Shën Jozefi, kujdestar i thesareve të paçmuara të qiellit e të tokës

Mar 13 • Këndvështrime

Nga Imzot Arjan DODAJ F.d.C

 

“Të falemi, o Shenjt Jozef i Lavdishëm, ty që tu besuan thesaret e paçmuara të qiellit dhe të tokës dhe babai kujdestar i Atij që ushqen të gjitha krijesat e universit. Ti je, pas Marisë, Shenjti më i denjë për dashurinë dhe përkushtimin tonë.”

Kështu fillon lutja e parë që ndodhet në “Petkun e Shenjtë”, që i përkushtohet Shën Jozefit. Në fakt, Shën Jozefi pas Marisë zë vendin më të madh në Magjisterin Papnor, aq sa Shën Piu IX e ka shpallur Pajtor të Kishës Katolike, Piu XII Pajtor i Punëtoreve, ndërsa Shën Gjon Pali II, në Enciklikën e tij e ka quajtur Kujdestar të Jezusit. Edhe populli i shenjtë i Hyjit sheh në Jozefin njeriun e pranisë së përditshme të fshehur, e në të njëjtën kohë udhëzues, duke na frymëzuar për t’u çliruar me shembullin e tij nga çdo protagonizëm narcizist, sepse ka ditur të jetë në historinë e shpëtimit një bashkëpunëtor besnik me Virgjërën Mari për të shërbyer prezencën e Jezusit!

 

Kush është Shën Jozefi?

Përveç pak gjërave të periudhës së fëmijërisë së Jezusit, asnjë fjalë e tij nuk është e regjistruar në Ungjill. Gjuha e Jozefit është heshtja, është dëgjimi i zërave engjëllorë që i flasin në gjumë, është dëgjesa e gatshme dhe bujare që i kërkohet, është puna artizanale e shprehur në format më modeste dhe të lodhshme. Të gjitha këto gjëra i dhanë edhe emrin Jezusit si “Biri i zdrukthëtarit” (Mt 13, 55). Një shenjtore e ngritur në nder të tij në Montreal do të vejë në pah në disa kapela, titujt e shumtë të dedikuar Shën Jozefit që e thërrasin atë si: mbrojtës i fëmijërisë, mbrojtës i të martuarve, mbrojtës i familjes, mbrojtës i punëtorëve, mbrojtës i të virgjërve, mbrojtës i emigrantëve, mbrojtës i të vdekurve…

Nuk ka pothuajse fare tekste biblike që i referohen Shën Jozefit, por pikërisht në këtë heshtje është e përmbledhur forca e dhëndrit të Marisë, babait të Jezusit. Heshtja e tij i kundërvihet fjalës së: bërtitur, së shëmtuar dhe agresive që fatkeqësisht jemi mësuar të shohim në shumë kontekste aktuale. Në Jozefin shohim lidhjen që ka me linjën e breznisë së Davidit, që e vendos atë në lumin e madh të Mesianizmit. E ndërsa jeton lidhjen me Marinë, përballe surprizës së shtatzënisë së saj mendon ta ndajë, por në atë turbullim të brendshëm përjeton edhe ai lajmërimin e engjëllit që ndryshon rrënjësisht planin e tij dhe e bën për definicion të dëgjueshëm deri në fund: instrument themelor për të njohur Jezusin në kontekstin social dhe në trashëgiminë e Davidit, si atë ligjor.

Ndërkohë që për Marinë kemi ndonjë fjalë me shumë në ungjij, ekzaktësisht pesë fraza plus këngën  “Magnificat”, për Jozefin kemi heshtjen absolute. Ky është një mësim i vazhdueshëm që marrim nga ungjijtë: sesi Jezusi preferon gjithmonë fjalën më të vogël, më delikate përballë fjalëve të tepërta me të cilat është mbushur sot bota e mediave dhe akoma më shumë ajo e politikës. Viktor Hygo thonte që “fjala është një krijesë e gjallë”, si e tillë mund të lëndojë e ndonjëherë edhe të vrasë.

Kjo heshtje që vë në pah Ungjilli, në domethënien e traditës biblike dhe në atë antike orientale është një mënyrë për të shprehur përvojën më të thellë të fesë dhe si e tillë, përvojë shpirtërore dhe mistike. Kjo është domethënëse për ne pasi na bën të kuptojmë sesi aftësia për të hyrë ne thellësi të gjërave që kanë vlerë, është pa shumë fjalë.

Tani të përpiqemi të hyjmë në një njohje më të thellë të Shën Jozefit, nëpërmjet nëntë lutjeve që i drejtohen atij nga 30 që përmban devotshmëria e petkut të shenjtë të Shën Jozefit

 

  1. Shën Jozef, lute Jezusin, që të vijë në zemrën time e ta ndezë me dashuri!

Jozefi e vendosi jetën e tij totalisht në shërbim të planit të shpëtimit, duke pranuar çdo formë sakrifice për Misterin e Mishërimit dhe për Misionin Shëlbues. Në dashurinë e tij forca e Jozefit është butësia e tij dhe kjo butësi përsoset gjithmonë e më shumë në sprova dhe ligështi (2 Kor 12, 7-9)

Shpeshherë në jetën tonë kemi tundimin të shohim butësinë si brishtësi, dhe brishtësinë me një gjykim negative shkurajues, por në të vërtetë kjo është udha që Hyji ka përdorur edhe në jetën e Jozefit, që të ishte një instrument i Tij. Kështu Jozefi ka lejuar që në jetën e tij të kalonte projekti i Hyjit, që do u shpaloste edhe përmes frikërave dhe brishtësive të tij, por Hyji vepron në ne kur ne besojmë në Atë, sikurse edhe Shën Pali na thotë “kur jam i dobët është atëherë që jam i fortë” (2 Kor 12, 10). Jozefi kishte shumë talent, mësonte çdo gjë me shpejtësi dhe ishte me temperament të butë, i thjeshtë, i heshtur, i devotshëm dhe pa mendjemadhësi. Shpesh ishte i përulur nga vëllezërit e tij, që e përqeshnin dhe e persekutonin. Ai, që në familjen e vet banonte pranë vendit ku do të lindte Jezusi dhe shpesh herë ndihej i nxitur të shkonte të lutej tek shpella ku Shëlbuesi do të lindte. Ishte një punëtor i madh që punonte me shumë inteligjencë dhe të gjithë e donin shumë. Jozefi lutej shumë dhe me zell për ardhjen e Mesisë dhe që në shtëpinë e tij kishte përgatitur një qoshe ku qëndronte i dedikuar ndaj lutjes. Aty kishte kuptuar sesi për vullnetin e Hyjit sikurse Jozefi ishte bërë administrator i drithit të Egjiptit kështu ai do të bëhej administrator i drithit shëlbues të njerëzimit. Për këtë arsye “Betlehem” quhet “Shtëpia e bukës”.

 

  1. Shën Jozef, lute Jezusin, që të vijë në vullnetin tim e ta forcojë!

 

Por çfarë e ka bërë të fortë në dobësinë e tij Jozefin?

Ka qenë aftësia e dëgjesës ndaj flladit të Shpirtit që ka forcuar në të bindjen për të mos patur frikë dhe për të pranuar Marinë e kështu për të shpëtuar Jezusin dhe Marinë në shtegtimin e tij drejt Egjiptit. Nëçdo angazhim ku është i thirrur Jozefi nuk ndihet në kompleks superioriteti që mund ta shmangte nga përgjegjësitë e tij për të respektuar ligjet, por në çdo rrethanë të jetës së tij ka ditur të shqiptonte Po-në e tij si Maria dhe Jezusi! Është pikërisht në shkollën e këtij babai dëgjues që edhe Jezusi do mësojë të bëjë vullnetin e Atit dhe këtë dëgjesë ai do e jetojë deri në fund. Fisnikëria e zemrës së Jozefit bën që atë që ka mësuar nga ligji t’ia nënshtrojë forcës së dashurisë. Jozefi kështu manifestohet plot delikatesë dhe lejon të ndriçohet nga Zoti në gjykimin sipas drejtësisë së Hyjit. Pikërisht kjo për ne është themelore sepse na thërret të pajtohemi me historinë tonë për të qenë të aftë që të hedhim një hap përtej drejtësisë tonë në drejtësinë që vjen nga Zemra e Hyjit që të mos mbetemi peng të pritshmërive dhe zhgënjimeve tona, pasi “nëse nga dora e Hyjit pranojmë të mirat, pse mos të pranojmë edhe sprovat”(Job 2, 10). Kjo bëhet për ne përvojëe mrekullueshme kur gjejmë guximin ta jetojmë jetën tonë sipas Ungjillit, dhe atëherë nuk ndalemi përballë situatave që ndonjëherë në jetën tonë marrin një kthesë të gabuar ose edhe të pakthyeshme, pasi Hyji mund të bëjë që të mbijnë lule në mes shkëmbinjve. Siç na thotë Shën Gjoni nëletrën e tij mos tëtrembemi kur zemra jonë na qorton, sepse Hyji është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka (1 Gjn 3, 20).

 

  1. Shën Jozefi, lute Jezusin, që të vijë në shpirtin tim e ta shenjtërojë

Në Shën Jozefin shohim në akt fenë që nuk kërkon rrugë të shkurtra ose analiza të cilat anashkalojnë përgjegjësitë që na janë kërkuar shpeshherë përtej imagjinatës ose aftësive tona, por duke parë me sytë në Hyjin di t’i thotë PO vullnetit të tij. Në vendosmërinë e Jozefit del në pah kurajoja e tij entuziaste që e nxit gjithmonë t’i bëjë vend në veten e tij asaj që më përpara nuk njihte dhe që nuk ka planifikuar ai vetë për jetën e tij. Këtu shohim sesi këto situata nxjerrin në pah në ne aftësinë për të bërë, çka ne as nuk e imagjinonim të bënim! Hyji kështu ndërhyn në jetën tonë, nëpërmjet ngjarjeve dhe njerëzve që na rrethojnë sot, pa krijuar e pa kërkuar ato eksode, që shpeshherë na nxit fantazia jonë për të shmangur realitetin me të cilin Hyji na ka thirrur sot këtu. Nëpërmjet kësaj vendosmërie të Jozefit, Hyji manifeston përkujdesjen që ka për Jezusin dhe Marinë. Ndoshta edhe jeta jonë në disa raste duket sikur është në mes të vështirësive të pakapërcyeshme por, Ungjilli na dëfton nëpërmjet jetës së Shën Jozefit që Hyji arrin të shpëtojë çka ka më shumë vlerë në jetën tonë: Jezusi dhe Maria që si për Jozefin edhe për ne, janë thesari më i çmuar i fesë dhe jetës sonë! Për këtë arsye edhe Papa Françesku nënvizon në letrën e tij që në planin e shpëtimit nuk mund të ndahet kurrë Biri prej Nënës, prej Asaj  që “Përparoi në shtegtimin e fesë dhe e ruajti besnikërisht bashkimin e vet me të Birin deri në kryq”. Në këtë moment lind pyetja në mënyrë të pashmangshme në ne që jemi të thirrur në ofertën totale: apo e mbrojmë me gjithë entuziazmin dhe forcat tona Prezencën e Jezusit dhe të Marisë që në mënyrë të mistershme i janë besuar përgjegjësisë dhe kujdesit tonë kur i kemi thënë Po-në tonë Zotit?! Jozefi vazhdon ta mbrojë sot Jezusin dhe Marinë ndërkohë që mbron Kishën, ashtu siç edhe ne jemi të thirrur ta duam Jezusin dhe Marinë duke i shërbyer Kishës së Tij. Papa Françesku na thotë që mund të kemi edhe ne të njëjtin kujdes dhe përgjegjësi nëse mësojmë të duam Jezusin dhe Nënën e Tij, nëse duam dhe mësojmë të duhen sakramentet dhe veprat e bamirësisë, Kisha dhe të varfrit. Ne si meshtarë dhe rregulltarë, falë figurës së Jozefit kuptojmë që baba nuk lind por bëhesh pasi nuk mjafton të sjellësh në jetë një fëmijë por është e nevojshme të kujdesesh për të me përgjegjësi dhe dashuri. Për këtë arsye nëse dëshirojmë me të vërtetë të jemi etër shpirtërore, kurrë nuk duhet të ngurrojmë të marrim përgjegjësi për jetën e njëri tjetrit dhe për jetën e atyre që sot, gjithmonë e me shumë shohim që janë fëmijë pa baba, që janë jetimë jo vetëm fizikisht por veçanërisht shpirtërisht. Sa shumë e shohim në kohën tonë nevojën për meshtarë që jetojnë thirrjen e tyre për të qenë etër shpirtërorë përballë një rinie shpeshherë të humbur, përballë familjeve shumë herë të sprovuara dhe të braktisura, përballë të moshuarve të mënjanuar dhe të pavlerësuar. Sa shumë ka nevojë sot kisha për baballarë që çdo meshtar të mund të thotë me Shën Palin: O fëmijët e mi që unë ju rilind me dhimbje deri sa Krishti të formohet në ju! (Gal 4,19).

 

  1. Shën Jozefi ndërmjetëso tek Jezusi që tëkemnjë zemër të pastër!

 

Dëlirësia e Shën Jozefit

Thirrja jonë na shtyn gjithmonë të imitojmë shenjtërit në virtytet e tyre! E akoma më shumë në Shën Jozefin të imitojmë dëlirësinë e tij! Sikurse thotë edhe Papa Françesku, dëlirësia është liria prej posesivitetit në të gjitha fushat e jetës. Kur një dashuri është e dëlirë ajo është me të vërtetë dashuri. Dashuria që dëshiron të posedojë me kalimin e kohës bëhet gjithmonë e më shumë e rrezikshme, izolon, mbyt, bën të palumtur. Vetë Hyji e ka dashur njeriun me një dashuri të dëlirë, duke e lënë të lirë edhe për të bërë gabime edhe fatkeqësisht shpesh herë për ti bërë kundër tij. Logjika e dashurisë është gjithmonë një logjikë lirie ashtu siç ka ditur të dojë edhe  Jozefi duke mos vënë kurrë në qendër vetveten por duke dashur gjithmonë Marinë dhe Jezusin si qendër të jetës së tij. Në Jozefin shohim sesi çdo flijim i vetvetes, durim dhe sakrificë është e nxitur nga lumturia që dhuron përvoja e dashurisë. Miqtë e mi, është kjo lumturi e përvojës së dashurisë në takimin e parë me Zotin që na ka nxitur edhe ne të dhurojmë veten tonë duke dëftuar pjekurinë e zgjidhjes tonë në përkatësinë ndaj Krishtit dhe në shërbimin ndaj grigjës së tij. Papa Françesku specifikon që aty ku një thirrje martesore apo virgjërie nuk arrin pjekurinë e dhurimit të vetvetes dhe ndalet vetëm në logjikën e flijimit, në vend që të jetë shenjë e bukurisë dhe gëzimit të dashurisë, rrezikon të shprehë vetëm pakënaqësi, trishtim dhe frustrim.

 

  1. Shën Jozef ndërmjetëso tek Jezusi që tëjem i shkëputur nga lavdia e kësaj bote!

 

Varfëria e Shën Jozefit

Shën Jozefi është një njeri i varfër, i ndershëm, punëtor, ndoshta i ndrojtur por që ka një jetë shpirtërore shumë të thellë nga e cila vijnë për të diktime dhe ngushëllime të veçanta dhe i japin atij logjikën dhe forcën e gjërave për t’u bërë. Kjo dëfton shpirtin e tij të thjeshtë e të pastër. Të aftë për t’u gjetur i gatshëm përballë vendimeve të mëdha, sikurse fakti për të vënë në shërbim për planet Hyjnore lirinë e tij, thirrjen e tij njerëzore, lumturinë e tij bashkëshortore, duke pranuar kushtet që i kërkon modeli i kësaj familje të re me përgjegjësinë edhe barrën që ka, e duke mohuar për një dashuri virgjërore të pakrahasueshme, dashurinë natyrore bashkëshortore që e përbën dhe ushqen atë, për të ofruar sakrificën totale të mbarë ekzistencës së tij për nevojat që ka përgatitja dhe ardhja e Mesisë, të cilit Ai do ti vejë emrin që do të mbajë përgjithmonë: Jezus (Mt 1,21).

Në Shën Jozefin e varfër dhe punëtor, shohim se edhe ne jemi të thirrur si ai për angazhimet e jetës sonë të përditshme, bashkë me të mirat ekonomike që na vijnë, sepse mund të jenë të denja për interesat e Krishtit dhe të afërmit, aty ku në fakt është e themeluar zemra e ligjit! Janë pra thjesht një instrument për të mbështetur jetën tonë në ecje drejt të mirave superiore. Që këto të mira ekonomike mos të jenë objekt i egoizmit koprrac, por mjet dhe burim për bamirësi; që këto të mira mos të jenë për të na hequr nga barra e punës sonë personale duke na nxitur drejt rehatisë dhe komoditetit të jetës por të jenë për angazhimin e ndershëm me interes të gjerë të së mirës së përbashkët. Varfëria aktive dhe dinjitoze e këtij Shenjti është shembull edhe për ne sot, që në botën moderne të gjejmë shtegun për të ndjekur hapat e Jezusit e mos të humbasim në humnerën e ndërlikimeve ekonomike që po vuan bota e sotme. Përballë kulturës sipërfaqësore që lartëson pasurinë materiale e premton lumturinë nëpërmjet shtigjeve të rrezikshme, neve s’duhet të humbim asnjë mundësi për të nxitur dhe formuar të rinjtë nëpërmjet dëshmisë së jetës tonë dhe doktrinës sociale të Kishës, që të kenë një personalitet të aftë që ti bëjë ballë kulturës hedoniste të sotme. Kemi të gjithë nevojë që të jemi të lirë nga tundimi i pasurisë së përkohshme, e në të njëjtën kohë edhe nga përdorimi ideologjik dhe instrumental që jo pak herë krijon një urrejtje dhe përçarje sociale. Varfëria nuk duhet të jetë një slogan, por një status i shpirtit që na lejon çdo ditë të shohim qiellin: “Lum të varfrit në shpirt sepse atyre u përket mbretëria  e qiellit” (Mt 5,3).

 

  1. Shën Jozef ndërmjetëso tek Jezusi që të kem përvujtërinë e vërtetë të shpirtit

 

Përvujtëria e Shën Jozefit

Jozefi ka besim të plotë në Marinë, që ka zgjedhur si nuse, por situata e papritur që ndodh, e shtyn të vërë në dyshim lidhjen e tyre; për këtë arsye me shumë dhimbje vendos për t’u ndarë nga Maria në heshtje, pa krijuar skandal! Kjo sjellje e Jozefit, na tregon përkujdesjen e tij për të mos lejuar një poshtërim e përulje të mundshme ndaj Marisë. Na tregon kështu që shpesh herë mënyra sesi kërkojmë të vejmë drejtësi, rrezikon të shtyp të tjerët, dhe na bën të harrojmë që edhe ne jo pak herë mund të bëjmë gabime më të mëdha se të tjerët, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm përpara se të marrim disa vendime që neve na duken të drejta. Kur drejtësia shkëputet nga jeta e përditshme dhe reale, nuk është më drejtësi pasi nuk ka parësore të mirën e personit. Jozefi do të dijë të ruajë një zemër të përvuajtur, dhe për këtë arsye të vizitueshme nga Hyji, dhe Hyji në momentin më të madh të krizës së tij do t’i hap një udhë të re, një udhë uniteti, dashurie dhe lumturie duke i thënë: “Jozef , biri i Davidit, mos kij frikë të marrësh me vete Marinë, si nusen tënde. Në fakt foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt” (Mt 1, 20). Jozefi do të dëftojë gjithmonë këtë përvujtëri dhe përkushtim ndaj Marisë dhe Jezusit. Në vegimet e saja e Lumja Anna Caterina Emmerick, në librin Jeta e Marisë, thotë: “Në prag të lindjes së Jezusit, Jozefi ndjente keqardhje sepse ishte i zhgënjyer nga mungesa e mikpritjes që kishte hasur në Betlehem. Për të përgatitur sa më mirë ambientin ku Maria do të lindte Jezusin, ai e pastron shpellën në mënyrën më të mirë duke e mbushur me drita për të mundur errësirën dhe sidoqoftë ndihej thellësisht i përulur për këtë banesë kaq pa kushte në të cilën do të lindte Jezusi. Kur Jozefi ishte në prag të vdekjes ndërsa Maria i rrinte tek kryet, Jezusi mbështeste kryet e vet tek kraharori i tij. Hyji lejoi që Jozefi të vdiste përpara Jezusit, pasi nuk do të kishte mundur të duronte kryqëzimin e birit të tij; ai tashmë kishte vuajtur shumë për sulmet që vazhdimisht Judenjtë i kishin bërë Jezusit. Zoti i përballoi me durim të madh këto persekutime që në moshë të re dhe Maria dhe Jozefi vuanin shumë përballë këtyre sulmeve.”Ndërsa në Ungjillin Apokrif të Jozefit “zdrukthëtar” shkruhet që Jozefi në prag të vdekjes, ndërsa ka pranë Jezusin, fjalët e fundit që thotë janë mbi Marinë: “E kam dashur këtë grua me gjithë butësinë” dhe me pas mbyll sytë.Siç e dimë Jozefi do të vdesë pa e parë të realizuar misionin e Jezusit. Jeta e Jozefit nuk ka qënë si ajo e dikujt që ndërsa pretendon të realizohet, kërkon vetëm në vetvete mjetet e nevojshme për të bërë me jetën e vet çfarë dëshiron. Po, Jozefi ka qenë i aftë ti thotë JO vetvetes dhe ka lejuar të udhëhiqet për të shkuar atje ku nuk do të donte të shkonte. Nuk ka bërë në jetën e tij diçka për vete por diçka për të dhuruar, ka mohuar vullnetin e tij për të qenë pjesë e vullnetit të madh të Zotit. Pikërisht kjo është e vërteta që na vjen nga Ungjilli: vetëm nëse do të dimë të humbim vetveten, nëse dhurohemi do të mund ta rigjejmë veten tonë. Shën Jozefi na ka mësuar që me vetëmohimin e tij dhe me braktisjen e tij në vullnetin e Zotit ka përjetuar imitimin e Jezusit të kryqëzuar, ecjen e besnikërisë, të ringjalljes e të jetës. Shën Jozefi është modeli i të përvuajturve që Krishterimi i vlerëson për arritje të mëdhaja; ai është prova që për të qenë të mirë dhe ndjekës autentikë të Krishtit nuk nevojiten “gjërat e mëdha”, por lypen vetëm virtyte të zakonshme, të thjeshta e veçanërisht të vërteta dhe autentike!

 

  1. Shën Jozef ndërmjetëso tek Jezusi që të kem një dëshirë të shenjtë për Parajsën!

 

Jozefi i aftë të ëndërrojë, me këmbët përtokë dhe zemrën në Hyjin!

Në këngën e këngëve lexojmë “unë flej por zemra ime është zgjuar” ( Kk 5, 2) pushojnë pra ndjesitë e jashtme por ndjesitë e shpirtit janë të lira. Në këto thellësi të shpirtit secili prej nesh mund të takojë Hyjin që flet, duke u bërë i afërt. Ne shpesh herë gjendemi të përmbysur nga shqetësimet, nga ankthet dhe zhgënjimet e sado qofshim të kujdesshëm bëhet e domosdoshme një vigjilencë e dendur shpirtërore që të mund të dëgjojmë zërat që i flasin shpirtit. Në këtë kohë super teknologjike ne kemi përshtypjen që kemi dominuar gjithmonë e më shumë botën, por ky dominim i gjërave e ka reduktuar ndjeshmërinë tonë aq shumë saqë na ka bërë të humbim dimensionet e tjera. Ne të dominuar nga gjërat tona dhe nga gjithë objektet e ndërtuara nga duart tona. Praktikisht nuk shohim gjë tjetër përveç se imazhit tonë dhe me narcizmin që kemi ndërtuar nuk jemi në gradë që të dëgjojmë zërin e thellë që nga mbarë krijimtaria na flet për mirësitë dhe bukuritë e Hyjit. Në këtë vit dedikuar Shën Jozefit ai na prezantohet si i aftë të ëndërrojë duke fjetur në paqe, por gjithmonë i gatshëm të dëgjojë çka ndjen në zemrën e tij. Është pra njeriu i integritetit, i aftë te bashkojë aftësinë e tij shpirtërore me gatishmërinë e veprimtarisë. Ai na fton para së gjithash që të shkëputemi nga zhurma e ndjesive, për të rikuperuar përmbledhjen e brendshme duke drejtuar vështrimin tonë të brendshëm drejt së larti që Hyji të mund të na prekë shpirtin e të komunikojë fjalën e tij. Në fakt Kreshmët janë koha e përshtatshme për tu larguar nga ankthet e mërzitë dhe për tu drejtuar në ecjen shpirtërore!

 

  1. Shën Jozef, lute Jezusin, që të vijë tek dëshirat e mija e ti udhëheqë!

 

Jozefi i përfshirë totalisht në planin e Hyjit

Ungjilli na e prezanton Shën Jozefin gjithmonë të gatshëm për t’u çuar dhe për të bërë vullnetin e Hyjit (Mt 1,24; 2, 14). Kështu edhe ai do të përfshihet në jetën e Marisë, në përgjigjen vendimtare të ekzistencës së Saj: Ja ku jam shërbëtorja e Zotit (Lk 1, 38). Po ashtu përgjigjet edhe Shën Jozefi përgjigjet: Ja shërbëtori yt! Kjo përgjigje është e lidhur me atë të Isaisë ku thotë: ja o Zot më dërgo mua (Is 6,8). Jozefi me gatishmërinë e tij tregon që ky është rregulli i jetës së tij. Për të qenë gjithmonë i aftë që të udhëhiqet edhe nëse drejtimi që po ndjek nuk është ai që kishte zgjedhur vetë.

Në fakt shohim sesi papritur ideja që ai kishte për një jetë të thjeshtë, diskrete të fshehtë vjen dhe tronditet. Është e tronditur kur është e zgjedhur për të marrë pjesë në aventurën e Hyjit me njerëzit. Është çka Hyji bën me jetën e atyre që thërret për vete dhe këtë e shohim që nga besëlidhja e vjetër me Moisiun, në Ungjill me apostujt, në historinë e kishës që nga 2 mijë vjet e kështu në jetën secilit prej nesh.

Jozefi do të gjendet gjithmonë duke bërë diçka që nuk planifikon ai, që nga emigrimi në Egjipt ku do të jetojë pa shtëpi e pa atdhe si edhe shumë refugjatë e të huaj që kërkojnë të gjejnë një vend ku mund të stabilizohen me familje, por edhe kur do të kthehet në atdhe do ta shoqërojnë rreziqe të tjera. Më pas do të vuajë për tre ditë përvojën e humbjes së Jezusit (Lk 2,46). Ato ditë do të jenë si parashikimi i tre ditëve që do të përfshijnë kryqin dhe ringjalljen e Jezusit: ditë në të cilat Zoti duke u mbyllur në tokë na bën që të ndihet boshllëku i mungesës së Tij. Dhe një herë që do të ringjallet nuk do të rikthehet në familjaritetin e mëparshëm, përkundrazi do të na thotë: duhet të rikthehem tek Ati im, dhe ti mund të rrish me mua kur edhe ti do të vish sipër (Gjn 20,17). Jozefi ndihet në një farë kuptimi i shtyrë që të gjejë vendin e tij, por në të njëjtën kohë edhe i ngritur lart në gjërat e Atit: “Unë duhet të merrem me gjërat e Atit tim” (Lk 2,19).

 

  1. Shën Jozef ndërmjetëso tek Jezusi që të eci në rrugën e ngushtëdrejt qiellit!

 

“Shën Jozefi shtegtar në ecje”

Kur meditojmë mbi figurën e Shën Jozefit e shikojmë gjithmonë si një shtegtar në ecje, pasi ai ka qënë gjithmonë në shtegtim dhe duke e parë atë shohim sesi edhe ne të krishterët jemi të thirrur të konsiderojmë veten tonë shtegtarë dhe të ftuar në këtë tokë (1Pjt 1, 17) pasi shtëpia dhe nënshtetësia jonë është në qiej (Fil 3, 20). Sot në kontekstin që na rrethon, nuk duam t’i dëgjojmë këto fjalë mbi qiellin sepse besojmë që duke u larguar nga detyrat tona tokësore shkëputemi nga bota. Besojmë që thirrja jonë është vetëm për të bërë nëpërmjet tokës një parajsë, por harrojmë që në të vërtetë kështu shkatërrojmë çka Hyji ka krijuar dhe që zemrën e njeriut vetëm Hyji mund ta shpërblejë plotësisht. Jemi bërë në mënyrë që gjërat e limituara na lënë gjithmonë të pakënaqur, sepse kemi nevojë për shumë më shumë: kemi nevojë për Dashurinë e pashtershme, për të Vërtetën dhe Bukurinë e pafund! Duke dëshiruar qiellin që tani mbi tokë, presim dhe kërkojmë gjithçka nga shoqëria aktuale. Por duke kërkuar të pafundmen nga e fundmja njeriu e shkel çka është e krijuar dhe bën të pamundur një bashkëjetesë sociale më të tjerët pasi i sheh ata si kërcënim ose si  pengesë.

Vetëm kur do të drejtojmë përsëri vështrimin tonë në qiell, toka do të ndriçojë përsëri me të gjithë dritën e saj. Vetëm kur do t’i japim jetë pritshmërive të mëdha të zemrave me dëshirën për të qenë në amshim me Hyjin, do të ndihemi akoma shtegtare drejt Amshimit, atëherë do të rrezatojmë aspiracionet tona të shenjta në këtë botë që të ketë akoma shpresë dhe paqe. Të falënderojmë Hyjin që në këtë vit të Shën Jozefi dhe në këtë 9-she të tij, na thërret të jemi të mbledhur shpirtërisht, na mëson gatishmërinë, dëgjesën dhe sjelljen e shtegtarëve që lejojnë të udhëhiqen nga Hyji i cili na dëfton mënyrën sesi ta shërbejmë mbi këtë tokë. Të kërkojmë Hirin që edhe ne të jemi të pritur nga Hyji, si shtegtarët në tempullin e tij!/drita.info

(Ligjërata e Imzot Arjan Dodaj, ipeshkëv ndihmës i Argjidioqezës Tiranë-Durrës, në tërheqjen shpirtërore për meshtarë, rregulltarë e rregulltare të Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, të mbajtur në Stubëll, më 13 mars 2021)

Comments are closed.

« »