Imzot Dodë Gjergji: Të duam njëri-tjetrin me Zemrën e Krishtit

Jun 11 • Kisha në Kosovë

Sot, më 11 qershor 2021, Dioqeza jonë ka kremtuar festën e Zemrës së Krishtit në Kishën e Vitisë, një ditë që i kushtohet shenjtërimit të meshtarëve (11 qershor 2021)

 

Për çdo vjet, në kremtimin e Zemrës së Krishtit, meshtarët e Dioqezës sonë Prizren-Prishtinë, të prirë nga bariu ynë Imzot Dodë Gjergji, takohen në kishën e Vitisë, për të kremtuar meshën e shenjtë, sepse kjo ditë është e kushtuar shenjtërimit të tyre. Këtë dëshirë e kishte për zemre Papa Benedikti XVI, i cili ia dhurojë Kishës si kushtim për meshtarët, që t’i përngjajnë zemrës së tejetshenjtë të Mësuesit Hyjnor.

Të rrethuar me ngrohtësinë e besimtarëve të bashkësisë së famullisë së Binçës dhe të famullive përreth, që njihen si të devotshmit e kësaj Zemre, u kremtua mesha e shenjtë në orën 11:00, të kryesuar nga Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, i cili në fillim të homelisë së tij shprehu falënderimin e për paraardhësin e tij Mons. Mark Sopin dhe Don Lush Gjergjin, ish famullitarin e Binçës, që kanë mundësuar ndërtimin e kësaj kishe kushtuar Zemrës së Krishtit, e në të cilën tash e shumë vite takohen meshtarë e besimtarë për të ushqyer këtë përshpirtëri të bukur të Kishës sonë.

“Vëllezër dhe motra fort të dashur, Shën Gjoni ungjilltar na e jep një dëshmi të mrekullueshme të Zemrës së Krishtit, kur thotë: e shporuan, se pak ju dok me e gozhdua në kryq, por që të sigurohen që ka vdekur morën heshtën dhe ia shporuan zemrën. Çfarë zemre ka shporuar populli i Zotit? Atë zemër që e ka dashtë gjithmonë. Sa trishtim ka ndodhur në atë moment kur kjo zemër që e donte popullin e zgjedhur në rrethana të ndryshme historike, e nxirrte nga mjerimi dhe i dhuronte tokën e premtuar, tempullin, ligjin, shpëtimin dhe Mesinë. E çfarë përgjigje more prej popullit të vet!?” – tha ipeshkvit dhe vazhdoi duke rikthyer shikimin në historinë e popullit tonë – “Neve ndoshta do të na vije të themi sa trishtim që populli i Zotit nuk e ka zbuluar këtë Zemër, por duhet të themi se edhe ne si popull me një heshtë e kemi shporuar këtë Zemër jo një herë. E kjo Zemër e Krishtit që e ka dashtë popullin tonë që prej kohës së apostujve dhe ja ka mbrumë shpirtin, që të lulëzoj në prosperitet shpirtëror, e ne kemi shporuar atë duke e mohuar fenë. Megjithatë, kjo Zemër prapë ka dashtë me na dashtë. Edhe pse populli jonë e ka refuzuar krejt dashurinë të kësaj Zemre, Ai nuk ka dashtë të na hakmerret, sepse bollë e tepër na ka dal ndëshkimi i gabimit tonë nga ana e otomaneve, nga ana e komunizmit, e nga ana e konsumizmit dhe e zemërzbrazëtisë që po e përjeton njeriu sot. E Zoti duke mos dashur ta çojë poshtë dashurinë e vet e ka zbrazë ne zemrën e Nenës Terezë, në atë zemër të vogël por që e ka mahnit botën, sepse dashuria ka qenë e madhe, burimi i asaj dashurie ka qenë i pashtershëm” – ishin fjalët e predikuesit.

“Vëllezër dhe motra fort të dashur, ne sot duhet të vazhdojmë ta lusim Zotin tonë që të na bëj zemrat tona mu si zemrën e Tij, sepse po nuk mbërritëm me e dashtë njëri-tjetrin me zemrën e Krishtit dhe po nuk mbërritëm me e dashtë qiellin e Atin me zemrën e Krishtit, po nuk arritëm me e dashtë botën dhe vendin tonë me zemrën e Krishtit, ne do bëhemi dushk i thatë, zemër bosh e shpirt pa fryt […] Do të mbesim në logjikën pagane.

Me Zemrën e Krishtit, – vazhdoi kremtuesi – ne mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë në vendin tonë, sepse dashuria e kësaj Zemre mundet çdo gjë. Prandaj, ne kemi mision të dhanun prej Zotit tonë Jezu Krishtit që ta shpallim dhe ta dëshmojmë atë në këtë vend dhe që të parët tanë të cilët i kanë dëbuar prej kësaj toke janë kthye duke mos i ra mohit, ne nuk mundemi të ikim prej kësaj toke për mos me e dëshmua, prandaj ideali i zemrës tonë nuk është i kësaj bote, e lakmia e shpirtit tonë nuk është për këtë kohë, dhe zemra jone nuk rreh për vete,ajo është zemër qe i përngjan zemrës së Krishtit, që din me u sakrifikua, që din me u dhurua, që kur ta shporosh prapë të don. Këtë zemër e do Krishti për ty, për mua dhe me këtë zemër dëshiron të jetojë e me ketë zemër dëshiron të vdes për ne” – përfundoi Imzot Dodë Gjegji, homelinë e tij drejtuar meshtarëve të tij e të gjithë besimtarëve të pranishëm dhe atyre që po e përcillnin përmes medieve.

Mesha e shenjtë u transmetua drejtpërdrejt në Radio Marinë e Kosovës dhe livestreaming në disa faqe sociale të Kishës sonë, me qëllim që të mund ta përcjellin besimtarët në diasporë dhe të gjithë ata që për shkaqe të ndryshme nuk kanë mundur të marrin pjesë në këtë liturgji të shenjtë./drita.info

Comments are closed.

« »