Logosi i bërë poezi

Mar 6 • Kulturë, Letërsi

Përqasje për librin me poezi të Agnesa Beqiri, Tym Ândrrash, Buzuku, Prishtinë 2020.

 

Nga Anila Xhekaliu

 

Poezia është mënyrë njohjeje – jo shkencore, jo racionale – dhe lejon të zbulosh botën, ta deshifrosh të përditshmen duke u dhënë pushtetin e tyre ndijimeve.

Agnesa ka zgjedhur Fjalën, si Logos, (mishërim të arsyes dhe inteligjencës), dhe Fjalën si mishërimin teologjik (Fjala – Logos bëhet mish tek njeriu Jezu Krisht) për ta strukturuar poezinë e saj. Kundërvënia e «Fjalës» është ëndrra tek titulli «Tym ândrrash», që na shpie te zanafilla e tyre në antikitet. Po t`u referoheshim ëndrrave në rrëfimet onirike të Homerit, ëndrrat që u përkasin të përtejmes janë zbuluese të thellësive të skëterrës dhe sfilitëse. Gjenealogjia mitike e ëndrrave pohon këtë hipotezë. Në Theogonine e Hesiodit, ëndrrat i lind nata, njëlloj si Hypnos (personifikim i gjumit) e Thanatos (personifikim i vdekjes) dhe lidhja e ëndrrës me vdekjen s`ka asgjë për t`u çuditur.

Tek “Iliada” Gjumi dhe Vdekja janë vëlla e motër, binjakë. Ëndrrat pra kanë mundësinë, nga vendi i tyre të të shpiejnë mbi tokë ose në Had. Duken nga ana tjetër e vetmja mënyrë komunikimi mes shpirtrave të të vdekurve, së paku të atyre që nuk u janë bërë ende ceremonitë mortore, dhe të gjallëve.

Poeti rikrijon një botë të re ose zbulon faqet e fshehura të botës dhe gjërave, krijon një ligjërim të ri duke punuar e luajtur me fjalët. Ndarja dhe vdekja që lindin trishtimin dhe dëshpërimin janë temat më të shpeshta, por te poezia e Agnesës lindin rebelimin. Njeriu i gjallë është një trup mbartës i një zëri, zërit njerëzor, gjithmonë në kërkim të shprehjes. Të vdesësh gjithashtu do të thotë të mos mundësh të flasësh, të mos dëgjohesh, të mos dëgjosh. Nëse të vdekurit do të mund të flisnin, vdekja nuk do të ishte kjo tragjedi.

Hipoteza e të përtejmes, e ringjalljes, ajo e metempsikozës a do ta bëjnë të rijetojë këtë zë? «U deshtën shekuj me kuptu / Unë në Fjalën e Fjala në mu.»/drita.info

 

Titulli është i redaksisë.

Comments are closed.

« »