Profili kompleks i një shqipëruesi në një variant të Bukolikave të Vergilit (1932)

Jun 28 • Kulturë, Letërsi

Nga Evalda PACI

Kontributet ndaj përurimit të letërsisë klasike në botën letrare shqiptare gëzojnë një traditë solide në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ndërkohë që vetë personaliteti që këtë radhë qe shtysë për përpilimin e kësaj trajtese paraqitet i lidhur mirëfilli me klasicitetin dhe antikitetin në formim, prirje dhe përzgjedhje argumentesh në punën e tij komplekse. Duke ndërmarrë të shqyrtojmë një variant shqipërimi, për më tepër mbi një autor që për hir të së vërtetës gëzoi pa ndërprerje interesin dhe vëmendjen e bibliofilëve dhe studiuesve të lashtësisë greke e romake, na u dha mundësia të marrim në analizë dhe aparatin me të cilin një punë e tillë është shoqëruar, fakt që paraqitet si një tjetër dëshmi e lidhjes së veçantë të Haxhiademit me letërsinë përkatëse dhe kontekstin që e mbështet atë. I përveçëm në vështrimin tonë mbetet Publ Vergil Maroni (70 p. K. – 19 p. K.), poeti që kujtohet për vepra-epope mbi historinë e Romës dhe më saktë, të një momenti mjaft domethënës për ardhmërinë e saj, por po aq të përveçme janë dhe gjinitë shkrimore që ky i fundit deshi të bënte objekt të sprovave të tij, që për ata që e njohin këtë të fundit dhe në sajë të biografisë përkatëse, është më se e qartë që u shkruan dhe nën njëfarë motivimi konkret. Rasti i Vergilit në të vërtetë mbetet një dëshmi e ndikimit të qartë që dhe koha e rrethanat konkrete kanë pasur në fatin e shkrimtarëve, e kur bëhet fjalë për Publ Maronin, janë jo pak faktorë që i vijnë në kujtesë kritikut letrar e njohësit të mirë të veprës së tij. Ai diferencohet në disa pikëpamje nga poetë të erës së Augustit, i cili jo përherë qe koherent në qëndrimet dhe vlerësimet ndaj shkrimtarisë së këtyre të fundit, duke qenë deciziv me gjykimet e veta dhe në ecurinë përkatëse jetësore të tyre.

Një vepër e natyrës së Bukolikave ngërthen jo pak argumente diskutimi, ndër të cilat parësore mbetet vetë natyra gjinore e saj, konotacioni i përveçimit-titull (Bucolicon liber) që e përfaqëson atë, ndërkohë që dhe sjellja në gjuhën shqipe kërkon jo vetëm njohjen e një arsenali të specializuar si vetë leksiku i saj, por dhe përpjekje për realizim skemash metrike e ritmike që në rasë të letërsisë klasike janë të një veçanësie unike. Vetë titulli i veprës na orienton ndaj një fryme që të bën të imagjinosh kontekste të veçanta për personazhet dhe rrjedhojën e shtjellimit të saj, por dhe për një lidhje të natyrshme të shkrimtarisë së autorit me koncepte të kohës mbi të shkruarit në vargje, aq më tepër mbi përpilimin e një vepre si Bukolikat.

Përposë faktit që mbetet vepër e një autori shumë të përmendur të letërsisë latine, motive të ngjashme me të Bukolikeve ndeshen dhe në realizimet më madhore të letërsisë klasike greke, qoftë dhe në ato që në fillesat e njohjes dhe për breza me radhë mendohet se janë transmetuar në rrugë orale.

Është e mundur që pikërisht në rasë të një shqyrtimi të shtysave që pati vetë autori i sipërcituar të lëvrojë dhe këtë gjini letrare komplekse, të mund të reflektojmë dhe mbi njohjen nga ana e tij e sprovave paraprijëse, të rëndësishme për ta rindërtuar vetë historikun zhanror që i përket. Rimarrja në motive dhe referenca të motiveve të një autori si Teokriti, por dhe një lloj asimilimi i veçantë që reflektohet ndërkohë që Virgjili eksploron teknika specifike me të tilla vjersha, bën të mundur të gjykohet për gërshetime motivesh e elementesh që të gjendura në një vepërz të përpiluar në gjuhën latine bart tipare e karakteristika inovative.

Letërsia latine në jo pak raste ofron mundësi për referim ndaj një tradite tjetër që është  e pranishme në përpilimet në gjuhën latine herë për arsye të motivimit që ka frymëzuar vetë autorët, herë për arsye objektive të formimit të secilit në treva që i përkasin kulturës greke dhe formave të mendimit filozofik që e karakterizojnë atë. E pranishme në jo pak dimensione dhe tipare jetësore, kultura greke shfaq ndikimet e veta dhe në format letrare e ato të dëshmimit shkrimor në botën romake, gjithashtu dhe në periudha që pasojnë ndarjen kohore që emërtohet zakonisht si ajo e latinishtes klasike, e afërt në kohë me veprimtarinë jetësore të Vergilit, por e ndryshme në të tjera karakteristika kryesisht evolutive dhe përmbajtësore. Përfshirja në një kapërcyell jo të parandësishëm kohor, mjaft domethënës për vetë kthesën që po merrte gjithë riorganizimi shtetëror e social i Romës me fuqizimin gradual e të pakthyeshëm të Oktavianit (Augustit të ardhshëm) i autorëve dhe poetëve që do të ndërmenden dhe me cilësimin përkatës që i kontekstualizon në pikëpamje letrarësie e krijimtarie me kohën e perandorit zëmadh të Imperium-it romak, bën të mundur që dhe në dekadat që lidhen me një proces të tillë të ndihet një frymëmarrje e përveçme në pikëpamje të zhvillimeve letrare e më tej gjuhësore e tipologjike.

Ndër autorët latinë që kanë shkruar kryesisht në vargje, pikërisht ata të periudhës së Augustit dallohen për tipare unike në pikëpamje formimi dhe shkrimtarie, ndërkohë që Virgjili që mendohet ta ketë njohur më nga afër arkitektin e imperiumit madhështor romak, veçohet nga tradita studimore përkatëse dhe për arsye të ngjashme.

Po shpjegojmë me këtë rasë dhe arsyet e përzgjedhjes së temës së kësaj kumtese, që mëton të jetë një homazh si për autorin latin që është lexuar e interpretuar aq shumë në shekuj, aq dhe për shqipëruesin që shfaqet në dimensione të një personaliteti të formuar e të mbrujtur me elemente të një kulture mirëfilli evropiane, të përsosur në oficinën e përkthimtarisë dhe lëmimit të teknikave më sfiduese metrike.

Lidhjet motivuese të shqipëruesit me klasicitetin në të vërtetë përbëjnë një argument që kapërcen vetiu kufijtë e një trajtimi në rang kumtese, aq më tepër që një fakt i tillë ndihet të frymojë në një gamë të gjerë krijimtarie të Haxhiademit, siç dëshmohet nga një seri përpilimesh që mbartin tituj domethënës, e që së fundi patëm dhe rastin ta rikishim në duar falë një ribotimi të mirorganizuar dhe mjaft domethënës.

Kjo vepër e Vergilit, e krahasueshme në pikëpamje gjinie shkrimore, por dhe motivesh qendrore me krijimet që i kanë dhanë zanafillën krijimtarisë mbi këngët e barinjve paraqet për Haxhiademin një objekt të një interesi të veçantë, duke qenë se ky i fundit nuk ka kursyer të shtjellojë si elemente të biografisë së autorit të periudhës së Augustit, ashtu dhe veçori të përpilimit të një vepre që ndoqi një ecuri të pazakontë në pikëpamje përfundimi. Për vetë rrugëtimin jetësor që i njihet në studime mbi personalitetin dhe veprën, por dhe faktin që ka qenë i përfshirë në trajtimin e madhështisë së imperiumit dhe  vetë figurën e Oktavianit, Vergili është bërë objekt trajtesash të shumta që kanë thirrur në kauzë antropologët më të mirë të antikitetit dhe historisë së një perandorie që u përurua në atë shekull në të cilin jetoi ky autor. Bukolikat vërtet që mbartin një profil të rrahur më parë dhe në letërsinë greke, madje në disa vepra të saj, dhe pse mund të mos jenë konceptuar mirëfilli si këngë të barinjve, por Virgjili vetë transmeton në përpilimin e tij disa aspekte që dëshmojnë prirje të personalitetit të tij.

Duhet parë veçanërisht dhe periudha në të cilën sheh dritën e botimit një shqipërim i tillë, me gjasë i bërë objekt pune prej Haxhiademit kohë më parë se të shihte dritën e shtypit kjo vepërz e tija, që për elementet përmbajtësore dhe larminë e mjeteve gjuhësore e bën këtë të fundit bashkautor të një përpilimi që evokon një frymë të veçantë, unike dhe për mbarë spektrin krijues të vetë Virgjilit.

Shqipërimet nga gjuha latine kanë qenë objekt interesi të vazhdueshëm në historinë e përkthimtarisë, në veçanti në lidhje me veprat madhore të letërsisë klasike. Bëhet fjalë për një kuadër të pasur në emra dhe arritje, të vijuara më tej me kontribute që bënë të mundur të promovoheshin në të njëjtën fushë të njëjtët kontribues, dhe pse në fushë të shqipërimit të veprave të shkruara në një latinishte më të vonë, të shekujve XV-XVI.

Vëllimi tematik që u bë këtë herë objekt i trajtesës sonë paraqitet i pajisur me elemente që i shërbejnë një domosdoshmërie përmbajtësore, siç dhe e kërkon vetë natyra e botimit, aq më shumë kur bëhet fjalë për një vepër të antikitetit. Një model i veçantë rindërtohet dhe metodikisht në një botim të tillë mbi Bukolikat, duke pasur parasysh se dhe elementet biografike që i paraprijnë leximit të shqipërimit janë më se të mirëpritura, të përpiluara me koncizitet, por dhe me një sens maturie që na shpie qoftë te autori, qoftë te periudha historike në të cilën ai jetoi.

Botimi në fjalë i Bukolikave përmban dhe konsiderata të nevojshme për lexuesin e specializuar, ndër të cilat do të veçonim njohuritë e natyrës kulturore mbi historikun e gjinisë në të cilën sprovohet Virgjili, e përuruar kohë më parë nga autorë të traditës greke, por që u ndërmor dhe nga autori ynë i periudhës së Augustit në rrethana pak a shumë të veçanta në rrugëtimin e tij jetësor. Qasjet ndaj autorëve paraardhës që njihen si promovues të një gjinie të tillë krijimtarie nuk mungojnë as në hyrjet kritike e të domosdoshme që prijnë shtjellimin e shqipërimit të Eklogave të Bukolikave, të cilat shihet qartë që Haxhiademi i ka ndjekur dhe studiuar dhe në pikëpamje të kronologjisë së përpilimit, që sipas kritikëve dhe studiuesve të historikut të veprës nuk ka pasur një linearitet që duhet të përkonte me renditjen reale të tyre në përbërje të saj.

Është e nevojshme në rast shpjegimesh të tilla të receptohet roli dhe vendi i autorit (Virgjilit), që paraqitet i përfshirë drejtpërdrejt në ngjarjet që i paraprijnë momentit të ardhjes në pushtet të Oktavianit, që më tej do të emërtohet Augustus, një ofiq i zgjedhur prej atij e që do ta dallojë përfundimisht në historinë e studimeve mbi Romën e asaj periudhe. Dedikimet që kanë qenë shtysë dhe që të përpiloheshin eklogat që i përbëjnë Bukolikat janë të nënvizuara dhe në aparatin kritik të këtij botimi të vitit 1932, duke bërë që vetë shqipërimi të introduktohet me nota interesante për nga brendia, informacioni, por dhe gjuha e përdorur, bartëse tiparesh që evokojnë klimën e periudhës që ka të bëjë dhe me Virgjilin, dhe me perandorin që dhe në këtë korpus krijimesh ndihet i pranishëm. Një lloj simbioze mes shqipëruesit dhe veprës përshkon tërë frymëmarrjen e këtij varianti bukolik në formë e përmbajtje, ndërkohë që shumë elemente të brendisë dëshmojnë rolin që ndërmerr ky i fundit në transmetimin ndaj lexuesit të të njëjtit pasion me të cilin ai ushqehet e frymëzohet gjatë punës së tij.

Në personazhe të caktuara të Eklogave të Bukolikave, arrihet të identifikohet ose të supozohet vetë autori, i cili vihet në disa role duke qenë vetë artĭfex, faber i kësaj vepre poetike, që paraqitet në nëndarje tipike për vetë natyrën e saj.  Identifikimi prej Haxhiademit i këtyre dimensioneve karakteriale që merr Publ Maroni, i kushtëzuar nga vetë rrethanat jetësore të gjindet në disa ngjarje e kthesa të papritura e të përsëritura konsiderohen themelore dhe prej atij vetë, që shfaq sërish një njohje më se të motivuar ndaj veprës dhe biografisë së autorit.

Koha e përpilimit të secilës prej eklogave rimerret dhe në paraqitjen përmbajtësore të secilës, duke u bërë e mundur në të vërtetë dhe një rindërtim i krijimtarisë së Virgjilit, i cili ka ngërthyer jo pak personazhe dhe momente jetësore në këtë vepër të tij. Në të vërtetë, një fakt i tillë duhet parë në një vështrim më përgjithësues nëse bëhet fjalë për të pasur një ide konkrete mbi kontributin e Haxhiademit në lidhje me një vepër të tillë. Brendësimi i krejt itinerarit të formësimit të kësaj vepre jo vetëm ndihet në çdo qelizë të angazhimit të Haxhiademit ndaj një krijimi të tillë, por dhe bën të mundur që shqipëruesi të ketë një rol vendimtar në receptimin e përmbajtjes së tij përballë lexuesit.

Një vepër si Bukolikat gëzon dhe një traditë të gjerë e solide rindërtimesh e trajtesash, në të cilat mbetet e pashmangshme dhe vënia në dukje e gërshetimit të prirjeve që së pari i gjejmë në një letërsi par excellence klasike si ajo greke, dhe në autorë në zë të saj, por më tej, me të njëjtën frymë por me terma paksa më të ndryshme në letërsinë latine që pati autorë që e pasqyronin ndjeshëm formimin apo frymëzimin nga pararendës të një letrarësie tipike, që gjen mundësi shprehjeje e konkretizimi në gjini si ajo e sipërcituara.

Eklogat në vetvete kthehen në rimarrje të regjistrave mitologjikë që priren dhe nga bota romake, dhe pse me referencë të qartë më së pari ndaj asaj greke. Në veçanti Ekloga II paraqitet me interes sa u përket qasjeve me tekstin latin referencial, ndaj të cilit në pamje të parë vihen re diferencime në variantin e shqipëruar, por në të vërtetë bëhet fjalë për përzgjedhje fjalësh të përshtatshme në shqipe nga ana e shqipëruesit.

Në një vepër të kësaj natyre do të përmbahen natyrshëm elemente të një sfere të rëndësishme për botën antike dhe në këtë drejtim dhe shqipëruesi lë gjurmët e tij me përdorimet që zgjedh të përfshijë. Ritet e flijimit gjejnë një shprehje të gjerë në përpilimet e autorëve antikë, gjithashtu dhe në autorët e letërsisë latine që kanë të bëjnë me periudhën e Augustit.

Të gjithë kemi përshkuar bashkë me ta e bashkë me shqipëruesit një itinerar ndjesish e receptimesh që zgjohen teksa përmenden altaret, monumentet karakteristike e bashkëshoqëruese të një riti kaq të zakontë në antikitet, por dhe flitë që nuk duhet të mungojnë pranë këtyre të fundit. Virgjili u bashkëngjitet natyrshëm paraardhësve të vet që dhe shekuj më parë u kujdesën të përshkruanin me gjithë solemnitetin që i takon skenat e riteve të tilla, pa të cilat nuk do të kishin kuptim as veprat madhore të letërsisë antike greke e romake.

Në vështrimin e sotëm, veprat e letërsisë antike vijojnë të jenë personifikimi i një qytetërimi kompleks që pati prirjen të shtrihej në kufij gjeografikë të një konceptimi tjetër në kohë të lashta, në kuptimin e perceptimit të popujve që kishin epërsi pothuaj të deklaruar në periudhën e fuqizimit të tyre.

Autorët e letërsisë antike, në veçanti personalitete si ai i Publ Maronit, e ndërmerrnin dhe në proces të krijimtarisë së tyre lartësimin në virtyte dhe përmasa të madhështisë së prijësve të tyre, modeli i të cilit vijoi të ishte në mënyrë decizive Oktaviani, i mbiquajtur më vonë Augustus.

Do të receptohet ndjeshëm nga lexuesi i shqipërimit të Haxhiademit brishtësia e personazhit që në të vërtetë është dhe protagonist i Eklogave më të rëndësishme të veprës në fjalë, po ashtu siç do të mund të receptohej dhe në proces të konsultimit të variantit në gjuhën latine, referent i pandashëm dhe në vazhdë të hulumtimeve tona mbi punën-model të përkthyesit. Do të shtonim me bindje të plotë që i frymëzuar nga vetë brendia e veprës së Virgjilit, shqipëruesi është pjesë e një procesi që ngërthen brendësimin e pasazheve të saj, por dhe të tjera përshtypje që në të vërtetë lidhen me vetë përjetimet e Publ Maronit që mbetet në syrin e historianëve të letërsisë augustiane i sprovuar në vështirësi e përballje të forta shpirtërore.

Janë pikërisht dhe dekadat që citohen dhe në këtë punim tonin që janë shënuar nga emrat e Frano Alkajt, Henrik Lacës, Gjergj Fishtës, Viktor Volajt, Ethem Haxhiademit, Ndre Mjedjes etj. Çdo kontribut në një fushë aspak të thjeshtë përballjeje ka bërë të mundur të rinënvizohen vlerat dhe shprehësia e një gjuhe të pasur si shqipja, që në këto raste bëhet instrument dhe i zbatimit të skemave metrike të detyrueshme për t’u respektuar, duke qenë se bëhet fjalë për vetë skeletin që mban fort tekstet e veprave të klasikëve që sillen në këtë gjuhë.

Mëton dhe kjo sprovë jona, e mbrujtur me elemente konsiderimi dhe reflektime të vogla, të vërë në dukje kompleksitetin e një kontributi që u shtri dhe u konkretizua në disa gjini e vepra, duke bërë të mundur të shtjellohen një sërë vetish krijuese të një personaliteti që duhet të qëndrojë në mënyrë të vijueshme në kujtesën e kohëve tona, bashkë me faktin që dhe vetë studimet tona duhet ta kenë atë pjesë të një mozaiku që në periudhën në të cilën jetoi Haxhiademi, u plotësua natyrshëm nga një sërë figurash të denja për t’u përkujtuar e celebruar dhe në veprimtari shkencore si kjo e sotmja./drita.info

 

———————–

[1] P. Vergil Maroni, Bukoliket, përkëthye nga latinishtja prej Etëhem Haxhiademit, Elbasan, 1922; botuar prej Shtypshkronjës Kristo P. Luarasi, Tiranë, 1932.

Comments are closed.

« »