Shën Pjetri dhe Pali –  jeta dhe bashkëpunimi

Jun 28 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

Sipas hulumtimeve biblike Shën Pjetri dhe Pali ishin shumë të dalluar njëri prej tjetrit.

Pjetri e përfaqësonte Popullin e zgjedhur, tradicional hebrenj, me profesion peshkatar, njeri me natyrë mjaft të ngutshme, plot me krenari, i shpejtë dhe guximshëm në fjalë dhe në veprime, njeri që donte të ishte gjithnjë i pari, plot me vetveten dhe krenarinë e tij, por edhe mjaft i brishtë dhe frikacak, në mëdyshje dhe luhatje.

Pali, përkundrazi, ishte njeri elitor nga diaspora, njohës i mirë i kulturës dhe fesë hebreje, por edhe asaj greke dhe romake, pra, pagane.

Si njeri i tillë i letrave, shkrimeve dhe studimeve, zelltar i madh në traditën e të parëve, i bindur se Jezusi po e prishte dhe anashkalonte traditën e shenjtë të të parëve, skajshmërisht luftëtar kundër Krishtit dhe krishterimit.

Prandaj për shumëçka ishin të ndryshëm, bile edhe diametralisht në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Sipas hulumtimeve të deritashme biblike, Pjetri dhe Pali janë takuar tri herë.

Takimi i parë ka ndodhur në Jerusalem diku rreth vitit 36 pas Krishtit, tri vite pas kthimit të Palit, në vegimin e famshëm në udhëtim për Damask, ku Jezusi e kishte verbuar dhe rrëzuar prej kalit…

Ja dëshmia e Palit: “E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njoftuar ne Kefën e ndeja te ai pesëmbëdhjetë ditë. Të tjerët prej apostujsh, përveç Jakobit, të vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë.” (Gal 1, 18-19)

Dhe vazhdon kështu: “Personalisht isha i panjohur Kishave të Krishtit në Jude. Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte” dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim,” (Gal 1, 22-24).

Takimi i dytë ka ndodhur në Koncilin e Jerusalemit, ku ishin mbledhur apostujt në krye me Pjetrin për të diskutuar a duhet paganët që besojnë dhe duan të jenë të krishterë, së pari të rrethpreheshin sipas dokes së Moisiut, pa të cilin sipas disave nuk mund të shëlboheshin (Khs. Vap 15, 1).

Ja përshkrimi i ngjarjes: “U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba dhe disa tjerë prej tyre të shkonin në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen.” (Vap 15, 2).

Vendimi i këtij Koncili të parë në Jerusalem ishte fatbardhë dhe i drejtë: “Prandaj, unë mendoj (thotë Jakobi, vr. ime), se nuk është mirëqë t’i mërzisim ata që kthehen prej paganizmit kah Hyji… Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi atë që janë të nevojshme: të ruheni prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet dhe të fala.” (Vap 15, 19,  28 – 29).

Takimi i tretë, i fundit, mes Pjetrit dhe Plait ishte në Antioki, me diskutim të ashpër dhe vendim të rreptë të Palit ndaj “dyfytyrësisë” së Pjetrit: “Kur Kefa erdhi në Antioki i kundërshtova ndër sy haptas, sepse e meritoi dënimin.  E njëmend, para se arritën disa njerëz prej rrethit të Jakobit, hante bashkë me paganë, por, kur erdhën ata, nisi të tërhiqej e të ndahej, pse i dronte të rrethprerët… Nëse ti, që je hebre, jeton si pagan e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj?” (Gal. 2,11 – 14).

 

Të përbashkëta mes Shën Pjetrit dhe Palit

Mirëpo të përbashkëta mes Shën Pjetrit dhe Palit ishin Krishti, Kisha, misioni apo dërgimi, që i aftësonin ata në tejkalimin e dallimeve dhe në krijimin e bashkimit në dallime.

Ja vetëm disa pika të rëndësishme dhe vendimtare:

I parë është ndërrimi prej Jezusit: Pjetri, kryeapostulli dhe Papa i parë, e pranon Palin në bashkësi apostolike (khs Gal 2, 11 -), ndërsa Pali, i zgjedhuri i Zotit për misionin e kthimit të paganëve në krishterim, ka nevojë për pranim dhe përkrahje të Pjetrit, për vulosjen e misionit të tij apostolik ndër paganë (khs. Gal, 2, 2-).

Dy drejtime që kanë një synim dhe orientim, Krishtin, Romën, me fuqinë e Krishtit dhe ndikimin dhe udhëzimin e Shpirtit Shenjt, Romën pagane do ta bëjnë “Qytetin e shenjt” – Selinë Apostolike, sidomos me vdekjen e tyre martire në këtë Qendër.

Të dytë janë shëndërruar prej Krishtit, Pjetri me faljen e tradhtisë së trefishtë, ndërsa Pali në rrugën për Damask (Lexo: Mt 26, 69 –75; Gjn 21, 15 -19; Vap, 9, 1 -33).

Elementi i dytë i përbashkët ishte përndjekja dhe vdekja martire në Romë nën persekutimin e Neronit, sipas të gjitha gjasave gjatë viteve 64 – 67. Kjo më së miri e ka përforcuar dhe vërtetuar bashkimin në dallime, së pari me Krishtin, pastaj me Kishën, me vdekjen martire si parahyrje në jetën e pasosur, dëshmi bindëse e fesë dhe dashurisë së tyre të madhe.

 

Roli i Pjetrit – Papa i parë në Kishë, Palit, ungjillëzues të popujve

Pjetri, edhe pse i dobët, tradhtar, qe emëruar prej vetë Jezu Krsihtit, kryeapostulli i Kishës (khs. Gjn 21, 15 -19). Këtë detyrë dhe shërbim ai e bëri me përkushtim dhe dashuri, në bashkëpunim me apostujt tjerë, për t’i përforcuar në fe ata, gjithë Kishën. Kjo bindshëm e dëshmon praninë dhe udhëheqjen e Kishës me  fuqinë e Shpirtit Shenj, si atëherë, gjatë shekujve, deri me sot dhe në vazhdimësi.

Pali ishte “i djeguri” i Krishtit – caritas Christi urget nos – dashuria e Krishtit na nxit, shtyn, na frymëzon, na udhëheq kudo në botë, edhe ndër paraardhësit tanë ilirë. Ja ky shpjegim i mrekullueshëm: “Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.” (2 Kor 5, 15).

 

Tri “sofrat” e Krishtit – Kishës

Sofra e parë është ajo e Fjalës së Zotit, që lexohet, shpallet dhe shpjegohet në Kishë. Nga kjo Fjalë kalojmë në Porosi, sidomos në kremtime eukaristike, ku Fjala “mishërohet”, bëhet Bukë – Jetë për ne dhe na dhurohet si ushqim shpirtëror. Prej Fjalës, Porosisë, vijmë deri te Personi, Jezu Krishti jo vetëm historik, por edhe aktual, të cilin në Kishë e njohim, i besojmë, e duam dhe e dëshmojmë me jetën e krishterë.

 

Feja dhe dashuria

Feja dhe dashuria – Krishti ishte shtylla e jetës, frymëzimi i veprimit për Shën Pjetrin dhe Palin. Ata në Të kishin gjetur Personin – fuqinë e përbashkët të ndërrimit, ndryshimit, shenjtërimit.

Te Shën Pjetri feja dhe frymëzimi i Shpirtit Shenjt ishin elemente mbi të cilat Jezusi ia dha primatin atij.

Shën Pjetri, edhe më mirë, Shpirti Shenjt, nëpërmjet Pjetrit, kishte dëshmuar: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!” (Mt 16, 16). Jezusi i përgjigjet kështu: “Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!”  (Mt 16, 18).

Për Shën Palin feja dhe dashuria ishin motivi bazë për jetën dhe veprimtarinë e tij. Ja vetëm disa dëshmi: “ ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që kapërcen çdo dije kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit. “ (Ef 3, 19).

Paçin hir të gjithë ataqë e duan Jezu Krishtin, Zotërinë tonë me dashuri që nuk mbaron.” (Ef 5, 24).

“Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria – këto të tria – porse më e madhja ndër to është dashuria.” (1 Kor, 13, 13).

Ishin së bashku në kërkim të Krishtit, në vuajtje, në fe dhe në dashuri, tash janë së bashku edhe në lumturi./drita.info

Comments are closed.

« »