Françesku për Ditën e Lutjes për Thirrjet: Shën Jozefi, ëndrra e një thirrjeje

Apr 25 • Kisha në botë

 

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

PËR DITËN E 58-të BOTËRORE TË LUTJES PËR THIRRJET

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra,

Më 8 dhjetorin e kaluar, me rastin e 150-të vjetorit të shpalljes së Shën Jozefit si Pajtor i Kishës universale, nisi Viti i veçantë kushtuar atij (shih Dekreti i Pendestarisë Apostolike, 8 dhjetor 2020). Nga ana ime, shkrova Letrën Apostolike Patris Corde (Me Zemër Atërore), me qëllimin për të “rritur dashurinë për këtë shenjt të madh”. Në fakt, bëhet fjalë për një figurë të jashtëzakonshme, në të njëjtën kohë “kaq afër gjendjes njerëzore të secilit prej nesh”. Shën Jozefi nuk mahniste, nuk ishte i talentuar me karizma të veçanta, nuk dukej i veçantë në sytë e atyre që e patën takuar. Nuk ishte i famshëm dhe as nuk shfaqej: Ungjijtë nuk raportojnë as edhe një fjalë të tij. E megjithatë, përmes jetës së tij të zakonshme, kreu diçka të jashtëzakonshme në sytë e Hyjit.

Zoti sheh zemrën (khs. 1 Sam 16,7) dhe te Shën Jozefi njohu zemrën e një ati, të aftë për të dhënë dhe gjallërojë jetë në përditshmëri. Thirrjet priren kah kjo: të japin dhe rigjallërojnë jetë çdo ditë. Zoti dëshiron të formojë zemrat e etërve, zemrat e nënave: zemra të hapura, të afta për hove të madha, bujare në dhurimin e vetvetes, të dhembshur për ngushëllimin e anktheve dhe të palëkundur për forcimin e shpresave. Meshtaria dhe jeta e kushtuar kanë nevojë për këtë, veçanërisht sot, në kohë të shenjuara nga brishtësia dhe vuajtjet edhe për shkak të pandemisë, e cila ka sjellë pasiguri dhe frikë për të ardhmen dhe vetë kuptimin e jetës. Shën Jozefi vjen të na takojë me butësinë e tij, si një shenjt “i derës afër nesh” (Gëzoni e galdoni 6); në të njëjtën kohë, dëshmia e tij e fortë mund të na drejtojë përgjatë ecjes.

Shën Jozefi na sugjeron tri fjalë-kyçe për thirrjen e secilit. E para është ëndrra. Të gjithë në jetë ëndërrojnë të realizohen. E është e drejtë të kesh pritje të mëdha, pritshmëri të larta se sa qëllime të përkohshme – si suksesi, paraja dhe argëtimi – nuk arrijnë përmbushjen. Në të vërtetë, nëse u kërkojmë njerëzve të shprehin ëndrrën e jetës me një fjalë të vetme, nuk do të ishte e vështirë të imagjinohet përgjigjja: “dashuri”. Është dashuria çka i jep kuptim jetës, sepse zbulon misterin e saj. Jetën, në fakt, e ke vetëm nëse e jep, zotërohet me të vërtetë vetëm nëse dhurohet plotësisht. Shën Jozefi ka shumë për të na treguar në lidhje me këtë, sepse, përmes ëndrrave që Hyji e frymëzoi, e bëri ekzistencën e tij një dhuratë.

Ungjijtë rrëfejnë katër ëndrra (khs. Mt 1,20; 2,13.19.22). Ishin “thirrje hyjnore”, por nuk qenë të lehta për t’u pranuar. Pas çdo ëndrre, Jozefit iu desh të ndryshonte planet e tij dhe të përfshihej, duke sakrifikuar planet e tij për të bashkëvepruar me planet misterioze të Hyjit. Ai i besoi plotësisht. Sidoqoftë, mund ta pyesim veten: “Çfarë ishte një ëndërr nate për t’i besuar kaq shumë?”. Megjithëse i kushtohej një vëmendje e madhe në kohërat antike, ishte gjithsesi pakgjë përballë realitetit konkret të jetës. Megjithatë, Shën Jozefi lejoi të drejtohej nga ëndrrat pa hezituar. Përse? Pasi zemra e tij ishte e orientuar kah Hyji, ishte tashmë e prirur kah Ai. Për “veshin e tij të brendshëm” vigjilent, mjaftonte një dremitje e vogël për të njohur zërin e tij. Kjo vlen edhe për thirrjet tona: Hyjit nuk i pëlqen të zbulohet në një mënyrë spektakolare, duke na shtrënguar lirinë. Ai na i komunikon planet e tij me butësi; nuk na godet me vizione të shndritshme, por me butësi i drejtohet brendësisë sonë, duke u bërë intim me ne dhe duke na folur përmes mendimeve dhe ndjenjave tona. Dhe kështu, ashtu siç bëri me Shën Jozefin, ai na ofron qëllime të larta dhe befasuese.

Ëndrrat e sollën Jozefin në aventura që kurrë nuk do t’i kishte imagjinuar. I pari destabilizoi fejesën e tij, por e bëri at të Mesisë; e dyta e bëri atë të arratisej në Egjipt, por i shpëtoi jetën familjes së tij. Pas të tretës, që paralajmëronte kthimin në atdhe, i katërti e bëri të ndryshojë përsëri planet, duke e risjellë në Nazaret, pikërisht atje ku Jezusi do të fillonte shpalljen e Mbretërisë së Hyjit. Në të gjitha këto ndryshime planesh guximi për të ndjekur Vullnetin e Hyjit doli të ishte fitimtar. Kjo ndodh në thirrje: thirrja hyjnore gjithmonë na shtyn të dalim, të dhurohemi, të shkojmë përtej. Nuk ka besim pa rrezik. Vetëm duke iu dorëzuar hirit të besimit, duke lënë mënjanë programet dhe komoditetet e veta, i thuhet me të vërtetë “po” Hyjit. Dhe çdo “po” jep fryte, sepse i përmbahet një plani më të madh, prej të cilit shohim vetëm disa detaje, por që Artisti hyjnor e njeh dhe e çon në përmbushje, për të bërë me çdo jetë një kryevepër. Në këtë kuptim, Shën Jozefi përfaqëson një ikonë shembullore të pranimit të planeve të Hyjit. Sidoqoftë, është një pranim aktiv: duke mos hequr asnjëherë dorë ose duke mos u dorëzuar, ai, Jozefi “nuk është një njeri i nënshtruar në mënyrë pasive. Ai ka një protagonizëm të guximshëm dhe të fortë.” (Letra Apostolike Patris Corde, 4). Ndihmoji të gjithë, o Shën Jozef, veçanërisht të rinjtë në shoshitje, për të realizuar ëndrrat e Hyjit për ta; frymëzoji me nismën e guximshme për t’i thënë “po” Zotit, që gjithmonë befason dhe kurrë nuk zhgënjen!

Një fjalë e dytë shenjon itinerarin e Shën Jozefit dhe të thirrjes: shërbimi. Nga Ungjijtë del se si ai jetoi tërësisht për të tjerët dhe asnjëherë për vetveten. Populli i shenjtë i Hyjit e quan bashkëshorti më i dëlirë, duke zbuluar kështu aftësinë e tij për të dashur pa mbajtur asgjë për vete. Duke e çliruar dashurinë nga të gjitha zotërimet, u hap drejt një shërbimi edhe më të frytshëm: kujdesi i tij i dashur përshkoi breza, kujdesi i zellshëm i tij e bëri pajtor të Kishës. Është edhe pajtor i vdekjes së mirë, ai që ka qenë në gjendje të mishërojë kuptimin “dhurues” të jetës. Shërbimi dhe sakrificat e tij ishin të mundshme, megjithatë, vetëm sepse u mbështetën nga një dashuri më e madhe: «Çdo thirrje e vërtetë lind nga dhurimi i vetvetes, që është pjekuria e flisë. Kjo lloj pjekurie kërkohet edhe në meshtarinë dhe në jetën e kushtuar. Aty ku një thirrje, martesore, e beqarisë apo e virgjërisë, nuk arrin pjekurinë e dhurimit të vetvetes, duke u ndalur vetëm në logjikën e flijimit, atëherë në vend që të bëhet shenjë e bukurisë dhe e gëzimit të dashurisë, rrezikon të shprehë palumturi, trishtim dhe zhgënjim” (po aty, 7).

Shërbimi, si shprehje konkrete e dhurimit të vetvetes, nuk ishte vetëm një ideal i lartë për Shën Jozefin, por u bë rregulli i jetës së përditshme. Ai punoi shumë për të gjetur dhe për të përshtatur një vend ku të lindte Jezusi; bëri të pamundurën për ta mbrojtur atë nga tërbimi i Herodit duke organizuar një udhëtim të volitshëm në Egjipt; ishte i shpejtë për t’u kthyer në Jerusalem në kërkim të Jezusit të humbur; e mbajti familjen duke punuar, edhe në një tokë të huaj. Pra, u përshtat me rrethanat e ndryshme me qëndrimin e atij që nuk e ligështon zemrën nëse jeta nuk shkon siç dëshiron: me gatishmërinë e atij që jeton për të shërbyer. Me këtë shpirt Jozefi mirëpriti udhëtimet e shumta dhe shpesh të papritura të jetës së tij: nga Nazareti në Betlehem për regjistrimin, më pas në Egjipt dhe përsëri në Nazaret, dhe çdo vit në Jerusalem, i gatshëm çdo herë për t’u hasur me rrethana të reja, pa u ankuar për çfarëdo që ndodhte, i gatshëm të jepte ndihmesën e vet për të rregulluar situatat. Mund të thuhet se ka qenë dora e Atit Qiellor për Birin të tij në tokë. Prandaj, është një model për të gjitha thirrjet, të cilat janë të thirruara pikërisht për këtë: të jenë dora vepruese e Atit për bijtë dhe bijat e tij.

Më pëlqen të mendoj për Shën Jozefin, kujdestarin e Jezusit dhe të Kishës, si kujdestar të thirrjeve. Në fakt, nga gatishmëria e tij për të shërbyer vjen kujdesi i tij në përkujdesjen. “U ngrit natën, mori fëmijën dhe nënën e tij” (Mateu 2,14), thotë Ungjilli, duke treguar gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për familjen. Nuk humbi kohë duke u brengosej për çka nuk shkonte, që të mos shpërqendronte vëmendjen tek ata që i ishin besuar. Ky kujdes i vëmendshëm dhe i zellshëm është shenja e një thirrjeje të suksesshme. Është dëshmia e një jete të prekur nga dashuria e Hyjit. Çfarë shembulli të bukur të jetës së krishterë ofrojmë kur nuk ndjekim me kokëfortësi ambiciet tona dhe nuk lejojmë të paralizohemi nga nostalgjitë tona, por kujdesemi për çka Zoti, përmes Kishës, na i beson neve! Atëherë Hyji derdh mbi ne Shpirtin e tij, krijimtarinë e tij; dhe bën mrekulli, si në Jozefin.

Përveç thirrjes së Hyjit – që realizon ëndrrat tona më të mëdha – dhe përgjigjes sonë – e cila vepron në shërbimin e disponueshëm dhe në kujdesin e zellshëm –, ekziston një aspekt i tretë që përshkon jetën e Shën Jozefit dhe thirrjen e krishterë, duke shenjuar përditshmërinë e saj: besnikëria. Jozefi është “njeriu i drejtë” (Mt 1:19), i cili në heshtjen vepruese të çdo dite këmbëngul për t’iu përmbajtur Hyjit dhe planeve të tij. Në një moment veçanërisht të vështirë ai fillon të “të marrë në konsideratë çdo gjë” (khs. v. 20). Mediton, mendon: nuk lejon të mbizotërohet nga nxitimi, nuk i nënshtrohet tundimit për të marrë vendime të ngutshme, nuk kënaq instinktin dhe nuk jeton prej çastit. Kultivon gjithçka me durim. E di që ekzistenca ndërtohet vetëm mbi një përqafim të vazhdueshëm të zgjedhjeve të mëdha. Kjo përkon me zellin e butë e të vazhdueshëm me të cilin kreu profesionin e përulur të zdrukthëtarit (khs. Mt 13,55), për të cilin ai nuk frymëzoi kronikat e kohës, por jetën e përditshme të çdo babai, çdo punëtori, çdo të krishterë ndër shekuj. Sepse thirrja, si jeta, piqet vetëm përmes besnikërisë së përditshme.

Si ushqehet kjo besnikëri? Nën dritën e besnikërisë së Hyjit. Fjalët e para që Shën Jozefi dëgjoi t’i drejtoheshin në ëndërr qenë ftesa për të mos pasur frikë, sepse Hyji është besnik i premtimeve të tij: “Jozefi, bir i Davidit, mos ki frikë” (Mt 1,20 ) Mos ki frikë: këto janë fjalët që Zoti të drejton dhe ty, motër e dashur, edhe ty, vëlla i dashur, kur, edhe mes pasigurive dhe hezitimeve, ndien se si nuk mund të shtyhet për më vonë dëshira për t’i dhuruar jetën tënde Atij. Janë fjalët që të ripërsërit kur, aty ku ndodhesh, ndoshta në mes të sprovave dhe keqkuptimeve, lufton të ndjekësh çdo ditë vullnetin e Tij. Janë fjalët që rizbulon kur, përgjatë ecjes së thirrjes, kthehesh te dashuria jote e parë. Janë fjalët që, si një refren, shoqërojnë ata që i thonë “po” Hyjit me jetën e vet si Shën Jozefi: me besnikërinë e çdo ditë.

Kjo besnikëri është sekreti i gëzimit. Në shtëpinë e Nazaretit, thotë një himn liturgjik, kishte “gëzim i dukshëm”. Ishte gëzimi i përditshëm dhe transparent i thjeshtësisë, gëzimi i përjetuar nga ai që ruan çka ka rëndësi: afërsia besnike me Hyjin dhe të afërmin. Sa bukur do të ishte sikur e njëjta atmosferë e thjeshtë dhe rrezatuese, e matur dhe shpresëdhënëse, të përshkonte seminaret tona, institutet tona rregulltare, shtëpitë tona të famullitare! Është gëzimi që ju uroj juve, vëllezër dhe motra që me zemërgjerësi e bëtë Hyjin ëndrrën e jetës, për t’i shërbyer Atij te vëllezërit dhe motrat që ju janë besuar, përmes një besnikërie që është në vetvete një dëshmi, në një epokë të shenjuar nga zgjedhje kalimtare dhe nga emocione që zbehen pa lënë gëzimin. Shën Jozefi, kujdestari i thirrjeve, ju shoqëroftë me zemrën e një ati!

Romë, Shën Gjoni i Lateranit, më 19 mars 2021, e kremtja e Shën Jozefit

 

Françesku

Comments are closed.

« »