Njerëzimi në prag të ndryshimeve të mëdha

Apr 7 • Opinion

Nga Don Marjan Sh. Uka

 

Virusi COVID-19 e bëri vitin 2020 më të veçantin në historinë e njerëzimit. Ishte vit i shkatërrimit të ëndrrave të mbarë njerëzimit; vit i mbylljes së kufijve, shkollave, kishave, faltoreve, punishteve, stadiumeve; vit që na ndau nga njëri-tjetri dhe na bëri të ndihemi të vetmuar, madje edhe të braktisur; vit që solli atë që bota nuk e kishte imagjinuar kurrë më parë, e që askush nuk mund ta dijë se si do të përfundojë; pra, ishte vit me përplot peripeci, befasi, zhgënjime dhe dëshpërimeve. Për fat të keq pandemia, përkundër vaksinave (misterioze), vështirë se do të përfundojë as në vitin 2021. Ngjarjet e tilla rrisin varfërinë, ushqejnë frikën, nxisin depresionin, fuqizojnë krimin.

Të bindur në brishtësinë dhe paaftësinë tonë, t’i ri-kthehemi madhështisë së Hyjit, i cili, përkundër rebelimit dhe mëkateve tona, kurrë nuk na braktis, por edhe kur të jemi të vetmuar, të zhgënjyer, të mbyllur, qëndron para derës tonë dhe pret të hyjë brenda.

Derisa botën e ka kapluar një ankth dhe një frikë e paparë, kur pothuaj të gjitha dyert na janë mbyllur dhe kur besimtarët e krishterë për të dytën herë radhazi nuk mund t’i kremtojnë Pashkët nëpër kishat e veta, Krishti i ringjallur na del para dhe na ngushëllon: “Në botë keni vuajtje, por mos u trembni – unë e munda botën!” (Gjn 16, 33). Një fjalë e urtë latine thotë: “Per aspera ad astra” (përmes vështirësive tek yjet). Shkrimi që e ke në dorë ka këtë synim. Duke qenë i bindur se shembujt që gjenden në këtë shkresë flasin qartë se historia po përsëritet dhe se përfundimi mund të jetë shumë më tragjik se sa mund ta imagjinojmë, qëllimisht nuk kam dashur të lëshohem në një komentim më të thellë.

 

I.

Drama e famshme e autorit gjerman Volfgang Borhert (Wolfgang Borchert, 1921-1947) me titull “Jashtë derës”, përçon tek ne mesazhin rrëqethës të pasojave të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore. Më duket se për gjendjen aktuale në të cilën po jetojmë nuk ka shprehje më të fuqishme, figurë më të saktë, metaforë më të përafërt, krahasim më të qëlluar, shëmbëlltyrë më të pranueshme dhe mësim më domethënës sesa titulli dhe porosia që jep kjo vepër shumëdimensionale me personazhet e saja sa autentike aq edhe enigmatike e profetike, e cila na mishëron me gjendjen reale të kohës kur u krijua, por edhe e tejkalojnë atë, për t’u zhvendosur në kohën dhe hapësirën tonë.

Pjesa teatrale fillon bujshëm me prologun e punëtorit të funeralit, i cili varrimin e ka profesion dhe nuk qan kokën për vdekjen e njerëzve. Ja si e përshkruan vdekjen: “Një person vdiq. Dhe? Asgjë tjetër. Era vazhdon të fryjë. Elba vazhdon të dërdëllisë. Zilja e tramvajit vazhdon të bije. Laviret e bardha dhe të buta vazhdojnë të qëndrojnë në dritare. Zonja Kramer kthehet krahut tjetër dhe vazhdon të gërhas. Dhe asnjë, bash asnjë sahat nuk ndalet. Bum! Një person vdiq. Dhe? Asgjë tjetër. Vetëm disa valë rrethore vërtetojnë se ai ishte aty. Por edhe ato u qetësuan shpejt. Dhe kur ato humbën, atëherë edhe ai u harrua, humbi, pa gjurmë, sikur të mos kishte qenë fare. Asgjë tjetër. Përshëndetje, dikush po qanë.”

Për fat të mirë tonin, kur jetët e njerëzve shndërrohen vetëm në shifra vdekjesh, është Zoti ai që qanë për bijtë e bijat e tij që i ka mbuluar errësira dhe varri: “vetëvriten, e varrin veten, dehen, vrasin njëri-tjetrin”. Firma e shërbimeve funerale, si atëherë ashtu edhe sot, mbetet e vetmja firmë që nuk di për humbje. „Unë nuk harroj askënd“, flet vdekja në formën e fshesës së rrugës, dhe „dera ime është gjithmonë e hapur“.

Me veprën „Jashtë derës” me nëntitull: „Një shfaqje që asnjë teatër nuk dëshiron ta luajë dhe asnjë njeri nuk dëshiron ta shohë”, fillon letërsia gjermane e ‘rrënojave të pasluftës’ me qytetet e veshura ngjyrë hiri. Ajo synon të zgjojë vetëdijen e çdo individi në marrjen e përgjegjësive për viktimat e luftës. „Tjetri” mishëron parimin e shpresës dhe të ndërgjegjes së pranishme në çdo qenie njerëzore. Bekmani, i dëshpëruar deri në fund dhe i mbetur në rrugë, jashtë derës, vendos të bëjë vetëvrasje dhe i trishtuar në shpirt pyet: „Me çka, me kë dhe për çka të jetoj? Kah është duke vajtur kjo botë? Jemi të tradhtuar, tmerrësisht të tradhtuar. Ku je ti, o tjetri? Ku je ti që gjithmonë ishe i gatshëm të ndërhysh? Pse hesht? Më thuaj ku je, sepse pikërisht tani kam nevojë për ty!?”. Fakti se në fund as “tjetri” nuk përgjigjet, konfirmon thënien se shpresa vdes e fundit, por megjithatë vdes.

Drama duhet kuptuar si një apel i fortë kundër luftës, si një thirrje për më shumë humanizëm ndaj njerëzve që, pas tmerreve që pësojnë në luftë, ndihen të përjashtuar e të padëshiruar nga shoqëria dhe bartin në vete një ndjenjë të fortë vetmie, sikur ajo që e pushton protagonistin e kësaj vepre, Bekmanin e sapo-kthyer nga fronti i luftës, i cili  fatkeqësisht ndjehet i çregjistruar. Lufta atij ia mori të gjitha: prindërit, bashkëshorten, shpresën, dinjitetin, madje edhe emrin, saqë tash e tutje do të njihet vetëm me mbiemër Bekman.

Rreshteri Bekman, me një palë syze me maskë gazi në fytyrën, disa herë vendos të bëjë vetëvrasje, por pengohet në kryerjen e saj. Tregimi mbi ngjalljen nga varret masive e bën këtë dramë edhe më atraktive. Në këtë skenë Bekmani bie në gjumë dhe ëndërron. Në ëndërr takon Perëndinë e përlotur, të cilin e fajëson për mungesën e tij përballë të gjitha mizorive që ndodhin në botë: „Po, pikërisht kështu është, o Zot. Ti nuk mund ta ndryshosh këtë. Ne nuk ta kemi frikën. Nuk të duam më. Ti je plakur. … Zëri yt tashmë është i heshtur. Ai është shumë i heshtur për bubullimat e kohës sonë. Nuk mund të të dëgjojmë më”. Zoti iu përgjigj: „Jo, askush më nuk më dëgjon, askush. Ju jeni shumë të zëshëm”. Këtu ndërhyn Bekmani e thotë: „Apo je ti, o Zot, shumë i heshtur!?”.

Bekmani i ngarkuar rëndë nga uria, dhimbja, faji dhe dëshpërimi; i tradhtuar dhe i braktisur – si njeri i çregjistruar – mbetet gjithmonë jashtë derës. Ai nuk është vetëm një fat individual, por një dëshmitar që tregon se luftërat u marrin njerëzve gjërat më të domosdoshme për jetë, e ato janë: feja, shpresa dhe dashuria.

Maska e gazit simbolizon ndarjen midis të të kthyerve nga lufta dhe shoqërisë, ndërsa syzet janë simbol i pengesës së integrimit dhe të vetë-integrimit në shoqëri. Vepra shihet si një alternativë ndaj virtyteve të krishtera të fesë, të shpresës dhe të dashurisë, ku së pari humb Zoti dhe “dërgohet në shtëpi”, pastaj dështon dashuria dhe krejt në fund hesht shpresa.

Shkrimtari, kritiku dhe studiuesi i mirënjohur i teatrit shqiptar, Prof. Dr. Josif Papagjoni, i qaset kësaj vepre duke e zhvendos atë në hapësirën shqiptare dhe duke e shikuar si „një simbiozë mes dy kohëve: ajo fill pas Luftës II Botërore në Gjermani dhe ajo e situatës shpirtërore të shqiptarëve në një ngërç social, politik, moral, etik, që zgjat e zgjat në një pamundësi vrasëse. Dhe për ta krijuar këtë simbiozë kohësh, njerëzish dhe realitetesh, regjisori Mantas Janciauskas vendos qysh në fillim, në paraskenë, të ulur në karrige, 8 vetë. Ata rrëfejnë njëri pas tjetrit historitë e tyre, të cilat nuk janë „shpikje” a trille letrare, por të abstraguar nga jeta personale e gjithkujt. Një lëndë tejet e ngrohtë, e përzgjedhur, secila dramatike, që na përcjellë dëshpërimin, mërinë, zhgënjimin, mllefin dhe zemërimin e njerëzve ndaj atyre që u kishin fatin në dorë, që i ngulfatën, i masakruan, i burgosën, u prenë shanset e bukura, u vranë shpresat, ardhmërinë, u mbyllën dyert e karrierës, i përjashtuan nga e drejta, i anashkaluan… Kudo dështime. Dhe një dëshpërim pa fund. Kudo përplasja e derës në turinj, shpërfillje”.

Këtu korifeut të ditëve tona i kujtohet gjithë ajo katrahurë dhe ai “Kalvar” që përshkoi populli ynë i mjerë dhe, duke tërhequr paralelizma mes dramës në fjalë e realitetit në të cilin jeton, rrëfen: „Dhe në atë botë ti do që t’ia mbathësh, ta lësh vendin, familjen, shokët, të dashurën, karrierën, gjithçka. Të zhdukesh. … I tronditur gjer në palcë, edhe në dashuri ai është thuajse i pamundur, s’e merr dot kënaqësinë dhe paqen, mbetet një gjysmak, një dështak, i hapërdarë. E kaluara ndërhyn, e pengon, e trondit, e tjetërson. Gjithçka sikur e prish mendsh. Një kolonel që dikur e çonte në luftë dhe i kërkonte përgjegjësi për jetën e ushtarëve që komandonte, lundron tani në mirëqenie, i paprekur nga ndëshkimi; ka shpëlarë duart si Ponc Pilati për krimet e kryera, ndjehet pra i pafajshëm, i shmanget përgjegjësisë së vdekjes të mijëra vetëve, ndaj dhe sillet fund e krye si cinik, ku anormalja shitet për normale, e padrejta si e drejtë dhe ndërsjelltas.”1

Një nga eseistët dhe lirikët gjerman më të njohur të pasluftës, Peter Rühmkorf, shkruan: „’Jashtë derës’ nuk është aspak vetëm një përjashtim i përkohshëm, një dëm shoqëror i rikuperueshëm, por një titull për një pozicion të zgjedhur me vetëdije, një emër për hapësirën e zbrazët të zënë vullnetarisht jashtë normave dhe rregullave qytetare”.

Protagonisti i veprës shikon me dhembje njerëzit që ia mbyllin derën dhe e shpërfillin. Ata e kanë harruar shpejt luftën dhe nuk i nderojnë heronjtë e saj, janë të zënë me ndërtimin e një të nesërme që bazohej në të djeshmen e tyre të përgjakur. Kështu, me një gjuhë të kujdesshme, të ashpër dhe të ngathët, Borhert paraqet portretin e një brezi të tërë burrash, që u larguan si njerëz nga shtëpitë e tyre dhe u kthyen si kriminelë. Mjerisht, çka filloi në stuhi çeliku, tani përfundon jashtë derës me pyetje pa përgjigje.

Duke qëndruar i lidhur ngushtë me realitetin tonë, mjeshtri i madh, Papagjoni, me mprehtësi krahasuese në artikullin e lartpërmendur, konstaton: „Ku mund të shkojë atëherë ky i ri i gjymtuar? Kërkon të punësohet në një cirk, të aktrojë. Por aty nuk lipset e vërteta, përkundrazi vesku spërndritës dhe cipa kamufluese e saj. Sepse edhe arti, si jeta, janë një gënjeshtër e bukur”. 

Fitues i çmimit Nobel në letërsi, Hajnrih Bëll (Heinrich Böll), edhe vetë i burgosur në Luftën e Dytë Botërore, e komentoi veprën në fjalë me këto fjalë: „E vërteta, e vërteta e Borhertit, është se çdo betejë, e fituar dhe e humbur, është një kasaphane, se lulet nuk çelin më për të vdekurit, nuk piqet më bukë për ta, era nuk fryn më për ta; se fëmijët e tyre janë jetimë, gratë e tyre janë të veja dhe prindërit vajtojnë djemtë e tyre”.

Këtë e ka provuar edhe populli ynë shqiptar, edhe nënat dhe motrat tona, prandaj nuk është mirë të harrojmë kaq shpejt dhe të sillemi si të mos kishte ndodhur asgjë. Jam i bindur se kjo vepër do të na shërbente për të mirë, madje do të ishte me interes kombëtar, sikur ta lexonin dhe ta analizonin të gjithë, duke filluar nga punonjësit shtetërorë, drejtuesit e partive politike, punëtorët e arsimit e të shëndetësisë, veteranët e luftës, prijësit fetarë, studentët dhe nxënësit. Mbase do të na ndihmonte ta donim më shumë njëri-tjetrin dhe t’i luftonim ndasitë dhe hendeqet e mëdha që na pengojnë t’i shërbejmë njeriut, kombit dhe Perëndisë.

Le të na mësojë „filozofi i rrugës”, i pastrehu, Avniu nga Elbasani, si ta duam Atdheun! Ai kështu e vlerëson situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, që sipas mendimit tim vlen edhe për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare: „Bujqësi s’ka, që është baza e shoqërisë për punë e ushqim, industri s’ka, është shtojcë në ekonomi për punësim dhe ngritjen ekonomike, ushtri nuk ka, për mbrojtjen e vendit, drejtësi s’ka, sepse tek ne vjedh prokurori, gjykatësi, hetuesi. Në vend që ta burgos kriminelin, ai i jep dorën. S’kam prova thotë, merr para, kjo është vjedhje. Pse nuk zbatohet vetingu në Shqipëri? Sepse tek ne vjedhin deputetët, vjedh parlamenti, vjedhin kryetarët e partive. E çfarë pret ti?” Në vazhdim Avniu dëshmon se edhe pse shteti i ka bërë shumë keq, në rast lufte, ai do të luftonte për Shqipërinë. „Do luftoja për Shqipërinë. Se ka fajin Shqipëria si truall që unë jam kështu, unë mbroj këtë tokë, jo partinë politike”.2

Prandaj, me të drejtë profesori i nderuar, Papagjoni, duke u ndërlidhur me protagonistin e veprës së cituar, Bekman, i referohet realitetit shumë të dhimbshëm të shoqërisë tonë, që e shpërfaqi edhe Avniu: „Kinse filozofia që ky limontin artikulon (teksa aktori e tall disi lehtazi falë një ironie të shfaqshme), është pikërisht cipa e sheqerosur e vanitetit, arti që sofistikon gënjeshtrën, që mbulon plagët sociale dhe që krijon limonadat për të shpëlarë trutë e të vobektëve apo për të freskuar barqet e njerëzve të nginjur, duke stimuluar kështu eufori sociale nën një estetikë kallpe….Po njësoj është edhe sot në kohën pa luftë, mbase ca më ndryshe në formë, por me po të njëjtën padrejtësi e me pafundësi gënjeshtrash, ku dera e shpërfilljes të përplaset në fytyrë dhe ti mbetesh dëshpërimisht jashtë. Jashtë dere!”

Kur flasim mbi ndjenjën e të qenit i huaj nuk mund ta anashkalojmë veprën letrare të filozofit francez Albert Kamy (Albert Camus) që titullohet pikërisht me këtë emër: “I huaji”. Romani “është hartuar në një strukturë shumë çoroditëse dhe është shkruar me një gjuhë specifike, si një tregim tejet i pikëlluar i historisë së njeriut, i cili nuk është i vetëdijshëm që t’i perceptojë gjërat si interesante dhe të domosdoshme me një lloj ndjenje prekëse, prandaj nuk është i aftë të kuptojë se ç’po ndodhte rreth tij. Kjo figurë është pikërisht Merso, protagonisti i këtij romani. Merso përfaqëson njeriun absurd të Kamy-së. Ai jeton në botën e absurditetit, në të cilën del në pah gremina që e ndan atë nga shoqëria, idealet, mundësitë. Jeta dhe vdekja e tij janë kundërthënie të papajtueshme në raport ndaj rrethit shoqëror. Mersoja nuk është në gjendje të harmonizojë dëshirat dhe marrëdhëniet e tij me shoqërinë në të cilën jeton, sepse as bota nuk e pranon. Këtu e ka burimin e vet ajo ndjenjë e thellë që e shoqëron si hije gjatë gjithë jetës. Ai e ndjen veten si të huaj. Sipas Albert Kamy-së: “Njeriu i tillë mund të shpëtojë nga kjo botë absurde nëpërmjet revoltës dhe kryengritjes drejtuar kundër shoqërisë së kohës””.3

Sidoqoftë, ndërsa Bekmani përfundon jetën me vetëvrasje, Mersoja ndihet si i huaj, Avniu na mëson t’i sfidojmë problemet e jetës: „Do i përshtatem jetës ashtu siç ma ka dhënë natyra. Çdo gjë që të bën njeriu unë do them: Të kem vullnet të hekurt se jeta është mbi gjithçka, jeta dhe liria është mbi gjithçka… Vetëvrasësi është bandit, vret veten e vet, nuk është i kësaj shoqërie”.

 

II.

Edhe më tragjike është kur njeriu synon ta vrasë Zotin. Teoria mbi vrasjen apo eliminimin e Zotit është më e vjetër se vetë njeriu. Kjo luftë, për herë të parë, u shfaq mes engjëjve në Parajsë, pastaj përmes gjarprit helmues zbriti në kopshtin e Edenit dhe vazhdon të shfaqet përgjatë historisë.

Në librin e Zan 1,26 lexojmë: „Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë”. Kjo dëshmon se njeriu është krijesa më ekuivalente me Zotin, Krijuesin e vet. I krijuar në modelin hyjnor, njeriu është krejtësisht i lirë sikur është i lirë edhe Krijuesi i tij. Liria është vetia më e përgjithshme dhe më thelbësore e Zotit dhe e njeriut. Keqpërdorimi i lirisë lind mëkatin, ndërsa mëkati e përndjek njeriun dhe bën që  njeriu të ndjehet i huaj në praninë e Krijuesit të vet dhe në tokën që iu dhurua (krah. Zan 3, 8-13). Nga një situatë e tillë lind krimi (krah. Zan 4, 1-16) që shpie në ‘pandeminë e mëkatit’ dhe degjeneron në përmbytjen e gjithëmbarshme të njerëzimit (krah. Zan 6).

Problemi i ekzistencës së Zotit gjatë historisë është vështruar dhe rrahur nën prizmat e ndryshme. Këto përsiatje zakonisht kanë trasuar rrugën e ndonjë shkolle apo rryme filozofike-teologjike, duke shpalosur dhe ofruar hapësira të reja të besimit dhe të përcaktimit shpirtëror për njerëzimin. Me humbjen e lirisë, njeriu humbi edhe hirin e gjykimit dhe të perceptimit të gjërave në mënyrë subjektive dhe ra nën varësinë dhe kurthin e Mashtruesit apo Djallit, i cili është urryes i përbetuar i së Vërtetës dhe Jetës.

Nga këndvështrimi i materializmit pozitivist, nocioni i Zotit është vetëm produkt i një frike apo i ndonjë nevoje subjektive. Për disa Zoti është vetëm një projeksion i dëshirave tona ose një qëllim i trilluar (Alfred Adler), për të tjerët një formë e sublimuar e epshit, iluzion apo pritje e thjeshtë e përmbushjes së dëshirave të njerëzimit (Sigmund Freud).

Përderisa disa ia atribuojnë një farë vlere pozitive besimit në Zotin (kuptimi pragmatik ose biologjik i Zotit dhe i fesë), të tjerët lënë të kuptohet haptazi thirrja për luftë kundër Tij, duke kërkuar që këto vlera të zhduken plotësisht (pikëpamjet ateiste).

Iluminizmi, që si rrugën e vetme drejt të vërtetës shihte progresin në të ardhmen dhe besimin në shkencë, i frymëzuar nga mendimi racional i Dekartit, përmes Volterit, Kantit, Fihtes, Hegelit, Shopenhauerit, Fojerbahut, Marksit, Engelsit e Niçes, nxiti të ashtuquajturin revolucion të dijes dhe gjeneroi një konceptim kapitalist të natyrës, me idenë e mbrojtur nga Bakoni se dija është fuqi.

Ja se çka shkruan për ta profesori i filozofisë, shkrimtari Henry Martyn Lloyd: “Këta shkrimtarë, identifikojnë një patologji në mendimin perëndimor, që e barazon racionalitetin me shkencën pozitiviste, shfrytëzimin kapitalist, dominimin e natyrës – madje, në rastin e Maks Horkhajmer-it dhe Teodor Adorno-s, me nazizmin dhe holokaustin… Gabimi i tyre kolektiv është ajo që e bën kaq të fuqishme klishenë e ,Epokës së arsyes’”. Bëhet fjalë për një rrugë të gjatë, e cila përmes antropocentrizmit, racionalizmit, empirizmit, materializmit, hiperkritikës, pragmatizmit, idealizmit, universalizmit, çon te filozofia sociale dhe politike e iluminizmit dhe me utilitarizmin politik përfundon në rebelim dhe utopi. Pra, e gjithë kjo përpjekje filloi me deizëm dhe përfundoi në ateizëm.4

Inkvizicioni dhe Reformacioni janë, pa dyshim, dy ngjarje më të dhimbshme dhe dy njolla më të zeza që i janë shkaktuar trupit mistik të Krishtit, Kishës. Me dhembje konstatoj se Kisha katolike është i vetmi institucioni fetar në botë, i cili sot nuk gëzon kurrfarë mbrojtje dhe që pamëshirshëm po luftohet nga të gjitha anët. Dekadave të fundit Kisha ka përjetuar shumë uragane dhe po sulmohet prej të gjithëve – mjerisht edhe brendapërbrenda – pikërisht sikur një barkë që rrahet në të gjitha anët nga tallazet e detit të tërbuar.

Masmediat dhe politika ditore po e godet me të gjitha forcat Kishën e Krishtit, si goditeshin kalatë tona të lashta në të kaluarën nga pushtuesit barbarë. E përse? Sepse pikërisht Kisha është ajo kështjellë, të cilën armiku nuk mund ta shikojë. Ajo është kala e fortifikuar me mure të pamposhtura. Armiqtë e Kishës me profetë të rrejshëm e historianë mashtrues, s’lanë gurë pa lëvizur për ta mposhtur. Manipulimi i historisë ushqen tru shpërlatë e mjerë të armatosur për luftë kundër saj. Askush më shumë se ne shqiptarët nuk mund ta dijë dhe nuk do të duhej ta besojë se sa shumë është manipuluar historia.

Në lidhje me këtë mund ta lexoni një libër në dy vëllime, me titull: “Komploti kundër Kishës, me autor Maurice Pinay, i përkthyer në shqip nga znj. Etleva Sakajeva, që e pa dritën e diellit nga Shtëpia Botuese 55, Tiranë 2009. Po citoj një fragment nga paraqitja brenda këtij libri: „Komploti ma i turpshëm asht tuej u zhvillue sod kundër Kishës Katolike. Anmiqtë e saj po punojnë me shkatrrue traditat e saja ma t’shenjta për me përhapë reforma t’rrezikshme dhe djallzore, si ato t’Kalvinit, të Zwinglit dhe msuesve t’tjerë t’rremë. Ata janë tue manifestue nji vrull t’pasinqertë me modernizue Kishën dhe me e përshtatë atë me kohët e sotme. E vërteta asht se ata mshehin qëllimin e tyne me i hapë dyert komunizmit, me përshpejtue kolapsin e botës t’lirë dhe me përgaditë shkatrrimin e plotë t’krishtënimit”.

Gazetarja e arkivave, Admirina Peçi, shkuan mbi këtë libër: „Mund të thuhet se asnjë vepër e shekullit të shkuar nuk ka qenë objekt i kaq shumë komenteve sa ç’ka qenë ky libër. Ja çfarë shkruante korrespondenti në Romë i gazetës katolike, „Agora” të Lisbonës, botimi i 1 marsit 1963, faqe 7: „Ne do t’i referohemi një publikimi që doli në qarkullim para disa kohësh në Romë. Përveç informacioneve të tjera, ne ishim në gjendje të marrim një kopje të këtij libri, i cili në dy muaj u shndërrua në një rrallësi bibliografike. Libri u shtyp nga një shtëpi botuese romane, por kur autoritetet në Itali, kristiandemokratët, favorizues të marksizmit, morën shënim për botimin e tij, kopjet e volumit të trashë prej 617 faqesh ishin shpërndarë tashmë midis Etërve të Këshillit të Përgjithshëm. Ky fakt shkaktoi alarm në qeverinë e Vatikanit, në botën diplomatike, dhe partitë e së majtës. Për ditë me radhë, shtëpia botuese u vizitua nga autoritete të larta policore, të cilat morën vetëm deklaratën që, botimi i librit ishte urdhëruar, dhe se vlera ishte paguar e plotë. Shtypi i majtë sulmoi me tërbim…”. Më tej vijon: „Ajo çka i jep kësaj vepre vlerë të saktë dhe të provueshme është se, merret me një përpilim të mrekullueshëm dhe madhështor të dokumenteve dhe burimeve të pamohueshme të rëndësisë dhe autenticitetit, që demonstrojnë, pa pikë dyshimi, ekzistencën e një komploti të madh, të cilin armiqtë tradicionalë të Kishës kishin përgatitur kundër Kishës së Shenjtë Katolike dhe Botës së Lirë. Këta (armiqtë) po përpiqen të konvertojnë katolicizmin në një vegël të verbër në shërbim të komunizmit, masonërisë, për të dobësuar njerëzimin e lirë dhe të lehtësojnë shkatërrimin e tij dhe me këtë rrënim vjen fitorja përfundimtare e komunizmit ateist. Instrumenti më i fuqishëm në këtë komplot janë ata klerikë katolikë, të cilët, duke e tradhtuar Kishën e shenjtë, përpiqen të shkatërrojnë mbrojtësit e saj më besnikë, dhe, në të njëjtën kohë, ata ndihmojnë në çdo mënyrë që të mundin komunistët, masonët dhe hebrenjtë në veprimtaritë e tyre shkatërrimtare”.5

Fatmirësisht, përkundër persekutimeve të pamëshirshme ndaj të krishterëve, përndjekjeve dhe eksodit të përmasave biblike që po përsëritet në kohën tonë, padrejtësisë, manipulimeve, dhunës, intrigave, politikës djallëzore të globalizmit dhe përkundër rreshtimeve të disa njerëzve të Kishës në anën e atyre që jetojnë në mëkate kundër natyrës si dhe përkundër abuzimeve të rënda nga njerëzit brendapërbrenda Kishës, prapë në qenien tonë të krishterë është e ngulitur një shpresë që na mban të fortë dhe të pathyeshëm, të cilën nuk mund të na rrëmbejë as të na vrasë askush, sepse ajo bazohet në fjalët e Krishtit: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtojë Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj.” (Mt 16, 18).

 Djalli do ta sulmojë Kishën deri në fund, por misioni i këtij institucion hyjnor është ta mbrojë moralin dhe ta prijë njerëzimin drejt ‘Tokës së premtuar’ – Parajsës. Nga ky mision ajo nuk mund të ndahet, përkundër kërcënimeve dhe përndjekjeve që sa vinë e shtohen.

Në librin e Zanafillës 3, 15, menjëherë pas mëkatit të parë, Hyji i thotë Djallit: „Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do të ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh thembrën”. Këtu flitet qartazi për një armiqësi që do të mbretërojë mes njeriut të shëlbuar me gjakun e Krishtit dhe mëkatit. Studiuesit e Biblës në këtë profetizim të parë biblik e njohin Zojën e Bekuar, që është Eva e re, dhe farën e Saj, Jezusin, Adamin e ri, i cili do ta ngadhënjejë Djallin në drurin e kryqit. Në Ungjillin e Lukës 14, 26-27 Krishti thotë prerazi: “Nëse ndokush vjen tek unë dhe e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!”

Kishën nuk e kanë nënshtruar as herezitë, as skizmat, as pushtuesit më të egër, as ideologjitë, as dijetarët e as mëkatet e njerëzve të saj, sepse atë e udhëheq Shpirti Shenjt dhe si e tillë do t’u bëjë ballë të gjitha sulmeve të armikut.

Nuk duhet të harrojmë se armiqtë më të rafinuar dhe më të rrezikshëm të Kishës katolike dhe të vlerave të saja morale, që për kah natyra e saj është e thirrur t’i kultivojë dhe t’i mbrojë, janë, pa farë dyshimi, iluministët dhe masonët. Po i veçoj vetëm disa prej tyre:

Volteri (François Marie Arouet – Voltaire) ishte iluminist i përbetuar kundër Kishën katolike, sa që çdo letër të veten që e shkruante (shkroi mbi 20.000 faqe) e përfundonte me thirrjen dëshpëruese: „Écr. L’inf! (Écrasons l’infâme ꞊ Shkatërrojeni famëkeqin!). Thuhet se një herë Volteri me mburrje kishte pohuar: “Pas njëzet vjetësh, krishterimi nuk do të ekzistojë më. Vetë dora ime do ta shkatërrojë ndërtesën që e ndërtuan dymbëdhjetë apostujt”. Vërtet dora e tij shkroi shumë dhe mësimet e tija shkatërruan e morën në qafë shumë shpirtra, por prapëseprapë ai nuk ia arriti qëllimit, kështu që vdiq i dëshpëruar, sa që infermierja që i shërbente në çastin e vdekjes kishte thënë: “Sikur të më jepnin të gjithë pasurinë e Evropës, nuk do të doja të qëndroja pranë një tjetri të pafe në çastin e vdekjes”.

Filozofi kryesor i iluminizmit, Imanuel Kant, mëson se iluminizmi e liron njeriun nga të gjitha dogmat. Vepra e tij më e njohur: „Kritika e arsyes së kulluar”, si sintezë e racionalizmit dhe e empirizmit, që në mënyrë kategorike përjashtoi mundësinë e argumentit ontologjik, kozmologjik, fizik dhe teologjik të ekzistencës së Zotit, e bëri Kantin emblemë të fillesës së filozofisë moderne. Sipas tij “I papjekuri nuk mund të fitojë liri ose të jetë i lirë. Atij shumë lehtë të tjerët i imponohen për tutorë.”

Filozofi francez, Michel Foucault, në esenë e tij interpreton idetë e Kantit mbi iluminizmin: „Kanti thotë se ‘gjetja e rrugës’ që e karakterizon iluminizmin është një proces i çlirimit të njeriut nga gjendja e tij e papjekurisë. Me këtë Kanti kupton një gjendje të caktuar të vullnetit tonë, që na bënë të pranojmë dhe të udhëhiqemi nga autoriteti i dikujt tjetër, në ato hapësira ku lipset përdorimi i arsyes. Ai jep tre shembuj: ne jemi në gjendje papjekurie kur një libër drejton të kuptuarit tonë; kur një drejtues shpirtëror udhëheq me vetëdijen tonë; kur një mjek vendos për ne së çfarë duhet të jetë dieta jonë”.6

Mendimi ynë është se për lirinë vlen vetëm një parimi: ai i njësimit dhe i barazisë. Liria nuk është e kufizuar, por ka një kufizim të brendshëm që thotë: nuk mund të jesh aq i lirë sa të privosh të tjerët nga liria. Shikuar nën këtë prizëm, feja është përpjekje psikologjike, filozofike dhe teologjike e njeriut drejt njohjes dhe posedimit të Zotit, të cilin njeriu me mëkatin e parë e kishte humbur.

Kanti me mësimin e tij mbi subjektin si bartës aktiv jo vetëm i perceptimit, por kryesisht i njohjes që vepron mbi objektin, ia trason rrugën Revolucionit francez, i cili në subjektin e mbretit dhe të klerikut shikon një qytetar të lirë e të përgjegjshëm për veprat e veta dhe i barazon ata në dinjitet me një fshatar të thjeshtë. Kanti e ndjek Rusoin (Jean-Jacques Rousseau) kur thotë: „Të gjithë njerëzit kanë aftësinë, pra, lirinë, të përshtatin një pikëpamje më të lartë nga ajo e individit, që është pikëpamja e ‘njerëzimit’. Përshtatja e kësaj pikëpamjeje i bën ata njerëz”.

Kanti, i cili themeloi idealizmin gjerman luftoi me të gjitha forcat kundër idealizmit transhendental. Kjo fjalë i dukej atij një fyerje apo përcaktimi i një herezie filozofike, të cilën ai e vendos krahas materializmit, fatalizmit, ateizmit, mosbesimit të lirë, pasionit dhe besëtytnisë.

Revolucioni Francez (1789-1799), si fryt i iluminizmit, i konsideruar si “njëri prej uraganeve politikë më të rëndësishëm në historinë botërore”, me ardhjen e një Rendi të Ri Botëror që tronditi të gjithë Evropën, ishte padyshim një ngjarje që ndryshoi kursin e historisë. 

Iluminizmi filloi me revolucionin shkencor në mesin e shekullit XVII-të dhe arriti kulmin gjatë Revolucionit francez në fund të shekullit XVIII-të. Revolucioni francez ishte ngjarja që i dha formë jetës dhe mendimit të Hegelit, i cili në fillim të viteve 1800, ishte një nga të parët që u hodh në sulm. Ai tha se racionalja e konceptuar nga Kanti – filozofi kryesor i iluminizmit – prodhoi qytetarë të cilët ishin të tjetërsuar, pa asnjë pasion dhe të zhveshur nga natyra njerëzore, me racionalizmin vrastar të terrorit francez si rezultat logjik (Henry Martyn Lloyd). 7

Fihte (Fichte) ishte një nga baballarët e nacionalizmit gjerman që me “Fjalimet e tij para kombit gjerman” ndërtoi vetëdijen kombëtare gjermane të lëkundur nga luftërat e Napoleonit. Filozofia e tij si vazhdim dhe transformim origjinal i veprës së Kantit përfundoi në ateizëm.

Fridrih Hegel (Fridrich Hegel) me pohimin se „e gjithë dituria është relative” njihet si „filozof i lirisë”. Hegeli kërkonte një konceptim të ri për një shoqëri të qëndrueshme ekologjikisht dhe shoqërisht të drejtë dhe një Rend të Ri Botëror përkatës të një shoqërie moderne të përqendruar në arsim dhe drejtësi.

Hegeli e lidhi arsyen dhe lirinë. Sot shpesh nuk bëhet një dallim i saktë midis lirisë dhe zgjedhjes së varianteve të veprimeve tona. Ekziston mendimi i paqëndrueshëm se liria në përgjithësi është kjo që ju të mund të bëni atë që dëshironi – „siç ju pëlqen”. Vetëm atëherë terrori ose vrasja do të ishin veprim i lirë; dikush gjithashtu vepron, sepse do që të veprojë.

Shqetësimi i Hegelit „ishte zhvillimi i një shkence të arsyes si shkencë e lirisë, konceptet e arsyes dhe të lirisë janë në qendër të arkitekturës së sistemit të tij. Me pak fjalë, mund të flasim për një teori filozofike inovative të mendimit dhe të veprimit të lirë, që ka të bëjë me vendosjen e lirisë së të gjithë njerëzve në një shoqëri moderne”.8

“Fenomenologjia e shpirtit” e Hegelit “u shkrua në një periudhë tepër të trazuar të historisë evropiane. Ishte viti 1806. Ende nuk ishin bërë dy dekada nga Revolucioni francez, me të cilin ishte inauguruar moderniteti politik dhe Napoleoni po marshonte me ushtritë e tij nëpër Evropë nën flamurin e idealeve të këtij revolucioni kundër atyre forcave që ende thirreshin në legjitimitetin sakral. E tërë kjo atmosferë e trazuar natyrshëm do të reflektohet në refleksionet e Hegelit. Vetë Hegeli e sheh filozofinë si shprehje konceptuale të frymës së kohës në të cilin ajo lindë. Madje ka një rrëfim që thotë se veprën e tij Hegeli e përfundoi në prag të betejës së Jenës, betejë në të cilën Napoleoni mposhti trupat prusiane. Të nesërmen e betejës Napoleoni marshoi nëpër qytet dhe Hegeli duke përshkruar pamjen e këtij marshimi u shpreh se – e pashë mendjen botërore të hipur mbi kalë” (Blerim Latifi, Ideja e emancipimit në historinë e mendimit Perëndimor”, Tiranë 2005, fq. 100).9

I tillë ishte edhe Sauli derisa po marshonte drejt dyerve të Damaskut, por kur një rreze drite e verboi atë dhe kalin e tij, ndërsa një zë po gjëmonte nga qielli thërriste: “Saul, Saul, pse po më salvon?” (Vap 9, 4), madhështia e tij u plandos përdhe.

I tillë ishte edhe Neroni, perandor i shthurur dhe ekstravagant romak, që u dallua për aventurat dhe mizoritë e tij të përbindshme ndaj të krishterëve të Romës dhe për t’ua lënë fajin atyre e dogji qytetin. Senati, i detyruar të vepronte, e dënoi Neronin me vdekjen më të padenjë, me kryqëzim. I braktisur nga garda pretoriane dhe nga miqtë e tij të rrallë, Neroni u arratis nga qyteti dhe vrau veten, kështu mbretërimi i tij përfundoi në një kaos revoltash dhe komplotesh, të cilat e zhytën Romën përsëri në luftë civile. Një gjë të tillë mund të themi për të gjithë diktatorët e botës që veten e konsideronin zot të kësaj toke.

Ludvig Fojerbah (Ludwig Feuerbach) në veprën e tij kryesore, “Esenca e krishterimit”, fenë e quan një “shtrembërim mendor”, të cilën e shpiku njeriu, duke qenë i vetëdijshëm për dobësitë e veta. Fojerbahu ndikoi dukshëm te Marksi dhe Engelsi, të cilët, siç e dimë, me idetë e veta e helmuan botën.

Karl Marksi shkruan: “Vuajtjet për arsye të feve janë njëkohësisht shprehja e vuajtjeve të vërteta dhe protestë kundër vuajtjeve të vërteta. Feja është psherëtima e një krijese të shtypur, zemra e një bote pa zemër, shpirti i një kondite të pashpirt. Është opiumi i njerëzve”.

Në një klimë të tillë botëkuptimesh dhe idesh u përkund edhe filozofi i njohur gjerman, nihilisti Fridrih Niçe (Friedrich Nietszche), i cili në mënyrën më të vrazhdë e konkretizoi dhe e përmbylli gjithë urrejtjen ndaj Zotit, Kishës dhe krishterimit të kohës së tij. Për Niçen krishterimi ishte një fe e pakuptimtë dhe armiqësore. Sipas tij besimi në një Zot vlen vetëm për njerëz primitiv dhe të marrë, për fëmijët e vegjël ose njerëzit me aftësi të kufizuar, por jo edhe për njerëzit e shkolluar. Niçe me thënien e tij: “Zoti ka vdekur” u shndërruar në kult.

Ps 13, 1-2 lexojmë: “Tha i marri në zemrën e vet: “Nuk ka Perëndi!” U prishën të gjithë, veprat e tyre të urryeshme, s’ka më njerëz të ndershëm! Prej qiellit Zoti vëren drejt bijve të njerëzve që të shohë në ka ndonjë njeri të mençëm, ndonjë që e kërkon Hyjin.”

Se Niçe ishte i marrë, nuk vihet fare në dyshim. Madje ai edhe vdiq si i tillë. Por, mos të harrojmë se një fjalë e urtë popullore thotë: “Një i marrë hedh një gur në pus, njëqind të mençur s’e nxjerrin dot”. Helmi që ky person e hodhi kundër Kishës dëshmon për këtë.

Niçe i përqendroi të gjitha forcat intelektuale në shkatërrimin e themeleve të filozofisë metafizike racionale, me qëllim që ta rrënonte botëkuptimin moral judeo-kristian. Niçe në librin “Shkenca gazmore”, që ma vonë do të quhet “Shkenca gej” (Die schwule Wissenschaft), nëpërmes monologut të një njeriu të marrë që ndezi një fener në dritën e qartë të mëngjesit, pastaj vrapoi në treg dhe filloi të bërtiste pa pushim: “Po kërkoj Zotin! Po kërkoj Zotin! … E kemi vrarë – ju dhe unë! Të gjithë ne jemi vrasësit e tij! … Zoti ka vdekur!”, për herë të parë e shpalli “vdekjen e Zotit”.10

Niçe mendonte se liderët fetare përdorin besimin dhe moralin për të skllavëruar njerëzimin. Shkrimet e tij në lidhje me fuqinë, dobësinë, feminizmin dhe fenë u bënë aksioma te nazizmit në përhapjen e doktrinës se tyre totalitare.

Niçe jetoi në kohën e Revolucionit francez që u ngrit kundër të gjitha vlerave dhe virtyteve të krishtera. Duke qenë armik i përbetuar i Zotit dhe Kishës, theksin kryesor e vuri ne sistemin e ri të vlerave. Sipas tij morali është një lloj frenimi dinak i njerëzve të fuqishëm, të talentuar nga ana e njerëzve të dobët te patalentuar, morali synon drejt barazimit mekanik të njerëzve, drejt fshehjes së dobësive të të paaftëve dhe drejt nënçmimit të aftësive të të aftëve.

Kthimin moral të njeriut përmes priftit e krahason me zbutjen e një kafshe në kopshtin zoologjik, ku dobësohen, bëhen me pak të rrezikshme dhe, nëpërmjet efektit shtypës të frikës, nëpërmjet dhimbjes, plagëve dhe urisë, bëhen kafshë të sëmura. Nuk ndodhë ndryshe me një njeriun, të cilin e ka ‘përmirësuar’ prifti. “Nuk ka gjë më të sëmurë në mes të modernizmit tonë të sëmurë sesa dhembshuria kristiane. …Verbëria përballë krishterimit është krimi më i përkryer kundër jetës.  Ajo që është e sigurt është që njerëzimit i mësuan si vlerat më të larta vetëm ato të dekadencës. … Mësuesit, udhëheqësit e njerëzimit, të gjithë teologët, kanë qenë edhe dekadentë. …Jeta merr fund aty “ku mbretëria e Zotit fillon”.

As morali, as feja e krishterë nuk kanë ndonjë pikë takimi me realitetin, por shfaqen si: shkaqe tërësisht imagjinare (Zoti, fryma, uni, shpirti, zgjedhja e lirë, jo e lirë); pasoja imagjinare (mëkati, çlirimi nga mëkati, falja, ndëshkimi); marrëdhënie ndërmjet qenieve imagjinare (Zoti, fryma, shpirti); shkencë imagjinare e natyrës antropocentrike (konceptim filozofik sipas të cilit universi është krijuar në funksion të njeriut); një psikologji imagjinare (thjesht keqkuptime për faj të vet,  pendimi, brejtja e ndërgjegjes, tundimi i djallit, afrimi te Zoti) dhe si teologji imagjinare (mbretëria e Zotit, gjyqi i fundit, jeta e amshuar).11

“Niçe si mendimtar më subversiv dhe revolucionar në filozofinë perëndimore në kryeveprën   e tij “Kështu foli Zarathustra”, përshkruan zbritjen e profetit antik persian Zarathustra nga vetmia në male, për t’i treguar botës se Zoti ka vdekur dhe se Mbinjeriu, si mishërim njerëzor i hyjnores, është pasardhësi i tij. 

Pohimin “Zoti është i vdekur” pasi e shprehu me zërin e një personazhi që e quajti ,i çmenduri’, më vonë e futi në gojën e një karakteri tjetër me emër Zarathustra. ,I vdekur’ është metaforë në këtë kontekst dhe do të thotë se besimi në Perëndinë e krishterimit është i lodhur, i ka kaluar koha dhe është në rënie. Perëndia ka humbur si qendra e jetës dhe e burimit të vlerave.

Zarathustra po kthehet në botën e njerëzve, prej tërheqjes së gjatë nga bota, ai ka vendosur të braktisë vetminë e një mistiku. Ai po ri-hyn në botë me një mision. Sipas Niçes misioni i tij (në fakt ky është misioni i Niçes) nuk është ‘Qyteti i Zotit,’ por qyteti pa Zotin. Projekti është t’i çlirojë njerëzit nga Zoti, kjo është dhurata e tij për njerëzimin.

Niçe po njofton se tanië koha ka ardhur që njeriu dhe shoqëria të çlirohet prej dogmës dhe dhembshurisë së krishterë. Si avokat i këtij propozimi, Niçe e shpall veten një Anti-Krisht. Detyra dhe misioni i tij ishte të çlironte njeriun prej ‘mashtrimit të krishterimit.’

Mbinjeriu është i vendosur qartë në tabanin e veprës së Niçes. Në shkallën e gjatë të evolucionit çdo qënie i jep jetë një qënie më të lartë nga vetja. Niçe vijon me idenë se majmuni i pararendi njeriut dhe njeriu duhet t’i pararendë mbinjeriut dhe ky realizim përtej procesit biologjik në shkallen e evolucionit, mund të ndodh duke e tejkaluar (kapërcyer) veten”.12

Një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Niçes ishte filozofi britanik Bertrand Russell, i cili në lidhje me të shkruan: “Unë nuk e pëlqej Niçen, ngase ai parapëlqen të ia jep mendimit si detyrë soditjen e dhembjes, ngase njerëzit që ai admiron më së shumti janë pushtuesit, lavdia e të cilëve është zgjuarsia për t’i bërë njerëzit të vdesin, por mendoj se argumenti përfundimtar kundër filozofisë së tij, është kundër çdo etike të pakëndshme, por brenda vetë konsistencës nuk qëndron në një thirrje ndaj fakteve, por në një thirrje për emocionet: Niçe përbuz dashurinë universale, ndërsa unë e ndjej atë si fuqinë motivuese për gjithçka që unë dëshiroj për botën. Ndjekësit e tij e kishin periudhën e tyre, por mund të shpresojmë se do të ju vijë fundi sa më shpejtë.”13

 

III.

Në librin e Zbulesës 3, 20 lexojmë: “Ja, para derës qëndroj dhe trokas!”. Me këtë thënie  dëshiroj të rikthehem edhe një herë në fillim të kësaj teme. Por, tani ecim me Jezusi, i cili na ofron një zgjidhje. Ai kërkon të hyjë e të banojë në zemrat tona. Nuk duhet të kemi frikë nga Jezusi, por duhet ta njohim Atë për mikun tonë të vërtetë e t’ia hapim zemrën.

Në librin e Isaisë profet Hyji e siguron popullin e Izraelit: “Mos druaj se me ty jam, mos u shmang se unë jam Hyji yt: do të të bëj të fortë, unë do të të ndihmoj, do të të përkrah me të djathtën e drejtësisë sime” (Is 41, 10).

Shprehja ‘mos druaj’ apo ‘mos ki frikë’ është një ndër më të shpeshtat në Bibël. Shkrimi i shenjtë flet për dy lloje të veçanta të frikës: njëra që vjen prej Zotit dhe që si e tillë preferohet dhe tjetra që me çdo kusht duhet shmangur. Lloji i parë i frikës, që në fjalorin tonë kishtar quhet “frika e Tenzot”, ka të bëj me nderimin dhe respektin që duhet të kemi ndaj Zotit – qoftë edhe kur manifestohet zemërimi dhe hidhërimi i Tij – sepse frika e Tenzot është burimi i të gjitha bekimeve dhe i lumturisë.

Psalmisti shkruan: “Fillimi i dijes është frika e Zotit, janë të mençur të gjithë ata që jetojnë sipas saj” (Ps 111, 10). Ngjashëm flet edhe libri i Fjalëve të Urta: “Frika e Zotit është fillimi i urtisë, por të marrët e përbuzin urtinë dhe mësimin” (Fu 1, 7). Bibla e rëndit frikën e Zotit ndër dhuratat e Shpirtit Shenjt, sepse “Frika e Zotit është burim jete, që shpëton nga leqet e vdekjes” (Fu 14, 27).

Prapë në librin e Isaisë profet 11, 1-3 lexojmë: “Një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijës, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.”

Kjo lloj frike lind mençurinë. Këndej kur ta njohim pushtetin e Hyjit dhe ta kuptojmë madhështinë e Tij, është marrëzi të mos i nderojmë urdhërimet e Tija dhe të mos e dëgjojmë zërin e Zotit. Kush e do Zotin, e urren të keqen, sepse: “Frika e Zotit është urrejtja e të keqes. Unë urrej madhështinë e krenarinë, udhën e së keqes dhe gojën rrenacake” (Fu 8, 13).

Frika e Tenzot i ruan të shëndosha dhe të gjalla të gjitha virtytet tona në mënyrë që shëmbëlltyra dhe përngjasimi ynë me Hyjin të mos pësojë ndryshim. Në lidhje me këtë në Letrën e parë të Gjonit 4, 16.18 lexojmë: “Hyji është dashuri. …Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën”. Kjo dashuri e përsosur e solli në botë Jezu Krishtin, për t’u flijuar për mëkatet tona. Ai, duke e njohur mirë natyrën tonë njerëzore, gjatë tërë Shkrimit të shenjtë na inkurajon e na thotë: “Mos ki frikë!”. Shën Pali në 2 Kor 1, 7 shkruan: “Hyji nuk na ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, ta dashurisë dhe të urtisë”.

Megjithatë, në Bibël mësojmë se ekziston edhe një frikë tjetër, e cila vjen nga Djalli. Kjo frikë nuk ka lidhje aspak me dashurinë. Në letrën drejtuar Filipianëve 1, 27-29 shën Pali i porosit besimtarët e atjeshëm: “Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që – kur të vij e t’ju shoh, ose, larg prej jush – kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit pa farë frike të armikut. Kjo gjë është shenja paralajmëruese e dënimit të tyre dhe e shëlbimit tuaj: dhe kjo vjen prej anës së Hyjit. Sepse juve Hyji ju dha hirin t’i shërbeni Krishtit jo vetëm duke besuar në Të, por edhe duke pësuar për Të”.

Në librin e Jozuehut lexojmë mbi takimin e dy hetuesve në Jerik me një lavire me emrin Rahabë. Ajo u tha kështu hetuesve: “E di se Zoti jua ka dorëzuar vendin, sepse frika juaj na ka hyrë të gjithë banorëve në eshtra dhe të gjithë banorët e këtij vendi i ka lëshuar zemra prej frikës suaj. Sepse kemi dëgjuar që Zoti e ka tharë Detin e Kuq posa keni hyrë brenda, kur patët dalë prej Egjiptit. Dëgjuam edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amorrenjve që ishin përtej Jordanit: Sehonit e Ogut, të cilët i vratë. Kur i dëgjuam të gjitha këto, u trembëm për së tepërmi, na lëshoi zemra dhe askush s’guxon as të marrë frymë para jush, sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyj atje lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë. …Këta të dy u kthyen: zbritën prej maleve dhe, si e kaluan Jordanin, arritën te Jozuehu, biri i Nunit, dhe i treguan gjithçka u kishte ndodhur. Pastaj shtuan: “Mbarë tokën na e lëshoi Zoti në dorë; mbarë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika jonë” (Joz 2, 1-24). Me të dëgjuar këtë lajm Jozuehu u nis drejt Jerihonit me Arkën e Besëlidhjes përpara duke e porositur popullin: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë në mesin tuaj mrekulli” (Joz 3, 5). Mrekullia ishte e ngjashme me atë që e bëri Zoti, kur e ndau përgjysmë Detin e Kuq dhe e kaloi popullin e Izraelit nëpër terik. Tani “kur Jordani prej ujit të madh gati i vërshon brigjet e veta – u ndalën ujërat që rridhnin prej së larti e që larg u bënë si pritë, qysh prej qytetit të Adamit që është afër Sartanit, kurse ato të poshtmet rrodhën në Detin e Arabës, që është Deti i Vdekur, derisa shteruan krejtësisht.” (Joz 3, 15-16). Kur morën vesh mbretërit e amorrenjve dhe ata të Kanaanit “i lëshoi krejtësisht zemra dhe mbetën pa frymë nga frika e izraelitëve” (Joz 5, 1). Zoti kërkoi nga Jezuehu t’i rrethpriste për herë të dytë bijtë e Izraelit, sepse “populli që kishte lindur në shkretëtirë ishte i parrethprerë. Për dyzet vjet bijtë e Izraelit udhëtonin derisa u zhdukën të gjithë burrat luftëtarë, që nuk e kishin dëgjuar zërin e Zotit” (Joz 5, 5-6). Në këtë moment Zoti e hoqi “çnderimin e Egjiptit”, populli filloi të ushqehej “prej prodhimeve të vendit edhe mana pushoi të bjerë” (Joz 5, 12).

Jozuehu është i zgjedhuri i Hyjit dhe për të lufton “Prijësi i ushtrisë së Zotit” (Joz 5, 14). Edhe këtu, sikur dikur pranë kaçubës së ndezur, “Prijësi i ushtrisë së Zotit i tha Jozuehut: “Hiqi të mbathurat prej këmbëve të tua, sepse vendi në të cilin qëndron është i shenjtë” (Joz 5, 16). Jozuehu i ndoqi me përpikëri urdhrat e Zotit, e pushtoi Jerikun, prej të cilit mbeti gjallë vetëm Rahaba lavire me anëtarët e familjes, ndërsa popullit Zoti i urdhëroi të mos merrnin “ndonjë send të ngarkuar me mallkim”.

Pasi e zaptuan Jerikun, iu drejtuan qytetit të Hajit, ku pësuan humbje. Kjo e shqetësoi Jozuehun, i cili “ra me fytyrë përdhe para Arkës së Zotit e qëndroi ashtu deri në mbrëmje, ai e të gjithë krerët e Izraelit, duke qitur hi në krye. …Zoti iu përgjigj Jozuehut: “Izraeli ka mëkatuar: e ka shkelur besëlidhjen time që ua urdhërova, morën nga ato që qenë ngarkuar “me mallkim”, rrejtën, vodhën dhe i fshehën në enë të veta. …As vetë nuk do të jem më me ju derisa të mos e hiqni prej mesit tuaj mallkimin. …Në mesin tënd, o Izrael, është mallkimi! Nuk do të mund të qëndrosh përballë armikut përderisa ta hiqni mallkimin prej mesit tuaj” (Joz 7, 6. 10-13). Vetëm pasi u dënua mëkatari, populli mund të llogariste në fitore të reja.

Sauli e humbi mbretërimin, kur për arsye të frikës ndaj filistejve kushtoi fli shkrumbimi. Samueli profet i tha Saulit: “Ke vepruar marrëzisht! Oh, sikur t’u ishe përmbajtur urdhërimeve të Zotit, Hyjit tënd, që t’i dha! Me siguri tani Zoti do ta kishte përforcuar mbretërinë tënde për amshim mbi Izraelin. Por mjerisht mbretëria jote nuk do të qëndrojë assesi!” (1 Sam 13, 13).

Djalli gjithmonë ka frikë prej Zotit dhe ik prej Tij. Të njëjtën gjë e bëri edhe Adami fill pasi e hëngri mollën (krah. Zan 3, 10). Çelësi i fitores së Davidit ishte frika që armiqtë kishin ndaj tij (krah. 1 Kro 12). Edhe ne kemi në dorë një çelës që e tmerron armikun. Ky çelës është kryqi i Krishtit. Të gjithë tashmë kemi dëgjuar për fitoren e madhe që Konstandini i Madh e arriti ndaj perandorit Maksencie tek ura e Malvinit. Në prag të betejës, në vitin 311, pikërisht 1700 vjet më parë, një kryq që varej në qiell, drejtpërdrejt mbi diellin, iu shfaq Kostandinit me një mbishkrim: “In hoc signo vinces” (“Në këtë shenjë, do të fitosh!”). Në vitin 312, pasi Konstantini ua kishte vendosur si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që i qe shfaqur në qiell, marshoi mbi Romë që të rrëzonte tiranin dhe në urën e Malvinit, ai mundi një ushtri shumë më të madhe në numër. Lumi i fryrë shembi urën, duke vrarë mijëra vetë, midis të cilëve edhe vetë perandori Maksencie.

Frika është arma kryesore e Djalli për ta larguar njeriun nga Zoti. Frika lind dyshimin dhe dyshimi e pengon Shpirtin Shenjt ta realizojë veprën e shenjtërimit në ne. Prandaj engjëlli Gabriel e siguron Virgjërën Mari: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!” (Lk 1, 30). Edhe Jozefit i tha engjëlli i Zotit: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt” (Mt 1, 20).

Frika nuk i kurseu as patriarkët, as apostujt, as shenjtërit. Ajo nuk na kursen as ne. Shërbëtorin e pavlefshëm, që nga frika e fshehu talentin në dhè, zotëria urdhëroi ta qesin “përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh” (krah. Mt 25, 24-30). A jemi edhe ne të tillë?

Në Ungjillin e  Mateut 14, 29-31 lexojmë: “Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove!” Frika e ndërron perceptimin tonë. Ajo trimin e shndërron në qyqarë, ngadhënjyesin në humbës, mizën e bën bull.

Jezusi na mëson si ta ngadhënjejmë frikën: „Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin” (Мt 10, 28). Ky mësim i Jezusit u bë motoja e jetës së krishterë. Prandaj Pali apostull thotë: “Kush mund të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata?…Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajnë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8, 35. 38-39).

 

IV.

Po jetojmë në kohë pandemie, të cilën disa (edhe unë me ta) e shikojnë si fazë kalimtare në Rendin e Ri Botëror. Mënyra se si politika globale iu qas këtij problemi le shumë për të dyshuar. Tani armiku është i fshehur, ndërsa qëllimi i parë i tij është për ta nënshtruar Kishën e Krishtit. Jezusi në Ungjill na qorton t’i dallojmë shenjat e kohës (krah. Mt 16, 3), ndërsa Ciceroni na mëson se “Historia është mësuese e jetës”.

Duke u nisur nga ky fakt, unë në ngjarjet e viteve të fundit shikoj ngjashmëri me ato që i paraprinë Revolucionit francez dhe dy luftërave botërore. Prandaj edhe iu referova asaj kohe. Sot po përjetojmë kohën e tradhtisë më të madhe ndaj idealeve tona të shenjta: Kishës, familjes, kombit. Kjo është koha e Antikrishtit, por mjerisht ne akoma nuk po e kuptojmë kurthin e tij. Gëteja (Johann Wolfgang von Goethe) me të drejtë thotë: “Njeriu është një qenie e errët. Ai nuk e di, se nga vjen, ku po shkon, ai di pak nga bota dhe më së paku nga vetvetja.” Këtë qenie të errët e ndriçoi Krishti me vdekjen dhe ngjalljen e tij (krah. Mt 5, 14). Çelësi i zgjidhjes së të gjitha problemeve është në dorën e Krishtit, sepse Ai është Udha, e Vërteta dhe Jeta” (Gjn 14, 6). Ai na thërret: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merreni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvujtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtetë, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë” (Mt 11, 28-30). Të mos hezitojmë të shkojmë pas Tij!

Fjalimi i aktorit Charlie Chapin në filmin “Diktatori i madh” i vitit 1940, me të cilin po e përmbylli këtë shkrimi, konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori. Duke marrë parasysh referencat antinaziste që përmbante fjalimi dhe faktin se është publikuar në vitin 1940 kur Adolf Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet, mund të thuhet se ky fjalim dhe film është një vepër e papërsëritshme dhe një britmë kundër të gjithë regjimeve autokratike. Le të jetë ky njëherit edhe mesazhi im për lexuesin.

“…Ne duam të jetojmë me lumturinë e njëri-tjetrit – jo me mjerimin e njëri-tjetrit. …Babëzia ka helmuar shpirtrat e njerëzve, e ka mbushur botën me urrejtje, na ka zhytur në mjerim dhe gjakderdhje. …Dija na ka bërë cinikë. Zgjuarsia na ka bërë të vështirë dhe të ashpër. Ne mendojmë shumë dhe ndiejmë pak. …Aeroplani dhe radio na kanë afruar më shumë. Vetë natyra e këtyre shpikjeve, kërkon të nxjerrë të mirën tek njeriu – bën thirrje për vëllazëri universale – për bashkimin e të gjithëve ne. …Atyre që më dëgjojnë, unë u them, mos u dëshpëroni. Mjerimi që ka rënë mbi ne, është thjeshtë kalimi i babëzisë – hidhësia e njerëzve që kanë frikë prej progresit njerëzor. Urrejtja e njerëzve do të kalojë, dhe diktatorët vdesin, dhe pushteti që i morën popullit, do i rikthehet popullit. Dhe sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të zhduket asnjëherë. …Ushtarë! Mos luftoni për skllavërinë! Luftoni për lirinë! Në kapitullin 17 të Shën Lukës, shkruhet: “Mbretëria e Zotit është brenda njeriut” – jo një njeriu, jo një grupi njerëzish, por brenda të gjithë njerëzve! Brenda jush!”14 /drita.info

 

Literatura:

  1. Lexo:http://shekulli.com.al/jashte-deres-kur-perjashtimi-nuk-njeh-kohe/
  2. Lexo:http://www.gazetadita.al/flet-avniu-i-elbasanit-endacaku-filozof-qe-cmendi-rrjetin-ja-pse-nuk-zbatohet-vetingu/
  3. Citati u mor nga faqja:https://www.portalishkollor.al/argetim/analize-e-vepres-i-huaji-albert-kamy
  4. Më tepër lexo në këtu: https://telegrafi.com/pse-iluminizmi-nuk-ishte-epoka-e-arsyes/.
  5. Marr nga faqja: https://www.forumishqiptar.com /threads / HYPERLINK “https://www.forumishqiptar.com/threads/123214-A-mendoni-se-sulmet-kunder-kishes-katolike-vijne-prej-masoneve”123214-A-mendoni-se-sulmet-kunder-kishes-katolike-vijne-prej-masoneve apo:http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=70809
  6. Lexo: http://www.virtualsophists.org/filozofi/cka-eshte-iluminizmi/
  7. më tepër lexo këtu: https://www.kultplus.com/arti-pamor/iluminizmi-nuk-ishte-epoka-e-arsyes/.
  8. Lexo këtu :https://www.forschung-und-lehre.de/warum-hegel-uns-noch-heute-viel-zu-sagen-hat-3032/)
  9. Lexo këtu :http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/03/Doktoratura-Blerim-Latifi-Fakulteti-i-Shkencave-Sociale-Departamenti-i-Filozofise.pdf.
  10. Lexo këtu: https://sbunker.net/teh/89473/rikthimi-tek-njeriu-nepermes-vdekjes-se-zotit/.
  11. Më tepër mund të lexosh këtu: https://syllogism1.wordpress.com/2016/11/01/ HYPERLINK “https://syllogism1.wordpress.com/2016/11/01/friedrich-nietzsche/” friedrich-nietzsche/.
  12. Citati është marr këtu: https://pastorakilpano.com/2019/10/08/kriza-morale-e-perendimit-dhe-moderniteti-pjesa-ii-gnosticizmi-modern-nga-qyteti-i-zotit-ne%CC%88-qytetin-pa-zotin/.
  13. Citati e gjeni këtu: http://www.virtualsophists.org/filozofi/a-ka-vdekur-vertet-zoti-nietzsche-bertrand-russell-dhe-krishterizmi/.
  14. Citati i marrur nga faqja: https://www.balkanweb.com/diktatori-i-madh-1940-fjalimi-brilant-dhe-i-pakohe-charlie-chaplinit/.

Comments are closed.

« »