Featured Video Play Icon

Ndjeti i lutjes së prillit: Papa Françesku kundër mohimit të të drejtave

Apr 7 • Kisha në botë

Në ndjetin e tij të lutjes për muajin prill, Ati i Shenjtë kërkon të respektohet e drejta e të gjithëve për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe lutet në veçanti për ata, që vënë në rrezik jetën, në luftën për të drejtat themelore

 

U bë e njohur sot videoja e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë ia beson gjithë Kishës Katolike ndjetin e lutjes së tij për muajin prill, që, kësaj radhe, ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut. Konkretisht, Françesku jo vetëm kërkon “t’i kundërvihemi aktivisht varfërisë, pabarazisë, mungesës së punës, së tokës, të strehimit e të të drejtave shoqërore”, por edhe jep si shembull ata njerëz, që vënë në rrezik jetën çdo ditë për të mbrojtur të drejtat themelore në situatat konfliktuale të çdo lloji.

 

Të drejtat e shpërdoruara

Pamjet e videos së prillit, publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës, nxisin reflektimin mbi përdorimin e këtyre të drejtave, përmes impenjimit të burrave dhe grave të panumërta, që punojnë tokën, hapin dyer, kujdesen, ushqejnë, studiojnë…, si edhe mbi abuzimin e tyre, që shihet në të shfrytëzuarit, në vuajtjet e njerëzve të burgosur pa gjyq dhe në situata të tjera kritike. Video mbështetet nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

 

Mësimet e Kishës: kemi të drejta, sepse jemi qenie njerëzore

Kur bëhet fjalë për të drejtat themelore të njeriut, duhet marrë parasysh fakti se njerëzit i gëzojnë ato thjesht pse janë qenie njerëzore, pavarësisht nga kombësia, gjinia, origjina etnike a kombëtare, ngjyra, feja, gjuha, ose ndonjë gjendje tjetër. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 1948, ishte dokumenti i parë ligjor, që vendosi mbrojtjen universale të të drejtave themelore të njeriut.

Edhe në Kishë, duke filluar me Papën Gjon XXIII në vitet ‘60, të drejtat njerëzore kanë pasur rëndësi qendrore në mësimet dhe në praktikën shoqërore katolike. Siç shkruan kardinali Michael Czerny S.J. në një artikull të fundit, “Shën Gjoni XXIII i renditi të drejtat themelore në enciklikën e tij ‘Pacem in terris’ në vitin 1963 dhe filloi me ato, që tani konsiderohen të drejta ekonomike. ‘Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të ekzistojë’, pohon ai, ‘t’i ruhet integriteti fizik, të ketë mjetet e domosdoshme dhe të mjaftueshme për një jetë dinjitoze, veçanërisht përsa i përket ushqimit, veshjes, strehimit, pushimit, kujdesit mjekësor, shërbimeve shoqërore të nevojshme’. Sot, Papa Françesku e vë sërish theksin në të drejtën për punë, strehim, tokë dhe siguri ushqimore”.

 

Impenjimi i Papës Françesku për të drejtat e njeriut

Nuk është hera e parë që Papa Françesku vë në dukje rëndësinë e të drejtave themelore të njeriut. Në enciklikën e fundit të tij “Fratelli tutti” denoncon: “ndërsa një pjesë e njerëzimit jeton në bollëk, pjesës tjetër i mohohet, i përbuzet, ose i nëpërkëmbet dinjiteti, ndërsa të drejtat themelore i injorohen, ose i shkelen”(FT, 22). Pikërisht për këtë arsye, këtë muaj, Papa Françesku u kërkon të gjithë besimtarëve të luten për “ata, që vënë në rrezik jetën, duke luftuar për të drejtat themelore në diktatura, në regjime autoritare e madje, edhe në demokracitë në krizë”. Është ftesë për t’i kujtuar këto gra e burra, që, në shumë vende të botës, ndodhen në burg a në situata të rrezikshme, ose ata, që kanë humbur jetën, shumë prej të cilëve në emër të besimit të tyre në Jezu Krishtin. Të mos i harrojmë, të lutemi për ta”.

 

Të lutemi për ata, që i mbrojnë të drejtat themelore

Le ta shoqërojmë me lutje videon e Papës për muajin prill, duke kujtuar edhe guximin e vendosmërinë e atyre, të cilët luftojnë çdo ditë që këto të drejta themelore të njeriut të jenë të barabarta për të gjithë, megjithëse për disa kjo përfshin edhe rrezikun për jetën.

 

Ja teksti i plotë i ndjetit të lutjes së Papës për muajin prill:

Mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut kërkon guxim dhe vendosmëri. I referohem kundërshtimit aktiv të varfërisë, pabarazisë e mungesës së punës, të tokës e të strehimit, të të drejtave shoqërore e të atyre në punë. Mendoni sa herë të drejtat themelore të njeriut nuk janë të njëjta për të gjithë. Ka njerëz të klasës së parë, të dytë, të tretë dhe njerëz, që konsiderohen hedhurina.

Jo. Të drejtat duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Në disa vende, mbrojtja e dinjitetit të njerëzve mund të të çojë në burg, edhe pa gjyq. Ose mund të përfshijë shpifjen. Çdo qenie njerëzore ka të drejtë të zhvillohet në mënyrë të gjithanshme e, kjo e drejtë themelore nuk mund të mohohet nga asnjë vend.

Të lutemi për ata, që vënë në rrezik jetën, duke luftuar për të drejtat themelore në diktatura, në regjime autoritare e madje, edhe në demokracitë në krizë, në mënyrë që sakrificat dhe puna e tyre të japin fryte të begata. (radiovatikani)

Comments are closed.

« »