Vështrim mbi romanin trilogjik “Kthimi”

Jun 26 • Kulturë, Letërsi

 Nga Mikel Sopi

 

Trilogjia e romanit “Kthimi”, e parë nga këndi i rëndësisë kulturore dhe historike paraqet një lloj kthimi në afërsi të zanafillës shkrimore, respektivisht tek “Çeta e profetëve” (“Cuneus Prophetarum”) të vitit 1685, tek kjo majë kohe, prej nga mund të vrojtohen të gjitha rrjedhat tjera historike.

Analogjia e parë ka të bëjë me prekjen deri në detaje të pësimeve historike, për të shkuar gradualisht tek koncepte tjera filozofike, siç është ai i lirisë në aktualitetin tonë dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e jetës, në planin individual dhe shoqëror të shekullit 21. Liria, me paradokset e mbivendosura mes klisheve në kushte të okupimit dhe të modernitetit, nxjerr në pah konceptin e mangët dhe qasjen e cunguar ndaj këtij fenomeni. Duke ndërtuar një subjekt që mundëson shpërfaqjen e vlerave madhore, siç është liria dhe motivimet drejt tij, dhe etjen për të vërtetën e shprehur nga dy të rinjtë – Gjoni (Abdullahu) dhe Shpresa – autori nxjerr në sipërfaqe potencialin dhe guximin njerëzor, si përgjigje ndaj kësaj kërkese imediate.

Ndërkaq, konteksti prej të cilit rrjedh kjo, i cili kontekst ndërtohet me ndihmën e personazheve të Gjonit dhe Shpresës është argumenti i dyfishtë i kësaj që thashë. Njëri ka të bëjë me faktografinë: Dhuna mbi disa familje të Karadakut të Anamoraves, e viteve 1846-1848 dhe argumenti tjetër që ka të bëjë me sakrificën dhe luftën e gjatë e të pakompromis si kundërpërgjigje. Kjo ndeshje i vë përballë dy koncepte, të cilat përmes mjeteve letrare, si deskripcioni e narracioni, farkëtojnë idenë qendrore të romanit “Kthimi”, që është liria në tërë kompleksitetin e saj, duke përfshirë në rend të parë, vetëdijen tonë për të vërtetat historike.

 

  1. Liria ka emër

Dy të rinj, Abdullahu (Gjoni) dhe Shpresa takohen rastësisht (vetëm me shiqimet e tyre) në hapësirat e Universitetit të Prishtinës. Në lidhje me fatin e Shpresës, respektivisht rrugës që ajo do ta përzgjedh në të ardhmen e afërt, paraqiten disa dilema, që e bëjnë atë rrugë të panjohur, në një kohë që familjarët e të dyve, si dhe shoqëria e gjerë, do ta trajtojnë atë si një hap me rreziqe. Këta dy të rinj fillojnë nga pika zero fetare, madje Shpresa nga klishetë e konceptit të paprekshëm kolektiv islam.

Gjatë rrugëtimit të tyre të mundimshëm për ta zbuluar të vërtetën e të kaluarës së tyre, ata ballafaqohen me paragjykime, trysni dhe përjashtime nga më të afërmit e tyre. E keqja e këtyre fyerjeve qëndron jo në bindje personale të atyre që i kundërshtojnë dhe i apostrofojnë për dështakë, por në kompromitimin dhe turpin që do ua hedhin familjeve para shoqërisë së gjerë. Me disa fije krejt rastësisht të zbuluara, ata lëshohen në një aventurë të gjatë dhe të rrezikshme por që pas shumë peripecive, dhe mbi të gjitha nga ideali për të vërtetën e të parëve të tyre, të bazuar në histriografinë nacionale, ata pranë trysnive dhe sakrificave të mëdha ndjehen të lumtur dhe krenarë.

Të prirë nga ky ideal, ata bëhen dëshmitarë të pathyeshëm karshi një realiteti krejt të disfavorshëm dhe të papranueshëm për familjet e tyre, për shoqërinë e gjerë të tyre dhe për publikun kosovar. Në vëllimin e dytë, Autori, me një gjuhë të qartë, përshkruan vendosmërinë dhe dëshminë heroike të burrave të besës, kundrejt disa veprimeve tinëzare të okupatorit otoman me shërbëtorët e tyre. Me ndihmën e personazheve të zgjedhur me kujdes, autori shfaq skena nga realiteti historik që ka të bëjë me dukurinë e laramanisë, e cila është me ndikim edhe në rrjedhat tjera të shoqërisë kosovare te ditëve tona, që kanë të bëjnë me lirinë dhe demokracinë.

Shpresa dhe Gjoni, si dy heronjtë kryesorë të romanit, në aspektin kuptimor e të mesazhit që transmetojnë në kuadër të funksionit romanor, sintetizojnë idenë e guximit e të përgjegjësisë individuale përballë përgjegjësisë historike. Angazhimet e tyre në kuadër të fabulës tekstore shkojnë në dy linja: në njërën anë synimi për zbulimin e të vërtetës që ka të bëjë me identitetin e të parëve të tyre, e nga ana tjetër “konfrontimi” me të vërtetën e tyre aktuale, e cila do të kalojë përmes një konfrontimi idesh, pikëpamjesh e synimesh.

Në kuptimin më të gjerë, në atë që sugjeron dekodimi i kuptimeve simbolike, ky është realiteti aktual kosovar. Galerisë së këtyre personazheve, u shtohen edhe vetje tjera, që në vepër janë në funksion të shtrirjes horizontale të kuptimeve e të domethënieve të tekstit letrar. Si përfaqësues të një përcaktimi jetësor që e karakterizon vendosmëria për ruajtjen e vlerave kolektive identitare, në roman na vijnë fytyrat e Zef Gashjanit, Kolë Sopit e të Pjetër Koliqit. Janë këta (me gjithë familjarët e tyre) bartësit e atij rrëfimi fabular që hap një skenë interesante të veprës, në të cilën shohim shtresat popullore të simbolizuara nga këto vetje tek jetojnë me sakrificat më sublime, të një jetë të motivuar shpirtërisht me një masë të dyfishtë: me motivin “Fe e Atme”.

Mënyra e tyre e të jetuarit e vepruarit bie në kundërshtim me botëkuptimin e shqiptarëve të turqizuar, të cilët, për t’i ruajtur privilegjet perandorake, bëhen të pamëshirshëm. Kështu që dëshmia e burrave të besës i tërbonte si përfaqësuesit e Portës së Lartë, ashtu edhe të privilegjuarit vendor.

Personazhe të tjerë me peshë në këtë vepër janë edhe Frati i Letnicës dhe Lazaristët (prifta) në Muhaliq dhe Stamboll. Me kujdesin baritor për grigjën e Zotit, ata bëhen pjesë integruese e martirëve të Karadakut. Ambasadorët e Francës e të Anglisë, njerëz të zyrave diplomatike, por edhe të kujdesit të plotë për të drejtat elementare të qytetarëve në Perandorinë Otomane, janë personazhe që luajnë rol të rëndësishëm në këtë vepër, sikurse Djali i Drenicës (asker), i cili në ballafaqim me dëshminë e burrave të besës sfidohet mes lakmisë, karrierës ushtarake dhe të vërtetës familjare shqiptare dhe të vetë familjes se tij, e cila praktikonte besimin krishterë vetëm brenda shtëpisë.

Personazhet vihen para sprovës së një privimi sa hipokrit, aq edhe të dhunshëm (nga vështrimi psikologjiik) të shprehjes së besimit fetar nga ana e hallës Shaqe, në katund dhe e gjyshit të Shpreses, në Llaushë. Relativizimi dhe kompromisi për vazhdimin e një laramanie tjetër në ditët tona (të asaj mes jetës familjare patriarkale myslimane dhe të proceseve të modernizmit) te dy vajzave studente, Lules dhe Zanës në Prishtinë dhe vikendet e tyre në katund. Ipeshkvi në Prishtinë dhe Don Zefi në Binçë përballet me deformimet që ka shkaktuar historia dhe ballafaqohet në mënyrë konkrete me individët që me përgjegjësi kërkojnë ndriçimin e të vërtetës dhe, si pasojë, përcaktimin e tyre fetar dhe kulturor.

Nga ana tjetër, autori shprehet me konsideratë të ekuilibruar dhe me mjaft delikatesë i paraqet edhe personazhet e taborit tjetër si p.sh.: Mevlyden me shami dhe konsekuente në qëndrimet e saja fetare, si dhe indiferencën fetare dhe fizionominë kombëtare të prindit te saj; Bablokun e Shpresës, mysliman praktikant dhe të Atin e Gjonit (Abdullahut) mysliman tradicional, pa ndonjë përformancë fetare, por që, sipas tyre, për publik kategorikisht duhet të mbahen të gjithë myslimanë; Individët dhe familjet e thyera të Anamoravës nën trysnitë morale, psikologjike, si dhe përballja e tyre me lakmitë pronësore dhe me privilegje tjera që ofronte okupatori; Njerëzia (se paku ne disa raste) të disa asqerëve gjysmë të turqizuar dhe të këshilltarëve të Portës së Lartë, por edhe të vetë Sulltanit të Stambollit dhe të diplomatëve të tij etj…

Është për t’u veçuar, pra, mënyra karakteristike e përshkrimit të personazheve. Atakimi i armikut, apo rezistenca e burrave të besës, vejnë në pah besnikërinë e mahnitëse, guximin e pathyeshëm, devotshmërinë e pastër dhe sakrificën krenare në mbrojtje të sedrës së dinjitetit familjar, fetar, kulturor dhe kombëtar të Zef Gashjanit, Kolë Sopit, Pjeter Koliqit por edhe të mikut Demë nga Dunavi, pikërisht ashtu vjen në pah edhe devijimi e disa familjeve fqinje të tyre.

 

  1. Çfarë sugjerohet me nocionin “Kthim”?

Nga aspekti biblik, kthimi është pasojë e qortimit te Hyjit, i cili thërret në largim nga devalvimi njerëzor. Që në faqet e para të Biblës (historisë njerëzore) kur njeriu filloi hapat e degradimit te tij, Hyji e thirri: Adam ku je? (Zan 3,9… Fjala Adam do të thotë njeri). Ndonëse ky zë e ka tronditur Adamin, ai njëkohësisht kuptoi se nuk ishte në rrugë të mbarë, madje trishtohej nga ajo pozitë degraduese në të cilën ishte katandisur. Ajo që Adamin e la në jetë dhe që Hyji nuk e treti krejtësisht nga mëshira e vet, ishte trishtimi i Adamit dhe vullneti i tij për kthim (ndonëse sipërfaqësor). Ndërsa shkak i mjerimit të tij që ka vazhduar gjatë historisë, deri në ditët tona, është moskonfrontimi me të keqen e tij, duke kërkuar arsyetime për gjendjen e tij dhe jo vullnetin e duhur për ta bërë kapërcimin dhe kthimin e duhur rrënjësor.

Vështruar pra, nga prizmi fetar, nocioni “kthim” nënkupton ndryshim radikal nga gjendja aktuale e jetesës. Kështu që nga nevoja për kthim askush nuk është i përjashtuar. Etërit e shekujve te parë të Kishës për këtë lloj kthimi kanë përdorur fjalën methanoia, që nënkupton një proces pendimi dhe shndërrimi duke nënkuptuar riinterpretimin e jetës së tij, moralisht, intelektualisht dhe shpirtërisht. Në fakt, në kthim jemi të ftuar të gjithë, pa dallim, sepse Methanoia nënkupton transformim të thellë të personit apo të kombit… kur ai ndryshon vetën e tij në bazë të informacioneve dhe fakteve.

Andaj, vetë fjala kthim vështruar nga prizmi filozofik krishterë, ngërthen në vete më shume të tashmen dhe të ardhmen se sa të kaluarën. Edhe trilogjia e Mons. Dodë Gjergjit, Kthimi, me tërë situatat emocionuese, ndonëse romani apostrofon një dëshmi të hidhur të një periudhe të shkurtër historike, ajo dëshmi konkrete paraqet fakte të pamohueshme të realitetit tonë joreal shoqëror dhe kulturor. Kështu që realiteti në të cilin ndodhemi cyt brezin tonë në horizonte të reja, sidomos për konceptimin dhe trajtimin e lirisë.

Me kthimin e burrave të besës nga internimi dyvjeçar në Muhaliq të Anadollisë, në kullat e tyre Stubëll, Binçë, Terziaj…, edhe ata që ishin thyer (pra, në vend të rrugës së persekutimit ishin përcaktuar për privilegje dhe pasuri që i kishin afruar pushtuesit) iu kanë veshur dhe rikthyer vlerave të dëshmuara nga familjet e martirëve të Karadakut. Këto vlera të dëshmuara me shumë vetëmohime, trimëri dhe me gjak, ushqejnë, frymojnë dhe gjallojnë edhe sot tek pasardhësit dhe në hapësirat e nënqiellit (dhe më gjerë) të Zef Gashjanit, Kolë Sopit e Pjetër Koliqit.

Nga qasja karakteristike e Autorit mbi dëshminë e burrave të besës, mësojmë për pasojat e këtyre ngjarjeve. Pozicioni i familjeve të atëhershme (familjet e internuara nga një anë dhe nga ana tjetër, ato që nuk gjetën guximin për ato ballafaqime të rënda) ngërthejnë në vete një lloj koncepcioni të jetës dhe karakteri që është thadruar edhe tek pasardhësit e tyre, deri në ditët tona. Është më se e qartë se i tërë kombi ynë ka kaluar nëpër flakën e persekutimeve, të trysnive të ndryshme të shkaktuara nga pushtuesit. Në këtë kontekst, qeveritë e huaja nuk i kanë mësuar shqiptarët për bashkëjetesë, por virtyti i harmonisë (edhe i asaj ndërfetare) është produkt i afërsisë së gjakut dhe te vuajtjeve të përbashkëta të kombit tonë.

Harmonia ndërfetare, që është karakteristike ndër shqiptarët, është rezultat i fatit të keq të përbashkët me të cilin fat janë ndeshur gjenerata të tëra. Shqiptarët më në fund janë ndarë në besime, por që nuk lejuan në asnjë mënyrë që të përçahet vëllazëria e gjakut. Ky virtyt i harmonisë ndërvëllazërore duhet ta përshkojë tabanin tonë kombëtar e shoqëror. Pra, duke i kujtuar gjitha persekutimet e gjeneratave të tëra, zëri i ndërgjegjes klith për një bashkëjetesë të mirë të bazuar në traditat tona të përbashkëta duke mos ushqyer në asnjë mënyrë farën e ndarjes por as distancimin nga trungu shumëshekullor shqiptar.

Kthimi në këtë kontest, sidomos për të krishterët, paraqet një lloj indikatori se këtu duhet pushuar guri (shpirti) – pra, në vendin e vet të drejtësisë, në shtratin e historisë më se 2000 vjeçare. Në këtë histori shumëshekullore me plot reperkusione, imponime e dredhi, Kisha qëndron si fortifikatë dhe kullë shpirtërore e kulturore e shqiptarëve. Gjenerata të tëra dolën nga kjo çerdhe shpirtërore dhe kulturore, nga sofra e kësaj kulle janë ushqyer bijat dhe bijtë e saj për luftëra, për rezistencë, por, njëherit, janë frymëzuar edhe për penë dhe për qëndresë të vazhdueshme.

Në këtë vështrim, trilogjinë Kthimi, nga një anë e pershkon klithja për përgjegjësi individuale dhe kolektive për të parët e tyre, kurse nga ana tjetër, ai në mesazhin e tij ngërthen rehati shpirtërore, dinjitet, krenari kombëtare dhe familjare, sidomos tek pasardhësit e burrave të besës dhe tek dashamirët e të vërtetave historike të të parëve tanë./drita.info

Comments are closed.

« »