyljana me gjyshen Drane në Sapë. Arkivi familjar.

Përpara syve të mi edhe tani 85 vjet mbrapa më shfaqet dioqeza dhe ambjenti rreth saj. Oborri  rrethohej nga një mur guri i shkurtër, mbi të cilin dukeshin degë pemësh. Trungjet e tyre ishin në një thellësi të madhe poshtë murit. Prej andej soditeshin fushat e bukura të Zadrimës. 

Gjyljana Prennushi, 5 vjeç. Foto, arkivi familjar.

Unë pata fatin të kem një fotografi  të  bërë nga  At Gjergj Fishta i madh pikërisht aty tek muri i shkurtër. Isha vetëm pesë vjeç. U lumturova e lumturohem edhe sot prej atij kujtimi të jashtëzakonshëm që mban datën dhe firmën  nënshkruar prej tij.  Nisur nga ky fakt mendoj se kjo foto përbën një relike tepër të vyer.

Nënshkrimi i Padër Fishtës.  Foto, arkivi familjar.

Axha e kishte shok të ngushtë at Gjergj Fishtën. Ai vinte shpesh e rrinin bashkë, flisnin e diskutonin. Por gjente kohë të na gëzonte edhe ne. Na bënte të qeshnim e të gajaseshim me vjershat  që i improvizonte në moment. Mua më quante çiripupe, ndërsa vëllain, Mikelin, çikirik.

Padër Fishta e At Vinçenci.  Fototeka “ Marubi”. 1937.

Më shfaqet i gjallë para syve edhe tani axha Vinçenc në dhomën e tij të punës, ku lexonte e shkruante me orë të tëra, sikur të mos i mjaftonte dita edhe natën, nën dritën e venitur të kandilit të asaj kohe. Ishin vitet ’30. I palodhur prej librave të shumtë, pendës e kallamarit të bojës. Unë i sillesha rreth e rrotull e ai i buzëqeshur më thoshte: Po ti mos moj flutur, mos u sjell aq rreth kandilit.

Axha  kujdesej  dhe i dashuronte lulet. Ambjenti zbukurohej vit pas viti. Më  kujtohet oazi i përshtatur në formë drejtkëndëshi  të cilin e rrethonin degë të zgjatura hardhije nga poshtë e që thureshin e gërshetoheshin sipër. Krijohej një bukuri nga dritë–hijet e rrezeve të diellit, që të bënte të humbisje e të meditoje edhe pse e vogël. Anash oazit ishin villej te mbjellura me lule të ç’do lloji e ngjyrash. Edhe pse e vogël gjithmonë më angazhonte në punë që vërtet mund t’i bajsha. Kështu së toku ujitnim lulet apo mblidhnim farat e tyre. Axha m’i jepte ato në dorë dhe më shpjegonte se përse duheshin. Aty kishte dhe stola ku pushoje e shijoje atë bukuri të krijuar prej dorës së axhës. Dashurinë e madhe për lulet që më shoqëron gjithë jetën time, duket se e trashëgova nga axha, po aq sa dhe dashurinë për librin, atëherë e vogël dhe ende nuk dija të lexoja. Kryesisht libra me figura që flisnin e tregonin gjithçka, përrallat që na i aktronte aq bukur sa na mahniste. Kishte një zhdërvjelltësi të të folurit, plot ëmbëlsi dhe fjalë të çuditshme për fëmijë që tingëllonin si lojra gazmore.

Më ka mbetur në mendje e zemër një tjetër bukuri. Pas ndërtesës, pas një shkëmbi, nga ku gurgullonte kroi, axha kishte vendosur statujën e virgjëreshës Mari, veshur në të bardha dhe rruzaren në rrypin e kaltër. Duart i kishte të shtrira e kur qëndroja para saj dukej sikur më thoshte: Jam me ty. E kujtoj gjithmonë kur lutem.

Tek ndërtesa para kishës e pranë saj, ishte një dhomë e madhe. Muret origjinalë të saj, gjenden edhe sot. Sidomos të djelave dhoma mbushej plot me njerëz që vinin prej gjithkah për të frekuentuar meshën. Pas meshës shumë prej tyre qëndronin në këtë dhomë të madhe me axhën e flisnin, me siguri për hallet e tyre. Natyrisht, unë isha e vogël dhe nuk i kuptoja. Vetëm kur u rrita fillova të gjykoj. Si fëmijë edhe sot tek përfytyroj çdo gjë të bukur të asaj kohe që kanë lënë gjurme të pashlyera tek unë, edhe tani qe kam lënë pas të 90-at, ndjej ende aromën e kafesë që vinte nga përjashta oborrit të kishës. Kuzhinierja, Mrika, i qeraste të gjithë me kafe. Pikërisht në këtë dhomë edhe unë kam një histori timen. Një nga ditët tek ajo dhoma e madhe ishte përgatitur një drekë. Nuk di ta them arsyen, por kujtoj që kishte shumë meshtarë kryesorë për një punë të rëndësishme, siç më tha axha kur unë e pyeta. Edhe unë isha atje pa u ndjerë, pothuaj përballë me axhën. Erdhi çasti e do të ngrihej një dolli. Mora dhe unë një gotë. Në çastin që do e ngrija, axha thirri: “Fryji” dhe unë i fryva… Të gjithë qeshën… Unë u ngrita me vrap e shkova tek dhoma e pritjes. Kushedi se sa kohë kishte kaluar. Mua më kishte zënë gjumi. Më zgjoi zëri i axhes kur tha: “Po ti këtu qënke?  Se na mori frika, thamë ku shkove “… Dhe unë e mora si qortim fjalën e axhës.

Por bashkë me vëllanë, Mikelin, kemi dhe një histori tjetër. Ishte ditë zhegu. Në fund të oborrit kishte një pemë. Ishte dardhë e aty mblidheshin shumë gjinkalla. Vëllai më mori për dore e më tha: “eja “. Kishte një kavanoz me kapak. Hipi në pemë e filloi t’i mblidhte ato. M’i jepte mua e unë i mbyllja në kavanoz. Kur u bënë disa gjinkalla, më thotë sërish: “Eja t’i lëshojmë tek dhoma e kishës”.  Kështu i lëshuam e mbyllëm derën. Për t’i shpëtuar qortimit të kuzhinieres që ishte  edhe kujdestare e të gjitha punëve të shtëpisë, sepse kisha ishte shtëpia e madhe e të gjithë banorëve atje, ku gjenin qetësi shpirtërore, Mikeli më thotë sërish: “Hajde tani të shkojmë në Shkodër”. Nuk i treguam askujt për largimin tonë. Më kujtohet teksa ecnim nëpër gurë ku rridhte uji, me sandale në këmbë, befas pamë një qere me një shumicë vajzash. Vetëm kur u rrita e kuptova se vinin ekskursion tek kisha, tek axha. Me to ishte edhe Roza, vajza e axhes tjetër timin, axhës Nush. Ishte më e rritur se ne. Zbriti shpejt e na tha: “Po ku po shkoni? Hajdeni shpejt me mu”.

Kujtoj  shetitjet e bukura nëpër Zadrimë. Pavarësisht nga punët e shumta që kishte, axha Vinçenc gjente kohë të më falte gëzime. Më merrte me vete në shëtitje rrugëve të fshatit. Në dorë mbante gjithmonë një libër, biblën, ndërsa në krah një shkop me dorezë me të cilin largonte ferrat. Ka ngjarë edhe të kalonte gjarpëri, të cilin e largonte lehtë me shkop. Kur unë ndalesha për të përkëdhelur lule fushe apo një flutur, ai ndalonte dhe më priste.

Por në këto shëtitje si e vogël që isha, nuk e kuptoja ndalesën e tij me njerëz rrugëve, takimin me kalimtarë të fshatit, të cilët përuleshin para tij. Ai nuk përtonte kurrë të  ndalonte e të fliste me ta plot butësi e dashamirësi, tipare të përhershme të tij, sigurisht për hallet e problemet e tyre. Kur ndaheshin u jepte bekimin.

Pjesë e bukurisë në ambjentin e katedrales ishin edhe pëllumbat. Ishin shumë, disa qindra. Axha m’i mbushte duart e vogla me kokrra misri dhe ne i ushqenim bashkë.

Këtë  fakt  të  treguar me kaq dashuri nga mbesa Gjyljanë, e sjell në kujtimet e tij për Imzot Prennushin edhe  at Zef Pllumi.

“Pëllumbat, simbol i paqes ishin gjithashtu një hobi i  Prennushit. Ishte viti 1939,  kur jam takuar  me ipeshkvin Prennushi në Doqezën e Sapës. I respektuar si shkrimtar, fetar e si njeri. Më ka mbet  i pashlyem në kujtesë  jo vetëm ambjenti aq i bukur e poetik, por mbi të gjitha personi i tij: i dashtun, i përzemërt, i qeshun e bujar. Ai vetë  kujdesej e mbante 400-500 pëllumba. I ushqente, i merrte në dorë, i lëmonte e i përkëdhelte ato krijesa të natyrës, aq të bukura e aq të përgjasueme me karakterin e tij.”

Për atë mall dhe dashuri, mbi 60 vjet pas, më 25 gusht 2001, shkova sërish në Nënshat me nipin tim, Klausin. Gjetëm vetëm rrënojat e kishës. Kërkova kroin që ishte pas saj, pak më larg, por nuk e gjetëm… Aty pranë ishte një shtëpi e vogël. Trokitëm e na doli një plak i moçëm. Ne e pyetëm për ato që ishin ngulur thellë në kujtesën time, por edhe për rrënojat. Ai na u përgjegj: “Unë jam 100 vjeç. Këtu, në këtë shtëpiz, ishte një bazë plot me armë lufte. Me dinamit kanë dash me e zhduk kryqin, por nuk mujtën “.

Koha e bukur e asaj dite plot diell, në atë vend të shenjtë, hidhte mbi tokë plot transparencë  hijen e atij kryqi të përjetshëm. Gjetëm murin e shkurtër, pemën. Unë e Klausi  për kujtim bëmë një foto në të njëjtin vend ku padër Fishta i madh më kishte nxjerrë fotografi  kur unë isha 5 vjeç. ishte i njëjti mjedis.

Gjyljana Prennushi, ( Gurashi ), mbesa e imzot V. Prennushi. 2001.

 Bëmë dhe foto të rrënojave.

Rënojat e Dioqezës së Sapës, gusht, 2001.

Në  vitin 1940 vdiq arqipeshkvi i Durrësit, monsinjor Pjetër Gjura. Në  këtë detyrë  të  lartë  Papa Piu i XII, emëron padër Vinçenc Prennushin. Më 15 gusht të atij viti, përshëndet për herë të  fundit, me anë  të  një  letre baritore klerin dhe popullin e dioqezës  së  Sapës, selia e së cilës nga viti 1936 – 1940 u bë model i praktikimit të  fesë. Imzot Prennushi la pas dioqezën e Sapës,

 Mbrritja e arkipeshkv Vinçenc Prennushi në Durrës.  1940. Arkivi i shtetit.

dhe vjen për të kryesuar dioqezën antike të Durrësit, duke patur në administrim edhe Tiranën. Kjo dioqezë datohet qysh në vitin 58-të pas Krishtit, nga më të vjetrat në Europë. Kryesohej nga martiri i fesë, Shën Asti, një katolik ilir lindur e shuar në Durrës në vitet 100.

Kronikat e kohës sjellin atmosferën festive te mbritjes  të arqipeshkëvit Vinçenc  Prennushit në  Durrës dhe gëzimin e banorëve të qytetit që prisnin bariun e tyre. Ai shoqërohet nga padër Fishta. Udhëtimi i tij drejt Durrësit fillon nga Sapa, ku shoqërohet nga ipeshkvi Benedin Shllaku, nga ai i Shkodrës, Gaspër Thaçi, nga Imzot Gjergj Volaj, deri në breg të Matit. Aty u prit nga  famullitarët e Milotit dhe të Gurrëzit, i gjithë populli i kësaj krahine që prisnin ipeshkvin e tyre të ri. Në Tiranë e priti Dom Shtjefën Kurti së bashku me besimtarët e çdo feje: katolike, ortodokse, muslimane. Këto detaje me kortezhin prej 40 veturash, një numër shumë i madh për atë kohë, i jep ipeshkvi Gjergj Meta. 

Vendoset pikërisht  në  rezidencën dhe kishën e Shën Luçisë, që në vitin 1940 ishte kisha katedrale e dioqezës. Konkatedralja e Shën Luçisë mendohet të jetë ndërtuar në 1868, vit i cili përkon  me atë  të shënuar në portën hyrëse të saj.

Mbrritja e arkipeshkv Vinçenc Prennushi në Durrës.  1940. Arkivi i Shtetit.

Në këtë kishë vuri kurorën e martesës edhe mbesa e tij,  Roza Prennushi me Balto Radin, të cilët jetuan pak vite në Durrës për t’u zhvendosur më 1943 në Tiranë. Familjarët e arkipeshkvit  Prennushi  ishin të parët të ardhur në këtë festë të bukur së bashku me ata të familjes Radi.

Edhe kurora e martesës së saj mbi vello, ishte dhuratë nga axha Vinçenc. Ky fakt i treguar nga mbesa Roza, përforcohet edhe nga mbesa tjetër, Gjyljana, e pranishme në lidhjen e kësaj kurore së bashku me të jatin, Ndocin dhe vëllanë, Mikelin.

Çifti Roza Prennushi ( Mbesa e IMS. V. Prennushit ) e Balto Radi. Arkivi familjar.1940.

Vitet kalonin e ne rriteshim, tregonte nipi Mikel. Unë isha dy vite më i madh se motra e marrëdhëniet e axhës me mua filluan të marrin një tjetër kuptim, të jenë më të drejtpërdrejta e më të hapura duke çelur tek unë horizontin e botëkuptimit të kohës që po jetonim. Në veçanti kur qielli filloi të errësohej nga ngjarjet e kohës, pas vendosjes së sistemit komunist. Isha 15 vjeç dhe kujtimet tek unë kanë mbetur të paharruara. Axha nuk më ndau kurrë deri në fund. Më mbajti pranë vetes, menjëherë sapo mbaronte viti shkollor e kishin nisur pushimet e verës. Tek unë shihte vëmendje dhe interesim për të kuptuar e mësuar gjithçka që ai më  rrëfente.

Në vitet 1943 – 1946  axha Vinçenc jetoi në Delbinisht. Ishte një fshat kodrinor përballë detit Adriatik që të ofronte një pamje magjepsëse. Pranë ishte kisha e Shna Ndout që frekuentohej nga besimtarë nga i gjithë vendi. Edhe Delbnishti, sipas kujtimeve të Prof. Dr. Mikel Prendushi (Prennushi ), kishte kishën e vet dhe ndërtesën Arqipeshkvnore verore.

Banorët luteshin mbrëmjeve të gjithë, por në sytë e tyre ndjeje trishtim dhe frikë. E njëjta gjë ka mbetur dhe në kujtesën e Gjyljanës. Ajo kujton edhe çesmën e ujit aty pranë.

Imzot Vinçenc Prennushi me te tjerë françeskanë, në Delblinisht.

Mikeli kujton dhe një ngjarje me gjermanët në vitet e luftës. Në burimin me ujë të pijshëm, në Delbinisht, tregonte ai, gjermanët laheshin gjysëm të veshur. Ky veprim i tyre tërhoqi vëmendjen e axhes. Jo për fanatizëm, por sepse ishte burimi ku banorët mbushnin ujë. “Këtu në vendin tonë, iu drejtua ai gjermanëve, nuk pranohen këto zakone”. Axha ishte njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, gjuhë prej së cilës dhe përkthente. Kishte studjuar në Austri. Ushtarët gjermanë reaguan pozitivisht. Ata e nderuan me dorë sikur axha të ishte gjeneral. Duke frekuentuar meshën rregullisht fillova të mësoja shumë fjalë në latinisht dhe pse nuk kuptoja çdo gjë. Por nuk nguroja  ta pyesja axhën e të mësoja më shumë prej tij. Isha me fat që isha nip i një personaliteti tepër të shkolluar e shumë produktiv në lëmija të ndryshme. Tek unë u rrënjos thellë dëshira për të kërkuar e zbuluar ngjarje historike interesante që në moshë fare të re. E kështu vijova gjithë jetën time duke fituar titullin Prof. Dr. e  duke i dhënë kontributin tim shkencës shqiptare të historisë e kulturës.

Me axhën hanim bashkë. Ushqehej thjesht, por shëndetshëm. Shpesh herë më thoshte: “Jemi racë e fortë “ dhe kujtonte me shumë dashuri nënën e tij, Drane që jetoi 96 vjeç, njëherazi dhe gjyshja jonë e dashur që na qëndroi pranë në jetët tona.

Mbrëmjeve vonë axha më pranonte në dhomën e tij edhe pa trokitur. Nuk e gjeje kurrë pa një libër në dorë apo pendën me të cilën shkruante nën dritën e venitur të kandilit. E linte punën e niste të më tregonte takimet me shenjtin Papë, histori të kishës katolike apo ngjarje të lashta. Kishte aftësi të jashtëzakonshme për të treguar. Çdo fjalë e  tij në mendjen time, shndrohej në vision. Mahnitesha se sa shumë historira dinte të tregonte.

Por kalonte koha e axhën fillova ta shikoj disi ndryshe. Ishte i trishtuar. Shpesh rrinte në heshtje të gjata dhe i menduar. Donte të më thoshte diçka. Në gusht më foli për vrasje, burgosje të priftërinjve katolikë, por dhe përfaqësues të besimeve të tjera. Më mori pranë vetes dhe me trishtim më tha: “Turp për ne që jemi jashtë burgjeve”. Mjerisht ishte hera e fundit që e pashë axhën, është shprehur nipi i Imzot Vinçenc Prennushit, Mikeli. Personaliteti i tij kish filluar të formohej falë kulturës së madhe të ushqyer prej axhës. Më pas edhe pse mes vështirësive të sistemit komunist, luftës së klasave, me vullnet e përkushtim arriti të bëhet një nga emrat më të njohur në studimet historike të kulturës shqiptare.

Mbesa tjetër e Imzot Prennushit, Roza, kujtonte me shumë nostalgji përkujdesjen e arqipeshkvit Prennushi  për mirërritjen e vajzave të vëllait, Nushit, i cili ishte ndarë nga jeta në moshën 39 vjeçare duke lënë pas bashkëshorten Luçie, me 3 vajza të mitura, ndërkohë që e katërta e motrave ishte në barkun e nënës. Falë tij Roza  studjoi  më 1936 në Bari të Italisë, në një shkollë murgeshash.

Roza Prennushi ( Radi ), e para majtas, lart. Foto, 1936, arkivi familjar.

Lidhjet në trungun Prennushi, që i dha kombit dhe kishës katolike personalitete si Mati Prennushi, Dom Kolec Prennushi, Dom Luigj Prennushi, martirë të fesë, at Karl Prennushi, etj., ishin të forta.

Arkipeshkv V. Prennushi. Në të djathtë të tij kushutiri Rrok Prennushi, Marie Prennushi (Tedeskini ). Në të majtë vëllai i tij, Zefi, 1936. Foto, arkivi familjar.

Jetimes Rozë edhe paja i erdhi nga kushuriri i Imzot Prennushit, njëherazi dhe babait të saj, Nushit, Rrok Prennushi, tregëtar i emigruar në Trieste të Italisë që më 1920. Por Rroku nuk e kishte harruar Shkodrën e tij të dashur, Shqipërinë. Ai po ashtu nuk nguronte të vizitonte edhe kushuririn e tij, arqipeshkvin V. Prennushi në Sapë. Rroku ishte një tregtar me emër të spikatur në Trieste. Ai arriti të bëhet edhe konsull i Shqipërisë në ato vite. Ndërsa vajza e tij Imelda, shtatlartë, në vitet 1950 ishte kampione e Italisë në sportin e basketbollit.

Roza, mbesa që jetonte në Tiranë ishte një derë e madhe dhe e hapur për kushurinjtë e miqtë e shumtë, në veçanti për axhën, Imzot Prennushin, që i kish qëndruar aq afër familjes së saj që në momentin kur  babai, vëllai i  tretë i Imot Vinçencit, Nushi ishte ndarë nga jeta krejt pa pritur e në moshë shumë të re. Ai i kishte ndihmuar të venë dhe motrat jetime të vëllait  në momentet më  të  vështira të jetës së tyre. Mbesa Rozë i  mbetej përjetë mirënjohëse.

Isha e lumtur sa herë vinte në shtëpinë time, rrëfente Roza. I pëlqente kuzhina shkodrane, gatimet e nënës së tij Drane, njëherazi dhe gjyshja jonë. E kujtonte shpesh me shumë nostalgji e dashuri. Unë kisha marrë gjithçka prej kuzhinës së traditës shkodrane dhe gatuaja me shumë pasion. I pëlqente shumë supa e peshkut, byreku me gjithfarë harxhi brenda, tespixhia. Nuk kishte pretendime në të ngrënë. Mbeti i paharruar në kujtesën time momenti i  një dite të veçantë, që u kthye përjetësisht në një ditë të trishtë për të gjithë ne. Kërcet dera e shoh që ishte axha, monsinjor Vinçenci. Kishte ardhur në Tiranë për disa punë të vetat. Si gjithmonë sytë më qeshën prej gëzimit  kur e pashë. Hyri Brenda. Vura re se ndihej i pa rehatshëm. Më ra  në sy portreti i tij  dhe e pyeta se mos kishte diçka  me shëndetin. Dhe ende më tingëllojnë në vesh fjalët e tij: “Kam akrepat për mbrapa.” Ajo ditë ishte nje dite shiu, një ditë shumë e keqe, tregonte stërnipi Ferdinand Radi. Mbaj mend se tezja ime Marjeta, kishte bërë  një byrek  dhe e ftoi  të rinte për drekë.  Nuk pranoi. “Do të iki tha, se do t’u bëj keq edhe juve.”

Në maj 1946 Imzot Thaçi vdiq i sëmurë  në  arrest shtëpie. Me vdekjen e tij, Át Vinçenc Prennushi emërohet nga Vatikani, Primat Katolik i Shqipërisë, njëherazi edhe primat i fundit apo thënë ndryshe personaliteti i fundit më i lartë i besimit katolik në Shqipërinë komuniste. Kjo kohë shënon edhe periudhën më të rëndë që feja katolike ka patur në historinë e saj. Shkatërrime, burgime, vrasje pa gjyq ose me proçese sa hap e mbyll sytë e tortura të padëgjuara. Prennushi  ndërhyn me ngulm  pranë autoriteteve zyrtare për të shpëtuar jetën e disa klerikëve të gjykuar e dënuar me vdekje. Tensionet nisin ne pranverën e 1946.  Arrestohet me 19 maj 1947.

Dëshmitare  okulare në  momentin e arrestimit  ishte  mbesa tjetër e Prennushit, Marjeta. Imzot Prennushi e kishte kuptuar se një ditë do t’i vinte  rradha,  ndaj pas çdo ndarjeje me njerëzit e tij  thoshte: “Nuk e di a kthehem ma”.

Atë ditë shiu, kur axha u ngrit shpejt e shkoi,  edhe ne pas tij.  Kur pa dalë në bulevard, tek rruga “ Fortuzi “, aty po ndalet një xhips. Më thotë kunati, Baltua: uh Leti, ky u ndalu për me arestu axhën. Dhe ajo fjalë qe ma se e vërtet. Makina u ndal, axha bëri një sjellje pak si të trishtueshme, për me pa, ndoshta dhe nuk na ka parë, për me thanë se unë hina në makinë. Të nesërmen morëm vesh prej padër Shtjefën Kurtit, se axhën e kishin çu tek një shtëpi, që u thirrte shtëpia me gjethe, afër postë – telegrafës. Aty mandej filluan vuajtjet e tija.

Akuzohej pa asnjë fakt konkret armik i popullit, bashkëpunëtor i okupatorit fashist, klerik reaksionar, agjent i Vatikanit, akuzohej  për propagandë kundër pushtetit dhe partisë komuniste. I pandehuri thuhet në procesverbalin e gjyqit, dosja e të cilit mban numrin 1245, merr guximin të pohoj para organeve të sigurimit: “Unë e urrej komunizmin dhe mundohesha ta luftoja me ç’do mjet”. Dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me 20 vjet heqje lirie dhe punë të rënda fizike të detyrueshme edhe pse i kishte lënë të 60-tat. Dënimin e vuajti në burgun e Durrësit me shumë intelektualë dhe personalitete të tjerë të shquar të kombit shqiptar.

                               

           Foto, Arkivi i Ministrisë së Rendit.                       Stërnipi, aktori Ferdinand Radi.

Armik ishte akuza, veprimtari armiqesore. Fjalën armik e kuptoja, por që të qëndronte në gjithë  këtë  organizëm të shenjtë, nuk e kuptoja dot fare. Kaluan vitet, dhe fillova ta ndiej mbi shpatulla mëkatin e biografisë. Dhe mëkati i biografisë ishte shenjtëria e tij, Imzot Vinçenc Prennushi, tregonte shpesh herë stërnipi, Ferdinand Radi.

Të shtunën e 19 marsit 1949, i  plagosur në shpirt dhe i dobësuar në trup  prej torturave më mizore, urrejtjes e fjalëve fyese të pafund, Imzzot Prennushi, shuhet në duart e Arshi Pipës, mik i qelisë së errët të këtyre njerëzve të ndritun, është shprehur  Prof. Dr. Albert Frashëri.

Letra origjinale e Prof. Arshi Pipa. Arkivi i Bibliotekës Françeskane “ Gjergj Fishta “, Shkodër.

Në një letër përkujtimore të 28 shkurtit të vitit 1995, nën  titullin:  Fali, Zot, nuk dijnë çka  bajnë, Professori  i Universitetit të Minessotës në SHBA, Pipandër të tjera shkruan: “Përveç se prej asmës, Imzot Prennushi vuante nga një hernie e rëndë. Një ditë rojet e ngarkuen me mbajt trungje prej rrugës poshtë tek kodrina ku gjindej burgu. Si Krishti në udhën e Kalvarit, ai u përpoq tri herë me radhë. Por u rrëzue të trija herët”, pa shpreh ankim, ka shkruar Pipa në kujtimet e tij. Monsinjor Prennushi vdiq në fruer 1949. Kur i mbylli sytë e etshëm për dritë – ai më pat çekë një herë frazën e Goethe-s  “Mehr Licht” (“Due dritë!”) – kuptova se ç’farë drite ai kishte ndër mend. Ka njerëz që besojnë në pavdekësinë e shpirtit dhe ka të tjerë që nuk besojnë në të. Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por asht e vëshirë me pranue se gjithshka merr fund  me vdekjen e trupit, kur të mendohet se ka njerëz që vdesin për ideale”.

Padër Daniel Gjeçaj. Foto nga arkivi françeskan.

Padër Daniel Gjeçaj i pikëlluar nga tragjedia çnjerëzore komuniste është shprehur: Kush e shikon ashtu varun, nuk mund ta besojë se ka para vedit një prej prelatëve të naltë të Kishës Katolike Shqiptare, një prej shkrimtarëve të rrallë të Rilindjes, ende gjallë, një burrë që ia kushtoi gjithë jetën popullit të vet, një françeskan, që rri aty, vetëm pse ndjek besnikisht Krishtin e jo diktatorin, i cili do të dëshironte ta dëbonte Zotin nga froni e të ulej vetë në vend të tij.

Trupi ende i nxehtë, mbështjellë me një batanije, u mor prej të vëllait, Ndocit, me ndihmën e doktorit të burgut z. Dhimitri  Propopuli, njeri me zemër ari, të cilit i dhimbeshin të burgosurit  e  u shërbente me shpirt. Ndodhte që u binte edhe mjekimin nga shtëpia, kur medikamentet  mungonin  në spitalin e burgut.

Dr. Dhimitër Propopuli

 

Varrimi u bë fshehtas, në heshtje të plotë. Ishte një natë me shi e stuhi. Tre muratorë të një besimi tjetër punuan pa asnjë shpërblim monetar duke u shprehur: I’a kena pas borxh edhe 100 fish. Ai u preh në varrezat e qytetit të Durrësit, në të njëjtin varr me MNS. Pjetër Gjura.

Më 25 Mars 1993, nipi i Izot Vinçenc Prennushi, Prof. Dr. i shkencave  të historisë, Mikel Prendushi,( Prennushi ), nipi që i qëndroi më pranë axhës së tij, u edukua prej tij,  shkroi  tek  “Osservatorio Romano” artikullin me titull: “Quella croce di legno fatta a pezzi dalla violenzza  atea. Testimone: Vincenso Arcivescovo Albanese perseguitatto e ucciso nel 1949.” – Ai kryq i bërë cop-cop nga dhuna e të pa feve. Dëshmitar: Vinçenci Arqipeshkvi Shqiptar u persekutua dhe u vra në vitin 1949.

 

 

Shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.

Eshtrat e IMZ. Pjetër Gjura, Vinçenc Prennushi, dhe Nikollë Kaçorri, u rivarosën në kishën e Shën Luçisë, në Durrës, ku ata shërbyen.

Arkipeshkvi Prennushi me fëmijët pas pagëzimit në kishën e  Shën Luçisë, Durrës, 1941.

Prof. Dr. Mikel Prendushi (Prennushi)

Mjerisht Prof. Dr. Mikel Prennushi nuk e gëzoi lumturimin e Imzot Vinçenc Prennushit me 37 shokë, martirë të fesë, më 5 nëntor 2016, në kishën katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër dhe  ceremoninë  madhështore.

Mbesa e Imzot Prennushit, Gjyljan, që numëron 90 vite, mes lotëve e gëzimit të përjetimit të momenteve aq të bukura në jetën e saj me axhën Vinçenc, i  përmbyll kujtimet  me fjalët: “Dhembjet e jetës krijojnë plasaritje të shpirtit… Por pikërisht tek ato mbijnë dhe çelin lule./drita.info

Comments are closed.

« »