Për ty toka ime, mbi librin e Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”

Për ty toka ime, mbi librin e Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”

 

Me rastin e botimit të romanit në gjuhën italiane

Nga Liljana Çuka Maksuti 

 

Është e njohur maksima se të përkthesh një vepër letrare do të thotë ta rishkruash atë në një gjuhë tjetër dhe për këtë arsye përkthyesi konsiderohet shkrimtari i dytë. Të përkthesh do të thotë të mbash një përgjegjësi të madhe, sepse duhet ta risjellësh veprën besnikërisht në përmbajtje dhe në stilin e autorit, prandaj duhet një njohje e thellë jo vetëm e të dy gjuhëve, por edhe kulturave që ato përcjellin, gjithashtu duhet ushqyer një dashuri të madhe për letërsinë dhe gjuhën.

Kur më propozuan të përktheja në gjuhën italiane një vepër të Jusuf Buxhovit për mua kjo ishte një surprizë e bukur. E njihja Jusuf Buxhovin si një figurë të shquar të inteligjencisë shqiptare, si themelues të lidhjes Demokratike të Kosovës, dija gjithashtu që ishte edhe shkrimtar i cili kishte botuar mbi 40 vepra letrare.

Emocioni ishte shumë i madh kur më mbërriti në dorë vepra të cilën do të përktheja: “Shënimet e Gjon Nikolla Kazazit”. Fillova menjëherë ta lexoj. Kjo vepër më mahniti për frymën e saj aq intensive si dhe për ngjashmërinë e madhe që ekziston midis temës të cilën trajton me situatën e pandemisë aktuale që po kalon mbarë njerëzimi.

Dihet se kujtesa nuk është e lehtë për t’u përcjellë, nga ana tjetër është e një rëndësie të veçantë që kujtesa e një populli të përcillet me anë të shkrimit. Pikërisht kujtesa historike e popullit shqiptar, në një periudhë të caktuar kohore është ajo që gjejmë në këtë vepër. Tema kryesore e saj është murtaja e cila ka goditur Kosovën në shekullin XVIII, në një kohë kur populli shqiptar ndodhej nën pushtimin otoman.  Duke lexuar këtë roman historik zbulon një mori temash që ndërthuren si një zinxhir harmonik ngjarjesh.

Me penën e tij, autori nxjerr fuqishëm në dritë çështjen tonë kombëtare shqiptare, faktin historik që pushtuesi otoman, kërkon të shtyp këtë popull sepse dëshiron të mbajë gjallë gjuhën dhe kulturën e tij, shtypësi otoman arrin deri atje sa të dënojë me vdekje ata që guxojnë të këndojnë në dasma këngë në gjuhën e vet, por të ndaluar nga pushtuesi.

Forca e historisë së kësaj vepre qëndron në përshkrimin e një populli krenar të rrënjosur në tokën e tij, tokë e cila ndodhet në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit. Një popull që fillon të zgjohet përmes gjuhës dhe alfabetit, “themelet e domosdoshme për rilidhjen e shpirtrave të shpërndarë”. Një rrugë që kalon edhe nëpër librin e parë të shkruar në shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut, në viti 1555. Çështja kombëtare shqiptare është e ndërthurur me atë fetare: shqiptarët akuzohen si “kriptokristianë”, domethënë një popull që ka dy besime njëkohësisht, besimin Islam dhe atë të Krishterë.

Një mënyrë e të menduarit kjo që mbizotëron si në Romë, ashtu edhe në Stamboll. Për disa fenomeni i “laramanit” konsiderohet “sëmundje”, ndërsa në realitet ashtu si e përshkruan Nikollë Kazazi është një shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës, gjë kjo që verifikohet në shumë familje shqiptare. Për të komplikuar më tej këtë situatë që mundon “tokën antike” bie edhe murtaja. Kjo epidemi përballet në një mënyrë të paqartë dhe të dyshimtë nga autoritetet osmane: për Perandorinë kjo murtajë shikohet si një mundësi për të shfarosur banorët e këtij vendi, i cili gjendet në skajet e saj, si njerëz të papërshtatshëm për të interpretuar ‘njeriun e ri perandorak’, për ta shndërruar këtë popull në një popull pa rrënjë. Shfaqet qartë dyshimi se virusi nuk ishte asgjë më shumë se një dredhi për të eliminuar popullin shqiptar. Kazazi përballet me dilemën: ky popull duhet të pranojë këtë ndodhi duke u dorëzuar, duke u mbyllur vetëm në lutje, apo duhet të përpiqet të ndryshojë rrjedhën e fatit, me çmimin e herezisë dhe me kryengritje?

Në këtë libër shfaqet një reflektim i shkëlqyeshëm i kuptimit të jetës, me citate filozofike, me perla të mençurisë të tokës së Ballkanit. Një himn për shpresë dhe jetë e njëkohësisht rezistencë kundër atyre që lavdërojnë vdekjen, fitoren e lirisë kundër shtypjes. Një certifikatë dashurie për popullin, siç thotë vetë Kazazi: “Më ndihmo, Zot, të kem forcën të qëndroj në shërbim të popullit tim …”.

Ky libër me idetë e një morali të lartë do të shërbejë për të hedhur dritë në sqarimin e çështjes së Kosovës. Një libër që lë mbresa të thella dhe që e bën lexuesin të reflektojë./drita.info

Shpëndaje: