Bekimi i Kapelës së Shën Jozefit Punëtor në Budisalc

May 4 • Kisha në Kosovë

Më fund të muajit prill të këtij viti (30 prill 2021), ipeshkvi i Dioqezës sonë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, ka bekuar kapelën e Shën Jozefit punëtor në varrezat e Budisalcit.

Sot, kam ardhur – tha ipeshkvi në fillim të homelisë – për të shprehur mirënjohjen time për ndërtimin e kësaj kapele, kushtuar Shën Jozefit në vitin kushtuar atij, së pari famullitarit Don Ndoun dhe të gjithë juve që keni kontribuar për ndërtimin e kësaj koshëze të bukur. Prandaj, dua të thërras sot ndërmjetësinë e Shën Jozefit, për të gjithë ju e për gjithë kishën tonë. 

Ashtu si Shën Jozefi, me besimin e plotë në Zotin, veproi për të bashkëpunuar në planin e mistershëm të Hyjit për njerëzimin, ashtu edhe ne sot të mundohemi t’i përngjajmë atij në përvujtëri dhe besim, për ta vazhduar planin e Zotit që e ka për ne – tha ipeshkvi duke ju drejtuar besimtarëve të kësaj bashkësie.  

Papa Francesku, këtë vit e ka shpallur vitin e Shën Jozefit, si nxitje e kërkesë te besimtarët, për t’i përngjarë këtij shenjti të madh, dhe gjithë Kisha në mbarë botën të ecën gjurmëve të dëshmisë dhe të shembullit të tij. Prandaj – vazhdoi ipeshkvi – është koha që ta ripërtërijmë fenë tonë, që të kuptojmë se Krishti na është besuar neve, sikur dikur Shën Jozefit, për ta predikuar e për ta dëshmuar në kohën tonë.

Kapela e Shën Jozefit në varrezat e Budisalcit është ndërtuar këtë vit, me kërkesën e famullitarit Don Ndue Ballabanit, pasi ishte nevojë për shërbimet e kësaj bashkësie famullitare. Ju kushtua Shën Jozefit Punëtor, si nxitje që erdhi pasi Papa Françesku këtë vit e shpalli Vitin e Shën Jozefit dhe e ftoi mbarë kishën që ta nderojë në mënyrë të veçantë dhe të kihet si shembull i jetës së krishterë. Në këtë mënyrë, famullia e Budisalcit, e shtyrë nga kjo grishje e Atit të Shenjtë, vendos që ta bëjë këtë gjest kishtar me shumë devotshmëri, duke e shtuar edhe këtë shenjtë si pajtor të vetin.

Kapela ka stili neoklasik, i zgjedhur me qëllim për ta ripërtërirë trashëgimin tonë arkitektonike që ka mbizotëruar në të kaluarën në këto treva.

Don Ndue Ballabani, në mbarim të kësaj ceremonie të bukur, e falënderoj ipeshkvin dhe të gjithë meshtarët e pranishëm, por edhe gjithë besimtarët që e kanë përkrahur ndërtimin e kësaj kapele, e në mënyrë të veçantë familjen Bardhec Kolaj, ndërsa oborrin e varrezave dhe rrethimin e saj, një familje nga Budisalci që ka dashur të mbetet anonime./drita.info

Shën Jozefi – lutu për ne!

Përgatiti për Dritën: Artan Quni

Comments are closed.

«