Prire veshin

Mar 10 • Meditimi i ditës

10 mars 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 7,23-28; Ps 95,1-2.6-9; Lk 11,14-23)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak nga ngjarjet e përditshme.

Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.

Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,

shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të ngulitura, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet të jenë të plotësuara.

E lus Zotin që nëpërmjet lirisë sime

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd ndaj meje.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Jer 7,23-28

 

23 Porse unë u kam dhënë këtë urdhër: Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë. 24 Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën, 25 që nga dita kur etërit tuaj dolën nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme. E unë ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, si një ditë përditë e me kujdes. 26 Por ata s’më dëgjuan as s’më vunë vesh dhe u bënë kokëfortë dhe vepruan edhe më zi se etërit e tyre. 27 Ti thuaju të gjitha këto fjalë, por ata s’do të dëgjojnë; do t’i thërrasësh, por ata s’do të të përgjigjen. 28 Atëherë thuaju: Ky është një popull që nuk e dëgjon zërin e Zotit, Hyjit të vet, e nuk e pranon mësimin. U zhduk besnikëria, u zhduk nga goja e tyre.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • ‘Dëgjojeni zërin tim dhe unë do të jem Hyji juaj e ju do të jeni populli im. Ecni vazhdimisht udhës që do t’ju urdhëroj që të jeni të lumë.’ Si qëndrojnë këto udhëzime te ti? A i sheh ato si fjalë paqësore, të lehta për tu ndjekur? Apo ka ndonjë tension, një tërheqje në zemrën tënde përballë tyre?
  • Zoti vazhdon, ‘Por nuk më dëgjuan as nuk e prirën veshin e vet, por shkuan sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës së vet të prishur edhe ma kthyen shpinën e jo fytyrën.’ Ndoshta ka raste, për shkak të rrethanave të tua, kur e ke ngurtësuar zemrën tënde para Zotit, ke shkuar sipas ëndjeve dhe mbrapshtisë së zemrës? Ke ndaluar së dëgjuari dhe ke humbur dëshirën tënde për ta ndjekur atë. Flit me Zotin për këtë tani, në qetësinë e zemrës sate.
  • Dëgjoje përsëri leximin dhe vë re reagimin tënd ndaj tij kësaj here.

 

Bashkëbisedimi

Në pjesën e dytë të leximit, Zoti i thotë Jeremisë që ai do të flasë, por njerëzit e Zotit nuk do të pranojnë ndonjë disiplinë ose t`ia vënë veshin, kështu që e vërteta zhduket. Ndoshta e ke të lehtë ta dëgjosh Zotin, ose ndoshta është diçka me të cilën lufton, ose diçka për të cilën gjë ndihesh i/e mbyllur aktualisht. Provo t`i përdorësh këto minuta përmbyllëse për ta ‘prirë veshin’ drejt Zotit ashtu siç dëshiron Ai.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Konflikti i së mirës dhe së keqes, madje së keqes shumë të fuqishme, sot e kësaj dite është i madh. Çdo moment i lutjes e çon personin në kontakt me mirësinë e Hyjit të mbjellë në zemrën e çdo njeriu.

Edhe pse i kemi ndoshta qëllimet nga më të mirat mund të gjykojmë gabim. O Zot, po të lus që të mund ta gjej shpjegimin më të mirë të ngjarjeve rreth meje dhe, kur jam duke e bërë këtë, më frymëzoftë Shpirti yt i shenjtë.

Bëj, që atje ku e vërej të mirën të të falënderoj ty që vepron në botë. Prania ime qoftë shenjë e veprimit Tënd ndaj të tjerëve. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »